“20–26 Janar: ‘Zemrat e Fëmijëve do të Kthehen tek Etërit e Tyre’: Doktrina e Besëlidhje 2; Joseph Smith – Historia 1:27–65”, Eja Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 2; Joseph Smith – Historia 1:27–65”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
20–26 Janar: “Zemrat e Fëmijëve do të Kthehen tek Etërit e Tyre”
Doktrina e Besëlidhje 2; Joseph Smith – Historia 1:27–65
Kishin kaluar tre vjet nga koha kur Perëndia Ati dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, iu shfaqën Jozef Smithit në korije dhe Jozefi nuk kishte marrë ndonjë zbulesë tjetër që nga ajo kohë. Ai filloi të vriste mendjen a mos vallë Zoti ishte i pakënaqur me të. Si të gjithë ne, ai kishte bërë gabime dhe u ndje i ndëshkuar prej tyre. Prapëseprapë, Perëndia kishte ende një punë për të që ai ta bënte. Dhe puna që Jozefi ishte thirrur të bënte, lidhet me atë që Perëndia kërkon nga ne. Jozefi do të nxirrte në dritë Librin e Mormonit; ne ftohemi ta shpërndajmë mesazhin e tij. Jozefi do të merrte çelësat e priftërisë për t’i kthyer zemrat e fëmijëve tek etërit e tyre; tani ne mund të marrim ordinancat për paraardhësit tanë në tempuj. Jozefit iu treguan profeci që do të përmbusheshin së shpejti; ne na kanë thirrur për të ndihmuar që këto profeci të përmbushen. Ndërsa marrim pjesë në veprën e Perëndisë, ne mund të presim që të përballemi me kundërshtime dhe madje përndjekje, ashtu siç u përball Profeti. Por ne gjithashtu mund të kemi besim se Zoti do të na bëjë mjete në duart e Tij, ashtu siç bëri për Jozefin.
Shihni edhe te Shenjtorët, 1:20–48.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Joseph Smith – Historia 1:27–33
Perëndia ka një punë që ta bëj unë.
Tjetër gjë është të besoni se Perëndia kishte një punë për t’u bërë nga Jozefi; ne mund të shohim pas në jetën e tij dhe ta shohim qartë atë që arriti ai. Por a e keni menduar ndonjëherë që Perëndia ka një punë që ta bëni ju gjithashtu? Ndërsa lexoni te Joseph Smith – Historia 1:27–33, mendoni se çfarë pune mund të jetë ajo. Si jep ndihmesë ajo te Rivendosja e vazhdueshme e ungjillit të Shpëtimtarit?
Plaku Geri E. Stivenson dha mësim: “Kur vijmë te Krishti dhe i ndihmojmë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë, ne marrim pjesë në veprën e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin, e cila përqendrohet te përgjegjësitë e caktuara në mënyrë hyjnore. … Këto përgjegjësi janë të të thjeshta, frymëzuese, shtysëdhënëse dhe të realizueshme. Ja cilat janë:
-
Të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit
-
Përkujdesja për njerëzit në nevojë
-
Ftesa ndaj të gjithë njerëzve që ta pranojnë ungjillin
-
Bashkimi i familjeve për përjetësinë” (“Thjesht i Bukur – Bukur i Thjeshtë”, Liahona, nëntor 2021, f. 47).
Përsiatini përvojat që keni pasur me pjesëmarrjen në secilën prej këtyre përgjegjësive të caktuara në mënyrë hyjnore. Çfarë do të donte Shpëtimtari që të bënit në vijim? Ka një faqe Topics and Questions [Tema dhe Pyetje] për secilën nga këto përgjegjësi (shihni tek “Our Role in God’s Work of Salvation and Exaltation” [“Roli Ynë në Veprën e Perëndisë për Shpëtimin dhe Ekzaltimin”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Mund t’i eksploroni këto faqe për t’ju ndihmuar t’i përgjigjeni kësaj pyetjeje.
Nganjëherë mund të ndieni se Zoti nuk mund t’ju përdorë për shkak të gabimeve që keni bërë. Çfarë mësoni nga përvoja e Jozef Smithit te Joseph Smith – Historia 1:28–29? Si mund ta dini “qëndrimin t[uaj] përpara [Perëndisë]?
Shihni edhe te “Youth Responsibility in the Work of Salvation” [“Përgjegjësia e Të Rinjve në Veprën e Shpëtimit”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org; “Vepra e Shpëtimit dhe e Ekzaltimit”, Manuali i Përgjithshëm, 1.2.
Joseph Smith – Historia 1:34–47
Duke e rivendosur ungjillin e Tij, Shpëtimtari i përmbushi profecitë e lashta.
Kur Moroni iu shfaq Jozef Smithit, ai citoi disa profeci nga Dhiata e Vjetër dhe e Re, të tilla si Isaia 11; Veprat e Apostujve 3:22–23 dhe Joel 2:28–32. Ndërsa lexoni te Joseph Smith – Historia 1:34–47, mendoni rreth arsyes pse ishte e rëndësishme që Jozefi t’i dinte këto profeci. Përse janë të rëndësishme që ju t’i dini ato?
