“10–16 Mars: ‘Ngritja e Kishës së Krishtit’: Doktrina e Besëlidhje 20–22”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 20–22”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
10–16 Mars: “Ngritja e Kishës së Krishtit”
Doktrina e Besëlidhje 20–22
Puna e Shpëtimtarit për nxjerrjen në dritë të Librit të Mormonit tanimë kishte përfunduar. Por puna e Tij për Rivendosjen sapo kishte filluar. Krahas rivendosjes së doktrinës dhe autoritetit të priftërisë, Zoti e ka bërë të qartë nëpërmjet zbulesave më të hershme se Ai donte të rivendoste edhe një organizim formal, Kishën e Tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 10:53; 18:5). Më 6 prill 1830, më shumë se 40 besimtarë u mblodhën në shtëpinë prej druri të familjes Uitmer në Fajet të Nju‑Jorkut, për të dëshmuar organizimin e Kishës së Jezu Krishtit.
Disa njerëz e pyetin veten se përse është e nevojshme një Kishë e organizuar. Përgjigjja mund të gjendet, të paktën pjesërisht, te zbulesat që lidhen me atë mbledhje të parë të Kishës në vitin 1830. Ato përshkruajnë bekime që nuk do të kishin qenë të mundura nëse Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit nuk do të ishte “organizuar dhe ngritur në mënyrë të rregullt” në ditët e mëvonshme (Doktrina e Besëlidhje 20:1).
Shihni edhe te Shenjtorët, 1:84–86 dhe “Build Up My Church”, në Revelations in Context [Zbulesa në Kontekst], f. 29–32.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Jezu Krishti e ka rivendosur Kishën e Tij.
Përse kemi një Kishë të organizuar? Ndoshta përgjigjja më e mirë është: “Për shkak se Jezu Krishti e organizoi një të tillë”. Ndërsa studioni te Doktrina e Besëlidhje 20–21, mund të vini re ngjashmëri mes Kishës që Ai themeloi në lashtësi dhe asaj që ka rivendosur sot. Përdorini vargjet vijuese që të mësoni për Kishën e Shpëtimtarit në kohët e lashta: Mateu 16:15–19; Gjoni 7:16–17; Efesianëve 2:19–22; 3 Nefi 11:23–26; Moroni 4–5. Përdorini këto vargje për të mësuar rreth Kishës së rivendosur: Doktrina e Besëlidhje 20:17–25, 60, 72–79; 21:1–2. Mund ta shënoni atë që gjeni në një tabelë si kjo:
Doktrina |
Ordinancat |
Autoriteti i Priftërisë |
Profetët | |
---|---|---|---|---|
Kisha e lashtë e Krishtit | Doktrina | Ordinancat | Autoriteti i Priftërisë | Profetët |
Kisha e rivendosur e Krishtit | Doktrina | Ordinancat | Autoriteti i Priftërisë | Profetët |
Çfarë mësoni nga kjo veprimtari rreth arsyes pse Jezu Krishti e themeloi dhe e rivendosi ungjillin e Tij?
Shihni edhe te Dallin H. Ouks, “Nevoja për një Kishë”, Liahona, nëntor 2021, f. 24–26.
Doktrina e Besëlidhje 20:37, 75–79; 22
Ordinancat e shenjta më ndihmojnë të bëhem si Shpëtimtari.
Kur u organizua Kisha, Zoti u dha mësim shenjtorëve të Tij rreth ordinancave të shenjta, përfshirë pagëzimin dhe sakramentin. Ndërsa lexoni për këto ordinanca, përsiatni se si ato ju ndihmojnë të ndiheni të lidhur me Shpëtimtarin. Për shembull, si ju ndihmojnë këto ordinanca që ta mbani “vendosmëri[në] për t’i shërbyer [Jezu Krishtit] deri në fund? (Vargu 37.) Mund edhe t’i lexoni lutjet e sakramentit (vargjet 77, 79) dhe të imagjinoni sikur po i dëgjoni ato për herë të parë. Çfarë idesh ju vijnë?
Shihni edhe te D. Tod Kristoferson, “Arsyeja për Shtegun e Besëlidhjeve”, Liahona, maj 2021, f. 116–119.
Doktrina e Besëlidhje 20:38–60
Shërbimi i priftërisë i bekon anëtarët e Kishës dhe familjet e tyre.
A keni menduar ndonjëherë se pse ishte e rëndësishme për Shpëtimtarin që ta rivendoste priftërinë në Kishën e Tij? Leximi i asaj që Ai u kërkon mbajtësve të priftërisë të bëjnë te Doktrina e Besëlidhje 20:38–60, mund t’ju japë disa ide. Si ju ka bekuar Shpëtimtari ju dhe familjen tuaj nëpërmjet punës që përshkruhet në këto vargje?
Përveç atyre që shugurohen në priftëri, edhe gratë që veçohen për të shërbyer në Kishë, e ushtrojnë autoritetin e Perëndisë ndërsa marrin pjesë në veprën e Tij. Për të mësuar se si, shihni mesazhin e Presidentit Dallin H. Ouks “Çelësat dhe Autoriteti i Priftërisë” (Liahona, maj 2014, f. 49–52).
Shihni edhe tek Ese mbi Temat e Ungjillit, “Mësimet e Dhëna nga Jozef Smithi rreth Priftërisë, Tempullit dhe Grave”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Bindja ndaj fjalës së Perëndisë nëpërmjet profetëve të Tij do të më japë mbrojtje hyjnore.
