“3–9 Shkurt: ‘Ky Është Shpirti i Zbulesës’: Doktrina e Besëlidhje 6–9”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 6–9”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
3–9 Shkurt: “Ky Është Shpirti i Zbulesës”
Doktrina e Besëlidhje 6–9
Në vjeshtën e vitit 1828, një mësues i ri në moshë, i quajtur Oliver Kaudëri, pranoi punën si mësues në Mançester të Nju-Jorkut dhe qëndroi me familjen e Lusi dhe Jozef Smith Plakut. Oliveri kishte dëgjuar për birin e tyre, Jozefin, dhe përvojat e tij mbresëlënëse, dhe Oliveri, që e konsideronte veten kërkues të së vërtetës, dëshironte të dinte më tepër. Familja Smith përshkroi vizitat nga engjëjt, një anal të shenjtë dhe dhuratën për të përkthyer nëpërmjet fuqisë së Perëndisë. Oliveri u mahnit. A mund të ishte e vërtetë kjo? Lusi dhe Jozef Plaku i dhanë atij këshillë që gjen zbatim për këdo që po kërkon të vërtetën: lutu dhe kërkoji Zotit.
Oliveri e bëri atë dhe Zoti iu përgjigj, duke i folur “paqe mendjes [së tij]” (Doktrina e Besëlidhje 6:23). Oliveri e kuptoi se zbulesa nuk është vetëm për profetët si Jozef Smithi. Ajo është për këdo që e dëshiron dhe e kërkon atë me zell. Oliveri kishte ende shumë për të mësuar, por dinte mjaftueshëm që të ndërmerrte hapin e tij të radhës. Ai e dinte se Zoti po bënte diçka të rëndësishme nëpërmjet Jozef Smithit dhe Oliveri donte të ishte pjesë e saj.
Shihni edhe te Shenjtorët, 1:58–64; “Days of Harmony” [“Ditët në Harmoni”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Ati Qiellor më flet nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
Në pranverën e vitit 1829, Oliver Kaudëri doli vullnetar të ishte shkruesi i Jozef Smithit ndërsa vazhdonte të përkthente Librin e Mormonit. Përvoja e emocionoi atë dhe ai pyeste veten nëse edhe ai mund të merrte zbulesë dhe dhuratën për të përkthyer. Megjithatë, përpjekja e tij e parë nuk shkoi mirë.
Nëse e keni pasur ndonjëherë të vështirë të merrni zbulesë ose ta kuptoni atë, ndoshta mund ta gjeni veten te përvoja e Oliverit dhe të mësoni prej saj. Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 6, 8 dhe 9, vini re se çfarë i mësoi Zoti Oliverit rreth zbulesës vetjake. Për shembull:
-
Çfarë sugjerojnë vargjet te Doktrina e Besëlidhje 6:5–7; 8:1; 9:7–8 rreth asaj që kërkon Zoti prej jush përpara se Ai ta zbulojë vullnetin e Tij?
-
Çfarë mësoni nga Doktrina e Besëlidhje 6:14–17, 22–24; 8:2–3; 9:7–9 rreth mënyrave të ndryshme se si mund të vijë zbulesa? Si mund ta dalloni atë?
-
Çfarë mësoni tjetër rreth zbulesës nga këto seksione?
Përvojat e Oliverit mund t’ju bëjnë të “sill[ni] ndër mend” çaste kur keni ndier se Zoti po ju fliste (Doktrina e Besëlidhje 6:22). A i keni shënuar ndonjëherë mendimet ose ndjenjat tuaja rreth këtyre përvojave? Nëse po, merreni parasysh ta lexoni atë që shkruat. Nëse jo, gjeni ca kohë për ta hedhur në letër atë që kujtoni. Merreni parasysh se si mund të vazhdoni të merrni forcë nga këto përvoja. Për disa ide, shihni mesazhin e Plakut Nil L. Andersen “Kujtime që të Përcaktojnë Shpirtërisht” (Liahona, maj 2020, f. 18–22).
Disa udhëheqës të Kishës kanë treguar përvojat e tyre me zbulesën në koleksionin e materialeve filmike “Dëgjoje Atë”. Pasi të shihni një ose më shumë nga këto materiale filmike, mund të ndiheni i/e frymëzuar t’i shënoni përvojat tuaja vetjake, duke treguar se si ju ka folur Zoti.
Shihni edhe tek Topics and Questions [Tema dhe Pyetje], “Personal Revelation” [“Zbulesa Vetjake”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “Oliver Cowdery’s Gift”, në Revelations in Context [Zbulesa në Kontekst], f. 15–19.
Doktrina e Besëlidhje 6:18–21, 29–37
Shihni te Krishti në çdo mendim.
Zoti e dinte se Jozef Smithi do të përjetonte “rrethana të vështira” në vitet e ardhshme (Doktrina e Besëlidhje 6:18). Ai e di se çfarë sprovash ka në të ardhmen tuaj gjithashtu. Çfarë gjeni në këshillën e Tij drejtuar Jozefit dhe Oliverit te Doktrina e Besëlidhje 6:18–21, 29–37 që ju ndihmon t’i mirëbesoni Atij?