Mund edhe të lexoni atë që dha mësim Plaku Dejvid A. Bednar rreth vizitës së parë të Moronit te Jozef Smithi në bisedën “Me Fuqinë e Perëndisë në Lavdi të Madhe” (Liahona, nëntor 2021, f. 28).
Shihni edhe himnin: “Një Engjëll që Nga Lart”, Himne”, nr. 11.
Joseph Smith – Historia 1:48–60
Perëndia do të më përgatitë që të punoj në mbretërinë e Tij.
Jozefi ishte vetëm 17 vjeç kur i pa për herë të parë fletët e arta. Megjithatë, ato nuk iu lanë atij nën kujdes deri katër vjet më vonë. Lexoni te Joseph Smith – Historia 1:48–60 duke kërkuar atë që ndodhi në jetën e Jozefit gjatë asaj kohe. Si mendoni se e përgatitën këto ngjarje atë për punën që e thirri Perëndia të bënte? Çfarë përvojash keni pasur që ju kanë përgatitur për t’i shërbyer Perëndisë dhe të tjerëve? Çfarë po përjetoni aktualisht që mund t’ju ndihmojë për një shërbim të ardhshëm?
Zoti dërgoi Elijan për ta kthyer zemrën time te paraardhësit e mi.
Çfarë ju mësojnë fjalë të tilla si “mbjellë”, “zemrat” dhe “kthehen” në këtë seksion, rreth misionit të Elijas dhe bekimeve të çelësave të priftërisë që ai rivendosi? Si e keni ndier që zemra juaj është kthyer drejt paraardhësve tuaj? Mendoni për mënyrat se si mund t’i përjetoni të tilla ndjenja më shpesh. Kërkimi i paraardhësve tuaj dhe kryerja e ordinancave për ta në tempull është një mënyrë (shihni te FamilySearch.org). Për çfarë mënyrash të tjera mund të mendoni?
Shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 110:13–16; Gerit W. Gong, “Të Lumtur dhe Përgjithmonë”, Liahona, nëntor 2022, f. 83–86.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Joseph Smith – Historia 1:28–29
Unë mund të pendohem dhe të marr falje.
-
Ne të gjithë nganjëherë mund të ndihemi “[të] ndëshkuar për dobësinë dhe papërsosmëritë [tona]” ashtu si Jozef Smithi. Ju dhe fëmijët tuaj mund të studioni te Joseph Smith – Historia 1:29 së bashku, duke kërkuar atë që Jozefi bëri kur u ndje në atë mënyrë. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i tij që mund të na ndihmojë kur bëjmë gabime? Pse është e rëndësishme të dimë që Jozefi u thirr nga Perëndia ndonëse nuk ishte i përsosur?
Joseph Smith – Historia 1:27–54
Ati Qiellor e thirri Jozef Smithin për ta ndihmuar që të bënte punën e Tij.
-
Fëmijët tuaj mund të zbaviten duke u hequr sikur janë Jozef Smithi ndërkohë që ju tregoni rrëfimin për vizitat e Moronit te Joseph Smith – Historia 1:27–54 ose te “Kapitulli 3: Engjëlli Moroni dhe Fletët e Arta” (te Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 13–17, ose materialin filmik përkatës në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Për shembull, ata mund të kryqëzojnë duart sikur po luten, ose të bëjnë sikur po ngjiten në kodrën Kumorah e kështu me radhë. Pastaj mund t’u kërkoni atyre të flasin për faktin se çfarë e thirri Perëndia Jozef Smithin të bënte dhe si jemi bekuar ne si rrjedhojë. Për shembull, si jemi bekuar ne ngaqë Jozef Smithi e përktheu Librin e Mormonit? Si na ka ndihmuar puna e tij që të vijmë më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
NaN:NaN
Ati Qiellor dëshiron që familjet të vulosen në tempull.
-
Ndoshta juve dhe fëmijëve tuaj do t’ju pëlqente të shikonit disa fotografi të familjes suaj, mundësisht duke përfshirë një fotografi të familjes suaj në tempull (ose shihni te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 120). Më pas mund të lexoni te Doktrina e Besëlidhje 2 dhe t’i shprehni njëri-tjetrit mendime rreth arsyes pse kemi tempuj dhe pse Ati Qiellor do që familjet të jenë së bashku përgjithmonë. Merreni parasysh të këndoni së bashku “Familjet Mund të Jen’ Bashk’ Përgjithmon’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 98). Çfarë thotë kjo këngë se mund të bëjmë për të qenë me familjen tonë përgjithmonë?
Të mësuarit rreth paraardhësve të mi mund të më sjellë gëzim.
-
Fëmijët mund të entuziazmohen për historinë familjare dhe të ndiejnë gëzim prej saj. Për t’i ndihmuar ata, mund të tregoni histori ose fotografi të paraardhësve tuaj. Bisedoni me fëmijët tuaj rreth faktit se si ishte jeta e paraardhësve të tyre kur ishin fëmijë. Fëmijëve tuaj mund t’iu pëlqejnë edhe disa nga veprimtaritë për historinë familjare në FamilySearch.org/discovery.