Biblioteka
Rrëfimet për Vegimin e Parë


“Rrëfime të Shumta për Vegimin e Parë”, Tema dhe Pyetje (2023)

vegimi i parë

Pyetje rreth Kishës dhe Ungjillit

Rrëfime të Shumta për Vegimin e Parë

Kërkimi i përgjigjeve për pyetjet tona mund të na afrojë më shumë me Jezu Krishtin nëse vëmë në zbatim parime të shëndosha. Të mësuarit për ta vlerësuar cilësinë e burimeve tona të informacionit është njëri nga ato parime.

Shihni tek tema “Këshillohuni me Burime të Besueshme” për më shumë këshilla për vlerësimin e informacionit.

Vështrim i Përgjithshëm

Jozef Smithi dëshmoi se Perëndia Ati dhe Jezu Krishti iu shfaqën atij në një korije pemësh pranë shtëpisë së prindërve të tij kur ai ishte rreth 14 vjeç. Kjo teofani u bë e njohur si Vegimi i Parë. Jozefi dhe të tjerë shënuan disa rrëfime të Vegimit të Parë gjatë jetës së Profetit.

Jozefi botoi dy rrëfime të Vegimit të Parë. Më i njohuri u kanonizua dhe mund të gjendet te Perla me Vlerë të Madhe. Dy rrëfime të pabotuara, të shënuara në autobiografinë më të hershme të Jozef Smithit dhe në ditarin e tij, ishin përgjithësisht të panjohura derisa u botuan nga Kisha në vitet 1960.

Rrëfimet e ndryshme tregojnë të njëjtën histori, edhe pse natyrisht ato ndryshojnë në theksime dhe hollësi. Disa njerëz, në mënyrë të gabuar, kanë argumentuar se çdo ndryshim midis përshkrimeve për Vegimin e Parë, është provë e trillimit. Përkundrazi, historianët presin që kur një individ e ritregon një përvojë në mjedise të shumta, për dëgjues të ndryshëm, përgjatë shumë viteve, secili rrëfim do të theksojë aspekte të ndryshme të përvojës dhe do të përmbajë hollësi të veçanta.

Ndryshimet më të mëdha në rrëfimet për Vegimin e Jozef Smithit gjenden në rrëfimin më të hershëm që u shkrua në vitin 1832. Ai ndryshon nga rrëfimet e tjera në disa pika:

  1. Në rrëfimin e vitit 1832, një nga shkruesit e Jozefit futi frazën “në vitin e 16‑të të moshës sime”. Rrëfimet e tjera raportojnë se ai ishte 14 vjeç. Ky ndryshim ka shumë të ngjarë të ishte rrjedhojë e një gabimi në të shkruar.

  2. Në rrëfimin më të hershëm Jozefi u lut për të kërkuar falje për mëkatet e tij. Në rrëfimet më të vona, ai donte të dinte se me cilën kishë të bashkohej. Këto dy pyetje ndoshta ishin shumë ngushtësisht të lidhura në mendjen e Jozefit dhe të dyja pasqyrojnë dëshirën e tij për t’u shpëtuar.

  3. Rrëfimi i parë thotë: “Zoti hapi qiejt për mua dhe unë pashë Zotin dhe ai më foli”. Në rrëfimin shkrim të shenjtë, Jozefi shpjegoi se Ati i paraqiti Shpëtimtarin, i cili më pas vazhdoi të bisedonte me Jozefin. Ndonëse rrëfimi i vitit 1832 nuk e përfshin këtë hollësi, të gjitha rrëfimet theksojnë rolin qendror të Jezu Krishtit në vegimin. Ai është personi që iu përgjigj pyetjeve të Jozefit.

Rrëfimet e shumta të Jozefit për Vegimin e Parë na krijojnë mundësinë që të mësojmë më shumë rreth kësaj ngjarjeje mbresëlënëse nga sa do të mundeshim nëse ajo nuk do të ishte e dokumentuar aq mirë. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme që i lexojnë ato, mund të fitojnë një vlerësim për dëshminë e çiltër të Profetit se Perëndia iu përgjigj lutjes së tij me një vegim të jashtëzakonshëm.

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje:

Hulumtimi i Pyetjeve Tuaja

Pse ka ndryshime midis rrëfimeve të Vegimit të Parë të Jozef Smithit?

Jozef Smithi la katër rrëfime të Vegimit të Parë. Përveç këtyre rrëfimeve, pesë nga bashkëkohësit e tij shkruan rrëfime pasi e dëgjuan Jozefin të fliste për përvojën e tij. Rrëfimet e shumta, me theksimet dhe hollësitë e tyre të ndryshme, na japin një pamje më të plotë të kësaj përvoje të mrekullueshme.

Njerëzit shpesh theksojnë aspekte të ndryshme të një përvoje në varësi të dëgjuesve të tyre ose arsyeve të tyre për të treguar. Rrëfimet e Jozefit janë shembuj të shkëlqyer të këtij fenomeni. Ndërkohë që ndryshojnë për nga theksi dhe hollësitë, ato tregojnë një histori të qëndrueshme. Një shembull nga shkrimet e shenjta i kësaj gjëje, mund të gjendet në Dhiatën e Re në rrëfimet e shumta të kthimit në besim të Palit.

