“10–16 Shkurt: ‘Që të Mund të Dalësh Fitues’: Doktrina e Besëlidhje 10–11”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 10–11”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
10–16 Shkurt: “Që të Mund të Dalësh Fitues”
Doktrina e Besëlidhje 10–11
Ndërsa përkthimi i Librit të Mormonit vazhdonte, doli një pyetje: “Çfarë duhej të bënin Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri për ato faqe të humbura të përkthimit?” Mund të kishte kuptim ripërkthimi i asaj pjese, por Zoti pa diçka që ata nuk mund ta shihnin: armiqtë e tyre po bënin plane për t’i ndryshuar fjalët e atyre faqeve që të ngjallnin dyshime mbi punën e frymëzuar të Jozefit. Perëndia kishte një plan për ta shmangur atë problem dhe për ta mbajtur punën në përparim. Mijëra vjet më parë, Perëndia e frymëzoi Nefin të shkruante një anal të dytë që trajtonte të njëjtën periudhë kohore “për një qëllim të urtë në të” (1 Nefi 9:5).
“Urtësia ime”, – i tha Zoti Jozefit, – “është më e madhe se djallëzia e djallit” (Doktrina e Besëlidhje 10:43). Ky është një mesazh sigurues në një kohë si kjo e jona, kur kundërshtari po i shton përpjekjet për ta dobësuar besimin. Ashtu si Jozefi, ne mund të jemi “besnik[ë] dhe të vazhdo[jmë]” në veprën që Perëndia na ka thirrur që të bëjmë (vargu 3). Atëherë ne do të zbulojmë se Ai tashmë na ka siguruar një mënyrë kështu që “portat e ferrit nuk do të triumfojnë” ndaj nesh (vargu 69).
Shihni te Shenjtorët, 1:51–61.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Perëndia “nuk do të lejoj[ë] që Satani ta realizojë planin e tij të mbrapshtë”.
Satani do të parapëlqente që ne të harrojmë se ai ekziston – ose të paktën të mos arrijmë t’i dallojmë përpjekjet e tij për të ndikuar te ne (shihni te 2 Nefi 28:22–23). Por fjalët e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 10 pohojnë se Satani është i vërtetë dhe ai e kundërshton aktivisht fjalën e Zotit. Në vargjet 1–33, përcaktoni atë që Perëndia dinte rreth përpjekjeve të Satanit (shihni edhe vargjet 62–63). Ju gjithashtu mund t’i kërkoni Zotit t’ju ndihmojë të shihni se si Satani mund të jetë duke ju tunduar. Ndërsa lexoni seksionin 10, përsiatni se si Shpëtimtari mund t’ju ndihmojë t’u rezistoni përpjekjeve të Satanit.
Doktrina e Besëlidhje 10:34–52
“Urtësia [e Zotit] është më e madhe se djallëzia e djallit.”
Nefi nuk e dinte pse u frymëzua të bënte dy grupe analesh për popullin e tij. Dhe Mormoni nuk e dinte pse u frymëzua të përfshinte grupin e dytë te fletët e arta. Por të dy profetët mirëbesuan se Perëndia kishte “një qëllim të urtë” (1 Nefi 9:5; Fjalët e Mormonit 1:7). Sot e dimë të paktën një pjesë të atij qëllimi: të zëvendësonte 116 faqet e humbura të Librit të Mormonit. Si mendoni, çfarë dëshiron Zoti që të mësoni nga e gjithë kjo? Përsiateni atë pyetje ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 10:34–52. Mund edhe të bëni një listë me të vërtetat që mësoni rreth Zotit nga këto vargje. Si ndikojnë këto të vërteta te marrëdhënia juaj me Të? Çfarë ju bën përshtypje nga urtësia dhe largpamësia e Zotit që bëri përgatitje për humbjen e 116 faqeve?
Mund edhe të ndiheni i/e frymëzuar të kërkoni prova për urtësinë dhe largpamësinë e Tij në jetën tuaj. Lexojini tregimet në mesazhin e Plakut Ronald A. Rasband “Sipas Qëllimit Hyjnor” – ato mund t’ju sjellin shembuj në mendje (Liahona, nëntor 2017, f. 55–57). Merreni parasysh t’i shkruani ato ndërsa ju vijnë ndër mend. Si ka vepruar Zoti në jetën tuaj? Për shembull, çfarë “rastësish” ka përgatitur Ai? Çfarë themelesh ka hedhur Ai për bekimet tuaja? Kur ju ka shtyrë Ai t’i jepni shërbesë dikujt në nevojë?
Shihni edhe te Romakëve 8:28; Doktrina e Besëlidhje 90:24; Topics and Questions [Tema dhe Pyetje], “Plan of Salvation” [“Plani i Shpëtimit”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
“Vëre besimin tënd në … Shpirt[in e Zotit].”
