“Zëra të Rivendosjes: Familja e Jozef Smithit”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Familja e Jozef Smithit”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
Zëra të Rivendosjes
Familja e Jozef Smithit
Secili prej nesh ndikohet thellësisht nga jeta jonë familjare dhe Jozef Smithi nuk ishte ndryshe. Bindjet dhe praktikat fetare të prindërve të tij mbollën fara besimi që e bënë të mundur Rivendosjen. Në ditarin e Jozefit shënohet ky dedikim: “Fjalët dhe gjuha [janë] të papërshtatshme për të shprehur mirënjohjen që i detyrohem Perëndisë që më ka dhënë prindër kaq të nderuar”.
Citimet në vijim nga nëna e tij, Lusi Mek Smithi; vëllai i tij, Uilliam Smithi dhe vetë Profeti, na japin një vështrim të shpejtë të ndikimit fetar në shtëpinë e familjes Smith.
Lusi Mek Smithi
“[Rreth vitit 1802], unë u sëmura. … I thashë vetes se nuk jam e përgatitur që të vdes sepse nuk i njoh udhët e Krishtit, dhe më dukej sikur kishte një hendek të errët dhe të vetmuar midis vetes sime dhe Krishtit, që nuk guxoj të përpiqem ta kaloj. …
Pashë në drejtim të Zotit, u përgjërova dhe iu luta Zotit që të ma kursente jetën, që të mund t’i rritja fëmijët e mi dhe ta ngushëlloja zemrën e bashkëshortit tim; me këtë në mendje qëndrova në shtrat tërë natën. … Besëlidha me Perëndinë [se] po të më linte të jetoja, do të orvatesha ta gjeja atë fe që do të më krijonte mundësinë për t’i shërbyer Atij siç duhej, qoftë nëse ishte në Bibël ose kudo që mund të gjendej, edhe nëse duhej të merrej nga qielli nëpërmjet lutjes e besimit. Më së fundi, një zë më foli dhe tha: ‘Kërko dhe do të gje[sh], trokit dhe do të [të] çelet. Lëre zemrën të ngushëllohet. Beso në Perëndi dhe beso edhe në mua.’ …
Nga kjo kohë e tutje mora forcë vazhdimisht. Flisja veçse pak mbi temën e fesë ndonëse ma pushtonte mendjen tërësisht dhe unë mendova se do të bëja të gjithë përpjekjet sapo të isha në gjendje të kërkoja një person të devotshëm që i njihte udhët e Perëndisë për të më drejtuar te gjërat e Qiellit.”
Uilliam Smithi
“Nëna ime, e cila ishte një grua shumë e devotshme dhe shumë e interesuar për mirëqenien e fëmijëve të saj, si këtu edhe në jetën më pas, përdori çdo mjet që dashuria e saj prindërore mund të sugjeronte, që të na përfshinte në kërkimin e shpëtimit të shpirtrave tanë ose (siç ishte termi në atë kohë) ‘në marrjen e fesë’. Ajo na bindi që të merrnim pjesë në mbledhje, dhe thuajse e gjithë familja u interesua për çështjen, dhe u bëmë kërkues të së vërtetës.”
“Gjithmonë bënim lutje familjare me aq sa mund të kujtoj. Më kujtohet mirë babai që i mbante gjyzlykët në xhepin e jelekut … dhe kur ne djemtë e shihnim që kërkonte gjyzlykët, e dinim se ishte një sinjal për t’u përgatitur për lutje dhe, nëse nuk e vinim re, nëna do të thoshte: ‘Uilliam’, ose kujtdo që ishte i shkujdesuri, ‘përgatitu për lutjen’. Pas lutjes kishim një këngë që e këndonim.”
Jozef Plaku dhe Lusi Smithi i mësuan familjes së tyre që t’i studionte shkrimet e shenjta.
Jozef Smithi
“Tani unë them se [babai im] nuk bëri kurrë një veprim të ulët, që do të mund të thuhej se ishte zemërngushtë në jetën e tij, me aq sa di unë. E doja babanë tim dhe kujtimin e tij; dhe kujtimi i veprimeve të tij fisnike ka peshë të madhe mbi mendjen time; dhe shumë prej fjalëve të tij të sjellshme e prindërore për mua janë shkruar mbi rrasat e zemrës sime. Të shenjta për mua janë mendimet që i dua fort nga historia e jetës së tij, që janë rrokullisur në mendjen time dhe janë ngulitur atje, prej vetë vrojtimit tim, që kur linda. … Nëna ime gjithashtu është njëra prej grave më fisnike dhe më të mira nga të gjitha.”