Eja, Më Ndiq
24 Shkurt – 2 Mars: “Vlera e Shpirtrave Është e Madhe”: Doktrina e Besëlidhje 18


“24 Shkurt – 2 Mars: ‘Vlera e Shpirtrave Është e Madhe’: Doktrina e Besëlidhje 18”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 18”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025

Krishti duke përqafuar një fëmijë

24 Shkurt – 2 Mars: “Vlera e Shpirtrave Është e Madhe”

Doktrina e Besëlidhje 18

Ka shumë mënyra të ndryshme për t’u përpjekur ta matni vlerën e një njeriu. Talenti, arsimi, pasuria dhe pamja fizike, të gjitha mund të ndikojnë te mënyra se si e vlerësojmë njëri‑tjetrin dhe veten. Por në sytë e Perëndisë, vlera jonë është një çështje shumë më e thjeshtë dhe ajo shpallet qartë te Doktrina e Besëlidhje 18: “Kujtoni që vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë” (vargu 10). Kjo e vërtetë e thjeshtë shpjegon aq shumë nga ato që bën Perëndia dhe arsyet pse i bën. Pse i udhëzoi Ai Jozef Smithin dhe Oliver Kaudërin që ta themelonin Kishën e Jezu Krishtit në kohën tonë? (Shihni vargjet 1–5.) Për shkak se vlera e shpirtrave është e madhe. Pse Ai “i urdhëro[n] gjithë njerëzit kudo të pendohen” dhe dërgon Apostuj që të predikojnë pendim? (Vargu 9.) Për shkak se vlera e shpirtrave është e madhe. Dhe pse Jezu Krishti vuajti “vdekjen në mish” dhe “dhembjen e gjithë njerëzve”? (Vargu 11.) Për shkak se vlera e shpirtrave është e madhe. Nëse edhe njëri nga këta shpirtra zgjedh ta pranojë dhuratën e Shpëtimtarit, Ai gëzohet, pasi “i madh është gëzimi i tij për shpirtin që pendohet” (vargu 13).

ikona e studimit

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Doktrina e Besëlidhje 18:1–5

“Ngr[ije] kishën time.”

Te seksioni 18, Zoti i dha Oliver Kaudërit udhëzime për të ndihmuar të hidhet themeli i Kishës së Jezu Krishtit. Çfarë vini re te këshilla që dha Ai, veçanërisht në vargjet 1–5? Mund të merrni parasysh se si po kjo këshillë gjen zbatim për ju ndërsa e “ngr[ini]” besimin tuaj te Krishti. Për shembull:

  • Çfarë keni “dëshiruar të di[ni]” nga Zoti? (Vargu 1.)

  • Çfarë do të thotë për ju që të “mbështete[ni] mbi gjërat që janë shkruar”? (Vargu 3.) Si ju është “manifestuar me anë të Shpirtit” që këto gjëra janë të vërteta? (Vargu 2; shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 6:22–24.)

  • Si e ndërtoni jetën tuaj mbi “themelin e ungjillit [të Shpëtimtarit] dhe të shkëmbit [të Tij]? (Vargu 5.)

Bëni pyetje. Doktrina e Besëlidhje është provë që pyetjet çojnë drejt zbulesës. Ndërsa i studioni shkrimet e shenjta, shënojini pyetjet që keni. Më pas përsiatni dhe lutuni që të kërkoni përgjigje.

Doktrina e Besëlidhje 18:10–13

ikona e seminarit
“Vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë.”

Si e përcaktojmë vlerën e diçkaje? Për shembull, pse një artikull në një treg është më i kushtueshëm se një tjetër? Ndërsa lexoni seksionin 18 këtë javë, veçanërisht vargjet 10–13, mund ta krahasoni mënyrën se si shpesh njerëzit e përcaktojnë vlerën me atë që e bën një shpirt me vlerë në sytë e Perëndisë. Merreni parasysh t’i zëvendësoni me emrin tuaj fjalët “shpirti”, “shpirtra” dhe “gjithë njerëzit”. Si mund ta ndihmojnë këto vargje dikë që e vë në dyshim vlerën e vet?

Ja disa fragmente të tjera ku na mësohet rreth vlerës së një shpirti: Lluka 15:1–10; Gjoni 3:16–17; 2 Nefi 26:24–28; Moisiu 1:39. Bazuar në këto fragmente, si do ta përmblidhnit atë që ndien Perëndia për ju? Mund të kërkoni dhe te mesazhi i Presidentit Diter F. Uhtdorf “Ju Keni Rëndësi Për Të” (Liahona, nëntor 2011, f. 19–22) për të gjetur fjalë dhe fraza që ju ndihmojnë të dini rreth vlerës suaj para Perëndisë.

Si jua tregon Perëndia se keni vlerë të madhe për Të? Si ndikon kjo tek ajo që ndieni për veten dhe të tjerët?

Shihni edhe te Xhoi D. Xhons, “Vlerë e Pamasë”, Liahona, nëntor 2017, f. 13–15; Topics and Questions [Tema dhe Pyetje], “Children of God” [“Fëmijë të Perëndisë”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Doktrina e Besëlidhje 18:11–16

Zoti gëzohet kur unë pendohem.

Vini re se sa shpesh përdoren fjalë si pendohem, pendohen, pendohet, pendoheni dhe pendim, pendimit, pendimi gjatë gjithë seksionit Doktrina e Besëlidhje 18. Përsiateni atë që mësoni nga këto fjalë sa herë që përdoren. Merrini parasysh veçanërisht vargjet 11–16. Si ndikojnë këto vargje te mënyra se si ndiheni për pendimin – për vetë pendimin tuaj dhe për detyrën që t’i ftoni njerëzit e tjerë për t’u penduar dhe përmirësuar? Ja një mënyrë për ta shënuar atë që mësoni: renditni disa mënyra se si do ta plotësoni fjalinë “Pendimi është ”.

