Eja, Më Ndiq
4–10 Mars: “Ne Gëzohemi në Krishtin”. 2 Nefi 20–25


“4–10 Mars: ‘Ne Gëzohemi në Krishtin’. 2 Nefi 20–25”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2024)

“4–10 Mars. 2 Nefi 20–25”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2024)

familje duke studiuar

4–10 Mars: “Ne Gëzohemi në Krishtin”

2 Nefi 20–25

Shkrimet e Isaias përfshijnë paralajmërime të forta, por gjithashtu ofrojnë shpresë e gëzim. Kjo është një arsye përse Nefi i përfshiu ato në analin e tij: “Unë po shkruaj disa nga fjalët e Isaias”, – tha ai, “që kushdo … që do t’i shikojë këto fjalë, mund të ngrejë zemrën e tij dhe të gëzohet” (2 Nefi 11:8). Në njëfarë kuptimi, ftesa për t’i lexuar shkrimet e Isaias është një ftesë për t’u gëzuar. Mund të gjeni kënaqësi, ashtu siç bëri Nefi, në profecitë e Isaias rreth mbledhjes së Izraelit, ardhjes së Mesias dhe paqes që iu është premtuar të drejtëve. Ju mund të gëzoheni që jetoni në ditën e profetizuar kur Zoti ka “ngr[itur] një emblemë për kombet dhe do të mbledhë së bashku të dëbuarit e Izraelit” (2 Nefi 21:12). Kur keni etje për drejtësinë, “me gëzim ju [mund] të merrni ujë nga puset e shpëtimit” (2 Nefi 22:3). Me fjalë të tjera, ju mund “të gëzohe[n]i në Krishtin” (2 Nefi 25:26).

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

2 Nefi 21–22

Unë mund të gjej paqe te Jezu Krishti.

Fëmijët e Lehit kishin një problem me grindjen. Problemi u përkeqësua në brezat e ardhshëm, duke çuar drejt përçarjes, robërisë, hidhërimit dhe shkatërrimit. Dhe grindja vazhdon të jetë një problem sot.

Me gjithë këto në mendje, mendoni për profecitë te 2 Nefi 21–22. Merreni parasysh se si Shpëtimtari po i përmbush këto profeci. Çfarë do të thotë për ju profecia që ujku do të “jetojë me qengjin”? (2 Nefi 21:6.) Përsiatni se çfarë mund të bëni për të qenë një paqebërës/e.

Shihni te Dejll G. Renland, “Paqja e Krishtit e Shuan Armiqësinë”, Liahona, nëntor 2021, f. 83–85.

2 Nefi 21:9–12

Zoti po e mbledh popullin e Tij.

Nefi dhe familja e tij qenë dëshmitarë të shpërndarjes së Izraelit (shihni te 2 Nefi 25:10). Tani ju mund të merrni pjesë në mbledhjen e Izraelit (shihni te 2 Nefi 21:12). Ndërsa lexoni te 2 Nefi 21:9–12, mendoni se si mund të ndihmoni të përmbushen profecitë që përshkruajnë këto vargje.

Për shembull, ndërsa lexoni rreth “emblemë[s]” (standardit ose banderolës) që do të ngrihet për të mbledhur popullin e Perëndisë, mendoni rreth mënyrës se si e keni parë Perëndinë ta mbledhë popullin e Tij, fizikisht dhe shpirtërisht. Çfarë i tërheq njerëzit te Zoti dhe te Kisha e Tij?

Çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni për të ndihmuar në mbledhjen e popullit të Perëndisë?

2 Nefi 23–24

Natyra materialiste e Babilonisë do të bjerë.

Mbretëria e Babilonisë ishte një kërcënim i fuqishëm politik dhe ushtarak ndaj Izraelit të lashtë. Por për popullin e Nefit, dhe për ne sot, kërcënimi më i madh është ai që Babilonia përfaqëson: natyra materialiste dhe mëkati. Merreni parasysh se si paralajmërimet te 2 Nefi 23–24 mund të kenë ndikuar tek njerëzit që e kishin frikë ose e admironin apo mirëbesonin te pasuria dhe fuqia e Babilonisë (shihni, për shembull 23:6–9, 11, 19–22; 24:10–19). Cilat janë disa gjëra të ngjashme që mund t’i kemi frikë ose admirojmë apo mirëbesojmë sot? Cili mendoni se mund të jetë mesazhi i Shpëtimtarit për ju tek këta kapituj? Mendoni se si mund të tregoni se “gëzohen[i] në madhërinë [e Zotit]” (2 Nefi 23:3).

2 Nefi 25:19–29

ikona e seminarit
“Ne flasim për Krishtin … ne gëzohemi në Krishtin.”

Nefi ishte i hapur për të treguar bindjet e tij, veçanërisht dëshminë e tij për Jezu Krishtin. Gjatë gjithë studimit tuaj të kapitullit 2 Nefi 25, mendoni rreth dëshirës së Nefit që t’i “bind[te] fëmijët [e tij] … të beso[nin] në Krisht dhe të pajtohe[shin] me Perëndinë” (vargu 23). Çfarë donte Nefi që të dinin njerëzit rreth Shpëtimtarit? (Shihni vargjet 12–13, 16.) Si u përpoq Nefi ta bindte popullin që të besonte tek Ai? (Shihni vargjet 19–29.) Vini re fragmentet në këtë kapitull që ju bindin të besoni te Jezu Krishti dhe ta ndiqni Atë.

