Eja, Më Ndiq
12–18 Shkurt: “Ne Jetuam sipas Mënyrës së Lumturisë”. 2 Nefi 3–5


“12– 18 Shkurt: ‘Ne Jetuam sipas Mënyrës së Lumturisë’. 2 Nefi 3–5”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2024)

“12–18 Shkurt. 2 Nefi 3–5”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2024)

Nefi dhe bashkëshortja e tij

12–18 Shkurt: “Ne Jetuam sipas Mënyrës së Lumturisë”

2 Nefi 3–5

Duke lexuar te 1 Nefi, ju mund të merrni mbresën se Nefi ishte disi i jashtëzakonshëm. “I madh në shtat” si fizikisht edhe shpirtërisht (1 Nefi 2:16), ai dukej i palëkundur nga sprovat me të cilat përballej. Ose të paktën kjo është ajo që mund të marrim me mend. Ndërkohë që besimi i Nefit ishte mbresëlënës, fjalët e tij të dhembshura te 2 Nefi 4 zbulojnë se edhe njerëzit më besnikë nganjëherë ndihen të “mjerë” dhe të “ngacm[uar] me kaq lehtësi” prej tundimeve. Këtu shohim dikë që po përpiqet, që dëshiron të jetë i gëzuar, por “zemra [e të cilit] rënkon për shkak të mëkateve të [tij]”. Ne mund ta gjejmë veten te kjo dhe te vendimi plot shpresë që vijon: “Megjithatë, unë e di në cilin kam besuar” (shihni te 2 Nefi 4:15–19).

Ndërkohë që Nefi dhe populli i tij mësuan të jetonin “sipas mënyrës së lumturisë” (2 Nefi 5:27), ata gjithashtu mësuan se lumturia nuk vjen me lehtësi ose pa periudha hidhërimi. Përfundimisht kjo vjen nga mirëbesimi te Zoti, “shkëmbi i drejtësisë s[onë]” (2 Nefi 4:35).

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

2 Nefi 3:6–24

ikona e seminarit
Jozef Smithi u zgjodh nga Perëndia për të rivendosur ungjillin.

Lehi i tregoi birit të tij, Jozefit, një profeci të dhënë nga Jozefi i Egjiptit. Profecia ishte për një “shikues të zgjedhur”, Jozef Smithin. Çfarë thonë vargjet 6–24 se Jozef Smithi do të bënte për ta bekuar popullin e Perëndisë? Merreni parasysh në ç’mënyrë ka qenë puna e Jozef Smithit “me vlerë të madhe” për ju. Mund të krijoni ndonjë ide nga materialet filmike rreth Jozef Smithit në koleksionin “Prophets of the Restoration” [“Profetët e Rivendosjes”] te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Mendoni për pyetje si këto dhe merreni parasysh t’i mbani shënim përgjigjet tuaja:

  • Çfarë dini për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin për shkak të asaj që dha mësim Jozef Smithi?

  • Si ndryshoi jeta juaj për shkak të asaj që rivendosi Zoti nëpërmjet Jozef Smithit?

  • Si do të ishte jeta juaj nëse nuk do të kishte ndodhur Rivendosja?

Një pjesë e rëndësishme e misionit të Jozef Smithit ishte që të nxirrte në dritë Librin e Mormonit. Çfarë mësoni nga ky kapitull rreth arsyes pse është i rëndësishëm Libri i Mormonit? Në veçanti, mund të kërkoni arsye te vargjet 7, 11–13, 18–24.

Shihni edhe Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zanafilla 50:24–38 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta); Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Joseph Smith” [“Jozef Smithi”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “Lavdi Burrit”, Himne, nr. 19.

Profeti Jozef Smith

Prophet of the Lord [Profet i Zotit], nga David Lindsley

2 Nefi 4:15–35

“O Zot, unë kam besuar te ti.”

Nefi tha do të “shkrua[nte] gjërat e shpirtit” të tij (vargu 15). Teksa lexoni atë që ai shkroi te 2 Nefi 4:15–35, pyeteni veten: “Cilat janë gjërat e shpirtit tim?” Merreni parasysh t’i shkruani ato, siç bëri Nefi, dhe t’ua tregoni njerëzve që i doni.

Të parit se si Nefi gjeti ngushëllim kur u ndje i dërrmuar dhe në ankth mund t’ju ndihmojë kur keni ndjenja të ngjashme. Kërkoni te vargjet 15–35 fragmente që ju sjellin ngushëllim. A njihni dikë tjetër që mund të gjejë ngushëllim nga këto fragmente?

Shihni edhe te Ronald A. Rasband, “Gjërat e Shpirtit Tim”, Liahona, nëntor 2021, f. 39–41.

2 Nefi 5

Unë mund të gjej lumturi tek të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit.

Çfarë mendoni se do të thotë të jesh i lumtur? Nefi shkroi se populli i tij jetoi “sipas mënyrës së lumturisë” (2 Nefi 5:27). Mund të kërkoni zgjedhjet që bënë Nefi dhe populli i tij që i ndihmuan të ishin të lumtur (shihni, për shembull te 2 Nefi 5:6, 10–17). Çfarë mund t’ju ndihmojë të ndërtoni një jetë të lumtur si populli i Nefit?

2 Nefi 5:20–21

Cili është mallkimi që erdhi mbi lamanitët?