Shihni edhe tek Alma 36:18–21; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Pendohem, Pendim”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; Dejll G. Renland, “Pendimi: Një Zgjedhje e Gëzueshme”, Liahona, nëntor 2016, f. 121–124.

babai përqafon djalin

Hollësi nga The Prodigal Son [Djali Plëngprishës], nga Clark Kelley Price

Doktrina e Besëlidhje 18:14–16

Vjen gëzim kur i ndihmojmë të tjerët të vijnë te Krishti.

Ndërsa lexoni vargjet 14–16, përsiatni se çfarë do të thotë të “shpallni pendim” dhe arsyen pse ajo sjell një gëzim të tillë. Cilat janë disa mënyra që keni gjetur për t’i ndihmuar të tjerët të vijnë te Shpëtimtari dhe të marrin falje? Si e kanë bërë atë njerëzit e tjerë për ju?

Shihni edhe te Krejg C. Kristensen, “Nuk Mund të Ketë Asgjë Kaq të Mrekullueshme dhe Kaq të Ëmbël, sa Ishte Gëzimi Im”, Liahona, maj 2023, f. 45–47.

Doktrina e Besëlidhje 18:34–36.

Unë mund ta dëgjoj zërin e Zotit në shkrimet e shenjta.

Nëse dikush do t’ju pyeste se me çfarë ngjan zëri i Zotit, çfarë do të thoshit? Mendoni për këtë pyetje ndërsa lexoni vargjet te Doktrina e Besëlidhje 18:34–36. Çfarë keni mësuar rreth zërit të Zotit nga leximi i librit Doktrina e Besëlidhje? Çfarë mund të bëni që ta dëgjoni më qartë zërin e Tij?

Shihni edhe himnin: “Kur Kërkoj Shkrimet e Shenjta”, Himne, nr. 180.

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistave Liahona dhe Për Forcën e Rinisë.

ikona 03 e pjesës së fëmijëve

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Doktrina e Besëlidhje 18:10–13

Secili prej nesh ka vlerë të madhe për Perëndinë.

  • Ndërsa ju dhe fëmijët tuaj lexoni te Doktrina e Besëlidhje 18:10–13, merreni parasysh t’i zëvendësoni me emrat e njëri‑tjetrit fjalët “shpirtrave” dhe “gjithë njerëzit”. Më pas mund të flisni rreth mënyrës se si këto vargje na ndihmojnë të kuptojmë se si ndihet Ati Qiellor për secilin prej nesh.

  • Mund edhe t’i pyesni fëmijët tuaj rreth gjërave që njerëzit i konsiderojnë me vlerë. Ose mund t’u tregoni atyre diçka që është me vlerë për ju. Si i trajtojmë gjërat që janë me vlerë për ne? Më pas lërini ata të shihen në pasqyrë me radhë. Ndërsa e bëjnë këtë, thuajini çdo fëmije që ai ose ajo është një fëmijë i Perëndisë dhe ka vlerë të madhe. Si mund t’ua tregojmë të tjerëve që “vlera e shpirtrave [të tyre] është e madhe” në sytë tanë?

  • Për të theksuar që të gjithë njerëzit kanë vlerë të madhe për Atin Qiellor, fëmijët tuaj mund të vështrojnë figurën në fund të këtij përvijimi ndërkohë që lexoni te Doktrina e Besëlidhje 18:10–13.

Krishti duke mbajtur një fëmijë

Hollësi nga Worth of a Soul [Vlera e një Shpirti], nga Liz Lemon Swindle

Doktrina e Besëlidhje 18:13–16

Shpërndarja e ungjillit sjell gëzim të madh.

  • Për t’i frymëzuar fëmijët tuaj ta shpërndajnë ungjillin e Jezu Krishtit, mund të flisni me njëri-tjetrin rreth përvojave kur gjetët diçka që donit t’ia tregonit miqve dhe familjes suaj. Pse donit ta tregonit atë dhe si ju bëri të ndiheni fakti që e treguat? Më pas mund të lexoni te Doktrina e Besëlidhje 18:13, 16. Çfarë i sjell gëzim Zotit? Çfarë thotë Ai se do të na sjellë neve gëzim? Ju dhe fëmijët tuaj mund të flisni rreth ndonjë përvoje që keni pasur me shpërndarjen e gëzimit të ungjillit të Shpëtimtarit.

  • Një këngë rreth shpërndarjes së ungjillit, e tillë si “Un’ Dua të Jem Misionar Tani” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 90), mund t’i ndihmojë fëmijët tuaj të mendojnë mënyra se si mund ta shpërndajnë ungjillin.

Doktrina e Besëlidhje 18:34–36.

Unë mund ta dëgjoj zërin e Zotit në shkrimet e shenjta.

  • Fëmijëve tuaj mund t’u pëlqejë një lojë ku ata përpiqen të përcaktojnë zërat e njerëzve të ndryshëm, të tillë si pjesëtarëve të familjes, miqve ose udhëheqësve të Kishës. Si i dallojmë zërat e njëri-tjetrit? Si e dallojmë zërin e Zotit? Mund të lexoni së bashku te Doktrina dhe Besëlidhje 18:34–36 për ta diskutuar këtë pyetje. Mund edhe t’i tregoni njëri-tjetrit se si e keni dëgjuar zërin e Zotit në shkrimet e shenjta.

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

një kolazh fytyrash fëmijësh nga kultura të ndryshme

Çdo shpirt është i çmuar për Perëndinë.

faqja e veprimtarisë për fëmijët