“25–31 Mars: ‘Ai do të Ngrihet … me Shërim në Krahët e Tij’. Pashka”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2023)
“25–31 Mars. Pashka”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2023)
25–31 Mars: “Ai do të Ngrihet … me Shërim në Krahët e Tij”
Pashka
Apostujt e lashtë ishin guximtarë në dëshminë e tyre për Jezu Krishtin dhe Ringjalljen e Tij (shihni te Veprat e Apostujve 4:33). Miliona njerëz besojnë te Jezu Krishti dhe përpiqen ta ndjekin Atë për shkak të fjalëve të Apostujve të shënuara në Bibël. Prapëseprapë, disa njerëz mund të pyesin veten: “Nëse Jezu Krishti është Shpëtimtari i gjithë botës, atëherë përse dëshmitarët e Tij okularë ishin vetëm një grusht njerëzish në një rajon të vogël?”
Libri i Mormonit qëndron si një dëshmi shtesë, bindëse se Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës “që ua shfaqi veten të gjitha kombeve” (faqja e titullit e Librit të Mormonit) dhe u ofron shpëtim të gjithë atyre që vijnë tek Ai. Përveç kësaj, kjo dëshmi e dytë e bën të qartë gjithashtu se çfarë do të thotë shpëtim. Kjo është arsyeja përse Nefi, Jakobi, Mormoni dhe të gjithë profetët punuan me aq “zell për t’i gdhendur këto fjalë mbi fletë”, për t’u shpallur brezave të ardhshëm se edhe ata “dini[n] për Krishtin dhe … kishi[n] një shpresë të lavdisë së tij” (Jakobi [LiM] 4:3–4). Në këtë periudhë Pashke reflektoni mbi dëshmitë në Librin e Mormonit se fuqia e Shpëtimtarit është si e përbotshme, ashtu edhe vetjake, që e shëlbon tërë botën dhe që ju shëlbon ju.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Për shkak të Jezu Krishtit, unë do të ringjallem.
Është traditë që në Pashkë të përsiatim mbi Ringjalljen e Jezu Krishtit, por çfarë do të thotë saktësisht të ringjallesh? Çfarë idesh na jep Libri i Mormonit për ringjalljen? Ndoshta për këtë periudhë Pashke ju mund të renditni të vërteta rreth ringjalljes që i gjeni te 2 Nefi 9:6–15, 22; Alma 11:42–45; 40:21–25; 3 Nefi 26:4–5.
Ju gjithashtu mund të shënoni se si këto të vërteta rreth Ringjalljes ndikojnë te veprimet tuaja dhe mënyra se si jetoni. Për shembull, merreni parasysh se si do t’i plotësonit këto fjali: Po të mos i dija këto gjëra … dhe Ngaqë i di këto gjëra …
Një himn si “E Di, Jeton Shëlbuesi Im” (Himne, nr. 74) mund t’ju ndihmojë të mendoni rreth arsyes pse Ringjallja e Shpëtimtarit është e rëndësishme për ju. Ndërsa këndoni, e dëgjoni ose e lexoni himnin, mund ta pyesni veten: “Në ç’mënyrë është ndryshe jeta ime për shkak se Jezu Krishti u ringjall?”
Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] ka një koleksion materialesh filmike për Pashkën që mund të jenë një pjesë kuptimplotë e studimit tuaj. Mbase mund të shihni një ose më shumë prej këtyre materialeve filmike dhe të përsiatni se çfarë tjetër ju bëjnë ato të kuptoni ose vlerësoni nga Ringjallja e Shpëtimtarit.
Shihni edhe te Lluka 24:36–43; Veprat e Apostujve 24:15; 1 Korintasve 15:12–23; Reina I. Aburto, “Varri nuk Ka Fitore”, Liahona, maj 2021, f. 85–86; Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Resurrection” [“Ringjallja”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “Death, Grieving, and Loss” [“Vdekja, Pikëllimi dhe Humbja”] te koleksioni “Life Help” [“Ndihmë për Jetën”] në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Jezu Krishti mori mbi Veten e Tij mëkatet, dhembjet dhe dobësitë e mia.
Bibla na mëson qartësisht se Jezu Krishti shleu për mëkatet tona. Libri i Mormonit e zgjeron të kuptuarit tonë për flijimin dhe vuajtjet e Krishtit në mënyra të rëndësishme. Mund t’i gjeni disa prej këtyre mësimeve te Mosia 3:7; 15:5–9 dhe Alma 7:11–13. Pasi t’i lexoni këto fragmente, merreni parasysh ta shënoni atë që zbuloni në një tabelë si kjo:
Çfarë vuajti Shpëtimtari? |
Përse vuajti Ai? |
Ç’kuptim ka kjo për mua? |
---|---|---|
Këtu keni një mënyrë tjetër për t’i studiuar këto fragmente: Kërkoni himne që ndieni se përkojnë me mesazhet që na mësojnë. Treguesi “Shkrimet e Shenjta” nga fundi i librit të himneve mund të ndihmojë. Cilat fraza nga këto himne dhe shkrime të shenjta ju ndihmojnë ta vlerësoni më thellësisht flijimin e Shpëtimtarit?
Shihni edhe tek Isaia 53; Hebrenjve 4:14–16; Zherald Kosé, “Një Dëshmitar i Gjallë i Krishtit të Gjallë”, Liahona, maj 2020, f. 38–40.
