“29 Janar – 4 Shkurt: ‘Unë do të Përgatis Udhën Para Jush’. 1 Nefi 16–22”, Eja Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2024)
“29 Janar – 4 Shkurt. 1 Nefi 16–22”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2024)
29 Janar – 4 Shkurt: “Unë do të Përgatis Udhën Para Jush”
1 Nefi 16–22
Ndërsa familja e Lehit udhëtonte drejt tokës së premtuar, Zoti u bëri atyre këtë premtim: “Unë do të përgatis udhën para jush, në qoftë se ju do t’i mbani urdhërimet e mia” (1 Nefi 17:13). Qartësisht, ai premtim nuk nënkuptonte se udhëtimi do të ishte i lehtë – pjesëtarët e familjes akoma nuk binin dakord, harqet [për gjueti] u thyen, njerëzit hasën vështirësi e vdiqën dhe ata ende duhej të ndërtonin një anije nga materiale të papërpunuara. Megjithatë, kur familja u përball me fatkeqësi apo me detyra që dukeshin të pamundura, Nefi e dalloi se Zoti asnjëherë nuk ishte larg. Ai e dinte se Perëndia “i ushqen dhe i forcon [besnikët] dhe siguron mjete me anë të të cilave ata mund të plotësojnë gjënë për të cilën ai i ka urdhëruar” (1 Nefi 17:3). Nëse e pyetni veten ndonjëherë përse njerëzve të mirë, si Nefit dhe familjes së tij, u ndodhin gjëra të këqija, ju mund të gjeni ide në këta kapituj. Por ndoshta, më e rëndësishme, ju do të shihni se çfarë bëjnë njerëzit e mirë kur ndodhin gjëra të këqija.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Shpëtimtari do të më ndihmojë që t’i përballoj sfidat e jetës.
Familja e Nefit u përball me disa sfida të ashpra, si të gjithë ne. Çfarë mund të mësoni nga Nefi rreth përballjes me fatkeqësinë me besim te Jezu Krishti? Lexoni rreth përvojave të tij te 1 Nefi 16:17–32; 16:34–39; 17:7–16; 18:1–4 dhe 18:9–22. Merreni parasysh ta mbani shënim atë që gjeni poshtë krerëve si këta: “Sfida”, “Si Reagoi Nefi” dhe “Si Ndihmoi Zoti”. Çfarë mësoni që mund ta vini në zbatim për sfidat me të cilat përballeni?
Pasi të mësoni nga Nefi dhe familja e tij, mund të mbani shënim mendime të tjera poshtë këtyre titujve: “Sfidat e Mia”, “Si do të Përgjigjem Unë” dhe “Si Mund të më Ndihmojë Zoti”. Ndërsa e bëni këtë, mund t’iu referoheni shkrimeve të shenjta si këto: Mateu 11:28–30; Gjoni 14:26–27; Mosia 24:13–15. Një himn si “Ku Mund të Gjej Paqe?” (Himne, nr. 67), mund t’jua forcojë besimin te Shpëtimtari dhe te ndihma që Ai ofron gjatë kohëve të sprovës.
Shihni edhe te Entoni D. Perkins, “Kujtoji Shenjtorët e Tu të Përvuajtur, O Perëndia Ynë”, Liahona, nëntor 2021, f. 103–105; “He Will Give You Help” [“Ai Do t’ju Japë Ndihmë”], “Zoti Udhëheq në Udhëtimin e Lehit”, “Zoti e Urdhëron Nefin të Ndërtojë një Anije” dhe “Familja e Lehit Lundron drejt Tokës së Premtuar” (materiale filmike), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “Ndihmë për Jetën”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
1 Nefi 16:10–16, 23–31; 18:11–22
Perëndia më udhërrëfen nëpërmjet mjeteve të vogla e të thjeshta.
Kur Perëndia e udhëhoqi familjen e Lehit drejt vendit të shkretë, Ai nuk u dha atyre një hartë duke iu treguar çdo hollësi të udhëtimit të tyre. Në vend të kësaj, Ai u dha atyre Liahonën që t’i udhërrëfente çdo ditë. Ndërsa lexoni te 1 Nefi 16:10–16, 23–31 dhe 18:10–22, merreni parasysh të bëni një listë të të vërtetave që ilustrojnë mënyrën se si Perëndia i udhërrëfen fëmijët e Tij (për shembull, 1 Nefi 16:10 mund të na mësojë se Perëndia ndonjëherë na udhërrëfen në mënyra të papritura). Çfarë ngjashmërish shihni midis Liahonës dhe Frymës së Shenjtë? Cilat janë “mjete[t e] vogla” me anë të të cilave Ai ka sjellë “gjëra të mëdha” në jetën tuaj?
Shihni edhe tek Alma 37:7, 38–47; Doktrina e Besëlidhje 64:33–34.
Sprovat e mia mund të jenë një bekim.
