“Zëra të Rivendosjes: Ema Hejl Smithi”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Ema Hejl Smithi”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
Zëra të Rivendosjes
Ema Hejl Smithi
Fjalët e Zotit drejtuar Ema Smithit, të shënuara te Doktrina e Besëlidhje 25, zbulojnë se si u ndje Ai për të dhe ndihmesat që ajo mund të jepte në punën e Tij. Por si ishte Ema? Çfarë dimë rreth personalitetit të saj, marrëdhënieve të saj, anëve të saj të forta? Një mënyrë se si mund të arrijmë ta njohim këtë “zonjë [të] zgjedhur” (Doktrina e Besëlidhje 25:3), është të lexojmë fjalët e njerëzve që e njihnin atë personalisht.
Jozef Smith i Riu, bashkëshorti i saj
“Me ç’gëzim të papërshkrueshëm dhe me sa shumë lumturi u mbush kraharori im, kur e mora për dore, atë natë, Emën time të dashur – ajo që ishte gruaja ime, madje gruaja e rinisë sime; dhe zgjedhja e zemrës sime. Të shumta ishin mendimet në mendjen time kur, për një çast, solla ndër mend skenat e shumta që ishim thirrur të kalonim. Lodhjet e mundimet, hidhërimet e vuajtjet, si dhe gëzimet e ngushëllimet, herë pas here, i kishin shtruar shtigjet tona dhe e kishin bekuar jetën tonë. Oh, çfarë mendimesh të trazuara e pushtuan mendjen time për një çast. Ajo është përsëri këtu, pavarësisht nga shqetësimi që kemi, e paepur, e fortë dhe e patundur, e pandryshueshme, e dashura Ema!”
Lusi Mek Smithi, vjehrra e saj
“Ajo ishte atëherë e re dhe, duke qenë nga natyra ambicioze, tërë zemra e saj ishte në punën e Zotit dhe ajo nuk ndiente ndonjë interesim përveçse për kishën dhe kauzën e së vërtetës. Çfarëdo që gjenin për ta bërë duart e saj, ajo e bënte me fuqinë e saj dhe nuk bënte pyetjen egoiste: ‘A do të përfitoj më shumë se gjithë të tjerët?’ Nëse pleqtë dërgoheshin larg për të predikuar, ajo ishte e para që i jepte në mënyrë vullnetare shërbimet e saj për të ndihmuar me veshjet për udhëtimin e tyre, pavarësisht se cilat ishin mundimet e veta.”
Jozef Smith Plaku, vjehrri i saj
Bekimi patriarkal i Emës, i shqiptuar nga Jozef Smith Plaku, i cili po shërbente si Patriark i Kishës:
“Ema, nusja e birit tim, ti je e bekuar nga Zoti për besnikërinë dhe vërtetësinë tënde: ti do të bekohesh me bashkëshortin tënd dhe do të gëzohesh në lavdinë që do të vijë mbi të: Shpirti yt është munduar për shkak të ligësisë së njerëzve që kërkojnë shkatërrimin e bashkëshortit tënd, dhe tërë shpirti yt është derdhur në lutje për çlirimin e tij: gëzohu, ngaqë Zoti, Perëndia yt, e ka dëgjuar përgjërimin tënd.
Ti je e pikëlluar për ngurtësinë e zemrave të shtëpisë së atit tënd dhe e ke dëshiruar prej kohësh shpëtimin e tyre. Zoti do të ketë nderim për thirrjet e tua dhe nëpërmjet gjykimeve të Tij, Ai do të bëjë që disa prej tyre ta kuptojnë marrëzinë e tyre dhe të pendohen për mëkatet e tyre; por do të jetë nëpërmjet mundimit, që ata do të shpëtohen. Ti do të shohësh shumë ditë; po, Zoti do të të ruajë derisa të jesh e kënaqur, pasi ti do ta shohësh Shëlbuesin tënd. Zemra jote do të gëzohet në punën e madhërishme të Zotit dhe askush nuk do ta largojë ngazëllimin tënd prej teje.
Gjithmonë duhet të kujtosh denjimin e madh të Perëndisë tënd, që të lejoi ty, për ta shoqëruar birin tim kur engjëlli e dorëzoi analin e nefitëve në përkujdesjen e tij. Ti ke parë shumë hidhërime ngaqë Zoti ka marrë prej teje tre nga fëmijët e tu: për këtë gjë ti nuk je fajtore, sepse Ai i di dëshirat e tua të pastra për të rritur një familje, që emri i birit tim të mund të bekohet. Dhe tani, vër re, unë të them, se kështu thotë Zoti, nëse do të besosh, ti akoma do të bekohesh në këtë gjë dhe do të sjellësh fëmijë të tjerë, për gëzimin dhe kënaqësinë e shpirtit tënd dhe për ngazëllimin e miqve të tu.
Do të bekohesh me kuptueshmëri dhe do të kesh fuqi për t’u dhënë udhëzim grave të tjera. Mësoji familjes sate drejtësi dhe të vegjëlve të tu mënyrën e jetës dhe engjëjt e shenjtë do të vëzhgojnë mbi ty: dhe ti do të shpëtohesh në mbretërinë e Perëndisë; madje kështu. Amen.”