Jezu Krishti mund të më pastrojë dhe të më ndihmojë që të përsosem.
Mund të thuhet se Libri i Mormonit është një rrëfim i njerëzve që ndryshuan për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Mund t’i lexoni disa nga këto përvoja te Mosia 5:1–2; 27:8–28; Alma 15:3–12; 24:7–19. Mund të mendoni edhe shembuj të tjerë për t’i studiuar. Çfarë vëreni se kanë të përbashkët këto përvoja? Çfarë ndryshimesh vini re? Çfarë ju mësojnë këto përvoja rreth mënyrës se si Shpëtimtari mund t’ju ndryshojë?
Shihni edhe tek Alma 5:6–14; 13:11–12; 19:1–16; 22:1–26; 36:16–21; Ethëri 12:27; Moroni 10:32–33.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Për shkak se kjo e diel është e diela e pestë e muajit, mësuesit/et e Fillores nxiten të përdorin veprimtaritë e të mësuarit te “Shtojca B: Përgatitja e Fëmijëve për të Ecur Gjatë Gjithë Jetës në Shtegun e Besëlidhjeve të Perëndisë”.
Për shkak se Jezu Krishti u ringjall, edhe unë do të ringjallem.
-
Mund të përdorni pjesët “Kapitulli 53: Jezusi Kryqëzohet” dhe “Kapitulli 54: Jezusi u Ngrit” (tek Tregime nga Dhiata e Re, f. 136–138, f. 139–144) për t’u treguar fëmijëve tuaj rreth Ringjalljes së Jezu Krishtit. Ose lërini fëmijët t’jua thonë juve tregimin, duke përdorur figurat në këta kapituj.
-
Vizita e Shpëtimtarit të ringjallur në kontinentin amerikan është një dëshmi e fuqishme e Ringjalljes së Tij. Merreni parasysh t’u tregoni fëmijëve rreth saj, duke përdorur kapitujt 3 Nefi 11; 17 ose strofën e fundit të këngës “Ngjarjet e Librit të Mormonit” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 62). Nxitini fëmijët tuaj të imagjinojnë se si do të ishte po t’i preknin plagët e Jezusit (shihni tek 3 Nefi 11:14–15) apo të ishin njëri nga fëmijët që Ai bekoi (shihni tek 3 Nefi 17:21). Tregojani njëri-tjetrit ndjenjat tuaja për Jezu Krishtin dhe Ringjalljen e Tij.
-
Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të zbulojnë se çfarë na mëson Libri i Mormonit rreth Ringjalljes, mund t’i ftoni ata të bëjnë sikur ju nuk dini asgjë rreth saj dhe t’u kërkoni atyre t’jua shpjegojnë. Ndihmojini ata që të kërkojnë te 2 Nefi 9:10–15; Alma 11:41–45 dhe Alma 40:21–23 për përgjigje ndaj pyetjeve si këto: Çfarë do të thotë të ringjallesh? Kush do të ringjallet? Gjithashtu, ftojini ata të japin dëshmi për Ringjalljen e Shpëtimtarit si pjesë e përgjigjes së tyre.
Jezu Krishti di se si të më ngushëllojë.
-
Mosia 3:7 dhe Alma 7:11 përshkruajnë ca nga ajo që kaloi Shpëtimtari si pjesë e Shlyerjes së Tij. Mund t’ua lexoni një nga këto vargje fëmijëve tuaj dhe t’u kërkoni atyre të mbajnë vesh për fjalë që u tregojnë atë që Jezusi vuajti për ne. Më pas mund të lexoni tek Alma 7:12 për të zbuluar pse Ai i vuajti ato. Dëshmoni se Jezu Krishti i ndjeu të gjitha dhembjet dhe sëmundjet tona, që Ai të mund të na ngushëllonte.
-
A kanë fëmijët tuaj një himn ose këngë të parapëlqyer rreth Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij? Mund ta këndoni atë së bashku ose mund të mësoni një himn të ri ose një këngë të re. Bisedoni rreth fjalëve ose frazave në tekst që ju mësojnë rreth ngushëllimit dhe paqes që na ofron Shpëtimtari.
Jezu Krishti mund të më pastrojë dhe të më ndihmojë që të ndryshoj.
-
Libri i Mormonit jep shumë shembuj të njerëzve që u ndryshuan për shkak të Shlyerjes së Shpëtimtarit. Mbase fëmijët tuaj mund të zgjedhin një për të cilin të mësojnë, të tillë si Enosi (shihni tek Enosi 1:2–8), Alma i Riu (shihni te Mosia 27:8–24) ose anti‑nefi‑lehitët (shihni tek Alma 24:7–19). Si ndryshoi ky person ose grup për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit? Si mund t’i ndjekim shembujt e tyre?
-
Ju dhe fëmijët tuaj mund të krahasoni edhe diçka të pastër me diçka të ndotur dhe të flisni për faktin se si gjërat e ndotura bëhen të pastra. Lexoni së bashku tek Alma 13:11–13. Çfarë bëri Jezusi që ne të mund të pastrohemi nga mëkatet tona? Si na bën kjo të ndihemi rreth mëkatit? Si na bën të ndihemi rreth Shpëtimtarit?