“3–9 Mars, ‘Mëso nga Unë’, Doktrina e Besëlidhje 19”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025 (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 19”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
3–9 Mars: “Mëso nga Unë”
Doktrina e Besëlidhje 19
Martin dhe Lusi Harrisit iu deshën vite që të blinin një nga fermat më të mira në Palmirë të Nju‑Jorkut. Por në vitin 1829 u bë e qartë se Libri i Mormonit mund të botohej vetëm nëse Martini e hipotekonte fermën e tij që të paguhej tipografi. Martini kishte dëshmi për Librin e Mormonit, por Lusi nuk kishte. Nëse Martini do të vazhdonte duke e hipotekuar fermën dhe Libri i Mormonit nuk do të kishte dhe aq shumë shitje, ai do ta humbiste fermën, do të vinte në rrezik martesën e tij dhe do të dëmtonte reputacionin e tij në komunitet. Ndonëse rrethanat tona janë të ndryshme nga ato të Martinit, në një rast apo në një tjetër ne të gjithë përballemi me pyetje të vështira si ato me të cilat u përball ai: Çfarë vlere ka ungjilli i Jezu Krishtit për mua? Çfarë jam i gatshëm të sakrifikoj për të ndihmuar në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë? Martin Harrisi përfundimisht vendosi se do ta hipotekonte fermën e tij që 5 000 kopjet e para të Librit të Mormonit të mund të shtypeshin. Por edhe kjo sakrificë dhe çdo sakrificë që mund të bëjmë, është e vogël në krahasim me flijimin e Jezu Krishtit “më i madhi i të gjithëve” (Doktrina e Besëlidhje 19:18), të cilit i doli gjak nga çdo por për të shpëtuar të penduarit.
Për më shumë informacion rreth botimit të Librit të Mormonit, shihni te Shenjtorët, 1:76–84.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
“Unë, Perëndia, jam i pafundëm.”
Jozef Smithi shpjegoi se zbulesa te seksioni 19 është “një urdhërim … për Martin Harris-in, të dhënë nga ai që është i përjetshëm” (kreu i seksionit). Kërkoni vende në vargjet 1–12 ku Zoti e thekson natyrën e Tij të përjetshme. Si mendoni, pse ishte e rëndësishme që Martin Harrisi ta dinte këtë për Zotin? Përse është e rëndësishme që ju ta dini këtë gjë?
Si mendoni, pse Jezu Krishti quhet “fillimi dhe fundi”? (Vargu 1.)
Doktrina e Besëlidhje 19:15–20
Jezu Krishti vuajti që unë të mund të pendohem dhe të vij tek Ai.
Dhiata e Re përshkruan vuajtjen e Shpëtimtarit në Gjetseman nga këndvështrimi i njerëzve që e vëzhguan atë. Te Doktrina e Besëlidhje 19:15–20, Jezu Krishti tregoi rreth vuajtjes së Tij nga këndvështrimi i Vet. Ndërsa e lexoni këtë rrëfim vetjak e të shenjtë, kërkoni se si Shpëtimtari e përshkroi vuajtjen e Tij. Merrni në shqyrtim se çfarë mësoni nga secila fjalë ose frazë. Përse Shpëtimtari ishte i gatshëm të vuante? Mund të zbuloni më shumë te Gjoni 15:13; Mosia 3:7; Alma 7:11–12; Doktrina e Besëlidhje 18:10–13.
Ndjenjat që keni ndërsa e studioni vuajtjen e Shpëtimtarit, mund të nxitin pyetje si këto: Pse iu desh Shpëtimtarit të vuante për mëkatet e mia? Pse më duhet të pendohem për të marrë bekimet e plota të flijimit të Tij? Mund të gjeni ide rreth këtyre pyetjeve dhe të tjerave në mesazhin e Plakut Ulises Soares “Jezu Krishti: Kujdestari i Shpirtit Tonë” (Liahona, maj 2021, f. 82–84). Ndërsa studioni, çfarë mbresash ju vijnë ndër mend? Merrni parasysh t’i shënoni ndjenjat tuaja rreth Jezu Krishtit dhe flijimit të Tij për ju.
Si pjesë e studimit dhe adhurimit tuaj, mund të kërkoni një himn që mund ta dëgjoni ose ta këndoni, i cili shpreh mirënjohjen tuaj ndaj Shpëtimtarit për vuajtjen e Tij në emrin tuaj. “Qëndroj plot Habi” (Himne, nr. 113) është një shembulli i mirë.
Çfarë ndieni se do të donin Ati Qiellor dhe Jezu Krishti të bënit si rrjedhojë e asaj që keni ndier dhe studiuar?
Shihni edhe te “Jezu Krishti do t’ju ndihmojë”, Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve (2022), f. 6–9; Topics and Questions [Tema dhe Pyetje], “Atonement of Jesus Christ” [“Shlyerja e Jezu Krishtit”], “Repentance” [“Pendimi”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; D. Tod Kristoferson, “Dhurata Hyjnore e Pendimit”, Liahona, nëntor 2011, f. 38–41; “Jesus Suffers in Gethsemane” [“Jezusi Vuan në Gjetseman”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Paqja vjen kur mësojmë për Jezu Krishtin dhe e ndjekim Atë.