Doktrina e Besëlidhje 21:4–9 përmban ftesa për të ndjekur profetin e Zotit dhe premtime të fuqishme për njerëzit që e bëjnë këtë. Idetë vijuese mund t’ju ndihmojnë t’i përsiatni këto vargje:
-
Cilat fjalë në vargjet 4–5 e përshkruajnë atë që Shpëtimtari do që ju të bëni me fjalët e profetit të Tij të gjallë? Pse ndieni se për ta bërë këtë nevojitet “durim e besim”?
-
Përsiateni shëmbëlltyrën që përdor Shpëtimtari te vargu 6 për të përshkruar bekimet nga ndjekja e profetit të Tij. Çfarë mendoni se nënkuptohet me frazën “portat e ferrit”? Si i “shpërnda[n] fuqitë e errësirës” Zoti për ju? Çfarë do të thotë që “qiejt të dridhen për të mirën tuaj”?
-
Çfarë po ju kërkon Zoti të bëni nëpërmjet Presidentit të tanishëm të Kishës? Si i ka përmbushur Zoti premtimet e Tij ndërsa e keni ndjekur këshillën e Tij?
Renditni ide shtesë që ju vijnë nga pjesët vijuese nga mesazhi i Plakut Nil L. Andersen “Profeti i Perëndisë” (Liahona, maj 2018, f. 24–27):
-
Përse e Ndjekim Profetin:
-
Një Rojë në Kullë:
-
Mos u Habitni:
Shihni edhe te “Watchman on the Tower” [“Roja mbi Kullë”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org; Topics and Questions [Tema dhe Pyetje], “Prophets” [“Profetët”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “Dëgjojm’ Zën’ e një Profeti”, Himne, nr. 16.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Kisha e Jezu Krishtit është rivendosur.
-
Merreni parasysh të përdorni kreun e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 21, kapitullin 9 te Histori nga Doktrina e Besëlidhje, ose materialin filmik “Organization of the Church” [“Organizimi i Kishës”] (ChurchofJesusChrist.org) për t’i ndihmuar fëmijët tuaj ta kuptojnë atë që ndodhi ditën kur u organizua Kisha.
-
Ndoshta fëmijët tuaj mund të përkojnë figura të Jezu Krishtit, dikujt që jep shërbesë, një pagëzimi dhe sakramentit me vargjet te seksioni 20 (shihni vargjet 21–23, 47, 72–74, 75–79). Përdorini këto figura dhe vargje për të diskutuar bekimet që kemi për shkak se Jezu Krishti e rivendosi Kishën e Tij.
Doktrina e Besëlidhje 20:37, 41, 71–74
Kur pagëzohem dhe konfirmohem, unë premtoj të ndjek Jezu Krishtin.
-
Fëmijët tuaj mund të kënaqen duke parë një figurë të një fëmije që po pagëzohet dhe konfirmohet. Ata mund të vënë në dukje mënyrën se si ajo përkon me udhëzimet te Doktrina e Besëlidhje 20:41, 71–74. Çfarë mësojmë nga Doktrina e Besëlidhje 20:37 rreth njerëzve që duan të pagëzohen? Mund edhe të këndoni së bashku këngën “Kur Un’ t’Pagëzohem” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 53) ose të shihni materialin filmik “The Baptism of Jesus” [“Pagëzimi i Jezusit”] (Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).
-
Nëse fëmijët tuaj janë pagëzuar dhe konfirmuar tashmë, pyetini për përvojën e tyre. A kanë fotografi që mund t’i tregojnë? Bisedoni me ta rreth asaj që po bëjnë për ta ndjekur Jezu Krishtin dhe mënyrën se si Ai po i bekon ata.
Doktrina e Besëlidhje 20:75–79
Unë mund ta marr mbi vete emrin e Jezusit dhe ta kujtoj gjithmonë Atë.
-
Fëmijët tuaj mund të kërkojnë fjalën “të gatshëm” edhe te Doktrina e Besëlidhje 20:37 (rreth pagëzimit) dhe te vargu 77 (lutja e sakramentit). Çfarë dëshiron Jezu Krishti që të jemi të gatshëm të bëjmë? Ndoshta fëmijët tuaj mund të vështrojnë diçka që ka një emër në të (të tillë si një emër firme ose një emër njeriu). Çfarë na thotë emri për objektin? Çfarë do të thotë ta marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit?
-
Merreni parasysh të lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 20:77 dhe kërkojuni fëmijëve tuaj të përcaktojnë premtimet që bëjmë si pjesë e sakramentit. Ndoshta mund të bëjnë me gjeste me radhë diçka të cilën mund ta bëjnë që “gjithmonë ta kujtojnë” Shpëtimtarin, dhe të gjejnë se cilat janë veprimet e njëri-tjetrit. Sipas vargut 77, si bekohemi kur e kujtojmë gjithmonë Shpëtimtarin?
Jezusi më bekon ndërsa e ndjek profetin e Tij.
-
Pasi të zbulojnë ftesat dhe premtimet te Doktrina e Besëlidhje 21:4–6, fëmijët tuaj mund të vështrojnë një fotografi të profetit të tanishëm dhe të tregojnë diçka që kanë mësuar apo dëgjuar prej tij. Tregojini njëri‑tjetrit mënyrat se si Jezu Krishti ju ka bekuar ngaqë e keni ndjekur profetin e Tij.