“27 Janar – 2 Shkurt: ‘Vepra Ime do të Përhapet’: Doktrina e Besëlidhje 3–5”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 3–5”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
27 Janar – 2 Shkurt: “Vepra Ime do të Përhapet”
Doktrina e Besëlidhje 3–5
Gjatë viteve të tij të para si profeti i Zotit, Jozef Smithi ende nuk dinte çdo gjë për “vep[rën] e mrekullueshme” që ishte thirrur të bënte. Por një gjë që mësoi nga përvojat e tij të hershme, ishte se që të bënte veprën e Perëndisë, sytë e tij duhej të ishin të “drejtuar vetëm te lavdia e Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 4:1, 5). Për shembull, nëse Zoti e këshillonte të bënte diçka që nuk ishte i sigurt a donte ta bënte, atij i nevojitej të ndiqte këshillën e Zotit. Dhe madje edhe po të kishte “shumë zbulesa dhe … fuqi për të bërë shumë vepra të fuqishme”, nëse ndiente se ajo që dëshironte ishte më e rëndësishme sesa vullneti i Perëndisë, ai “duhet të b[inte]” (Doktrina e Besëlidhje 3:4). Por Jozefi mësoi diçka tjetër po aq të rëndësishme rreth bërjes së veprës së Perëndisë: “Perëndia është i mëshirshëm” dhe nëse Jozefi do të pendohej me sinqeritet, ai ishte “ende … i zgjedhur” (vargu 10). Vepra e Perëndisë, në fund të fundit, është një vepër shëlbimi. Dhe ajo vepër “nuk mund të pengohe[t]” (vargu 1).
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Unë mund t’i mirëbesoj Perëndisë.
Në fillim të shërbesës së Jozef Smithit, ishte e vështirë të gjendeshin miq të mirë – sidomos miq si Martin Harrisi, një burrë i respektuar dhe i suksesshëm, i cili bëri sakrifica të mëdha për të përkrahur punën e Jozefit. Ndaj, kur Martini kërkoi leje për t’ia treguar së shoqes 116 faqet e para të dorëshkrimit të Librit të Mormonit, Jozefi natyrshëm donte t’ia respektonte kërkesën, ndonëse Zoti e kishte paralajmëruar kundër kësaj. Tragjikisht, faqet humbën ndërsa i kishte në zotërim Martini dhe Zoti i qortoi ashpër Jozefin e Martinin (shihni te Shenjtorët, 1:51–53).
Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 3:1–15, përsiatni për atë që Zoti dëshiron që të mësoni nga përvoja e tyre. Për shembull, çfarë mësoni për:
-
Veprën e Perëndisë? (Shihni vargjet 1–3, 16.)
-
Pasojat e druajtjes nga njeriu në vend të mirëbesimit te Perëndia? (Shihni vargjet 4–8.)
-
Bekimet që vijnë nga të qëndruarit besnik? (Shihni vargun 8.)
-
Mënyrën se si Zoti e korrigjoi dhe inkurajoi Jozefin? (Shihni vargjet 9–16.)
Në mesazhin e tij “Nga Cili Drejtim i Mbani Sytë?”, Plaku Lin G. Robins jep shumë shembuj nga shkrimet e shenjta të njerëzve që iu druajtën Perëndisë dhe të njerëzve që iu nënshtruan presionit nga të tjerët (Liahona, nëntor 2014, f. 9–11). Merreni parasysh t’i lexoni këta shembuj në shkrimet e shenjta të cilave u referohet ai. Çfarë mësoni nga këto tregime? Çfarë përvojash keni pasur ku i mirëbesuat Zotit kur u përballët me presionin për të bërë diçka ndryshe? Cilat ishin rrjedhojat e veprimeve tuaja?
Shihni edhe te Dejll G. Renland, “Një Strukturë për Zbulesë Vetjake”, Liahona, nëntor 2022, f. 16–19; “The Contributions of Martin Harris”, në Revelations in Context [Zbulesa në Kontekst] (2016), f. 1–9; Topics and Questions [Tema dhe Pyetje], “Seeking Truth and Avoiding Deception” [“Kërkimi i së Vërtetës dhe Shmangia e Mashtrimit”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “Sa t’Buta Urdh’rimet”, Himne, nr. 65.
Unë mund t’i shërbej Perëndisë me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën time.
Seksioni 4 shpesh gjen zbatim për misionarët kohëplotë. Megjithatë, është interesante të vëmë në dukje se kjo zbulesë iu dha Jozef Smith Plakut, i cili nuk ishte thirrur për një mision, por prapëseprapë kishte “dëshirë t’i shërben[te] Perëndisë” (vargu 3).
Një mënyrë për ta lexuar këtë seksion, është ta imagjinoni atë si një përshkrim vendi pune për dikë që dëshiron të bëjë veprën e Zotit. Çfarë po kërkon Zoti? Çfarë dobish ofron Ai?
Çfarë mësoni për shërbimin ndaj Zotit nga kjo zbulesë?
