“18–24 Mars: ‘Kjo Është Udha’. 2 Nefi 31– 33”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2024)
“18–24 Mars. 2 Nefi 31–33”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2024)
18–24 Mars: “Kjo Është Udha”
2 Nefi 31–33
Ndër fjalët e fundit të shënuara të Nefit, ne gjejmë këtë shpallje: “Më ka urdhëruar Zoti dhe unë duhet të bindem” (2 Nefi 33:15). Kjo është një përmbledhje e mirë e jetës së Nefit. Ai u përpoq ta kuptonte vullnetin e Perëndisë dhe me guxim iu bind atij, edhe nëse kjo do të thoshte që ta vinte në rrezik jetën e vet për të marrë fletët prej tunxhi nga Labani, të ndërtonte një anije e të kalonte detin apo ta jepte mësim besnikërisht doktrinën e Krishtit me qartësi e fuqi. Nefi mund të fliste bindshëm mbi nevojën për të “shk[uar] përpara me një vendosmëri në Krisht”, për të ndjekur “shteg[un e] ngushtë dhe të ngushtuar” (2 Nefi 31:20, 18), pasi ky është shtegu që ai ndoqi. Ai e dinte nga përvoja që ky shteg, ndonëse me raste i vështirë, ishte edhe i gëzueshëm dhe se “s’ka udhë tjetër dhe as emër të dhënë nën qiell, nëpërmjet të cilit njeriu mund të shpëtohet në mbretërinë e Perëndisë” (2 Nefi 31:21).
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Jezu Krishti dhe doktrina e Tij janë e vetmja udhë drejt jetës së përjetshme.
Nëse do t’ju duhej ta përmblidhnit me vetëm pak fjalë shtegun drejt jetës së përjetshme, çfarë do të thoshit? Vërejeni se si e përshkroi Nefi atë te 2 Nefi 31. Merreni parasysh të vizatoni një shteg dhe të shkruani përgjatë tij disa nga parimet ose hapat që gjeni në këta kapituj. Mund t’i shtoni vizatimit që bëtë përmbledhjen tuaj vetjake të asaj që dha mësim Nefi rreth çdo parimi.
Ndërsa lexoni te 2 Nefi 31:18–20, vlerësojini përpjekjet tuaja vetjake për të “shk[uar] përpara” nëpër shtegun e ungjillit.
Shihni edhe “Para, Shenjtor’”, Himne, nr. 39.
Jezu Krishti dha shembullin e përkryer të bindjes kur Ai u pagëzua.
Qoftë nëse pagëzimi juaj ndodhi dje apo 80 vjet më parë, ai ishte një çast i rëndësishëm. Ju hytë në një besëlidhje të përjetshme për të ndjekur Jezu Krishtin. Mendoni për pagëzimin tuaj ndërsa lexoni rreth pagëzimit të Shpëtimtarit te 2 Nefi 31:4–13. Dhënia e përgjigjeve për pyetje si këto mund të ndihmojë:
-
Përse u pagëzua Krishti? Përse zgjodha të pagëzohesha?
-
Çfarë premtimesh bëra kur u pagëzova? Çfarë premton Zoti në këmbim? (Shihni vargjet 12–13; shihni edhe te Mosia 18:10, 13.)
-
Si mund ta tregoj se jam ende i/e zotuar për ta ndjekur Jezu Krishtin?
“Ai që duron deri në fund, do të shpëtohet.”
Teksa lexoni te 2 Nefi 31:15–20, pyeteni veten: “Nga ta di a po duroj deri në fund?” Çfarë mësoni nga Nefi, që ju ndihmon t’i përgjigjeni kësaj pyetjeje?
Plaku Dejll G. Renland dha mësim: “Durimi deri në fund nuk është një hap i veçantë në doktrinën e Krishtit, a thua se i kemi përfunduar të katër hapat e parë dhe më pas ulemi, shtrëngojmë dhëmbët dhe presim të vdesim. Jo, durimi deri në fund është përsëritje aktive dhe e qëllimshme e hapave” (“Lifelong Conversion” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 14 shtator 2021], f. 2, speeches.byu.edu). Si mund t’i përsëritni hapat në doktrinën e Krishtit (besimin, pendimin, pagëzimin dhe marrjen e Frymës së Shenjtë)?
Nëpërmjet fjalëve të Krishtit dhe Frymës së Shenjtë, Perëndia do të më tregojë se çfarë të bëj.
A jeni ndier ndonjëherë i/e pasigurt për hapat e radhës në jetën tuaj? Populli i Nefit kishte shqetësime të ngjashme (shihni te 2 Nefi 32:1). Kërkojeni përgjigjen e Nefit te 2 Nefi 32:2–9. Si do ta thoshit me fjalët tuaja atë që dha mësim Nefi? Çfarë përvojash ju kanë mësuar se fjalët e Nefit janë të vërteta?
