Biblioteka
Plani i Shpëtimit


“Plani i Shpëtimit”, Tema dhe Pyetje (2023)

një njeri duke ecur në valët në breg të detit

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

Plani i Shpëtimit

Plani i Atit Qiellor për sigurinë tonë dhe kthimin tonë të lumtur tek Ai

A e keni pyetur ndonjëherë veten pse jeni në tokë ose cili është qëllimi juaj në jetë? A e pyetni veten nganjëherë pse jeta është kaq e vështirë? A shqetësoheni rreth asaj që do të ndodhë kur ju ose një njeri i dashur vdes? Kur përballeni me pyetje sfiduese si këto, dhe ne të gjithë do të ndeshemi me to, ju ndihmon të dini se Ati Qiellor ka një plan për ju, për ne të gjithë. Të kuptuarit e atij plani mund t’ju ndihmojë të gjeni përgjigje për këto pyetje dhe të gjeni lumturi të vërtetë, pavarësisht se çfarë mund të jetë duke ndodhur në jetën tuaj.

Çfarë Është Plani i Shpëtimit?

Plani i shpëtimit, ose plani i lumturisë, është plani i Atit Qiellor që na ndihmon të bëhemi si Ai dhe të kthehemi tek Ai. Krijimi i tokës, Rënia e Adamit dhe e Evës, lindja dhe vdekja jonë, Shlyerja e Jezu Krishtit, ringjallja jonë, Gjykimi Përfundimtar dhe të gjitha ligjet, urdhërimet dhe dhuratat e Perëndisë janë pjesë e planit të Tij. Jezu Krishti ka rolin qendror në bërjen që të ndodhë shpëtimi i fëmijëve të Atit Qiellor. Nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Ai e bën planin të mundur, na aftëson që të përmbushim qëllimin e planit – që të marrim jetë të përjetshme me Perëndinë.

Vështrim i përgjithshëm i temës: Plani i Shpëtimit

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Jeta Para Lindjes, Jeta në Vdekshmëri, Jeta e Përjetshme

Pjesa 1

Ati Qiellor Përgatiti Planin e Tij me Qëllim që Ju të Mund të Bëheni si Ai

Ne të gjithë, çdo njeri që ka jetuar ndonjëherë ose do të jetojë ndonjëherë në tokë, jetuam me prindërit tanë qiellorë përpara se të lindnim. Ne ishim bijtë dhe bijat shpirtërore të Tyre, por kishte shumë gjëra që na nevojitej t’i përjetonim që të bëheshim si Ata. Ati Qiellor na do dhe dëshiron që ne të gjithë të jetojmë siç jeton Ai: në lavdi të përjetshme së bashku me njerëzit tanë të dashur. Kjo është arsyeja pse Ai përgatiti planin e shpëtimit.

grua duke u lutur

Vepra dhe lavdia e Perëndisë është “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39). Me fjalë të tjera, i gjithë qëllimi i planit është që ne të bëhemi si Perëndia dhe të jetojmë përjetësisht me Të. Dijenia rreth planit mund t’ju ndihmojë të kuptoni identitetin tuaj hyjnor dhe potencialin tuaj të përjetshëm.

Gjëra për t’i menduar

  • Lexoni ose shikoni bisedën e Presidentit Diter F. Uhtdorf “Ju Keni Rëndësi për Të. Çfarë do të thotë për ju që të dini se Perëndia “ju sheh ju si qenia që jeni të aftë dhe të projektuar që të bëheni”? Si mund ta ndryshojë kjo dijeni mënyrën se si mendoni për veten tuaj e për të tjerët dhe se si e trajtoni veten tuaj dhe të tjerët?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Nëpërmjet shembullit të Tij, Jezu Krishti na tregoi se si mund të bëhemi si Perëndia. Bëni një listë të atyre tipareve që ju vijnë në mendje kur mendoni për Të. (Mund të shihni te kapitulli 6 i manualit Predikoni Ungjillin Tim për disa ide.) Tregoni se si ju i shihni disa prej këtyre cilësive te njëri‑tjetri. Ftojeni secilin person që të zgjedhë njërën nga këto tipare që ai ose ajo do të donte ta zhvillonte, dhe të bëjë një plan për ta forcuar atë tipar. Tregojani planet tuaja njëri‑tjetrit dhe nxiteni njëri‑tjetrin teksa përpiqeni fort për t’i përmbushur synimet tuaja.

