“17–23 Mars: ‘Kërko Gjërat e një Bote më të Mirë’: Doktrina e Besëlidhje 23–26”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 23–26”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
17–23 Mars: “Kërko Gjërat e një Bote më të Mirë”
Doktrina e Besëlidhje 23–26
Për pjesën më të madhe të njerëzve, të qenit i pagëzuar është një përvojë nderuese, paqësore. Pagëzimi i Ema Smithit dhe të tjerëve, sidoqoftë, u prish nga një turmë e cila i përqeshi, i kërcënoi dhe i detyroi t’ia mbathnin. Më vonë, pikërisht kur Jozefi ishte gati t’i konfirmonte anëtarët e rinj, atë e arrestuan ngaqë e kishte shqetësuar komunitetin me predikimin e tij. Në të gjithë këtë kundërshtim, si mund të gjente Ema sigurinë që po bënte gjënë e drejtë? Në të njëjtin vend ku mund ta gjejmë të gjithë: nëpërmjet zbulesës nga Zoti. Ai i foli Emës për “gjërat e një [bote] më të mir[ë]”, mbretërinë e Tij dhe vendin e saj në të. Ai i tha asaj të mos kishte frikë, të “gëzoh[ej] në zemrën [e saj] e [të] ngazëlleh[ej]” dhe të “kap[ej] pas besëlidhjeve që k[ishte] bërë”. Dhe të gjitha këto fjalë inkurajimi dhe këshille janë “zëri [i Tij] për të gjithë” (Doktrina e Besëlidhje 25:9–10, 13, 16).
Shihni edhe te Saints [Shenjtorët], 1:89–90, 94–97.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Shpëtimtari mund të më shpëtojë “nga të gjitha mundimet” e mia.
Zbulesa te Doktrina e Besëlidhje 24 u dha për t’i “forcuar, inkurajuar dhe udhëzuar” Jozef Smithin dhe Oliver Kaudërin gjatë një kohe sprove (kreu i seksionit; shihni edhe te Saints [Shenjtorët], 1:94–96). Kërkoni fjalë te Doktrina e Besëlidhje 24 që ndiheni se do të kishin qenë forcuese dhe inkurajuese për ta.
Çfarë ju sugjerojnë shkrimet e shenjta vijuese rreth mënyrës se si Shpëtimtari ju ndihmon për sfidat tuaja?
Unë kam një rol të rëndësishëm për të luajtur në mbretërinë e Perëndisë.
Ndërsa Ema Smithi e pa Rivendosjen të shpalosej nëpërmjet bashkëshortit të saj, Jozef Smithit, ajo mund të ketë pyetur veten se cili mund të ishte roli i saj. Kërkojini përgjigjet që dha Perëndia te Doktrina e Besëlidhje 25. A gjeni ndonjë gjë në këtë seksion që e ndieni “zërin [e Tij] për [ju]”? (Vargu 16.)
Shihni edhe tek “An Elect Lady” [“Një Zonjë e Zgjedhur”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “Thou Art an Elect Lady”, në Revelations in Context [Zbulesa në Kontekst], f. 33–39; Xhoi D. Xhons, “Një Thirrje Veçanërisht Fisnike”, Liahona, maj 2020, f. 15–18.
Doktrina e Besëlidhje 25:5, 14
“Vazhdo në shpirtin e butësisë.”
Çfarë do të thotë për ju fraza “shpirti [i] butësisë”? Merreni parasysh të kërkoni te seksioni 25 fjalë dhe fraza që ju ndihmojnë ta kuptoni domethënien e fjalës i/e butë. Mesazhi i Plakut Dejvid A. Bednar “Zemërbutë dhe të Përulur nga Zemra” mund të ndihmojë gjithashtu (Liahona, maj 2018, f. 30–33). Në ç’mënyrë është Jezu Krishti një shembull i butësisë për ju? (Shihni te Mateu 11:28–30.) Mendoni për gjëra në jetën tuaj që mund t’i bëni “në shpirtin e butësisë”.
Doktrina e Besëlidhje 25:10, 13
“Duhet të lësh mënjanë gjërat e kësaj bote dhe të kërkosh gjërat e një më të mire.”
Ndërsa e përsiatni këshillën e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 25:10, mund të ndihmojë nëse bëni një listë me “gjërat e kësaj bote” që Ai dëshiron që t’i “l[ini] mënjanë”. Më pas mund të bëni një listë me “gjërat e një [bote] më të mir[ë]” që Ai dëshiron që t’i kërkoni. Mund të zgjidhni së paku një gjë nga lista e parë që do ta lini mënjanë, dhe një gjë nga lista e dytë që do ta kërkoni.
Presidenti Rasëll M. Nelson ka dhënë këshilla dhe premtime rreth “l[ënies] mënjanë [të] shumë gjëra[ve] të kësaj bote”. Kërkojini ato në faqe 77 të mesazhit të tij “Thesaret Shpirtërore” (Liahona, nëntor 2019). Si do ta ndiqni këshillën e tij?