Presidenti Rasëll M. Nelson e quajti mbledhjen e Izraelit “sfidë[n] më të madhe, kauzë[n] më të madhe dhe punë[n] më e madhe në tokë” (“Shpresa e Izraelit” [takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Çfarë gjeni në fjalimin e tij që ju frymëzon të merrni pjesë në këtë vepër?
Nëpërmjet Frymës së Shenjtë, mund të marr dëshmi për Librin e Mormonit.
Në mars 1829, bashkëshortja e Martin Harrisit, Lusi, bëri një padi në gjykatë për faktin se Jozef Smithi po i mashtronte njerëzit duke pretenduar se po përkthente fletët e arta (shihni te Shenjtorët, 1:56–58). Prandaj Martini i kërkoi Jozefit më shumë prova që fletët e arta ishin të vërteta. Doktrina e Besëlidhje 5 është një zbulesë në përgjigje të kërkesës së Martinit. Çfarë mësoni nga ky seksion për sa vijon:
-
Atë që Zoti thotë se do të ndodhte po të paraqiteshin fletët e arta që t’i shihte bota (shihni te Doktrina e Besëlidhje 5:7). Si mendoni, pse është kështu?
-
Rolin e dëshmitarëve në veprën e Zotit (shihni vargjet 11–15; shihni edhe te 2 Korintasve 13:1).
-
Mënyrën si të merrni vetë një dëshmi për Librin e Mormonit (shihni vargjet 16, 24; shihni edhe te Moroni 10:3–5).
Jezu Krishti na e dha fjalën e Tij nëpërmjet Jozef Smithit.
Çfarë ju mësojnë vargjet te Doktrina e Besëlidhje 5:1–10 për rolin e Jozef Smithit në kohën tonë dhe në jetën tonë? (Shihni edhe te 2 Nefi 3:6–24.)
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Doktrina e Besëlidhje 3:5–10; 5:21–22
Unë mund të zgjedh të drejtën kur të tjerët përpiqen të më shtyjnë të bëj gabime.
-
Për të nisur një diskutim rreth të mësuarit të mirëbesojnë tek Ati Qiellor, nëse doni, mund të përsëritni historinë e faqeve të humbura të dorëshkrimit (shihni te Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 18–21). Më pas mund të interpretoni me role me fëmijët tuaj situata kur mund të tundohen të bëjnë diçka që e dinë se nuk është e drejtë. Cilat fjalë ose fraza te Doktrina e Besëlidhje 3:5–8; 5:21–22 mund t’i ndihmojnë ata gjatë këtyre situatave?
Zoti më fton të ndihmoj për veprën e Tij.
-
Çdo varg te Doktrina e Besëlidhje 4 përmban të vërteta të çmuara që mund t’i ndihmojnë fëmijët tuaj të mësojnë rreth shërbimit ndaj Perëndisë. Ja disa ide për t’i ndihmuar ata t’i zbulojnë këto të vërteta:
-
Mund të lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 4:1 dhe të shfaqni fotografi që përshkruajnë veprën “e mrekullueshme” në ditët e mëvonshme (të tillë si misionarët, tempujt dhe Libri i Mormonit).
-
Fëmijët tuaj mund të mendojnë veprime ose të bëjnë vizatime që përshkruajnë frazën “t’i shërbeni atij me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj” (Doktrina e Besëlidhje 4:2).
-
Mund të vështroni së bashku veglat që përdoren për të punuar në fushë. Si na ndihmojnë këto vegla? Më pas fëmijët tuaj mund të gjejnë gjëra te Doktrina e Besëlidhje 4:5–6 që janë si vegla për të bërë veprën e Perëndisë.
-
Fëmijët më të mëdhenj mund të hulumtojnë në mënyrë të pavarur te Doktrina e Besëlidhje 4 dhe të bëjnë një listë gjërash që mësojnë rreth asaj që do të thotë t’i shërbesh Perëndisë.
-
Mund të këndoni së bashku një këngë rreth punës misionare, të tillë si “Un’ Dua të Jem Misionar Tani” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 90).
-
Doktrina e Besëlidhje 5:1–7, 11, 16, 23–24
Unë mund të jem një dëshmitar/e që Libri i Mormonit është i vërtetë.
-
Për t’u mësuar fëmijëve tuaj rreth dëshmitarëve, mund t’u kërkoni atyre të imagjinojnë sikur një shok ose shoqe iu tha se panë një mace duke ecur mbi dy këmbë. A do ta besonin ata? Po sikur edhe një shok ose shoqe tjetër të thoshte të njëjtën gjë? Bisedoni rreth faktit se çfarë është një “dëshmitar” dhe arsyes pse janë të rëndësishëm dëshmitarët. Më pas mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj të kërkojnë përgjigje te Doktrina e Besëlidhje 5:1–3, 7, 11 për pyetje si këto:
-
Çfarë donte të dinte Martin Harrisi?
-
Kujt mund t’ia tregonte Jozef Smithi fletët e arta?
-
Pse të parit e fletëve mbase nuk do ta bindte dikë që Libri i Mormonit është i vërtetë?
-
Çfarë mund të bëjmë ne për të qenë dëshmitarë të Librit të Mormonit? (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 5:16; Moroni 10:3–5.)
-