Mësoni më shumë

Pjesa 2

Të Kuptuarit e Planit do t’ju Ndihmojë nëpër Situata të Vështira

Kur e kuptoni se kjo jetë është vetëm një pjesë e vogël e përjetësisë suaj, ju mund të mbaheni fort te shpresa kur përjetoni sprova. Kjo nuk do të thotë se gjithmonë do të jeni në gjendje t’ju jepni përgjigje pyetjeve si: “Përse ndodhi kjo gjë?” Por edhe kur të kuptuarit tuaj është i kufizuar, ju mund të jeni të sigurt se Perëndia ju do (shihni te 1 Nefi 11:17) dhe se sfidat tuaja nuk do të zgjatin përgjithmonë. Ju gjithashtu mund të dini se për shkak të Jezu Krishtit, vdekja nuk është mbarimi; është thjesht një hap në shtegun që të bëheni si Perëndia.

grua e gjunjëzuar pranë një pllake varri

Gjëra për t’i menduar

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Si mund të përqendroheni te plani i Atit Qiellor teksa shkoni përpara në jetë? Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Kur përqendrimi i jetës sonë është te plani i Perëndisë për shpëtim … dhe te Jezu Krishti e ungjilli i Tij, ne mund të ndiejmë gëzim pavarësisht nga ajo që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë”. Flisni së bashku rreth mënyrës se si mund ta bëni Krishtin dhe ungjillin e Tij përqendrimin e jetës suaj. Me radhë, mund të bëni fotografi të një dhome. Më pas lejojeni secilin person të zgjedhë se te cila pjesë e dhomës do të përqendrohet ai ose ajo. Shikojini fotografitë së bashku dhe flisni rreth mënyrës se si dhoma duket ndryshe nga këndvështrime të ndryshme. Flisni rreth mënyrës se si përqendrimi te Krishti mund të na ndihmojë që ta shohim jetën tonë nga një këndvështrim i përjetshëm.

Mësoni më shumë

Pjesa 3

Jezu Krishti e Bën të Mundur Planin për Çdo Njeri

Ndoshta e ndieni se keni bërë tepër shumë gabime apo që nuk do të jeni kurrë aq të mirë sa të merrni të gjitha bekimet e premtuara nga Perëndia. Nëse suksesi i planit të Perëndisë do të varej vetëm nga përpjekjet tuaja vetjake, kjo do të ishte e vërtetë. Por Jezu Krishti e bën planin e përjetshëm të Perëndisë të mundur për çdo njeri. Për shkak të flijimit të Tij shlyes, neve nuk na duhet ta bëjmë gjithçka vetë. Ai i fton të gjithë që të mësojnë për planin, të pendohen, të bëjnë e të mbajnë besëlidhje me Të dhe të gëzojnë bekimet e premtuara të planit. Kur bëjmë gjithçka mundemi për të ushtruar besim tek Ai, pendohemi dhe i mbajmë besëlidhjet tona, Ai do të bëjë pjesën e mbetur dhe do të na forcojë përgjatë udhës. Ne mund të gjejmë lumturi te plani, duke e ditur se premtimet e Tij janë të sigurta.

Gjëra për t’i menduar

  • Lexoni ose shikoni bisedën e Plakut Adrian Oçoa nga konferenca e përgjithshme e prillit 2022, “A po Funksionon Plani? Plaku Oçoa përshkruan tri parime që mund t’ju ndihmojnë nëse ndieni se plani i shpëtimit nuk po funksionon në jetën tuaj. Vini re se si Jezu Krishti është thelbësor në secilin nga këto parime. Vendosni një synim që të përqendroheni më shumë tek Ai. Teksa punoni për synimin tuaj, mbajini shënim ndjenjat tuaja rreth mënyrës se si e shihni që plani i lumturisë po funksionon në jetën tuaj.

Mësoni më shumë

Burime të Tjera rreth Planit të Shpëtimit