“19– 25 Shkurt: ‘O Sa i Madh Plani i Perëndisë Tonë!’ 2 Nefi 6–10”, Eja Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2024)
“19–25 Shkurt. 2 Nefi 6–10”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2024)
19–25 Shkurt: “O Sa i Madh Plani i Perëndisë Tonë!”
2 Nefi 6–10
Kishin kaluar të paktën 40 vjet që kur familja e Lehit ishte larguar nga Jerusalemi. Ata ishin në një tokë të re, të çuditshme, shumë larg Jerusalemit. Lehi kishte vdekur dhe familjarët e tij kishin filluar tashmë atë që do bëhej një grindje shekullore midis nefitëve – “që besonin në paralajmërimet dhe zbulesat e Perëndisë” – dhe lamanitëve, që nuk i besonin ato (2 Nefi 5:6). Jakobi, i cili ishte vëllai më i vogël i Nefit dhe tashmë ishte shuguruar si mësues për nefitët, donte që populli i besëlidhjes të dinte se Perëndia nuk do t’i harronte kurrë ata, kështu që ata nuk duhet ta harronin kurrë Atë. Ky është një mesazh që sigurisht na nevojitet sot (shihni te Doktrina e Besëlidhje 1:15–16). “Le ta kujtojmë atë, … pasi ne nuk jemi braktisur. … Të mëdha janë premtimet e Zotit”, shpalli Jakobi (2 Nefi 10:20–21). Midis atyre premtimeve, asnjë nuk është më i madh se premtimi i një “shlyerje[je] të pafund” për të mposhtur vdekjen dhe ferrin (2 Nefi 9:7). “Kështu që”, përfundon Jakobi, “gëzoni zemrat tuaja”! (2 Nefi 10:23.)
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Zoti është i mëshirshëm ndaj popullit të Tij dhe do t’i përmbushë besëlidhjet e Tij.
Për t’i ndihmuar njerëzit e tij të kuptonin se ata ishin pjesë e shtëpisë së Izraelit dhe mund t’i mirëbesonin Perëndisë dhe premtimeve të Tij, Jakobi citoi profecitë e Isaias, të shënuara te 2 Nefi 6–8. Ai mesazh është edhe për ju, sepse shenjtorët e ditëve të mëvonshme janë gjithashtu pjesë e popullit të besëlidhjes së Perëndisë. Ndërsa i lexoni këta kapituj, mendoni për pyetje si ato në vijim:
-
Çfarë mësoj rreth dashurisë shëlbuese të Shpëtimtarit për mua? Cilat fjalë ose fraza e shprehin veçanërisht mirë këtë dashuri?
-
Çfarë u ofron Shpëtimtari njerëzve që e kërkojnë Atë?
-
Çfarë mund të bëj që të “pres” më besnikërisht për Shpëtimtarin dhe bekimet e Tij të premtuara?
Jezu Krishti më shpëton nga mëkati dhe vdekja.
Një mënyrë për ta thelluar vlerësimin tuaj për Jezu Krishtin është të mendojmë rreth asaj që do të na kishte ndodhur pa Të. Ndërsa lexoni vargjet te 2 Nefi 9:1–26, merreni parasysh që ta renditni ose shenjoni me një ngjyrë atë që do të na ndodhte pa Shlyerjen e Jezu Krishtit. Pastaj, në një listë tjetër ose me një ngjyrë tjetër, mund të përcaktoni atë që mund të marrim nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit. Nisur nga ato që lexuat, si do ta shpjegonit arsyen përse na nevojitet Shlyerja e Jezu Krishtit? Çfarë gjetët që ju frymëzon ta lëvdoni “urtësi[në] e Perëndisë, mëshir[ën] dhe hiri[n e] tij”? (2 Nefi 9:8.)
Krahas mësimdhënies për ato nga të cilat na shpëtoi Jezu Krishti, Jakobi dha edhe ide rreth mënyrës se si Ai e bëri këtë. Merreni parasysh ta shënoni atë që gjeni te 2 Nefi 9:11–15, 20–24?
Jakobi qe aq i mahnitur nga plani i Perëndisë për shëlbimin saqë thirri: “O sa i madh plani i Perëndisë tonë!” Kërkojini thirrjet e tij te 2 Nefi 9 (shumica e tyre gjenden në vargjet 8–20). Çfarë mësoni nga këto vargje rreth planit të Perëndisë? Cilat përvoja ju kanë ndihmuar të ndieni ca nga ajo që ndjeu Jakobi? Si pjesë e adhurimit dhe studimit tuaj, merreni parasysh të kërkoni një himn që mund të shprehë mënyrën se si ndiheni rreth Tij, të tillë si “Sa i Madh Je Ti” (Himne, nr. 42).
Shihni edhe “Ku Drejtësia, Dashuria e Mëshira Takohen”, “Jacob Teaches of the Resurrection” [“Jakobi Jep Mësim për Ringjalljen”] (materiale filmike), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Atonement of Jesus Christ” [“Shlyerja e Jezu Krishtit”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Shlyerja e Shpëtimtarit është e pafund.