Merreni parasysh të bëni një listë vendimesh ose situatash (tani dhe në të ardhmen) për të cilat ju nevojitet udhërrëfimi i Perëndisë. Çfarë mund të mësoni nga 2 Nefi 32 që do t’ju ndihmojë t’ia dilni të merrni frymëzim nga Ai? Çfarë mund t’i bëjë njerëzit që t’i “ngurtësojnë zemrat e tyre kundër Frymës së Shenjtë”? (2 Nefi 33:2.)
Teksa e përsiatni këshillën e Nefit, mendoni rreth mënyrës se si i studioni fjalët e Shpëtimtarit. A do ta përshkruaje atë një ushqyerje të lehtë, ushqyerje të mjaftueshme apo ushqyerje me bollëk? Cili është ndryshimi, sipas mendimit tuaj? Merreni parasysh se si mund ta bëni përvojën tuaj me fjalët e Shpëtimtarit më shumë si një ushqyerje me bollëk. Ndoshta mund të merrni ide nga një mik ose pjesëtar i familjes.
Si e ftoni Frymën e Shenjtë të jetë një shoqërues i vazhdueshëm në jetën tuaj, në vend që të jetë një vizitor rastësor? Lexojini tre sugjerimet e Plakut Dejvid A. Bednar për ta bërë shoqërimin e Frymës së Shenjtë një “realitet të vazhdueshëm” në “Merrni Frymën e Shenjtë” (Liahona, nëntor 2010, f. 94–97). Si do ta vini në zbatim këshillën e tij?
Shihni edhe te Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Revelation” [“Zbulesë”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “Daily Bread: Pattern” [“Buka e Përditshme: Modeli”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Libri i Mormonit na bind të gjithëve të besojmë te Krishti.
Te 2 Nefi 33, kur Nefi i përmbylli shkrimet e tij, në radhë të parë ai shpjegoi arsyet përse po shkruante. Çfarë arsyesh gjeni në këtë kapitull? Reflektoni mbi tregimet dhe mësimet që keni lexuar deri më tani te 1 Nefi dhe 2 Nefi. Cila ka ndikuar më së shumti te ju dhe te besimi juaj te Jezu Krishti?
Shihni edhe “Nefi Shënon Dëshminë e Tij të Fundit” (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Kur pagëzohem, po ndjek Jezu Krishtin.
-
Ka një figurë të Jezusit duke u pagëzuar në fund të këtij përvijimi. Ndoshta fëmijët tuaj mund ta përdorin atë për t’ju treguar atë që dinë rreth kësaj ngjarjeje (shihni edhe te Mateu 3:13–17). Përse Jezusi do që ne të pagëzohemi sikurse u pagëzua Ai? Fëmijët tuaj mund të mbajnë vesh për arsyet ndërsa lexoni së bashku pjesë nga 2 Nefi 31:4–13. Mund të jetë e dobishme nëse dikush që është pagëzuar kohët e fundit mund të japë përvojën e tij ose të saj.
Jezu Krishti më mësoi se si të kthehem tek Ati Qiellor.
-
Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj që t’i përfytyrojnë mësimet te 2 Nefi 31, ata mund të vizatojnë një shteg me një figurë të Krishtit në fund. Mund t’i ndihmoni ata të gjejnë ose të vizatojnë figura që përfaqësojnë hapat në atë shteg, të tilla si besimi te Krishti, pendimi, pagëzimi, dhurata e Frymës së Shenjtë dhe durimi deri në fund. Ata mund t’i tregojnë me gisht figurat ndërsa lexoni së bashku te 2 Nefi 31:17–20.
Unë mund të ushqehem me bollëk me fjalët e Krishtit.
-
Për t’u dhënë mësim rreth “ushqyerjes me bollëk” me fjalët e Krishtit, mund t’u kërkoni fëmijëve tuaj të luajnë me role se si do të ushqeheshin me bollëk me ushqimet e tyre të parapëlqyera. Te 2 Nefi 32:3, me çfarë tha Nefi se duhej të ushqeheshim me bollëk? Ku ndryshon ushqyerja me bollëk me fjalët e Perëndisë nga thjesht leximi i tyre? Ndoshta fëmijët tuaj mund t’i bëjnë me gjeste ndryshimet. Tregojuni atyre bekimet që keni marrë ndërsa jeni ushqyer me bollëk me shkrimet e shenjta.
Ati Qiellor dëshiron që unë të lutem gjithmonë.
-
Pasi të lexoni te 2 Nefi 32:8–9, bisedoni me fëmijët tuaj rreth arsyes pse Satani nuk do që ne të lutemi. Përse Perëndia do që ne të “lute[m]i gjithmonë”? Fëmijët tuaj mund të bëjnë një listë ose të bëjnë vizatime të situatave në të cilat mund të luten. Pastaj mund të këndoni një këngë që na mëson rreth lutjes, të tillë si “Lutjen a e The?” (Himne, nr. 78). Mund t’i zëvendësoni disa nga fjalët në këngë me fjalët nga listat e tyre. Si na bekon Perëndia kur lutemi gjithmonë?