Ndonëse Nefi dhe vëllezërit e tij patën të njëjtat sfida në vendin e shkretë, përvojat e tyre qenë shumë të ndryshme. Mund ta krahasoni rrëfimin e Nefit për udhëtimin nëpër vendin e shkretë (shihni te 1 Nefi 17:1–6) me rrëfimin e vëllezërve të vet (shihni te 1 Nefi 17:17–22). Çfarë dinte ose bënte Nefi që e ndihmoi atë të kishte një këndvështrim besimplotë? Merreni parasysh të shkruani rreth një sprove të kohëve të fundit ose aktuale nga këndvështrimi i besimit dhe mirënjohjes. Çfarë ndieni ose mësoni nga kjo?
Shihni edhe tek Emi A. Rajt “Krishti Shëron Atë që Është Thyer”, Liahona, maj 2022, f. 81–84; “No Strength without Struggle” [“Nuk Forcohemi pa u Sprovuar”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Unë mund t’i “përshtat të gjitha shkrimet e shenjta” për veten time.
Për shkak se shkrimet e shenjta u shkruan shumë kohë më parë, mund të duket sikur ato nuk kanë lidhje me ne sot. Por Nefi e dinte se nuk ishte kështu. “I përshtata të gjitha shkrimet e shenjta për ne”, – tha ai, “që ato të mund të jenë për përfitimin dhe mësimin tonë” (1 Nefi 19:23). Kjo është një arsye pse Nefi gjeti aq shumë fuqi shpirtërore në shkrimet e shenjta.
Merrni parasysh pyetje si ato në vijim ndërsa lexoni te 1 Nefi 20–22:
-
1 Nefi 20:1–9.Çfarë na mësojnë këto vargje për popullin në kohën e Isaias? Çfarë gjetët që gjen zbatim për ju?
-
1 Nefi 20:17–22.Çfarë na mësojnë këto vargje rreth mënyrës se si e udhëhoqi Ati Qiellor popullin në kohën e Isaias? Si ju fton Ai që ta ndiqni?
Çfarë tjetër gjeni te 1 Nefi 20–22 që mund ta “përshtat[ni]” për veten tuaj?
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
1 Nefi 16:10, 28–29; 18:8–13, 20–22
Kur i zbatoj urdhërimet, Zoti më udhërrëfen.
-
Nëse keni një busull, një hartë ose diçka tjetër që na ndihmon të gjejmë udhën, mund t’ua tregoni fëmijëve tuaj. Kjo mund të jetë një mënyrë e mirë për të filluar një diskutim rreth Liahonës, për të cilën mund të lexoni te 1 Nefi 16:10, 28–29. Cilat janë disa arsye pse një busull ose hartë mund të mos funksionojë? Pse Liahona ndonjëherë nuk funksiononte për familjen e Lehit? (Shihni te 1 Nefi 18:9–12, 20–22.) Çfarë na ka dhënë Ati Qiellor sot që të na udhërrëfejë për t’u kthyer tek Ai?
-
Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj ta vënë në zbatim atë që mësojnë rreth Liahonës te 1 Nefi 16:10, 26–31; 18:8–22, mund t’i ftoni ata të mendojnë për një vendim të rëndësishëm ose të vështirë. Çfarë na ka dhënë Perëndia si udhërrëfyes sot që funksionon si Liahona? (Shihni, për shembull, tek Alma 37:38–44.) Merreni parasysh të jepni një përvojë vetjake në të cilën Ati Qiellor ju udhërrëfeu.
Unë mund të jem një shembull i mirë për familjen time.
-
Teksa lexoni te 1 Nefi 16:21–32 së bashku, ndihmojini fëmijët tuaj të zbulojnë se si shembulli i Nefit e bekoi familjen e tij “Zoti Udhëheq në Udhëtimin e Lehit”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Kjo mund të çojë në një diskutim rreth mënyrës se si mund të jemi si Nefi. Ftojini fëmijët tuaj të planifikojnë një gjë që mund të bëjnë për të qenë një ndikim i mirë te pjesëtarët e tjerë të familjes.
Ati Qiellor mund të më ndihmojë të bëj gjëra të vështira.
-
Fëmijëve u pëlqejnë pa masë tregimet. Mund t’i ftoni ata t’ju ndihmojnë të thoni tregimin e Nefit që u urdhërua të ndërtonte një anije (shihni te 1 Nefi 17:7–19; 18:1–4; shihni edhe te “Kapitulli 7: Ndërtimi i Anijes”, tek Tregime të Librit të Mormonit, f. 21–22; ose materialin filmik “Zoti e Urdhëron Nefin të Ndërtojë një Anije”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Ata mund të këndojnë së bashku strofën e dytë të këngës “Guximi i Nefit” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 64–65). Çfarë e ndihmoi Nefin të kishte guxim kur vëllezërit e tij e përqeshën se po përpiqej të ndërtonte një anije?
-
Nefi nuk dinte si ndërtohej një anije, ndaj ai u mbështet tek udhëzimi nga Zoti. Pas leximit te 1 Nefi 18:1 bashkë me ju, fëmijët tuaj mund të plotësojnë faqen e veprimtarisë së kësaj jave. Ndërsa e bëjnë këtë, bisedoni me ta rreth mënyrës se si Ati Qiellor mund të na ndihmojë të bëjmë gjëra të vështira, njësoj siç e ndihmoi Nefin.