Çfarë mund të bëni për ta kuptuar më mirë “shlyerje[n e] pafund” të Jezu Krishtit? (2 Nefi 9:7.) Ndoshta mund të vështroni gjëra që duken të pafundme në numër, fijet e barit në një fushë, kokrrizat e rërës në një plazh apo yjet në qiell. Në ç’mënyrë është e pafundme Shlyerja e Shpëtimtarit? Në ç’mënyrë është ajo edhe vetjake? Cilat fraza te 2 Nefi 9 ju ndihmojnë të ndiheni mirënjohës për atë që bëri Shpëtimtari për ju?
Unë mund të vij te Krishti dhe të ndjek planin e Perëndisë.
Te 2 Nefi 9, Jakobi përdori dy fraza të fuqishme dhe krahasuese: “plani [i] mëshirshëm [i] Krijuesit të madh” dhe “ai plani dredharak i të ligut” (2 Nefi 9:6, 28). Ndoshta mund të vizatoni një shteg dhe ta emërtoni Plani i Atit Qiellor. Më pas kërkoni te 2 Nefi 9:27–52. Kërkoni paralajmërimet dhe ftesat që na dha Jakobi për të na ndihmuar ta ndjekim këtë plan. Shkruajeni atë që gjeni në anë të shtegut. Si përpiqet Satani të na prijë larg planit të Perëndisë? Çfarë ndiheni i/e frymëzuar të bëni në përgjigje ndaj paralajmërimeve dhe ftesave të Jakobit?
Flijimi i Jezu Krishtit mund të më sjellë gëzim.
Mesazhi i Jakobit ishte një mesazh gëzimi. “Unë ju flas këto gjëra”, – tha ai, “që ju të gëzoheni dhe të ngrini kokat përgjithmonë” (2 Nefi 9:3). Ndërsa lexoni te 2 Nefi 10:20, 23–25, çfarë gjeni që jua mbush zemrën me gëzim? Çfarë do të bëni për t’i mbajtur mend këto gjëra kur ndiheni të shkurajuar?
Shihni edhe te Gjoni 16:33; D. Tod Kristoferson, “Gëzimi i Shenjtorëve”, Liahona, nëntor 2019, f. 15–18; “Jacob Encourages the Nephites to Be Reconciled with God” [“Jakobi i Nxit Nefitët të Pajtohen me Perëndinë”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Jezu Krishti është Shpëtimtari im.
-
Si do t’i ndihmoni fëmijët tuaj ta kuptojnë dhe ndiejnë se kanë nevojë për Shpëtimtarin Jezu Krisht? Faqja e veprimtarisë së kësaj jave mund të ndihmojë. Ajo përdor një analogji të thjeshtë me një gropë dhe një shkallë. Merreni parasysh t’i përdorni vargjet te 2 Nefi 9:21–22 për të biseduar me fëmijët tuaj rreth arsyes pse jeni mirënjohës për Jezu Krishtin.
-
Një mënyrë për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të kuptojnë se pse kemi nevojë për Shpëtimtarin është t’u jepni atyre mësim për Rënien. Mund t’u tregoni një figurë të Adamit dhe Evës, të tillë si Leaving the Garden of Eden [Largimi nga Kopshti i Edenit] (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit] dhe një figurë të Jezu Krishtit në kryq. Merreni parasysh t’u kërkoni atyre të përshkruajnë se çfarë po ndodh në secilën figurë. Në ç’mënyrë jemi ne si Adami dhe Eva? Ndoshta vargjet te 2 Nefi 9:6–10 mund t’i ndihmojnë ata të kuptojnë atë që bën Jezu Krishti për ne. Merreni parasysh t’i ftoni fëmijët të shprehin ndjenjat e tyre rreth Jezu Krishtit. Një këngë si “T’Shpëtuesit Dashuri Ndiej” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 42–43) mund të ndihmojë.
“Zemra ime kënaqet në drejtësi.”
-
Për t’i nxitur fëmijët tuaj të “kënaqe[n] në drejtësi” ose t’i binden me gëzim Zotit (2 Nefi 9:49), ndoshta mund të jepni shembuj ku një fëmijë bën një zgjedhje të mirë ose të keqe. Ftojini fëmijët të ngrihen kur zgjedhja sjell lumturi dhe të ulen kur zgjedhja sjell trishtim. Kur kemi ndier lumturi ngaqë kemi bërë një zgjedhje për ta ndjekur Jezu Krishtin?
-
Ka gjasë që fëmijët tuaj të ndërveprojnë me njerëz (nëse nuk e kanë bërë tashmë) që mendojnë se urdhërimet e Zotit janë marrëzi ose që u ka ikur koha. Ndoshta ju dhe fëmijët tuaj mund të bisedoni rreth mënyrës se si të shpjegoni se përse jemi të lumtur që i zbatojmë urdhërimet. Përse është e rëndësishme t’i mirëbesojmë këshillës së Perëndisë edhe nëse nuk e kuptojmë atë plotësisht? Mund t’i nxitni ata të kërkojnë te 2 Nefi 9:20, 28–29 dhe 42–43 për ndihmë që të mendohen rreth këtyre pyetjeve dhe për t’i diskutuar ato.