Ndërsa lexoni vargun 13, mendoni rreth besëlidhjeve që keni bërë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Çfarë do të thotë të “kap[emi]” pas këtyre besëlidhjeve? Si ju ndihmojnë besëlidhjet tuaja që t’i “lin[i] mënjanë gjërat e kësaj bote dhe të kërko[ni] gjërat e një më të mire”?
Ja disa shkrime të tjera të shenjta që mund t’ju ndihmojnë të bëni dallimin mes atyre që janë “gjërat e kësaj bote” dhe “gjërat e një më të mire”: Mateu 6:19, 21, 25–34; Lluka 10:39–42; 2 Nefi 9:51.
Shihni edhe tek Topics and Questions [Tema dhe Pyetje], “Sacrifice” [“Sakrifica”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Doktrina e Besëlidhje 25:11–12
Zoti kënaqet nga “këng[a] e zemrës” sime.
Cilat janë disa nga “këngë[t] e zemrës” suaj, këngë që shprehin ndjenjat tuaja rreth Atit Qiellor ose Jezu Krishtit? Merreni parasysh të këndoni ose dëgjoni disa prej tyre. Çfarë kanë këto këngë që janë të veçanta për ju?
Mund edhe të përsiatni se si këto himne janë si një lutje. Çfarë kanë të përbashkët muzika e shenjtë dhe lutja? Si kanë “marrë përgjigje me një bekim” këngët tuaja të shenjta?
“Gjithë gjërat duhet të bëhen me anë të miratimit të përbashkët në kishë.”
Fraza “miratimit të përbashkët” në këtë varg i referohet gjestit të ngritjes së duarve për të treguar që ne e mbështetim dhe e përkrahim një person që po merr një thirrje ose shugurim në priftëri. Si do t’ia shpjegoje një vizitori në një mbledhje Kishe se çfarë do të thotë kur e mbështetim dikë? Çfarë përgjigjesh gjeni te mesazhi i Presidentit Henri B. Ajring “Fuqia e Besimit Mbështetës”? (Liahona, maj 2019, f. 58–60.)
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Shpëtimtari mund të më shpëtojë “nga të gjitha mundimet” e mia.
-
Për të mësuar për disa nga mundimet ose sfidat me të cilat u përballën Jozef Smithi dhe shenjtorët e hershëm, mund të shqyrtoni pjesën “Kapitulli 11: Më Shumë Njerëz Bashkohen me Kishën”, te Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 46–47, ose materialin filmik përkatës në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Më pas ju dhe fëmijët tuaj mund të zbuloni atë që Zoti i tha Jozefit për mundimet e tij te Doktrina e Besëlidhje 24:1, 8. Mund t’i tregoni njëri‑tjetrit edhe se si ju ndihmon Zoti gjatë kohëve të vështira.
-
Për të mësuar se ç’do të thotë të jemi “[të] duruar në mundime[t tona]”, ju dhe fëmijët tuaj mund të rikrijoni eksperimentin në materialin filmik “Continue in Patience” [“Vazhdoni me Durim”] (Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Çfarë na mëson Doktrina e Besëlidhje 24:8 rreth durimit? Në ç’mënyrë na e bën të ditur Shpëtimtari se Ai është “me [ne]” gjatë mundimeve tona?
Doktrina e Besëlidhje 25:11–12
Jezusi e do shumë “këngën e zemrës”.
-
Pasi të lexoni te Doktrina e Besëlidhje 25:12, mund t’i tregoni njëri‑tjetrit për himnin ose këngën tuaj të parapëlqyer të Kishës, “këngën e zemrës” suaj dhe t’i këndoni ato bashkë. Tregojini njëri‑tjetrit përse ju pëlqejnë shumë këto këngë. Pse lumturohet Zoti kur i këndojmë këto këngë? Në ç’mënyrë është të kënduarit nga ana jonë si “një lutje për [Atë]”?
Doktrina e Besëlidhje 25:13, 15
Besëlidhjet e mia me Atin Qiellor më sjellin gëzim.
-
Për ta kuptuar se çfarë do të thotë të “kap[eni] pas besëlidhjeve” (Doktrina e Besëlidhje 25:13), fëmijët tuaj mund të mbahen me radhë pas diçkaje aq fort sa të munden. Pastaj ju dhe fëmijët tuaj mund të flisni rreth mënyrës se si “kap[eni]” ose mbaheni fort pas besëlidhjeve tuaja. Nëse nevojitet, shqyrtojini me fëmijët tuaj besëlidhjet që bëjmë (shihni te Mosia 18:8–10; Doktrina e Besëlidhje 20:37; dhe faqja e veprimtarisë për këtë javë).
-
Për t’iu dhënë fëmijëve tuaj kontekstin për seksionin Doktrina e Besëlidhje 25:13, mund të vini në dukje se kjo është diçka që Zoti i tha Ema Smithit pak pas pagëzimit të saj. Përse kjo do të ishte këshillë e mirë për dikë që u pagëzua kohët e fundit?