Çfarë mendoni se do të thotë të “sh[ohësh] te [Krishti] në çdo mendim”? (Vargu 36.) Si mund ta bëni këtë në mënyrë të qëndrueshme, gjatë kohëve të vështira dhe “rrethana[ve] të vështira”? Merreni parasysh këtë këshillë nga Presidenti Rasëll M. Nelson: “Kërkon një përpjekje të madhe mendore që të shohësh tek Ai në çdo mendim. Por kur ne e bëjmë këtë, dyshimet tona dhe frika jonë largohen” (“Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”, Liahona, prill 2017, f. 41).
Shihni edhe te Nil L. Andersen, “Mendja Ime po më Përqendrohej në Këtë Mendim për Jezu Krishtin”, Liahona, maj 2023, f. 91–94.
“Mos kini frikë të bëni mirë.”
Përse ne ndonjëherë “k[emi] frikë të bë[jmë] mirë”? (Vargu 33.) Çfarë gjeni te Doktrina e Besëlidhje 6:29–37 që ju jep guxim për të bërë mirë? Merreni parasysh të këndoni ose dëgjoni një himn që ju frymëzon të keni guxim në Krisht, të tillë si “Punës Le t’i Vihemi” (Himne, nr. 154).
Doktrina e Besëlidhje 6–7; 9:3, 7–14
“Madje siç dëshiron prej meje, ashtu do të jetë.”
Vini re se sa herë fjalët “dëshiron”, “dëshiroi”, “dëshiroj”, “dëshiruar”, “dëshirë”, “dëshira” ose “dëshirave” shfaqen te seksionet 6 dhe 7. Çfarë mësoni nga këto seksione rreth rëndësisë që Perëndia vendos mbi dëshirat tuaja? Bëjini vetes pyetjen e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 7:1: “Çfarë dëshiron?”
Një nga dëshirat e drejta të Oliver Kaudërit – për të përkthyer siç bëri Jozef Smithi – nuk u realizua. Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 9:3, 7–14, çfarë mbresash merrni që mund t’ju ndihmojnë kur nuk ju realizohen dëshirat tuaja të drejta për momentin?
Shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 11:8; Dallin H. Ouks, “Dëshirë”, Liahona, maj 2011, f. 42–45.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Doktrina e Besëlidhje 6:5, 15–16, 22–23; 8:2; 9:7–9
Ati Qiellor më flet nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
-
Të vërtetat që mësoi Oliver Kaudëri rreth zbulesës vetjake, mund t’i ndihmojnë fëmijët tuaj ndërsa e zhvillojnë aftësinë e tyre për ta dalluar Frymën e Shenjtë. Mund të përdorni pjesën “Kapitulli 5: Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri” (te Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 22–25, ose materialin filmik përkatës në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]) për t’iu mësuar atyre rreth Oliverit dhe asaj që mësoi ai. Tregojini njëri‑tjetrit pjesët tuaja të parapëlqyera të historisë. Ndërsa e bëni, theksojini gjërat që i mësoi Zoti Oliverit rreth mënyrës se si ta dëgjonte zërin e Perëndisë, dhe lexojini vargjet që lidhen me këtë, të tilla si Doktrina e Besëlidhje 6:23 ose 9:7–9.
-
Mund edhe t’i ftoni fëmijët tuaj të prekin kokën dhe kraharorin e tyre teksa ju lexoni fjalët “mendjen” dhe “zemrën” te Doktrina e Besëlidhje 8:2. Thuajuni fëmijëve tuaj, nga përvojat tuaja, si është kur Fryma e Shenjtë i flet mendjes dhe zemrës suaj. Ndihmojini ata të gjejnë përgjigje për pyetjen “Si na flet Fryma e Shenjtë?” në këto vargje: Doktrina e Besëlidhje 6:15–16, 22–23; 8:2; 9:7–9.
Për shkak të Jezu Krishtit, unë mund të “mos k[em] frikë”.
-
Zoti i tha Jozefit dhe Oliverit: “Mos ki frikë, tufë e vogël” (Doktrina e Besëlidhje 6:34). Mund t’i ftoni fëmijët tuaj ta përsëritin frazën bashkë me ju disa herë. Atyre mund t’iu pëlqejë edhe të bëjnë sikur janë një tufë delesh të frikësuara. Nga se mund të kenë frikë delet? Më pas ju dhe fëmijët tuaj mund të vështroni një figurë të Shpëtimtarit si bari (ka një në fund të këtij përvijimi) dhe të flisni rreth mënyrës se si Ai na ruan ashtu si një bari i ruan delet e Tij.
-
Merreni parasysh të vini ose këndoni një këngë rreth gjetjes së guximit në Krisht, të tillë si “Guxo, Ji i Drejt’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 80) ose “Punës Le t’i Vihemi” (Himne, nr. 154). Çfarë na mëson kënga rreth mënyrës se si Shpëtimtari na ndihmon që të mos kemi frikë?
Unë mund të shoh te Jezu Krishti në çdo mendim.
-
Pas leximit së bashku te Doktrina e Besëlidhje 6:36, ju dhe fëmijët tuaj mund të bëni vizatime për t’ju ndihmuar të kujtoheni të “shihni te [Jezu Krishti] në çdo mendim”. Tregojani njëri‑tjetrit vizatimet tuaja dhe ndihmojini fëmijët tuaj të mendojnë për vende ku mund t’i vendosin ato në mënyrë që t’i shohin shpesh.