Disa prej nesh mund të mos ndihen aq guximtarë sa ishte Nefi për të folur për Krishtin. Por ndoshta mund të gjeni diçka te mësimet e Nefit te 2 Nefi 25:23–26 që ju frymëzon të flisni për Të me të tjerët më hapur. Për shembull, deklarata e Nefit: “Ne gëzohemi në Krishtin” mund t’ju nxitë të mendoni rreth mënyrës se si Shpëtimtari ju sjell gëzim dhe si mund ta ndani atë gëzim me të tjerët.

Në mesazhin e tij “Ne Flasim për Krishtin” (Liahona, nëntor 2020, f. 88–91), Plaku Nil L. Andersen sugjeron mënyra se si mund të flasim më hapur për Krishtin në mjedise të ndryshme. Cili nga sugjerimet e tij ju bën më shumë përshtypje? Çfarë mundësish keni për të folur për Krishtin me të tjerët?

Çfarë ndiheni i/e frymëzuar t’u thoni të tjerëve për Jezu Krishtin? Nëse ju nevojiten disa ide, mund të kërkoni te dokumenti “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve” (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit]. Një himn si “Un’ Besoj në Krisht” (Himne, nr. 72) mund t’ju japë më tepër ide.

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistave Liahona dhe Për Forcën e Rinisë.

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

2 Nefi 21:1–5

Jezu Krishti do të gjykojë me drejtësi.

  • Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj t’i përfytyrojnë këto vargje, shihni nëse mund të gjeni një pemë që është prerë ose një filiz që po rritet nga një pemë (ose përdorni një figurë për ta treguar). Nëse “filiz[i]” te 2 Nefi 21:1 përfaqëson Jezu Krishtin, çfarë na mësojnë vargjet 2–5 rreth Tij?

filiz duke u rritur nga një cung peme

2 Nefi 21:6–9

Jezu Krishti sjell paqe dhe gëzim.

  • Çfarë na mësojnë vargjet te 2 Nefi 21:6–9 rreth asaj që mund të ndodhë kur gjithkush e ndjek Shpëtimtarin? (Shihni edhe te 4 Nefi 1:15–18.) Si mund ta bëjmë shtëpinë tonë më shumë si një vend të tillë? Fëmijëve tuaj mund t’u pëlqejë të vështrojnë figurat e kafshëve që përmenden te vargjet 6–7, kafshë që zakonisht janë armike, por nuk do ta lëndojnë njëra-tjetrën kur Jezusi të vijë përsëri (shihni faqen e veprimtarisë së kësaj jave). Fëmijët tuaj mund edhe të bëjnë vizatime të vetvetes dhe këtyre kafshëve duke jetuar në paqe me Jezusin.

2 Nefi 21:11–1222

Zoti po e mbledh popullin e Tij.

  • Isaia tha se Zoti do të ngrejë një “emblemë për kombet” për t’i ndihmuar njerëzit të mblidhen tek Ai (shihni te 2 Nefi 21:11–12). Ndihmojini fëmijët tuaj ta kuptojnë se një emblemë është si një flamur. Mbase atyre do t’u pëlqejë të vizatojnë vetë një flamur. Ata mund të përfshijnë figura ose fjalë që përfaqësojnë arsyet pse ata vijnë te Jezu Krishti dhe te Kisha e Tij. Lërini të flasin rreth flamujve të tyre dhe ndihmojini të mendojnë se si mund t’i ndihmojnë të tjerët të “mbl[idhen]” te Jezu Krishti.

  • Pasi të lexoni te 2 Nefi 22:4–5 së bashku, mund të bisedoni me fëmijët tuaj për disa nga “gjëra[t e] shkëlqyeshme” që ka bërë Zoti. Cilat janë disa nga “veprat e [Zotit] mes [nesh]” që mund t’i shpallim? Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj që të mendohen për këtë pyetje, mund të këndoni së bashku një këngë rreth Shpëtimtarit, si “Un’ Besoj në Krisht” (Himne, nr. 72). Me radhë mund të plotësoni një fjali si kjo: “Un’ besoj në Krisht; Ai ”. Si mund t’i ndihmojmë njerëzit e tjerë që ta dinë atë që Shpëtimtari ka bërë për ne?

2 Nefi 25:26

“Ne gëzohemi në Krishtin.”

Dëshmoni për Krishtin. Mos hamendësoni që familja juaj e di se si ndiheni rreth Shpëtimtarit. Ua thoni atyre dhe lejoni që ndjenjat tuaja rreth Shpëtimtarit të ndikojnë te mënyra se si ndërveproni me ta.

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

misionarë duke i dhënë mësim një familjeje

I’ll Go Where You Want Me to Go [Do Shkoj Ku Ti Do që të Shkoj], nga Ramon Ely Garcia Rivas