Në kohën e Nefit, mallkimi i lamanitëve ishte që ata u “përjasht[uan] nga prania e Zotit … për shkak të paudhësisë së tyre” (2 Nefi 5:20–21). Kjo nënkuptonte që Shpirti i Zotit u tërhoq nga jeta e tyre. Kur lamanitët më vonë e përqafuan ungjillin e Jezu Krishtit, “mallkimi i Perëndisë nuk i ndoqi më” (Alma 23:18).

Libri i Mormonit gjithashtu thotë se një shenjë e lëkurës së errët erdhi mbi lamanitët pasi nefitët u ndanë prej tyre. Natyra dhe pamja e kësaj shenje nuk kuptohen plotësisht. Shenja fillimisht dallonte lamanitët nga nefitët. Më vonë, ndërkohë që si nefitët, ashtu edhe lamanitët kaluan secili përmes periudhave të ligësisë e drejtësisë, shenja u bë e parëndësishme.

Profetët pohojnë në kohën tonë se lëkura e errët nuk është shenjë e një mospëlqimi apo mallkimi hyjnor. Presidenti Rasëll M. Nelson shpalli: “Ju siguroj se gjendja juaj para Perëndisë nuk përcaktohet nga ngjyra e lëkurës suaj. I favorizuar ose jo nga Perëndia varet nga përkushtimi juaj ndaj Perëndisë dhe urdhërimeve të Tij dhe jo nga ngjyra e lëkurës suaj” (“Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Liahona, nëntor 2020, f. 94).

Sikurse dha mësim Nefi, Zoti “nuk ia mohon askujt që shkon tek ai, të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra; … të gjithë janë njësoj para Perëndisë” (2 Nefi 26:33).

Shihni edhe “Till We All Come in the Unity of the Faith” [“Derisa të Arrijmë të Gjithë tek Uniteti i Besimit”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistave Liahona dhe Për Forcën e Rinisë.

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

2 Nefi 3:6–24

Jozef Smithi ishte një profet.

  • Merreni parasysh se si mund t’u jepni mësim fëmijëve tuaj rreth punës së madhërishme që Perëndia kreu nëpërmjet Jozef Smithit. Për të filluar, mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj të gjejnë fjalën “shikues” te 2 Nefi 3:6 dhe të shpjegoni se profetët quhen shikues ngaqë Ati Qiellor i ndihmon ata të shohin gjëra që ne nuk mund t’i shohim. Tregoni se përse jeni mirënjohës që keni një shikues që e udhëheq Kishën.

  • Libri i Figurave Artistike të Ungjillit ka disa figura që mund t’i përdorni për të dhënë mësim rreth punës që bëri Perëndia nëpërmjet Jozef Smithit (shihni figurat 89–95). Lërini fëmijët tuaj të tregojnë atë që dinë për figurat. Përse Jozef Smithi quhet një “shikues i zgjedhur”? Çfarë bëri Jozef Smithi që ishte “me vlerë të madhe”? (Vargu 7.)

2 Nefi 4:15–355

Më pëlqejnë tej mase “gjërat e Zotit”.

  • Çfarë na bën të lumtur? Merreni parasysh t’i lexoni së bashku vargjet te 2 Nefi 4 për të zbuluar atë që e kënaqte ose e bënte të lumtur Nefin (shihni vargjet 15–16, 20–25, 34–35). Në mesazhin e tij “Gjërat e Shpirtit Tim”, Plaku Ronald A. Rasband tregoi shtatë “gjërat e Zotit” që janë të çmuara për të (Liahona, nëntor 2021, f. 39–41). Ndoshta mund ta rishikoni listën e tij së bashku dhe të bisedoni për “gjërat e Zotit” që janë të çmuara për ju.

  • 2 Nefi 5 gjithashtu përshkruan gjëra që i ndihmuan nefitët të jetonin “sipas mënyrës së lumturisë” (vargu 27). Mund të siguroni disa fjalë ose figura që i përfaqësojnë këto gjëra dhe i ndihmojnë fëmijët tuaj t’i përkojnë ato me vargjet te kapitulli 5. Disa shembuj përfshijnë familjen (vargu 6), urdhërimet e Perëndisë (vargu 10), shkrimet e shenjta (vargu 12), punën (vargjet 15 dhe 17), tempujt (vargu 16) dhe thirrjet në Kishë (vargu 26). Si na sjellin lumturi këto gjëra?

2 Nefi 5:15–16

Tempulli është shtëpia e Zotit.

  • Ndërsa u lexoni fëmijëve tuaj te 2 Nefi 5:15–16, ata mund të bëjnë sikur po e ndihmojnë Nefin për ndërtimin e tempullit. Mund t’u tregoni atyre edhe figura të ndërtesave të ndryshme, përfshirë të një tempulli. Ku ndryshojnë tempujt nga ndërtesat e tjera? Tregojini njëri-tjetrit se pse tempulli është i rëndësishëm për ju (shihni edhe “Tempullin Shum’ Dua t’Shoh”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 99).

Çdo çast mund të jetë një çast mësimdhënieje. Mos e mendoni mësimdhënien ndaj familjes suaj si diçka që e bëni një herë në javë gjatë kohës së një mësimi formal. Mendojeni si diçka që e bëni gjatë gjithë kohës.

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Nefitët duke ndërtuar një tempull

The Temple of Nephi [Tempulli i Nefit], nga Michael T. Malm