“Zëra të Rivendosjes: Dëshmitarët e Librit të Mormonit”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Dëshmitarët e Librit të Mormonit”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
Zëra të Rivendosjes
Dëshmitarët e Librit të Mormonit
Engjëlli Moroni ua tregoi fletët e arta Jozef Smithit, Oliver Kaudërit, Dejvid Uitmerit dhe Martin Harrisit në pyllin afër shtëpisë së familjes Uitmer në Fajet të Nju‑Jorkut. Në atë kohë, prindërit e Jozefit po vizitonin familjen Uitmer. Lusi Mek Smithi, nëna e Jozefit, përshkroi efektin që pati te dëshmitarët kjo përvojë e mrekullueshme:
“Ora ishte rreth tre ose katër e mëngjesit. Znj. Uitmer dhe Z. Smith e unë ishim ulur në dhomën e gjumit. Unë u ula në anë të shtratit. Kur Jozefi hyri, ai u lëshua pranë meje. ‘Baba! Nënë!’, – tha ai. ‘Ju nuk e dini sa i lumtur jam. Zoti ka bërë që fletët t’u tregohen edhe tre të tjerëve përveç meje, të cilët gjithashtu kanë parë një engjëll dhe do të dëshmojnë për të vërtetën e asaj që kam thënë. Sepse ata e dinë vetë se unë nuk po përpiqem t’i mashtroj njerëzit. Dhe unë ndihem vërtet sikur u lehtësova nga një barrë e lemerishme, që ishte thuajse tepër e madhe për mua që ta duroja. Por tani ata do të duhet të mbajnë një pjesë dhe më gëzon shpirtin se nuk do të jem më plotësisht i vetëm në botë.’ Pastaj hyri Martin Harrisi. Dukej gati i pushtuar nga gëzimi i tepërt. Ai më pas dëshmoi për atë që kishte parë dhe kishte dëgjuar, ashtu siç bënë edhe të tjerët, Oliveri dhe Dejvidi. Dëshmia e tyre ishte e njëjta në përmbajtje me atë që gjendet te Libri i Mormonit. …
Martin Harrisi, veçanërisht, dukej krejtësisht i paaftë për t’i shprehur ndjenjat e tij me fjalë. Ai tha: ‘Tani kam parë një engjëll nga Qielli, i cili me siguri ka dëshmuar për të vërtetën e gjithçkaje që kam dëgjuar në lidhje me analin, dhe sytë e mi e kanë parë atë engjëll. I kam parë edhe fletët, i mbajta ato në duart e mia dhe mund t’i dëshmoj të gjithë botës të njëjtën gjë. Por unë kam marrë për vete një dëshmi që fjalët nuk mund ta shprehin, që asnjë gjuhë nuk mund ta përshkruajë dhe unë e bekoj Perëndinë me çiltërsinë e shpirtit tim që ka denjuar të më bëjë mua, madje mua, një dëshmitar të madhështisë së veprës dhe planeve të Tij në emër [të] fëmijëve të njerëzve.’ Oliveri dhe Dejvidi gjithashtu u bashkuan me të në lëvdatat solemne ndaj Perëndisë për mirësinë dhe mëshirën e Tij. Ne u kthyem në shtëpi [në Palmira, Nju-Jork] të nesërmen, në një shoqëri të gëzueshme dhe ngazëlluese.”
Lusi Mek Smithi ishte gjithashtu e pranishme kur të Tetë Dëshmitarët u kthyen nga përvoja e tyre:
“Pasi këta dëshmitarë u kthyen në shtëpi, engjëlli iu shfaq sërish Jozefit; kohë në të cilën Jozefi i dorëzoi fletët në duart e tij. Atë mbrëmje zhvilluam një mbledhje, në të cilën të gjithë dëshmitarët dhanë dëshmi për faktet e lartpërmendura; dhe e gjithë familja jonë, madje edhe Don Karlos [Smithi] i cili ishte vetëm 14 vjeç, dëshmoi për të vërtetën e periudhës ungjillore të ditëve të mëvonshme – e cila në atë kohë kishte filluar plotësisht.”
Krahas Tre Dëshmitarëve dhe Tetë Dëshmitarëve, Meri Uitmeri, nëna e Dejvid Uitmerit, u bekua duke qenë gjithashtu një dëshmitare e fletëve të arta. Engjëlli Moroni ia tregoi ato asaj si shenjë mirënjohjeje për sakrificat që ajo bëri, ndërkohë që Jozefi, Ema dhe Oliveri po jetonin në shtëpinë e saj. “Ke qenë shumë besnike dhe e zellshme në punët e tua”, – i tha Moroni asaj. “Si rrjedhojë, është me vend që ti duhet të marrësh një dëshmi që besimi yt të mund të forcohet.”