Merreni parasysh ftesën e Shpëtimtarit: “Mëso nga unë”. Çfarë mësoni rreth Jezu Krishtit te Doktrina e Besëlidhje 19? Shënojini mendimet tuaja dhe përsiatni se si këto të vërteta rreth Shpëtimtarit ju ndihmojnë të gjeni paqe. Çfarë do të thotë për ju që të “ec[ni] në butësinë e Shpirtit [të Tij]”?
Shihni edhe te Henri B. Ajring, “Gjetja e Paqes Vetjake”, Liahona, maj 2023, f. 29–31; “Paqe në Krisht” (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Doktrina e Besëlidhje 19:26–41
Bekimet e Perëndisë janë më të mëdha sesa thesaret e tokës.
Libri i Mormonit nuk pati shumë shitje në Palmirë. Si rrjedhojë, Martin Harrisi përfundoi duke iu dashur të shiste një pjesë të madhe të fermës së tij për t’i paguar borxhin shtypshkronjës (shihni tek “The Contributions of Martin Harris”, në Revelations in Context [Zbulesa në Kontekst], f. 7–8). Përsiateni sakrificën e Martinit dhe bekimet që keni marrë për shkak të tij, ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 19:26–41. Ju mund të mendoni gjithashtu se çfarë ju ka kërkuar Zoti juve që të sakrifikoni. Çfarë gjeni në këto vargje që ju frymëzon t’i bëni këto sakrifica me “gëz[im]” e “kënaqësi”? (Shihni edhe vargjet 15–20.)
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Doktrina e Besëlidhje 19:16–19
Jezu Krishti vuajti për mua.
-
Mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj të ndiejnë nderim dhe mirënjohje për Shpëtimtarin duke lexuar së bashku te Doktrina e Besëlidhje 19:16–19 ose te “Kapitulli 51: Jezusi Vuan në Kopshtin e Gjetsemanit”, tek Tregime nga Dhiata e Re, f. 129–132, ose materialin filmik përkatës në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Merreni parasysh të ndaloni për t’u siguruar që fëmijët tuaj kuptojnë dhe t’i lini ata të shprehin ndjenjat e tyre. Për shembull, te vargu 16, cilat janë “këto gjëra” që Jezusi vuajti për ne? (Shihni te Mosia 3:7; Alma 7:11–12.) Çfarë mësojmë nga përshkrimi i Tij për vuajtjen e Vet? Si mund ta tregojmë mirënjohjen tonë për atë që Ai bëri për ne?
-
Ju dhe fëmijët tuaj mund të kërkoni te libri Himne ose Libri i Këngëve të Fëmijëve për këngë që ju ndihmojnë të shprehni ndjenjat tuaja rreth Jezu Krishtit (shihni treguesit tematikë në këta libra).
Doktrina e Besëlidhje 19:18–19, 24
Jezu Krishti iu bind Atit Qiellor, edhe kur ishte e vështirë.
-
Vuajtja për mëkatet tona qe shumë e vështirë, por Jezu Krishti qe i gatshëm ta bënte atë që t’i bindej Atit të Tij dhe të tregonte dashurinë e Tij për Të dhe për ne. Mund të vështroni së bashku një figurë të Jezu Krishtit duke vuajtur në Gjetseman (si ato në këtë përvijim) dhe t’u kërkoni fëmijëve tuaj t’ju thonë atë që dinë rreth asaj që po ndodh në figurë. Mund të lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 19:18–19, 24 për të theksuar që vuajtja për mëkatet tona ishte gjëja më e vështirë që ka bërë dikush ndonjëherë, por për shkak se Jezusi e donte Atin e Tij dhe ne, Ai iu bind vullnetit të Perëndisë (shihni edhe te Mosia 3:7). Çfarë gjërash të vështira na kërkon Perëndia të bëjmë? Si mund ta gjejmë guximin për t’iu bindur Atij?
“Mëso nga unë dhe dëgjoji fjalët e mia.”
-
Mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj të mendojnë për veprime të thjeshta që shkojnë me frazat te Doktrina e Besëlidhje 19:23. Lexojeni vargun disa herë ndërkohë që ata bëjnë veprimet. Cilat janë disa mënyra se si mund të mësojmë nga Krishti dhe t’i dëgjojmë fjalët e Tij?
Bekimet e Perëndisë janë më të mëdha sesa thesaret e tokës.
-
Ju dhe fëmijët tuaj mund të mbani në duar një kopje të Librit të Mormonit me radhë dhe të thoni diçka që ju pëlqen shumë tek ai. Flisni shkurtimisht rreth sakrificës së Martin Harrisit në mënyrë që Libri i Mormonit të mund të shtypej (shihni te Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 33). Çfarë i tha Zoti Martinit te Doktrina e Besëlidhje 19:38 që mund ta ketë ndihmuar atë të jetë besnik dhe i bindur? Ndihmojini fëmijët tuaj të mendojnë për diçka që mund ta sakrifikojnë për tʼiu bindur Perëndisë ose për të ndihmuar për punën e Tij.