Vëllai më i madh i Jozefit, Hajrëmi, qe i etur të dinte vullnetin e Zotit për të, ndaj i kërkoi Jozefit të kërkonte një zbulesë në emrin e tij. Profeti ishte i lumtur ta bënte, por të paktën një mesazh në atë zbulesë (Doktrina e Besëlidhje 11) është se edhe Hajrëmi mundej të kërkonte zbulesë për veten. Dhe kështu munden “[të] gjithë at[a] që kanë dëshira të mira dhe e kanë shtyrë drapërin e tyre për të korrur” (vargu 27). Ndërsa lexoni seksionin 11, çfarë ndieni se po ju mëson Zoti rreth zbulesës vetjake? Si lidhet kjo me atë që i mësoi Ai Oliver Kaudërit në seksionet 6–9? Çfarë mesazhesh të tjera ka Ai për ju?
Shihni edhe himnin: “Shpirt’ i Shenjt’ na Udhëzoft’”, Himne, nr. 81.
Doktrina e Besëlidhje 11:15–26
Ndërsa kërkoj të “fito[j] fjalën [e Perëndisë]”, unë do të marr Shpirtin dhe fuqinë e Tij.
Madje përpara se Libri i Mormonit të përkthehej, Hajrëm Smithi donte me padurim të ndihmonte për veprën e Rivendosjes. Ndërsa lexoni përgjigjen e Zotit ndaj dëshirave të tij, merrni parasysh se çfarë do të thotë për ju ta “fitosh fjalën [e Perëndisë]” (vargu 21). Si ju ndihmon fitimi i fjalës së Perëndisë që t’i shërbeni Atij me fuqi?
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Kur lutem gjithmonë, marr forcë nga Perëndia.
-
Për t’ua paraqitur këtë varg fëmijëve tuaj, mund t’i pyetni ata për gjërat që bëjnë “gjithmonë”. Çfarë thotë Zoti se duhet të bëjmë gjithmonë te Doktrina e Besëlidhje 10:5? Përse mund të dojë Ai që ne ta bëjmë këtë?
-
Si mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj që të kujtohen të luten gjithmonë? Ndoshta ata mund të mbledhin disa guralecë të lëmuar dhe të pikturojnë mbi ata fjalët “Doktrina e Besëlidhje 10:5” ose “Lutu Gjithmonë”. Ata mund t’i vënë guralecët në vende të ndryshme ku duan të kujtohen për t’u lutur, si pranë shtratit, te librat e shkollës ose atje ku hanë. Sipas vargut te Doktrina e Besëlidhje 10:5, si na bekon Perëndia kur lutemi? Fëmijët tuaj mund të gjejnë përgjigje të tjera në një këngë si “Lutja e një Fëmije” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 6–7).
Doktrina e Besëlidhje 11:12–13
Fryma e Shenjtë më udhëheq që të bëj mirë.
-
Fëmijët mund të mësojnë ta dallojnë kur po u flet Shpirti. Për t’i ndihmuar ata, ju mund të fshihni një llambë ose elektrik dore dhe figurën e një fytyre të lumtur diku në dhomë, më pas t’u kërkoni fëmijëve tuaj t’i gjejnë këto sende. Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 11:13 dhe ndihmojini fëmijët tuaj të përcaktojnë fjalët që lidhen me sendet që gjetën. Çfarë na mësojnë këto fjalë rreth mënyrës se si na ndihmon Fryma e Shenjtë?
-
Të treguarit e përvojave tuaja shpirtërore, mund t’i ndihmojë fëmijët tuaj ta dallojnë ndikimin e Frymës së Shenjtë në jetën e tyre. Ndërsa flasin, kërkojuni atyre gjithashtu t’i tregojnë përvojat e veta. Mund të lexoni së bashku edhe te Doktrina e Besëlidhje 11:12–13, duke kërkuar mënyrën se si mund ta dallojmë kur Fryma e Shenjtë po na udhërrëfen. Dëshmoni se Ati Qiellor dëshiron të na udhërrëfejë nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
Doktrina e Besëlidhje 11:21, 26
Kam nevojë ta di ungjillin që të mund t’i ndihmoj të tjerët ta gjejnë të vërtetën.
-
Njësoj si Hajrëm Smithi, fëmijët tuaj ndoshta do të kenë mundësi të shumta për ta shpërndarë ungjillin tek të tjerët. Mund të lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 11:21, 26 dhe t’u kërkoni fëmijëve tuaj të gjejnë atë që i tha Zoti Hajrëmit se duhej të bënte në mënyrë që të mund ta jepte mësim ungjillin. Çfarë do të thotë ta “fitosh” fjalën e Perëndisë? Si mund ta bëjmë këtë? Si e “mbl[edhim si] thesar” fjalën e Perëndisë në zemrat tona? Mbase fëmijët tuaj mund të interpretojnë me role sikur u tregojnë të tjerëve diçka për Jezu Krishtin ose Librin e Mormonit.