Rrëfimet e Vegimit të Parë u krijuan në rrethana të ndryshme: shkrimi i një historie vetjake, rrëfimi i përvojës së vet një vizitori në shtëpinë e tij, diktimi i historisë së jetës së tij për një histori zyrtare ose përgjigjja ndaj një pyetjeje nga një gazetar. Në secilin rast, Jozefi duket se është tërhequr nga kujtimet që ai mendonte se ishin më të rëndësishmet për publikun. Ndryshimet midis rrëfimeve janë lloji që historianët dhe studiuesit të cilët studiojnë kujtesën, presin të gjejnë në dokumentet e prodhuara në kontekste kaq të ndryshme.

Ndryshimet midis rrëfimeve tregojnë gjithashtu se si kuptimi dhe këndvështrimi i Jozefit u zgjeruan me kalimin e kohës, shtimin e përvojës dhe zbulesën e mëtejshme. Kur Jozefi diktoi rrëfimin e tij të parë në vitin 1832, ishte ende në hapat e para në shërbesën e tij. Rrëfimi është kryesisht vetjak dhe përqendrohet te domethënia e vegimit për Jozefin. Kur më vonë diktoi rrëfimin që tani gjendet te Perla me Vlerë të Madhe, ai reflektoi mbi domethënien e vegimit jo vetëm për të, por për Kishën dhe botën.

Sa qenie qiellore pa Jozef Smithi në Vegimin e Parë?

Tre nga katër rrëfimet e Jozefit përshkruajnë qartë dy “personazhe”: Perëndinë Atin dhe Jezu Krishtin. Në një rrëfim, ai përmendi se pa edhe engjëj. Rrëfimi më i hershëm i Jozefit është më pak i hollësishëm. I shkruar në vitin 1832, tregimi përshkruan se “Zoti” hapi qiejt dhe më pas Jozefi e pa “Zotin”.

Ka disa mënyra për të menduar për këtë rrëfim. Jozef Smithi mund të ketë thënë “Zoti” për t’iu referuar edhe Perëndisë Atit, edhe Birit, e ngjashme me mënyrën se si disa njerëz në kohën e Jozefit u referoheshin Atyre. Ose ai thjesht mund të jetë përqendruar te Jezu Krishti, Qenia hyjnore që ia fali mëkatet dhe i dha mesazhin e vegimit.

A u lut Jozef Smithi për falje apo për të ditur se me cilën kishë të bashkohej?

Tregimi më i hershëm i Jozefit për Vegimin e Parë, i shkruar kur ai ishte i ri në moshë, thotë se ai u lut duke kërkuar falje për mëkatet e veta. Rrëfimet e tij të mëvonshme, të shkruara pas shumë vitesh shërbimi si udhëheqës i një kishe që po rritej, theksuan kërkimin e tij se me cilën kishë të bashkohej. Në realitet, këto dy pyetje ishin të lidhura ngushtë për Jozefin. Të dyja pasqyrojnë dëshirën e tij për t’u shpëtuar.

Pse rrëfimet për Vegimin e Parë të Jozef Smithit ndryshojnë në mënyrën se si ai e përshkroi moshën e tij?

Jozef Smithi e hartoi rrëfimin e tij më të hershëm të Vegimit të Parë duke e shkruar me dorën e vet në vitin 1832. Në një pikë të caktuar, pasi Jozefi mbaroi së shkruari, një shkrues e shtoi moshën e Jozefit midis rreshtave, duke treguar se ai ishte në “vitin e gjashtëmbëdhjetë” (ose moshën 15‑vjeçare) në kohën e vegimit. Nuk e dimë nëse shkruesi u këshillua me Jozefin për këtë shtesë. Në secilin prej rrëfimeve të tij të mëvonshme, Jozefi tha se ishte 14 vjeç.

Rrëfimet e Jozefit u shkruan të gjitha më shumë se një dekadë pasi ndodhi vegimi. Edhe nëse ai e udhëzoi shkruesin e tij që të shkruante se ishte 15 vjeç, duket se pas një reflektimi më të kujdesshëm, ai arriti në përfundimin se ishte 14 vjeç në kohën e vegimit. Historianët presin të gjejnë mospërputhje të tilla kur njerëzit tregojnë për jetën e tyre nga kujtesa. Në çdo rast, fakti që vegimi ndodhi, është shumë më i rëndësishëm sesa data e saktë se kur ndodhi.

A ka dëshmi historike të gjallërimit fetar pranë Palmirës në Nju‑Jork, në vitin 1820?

Po. Në historinë e tij të vitit 1838, Jozef Smithi tha se Vegimi i tij i Parë ndodhi në pranverën e vitit 1820. Jozefi i kishte marrë në konsideratë pyetjet që e shtynë të lutej për ca kohë përpara vegimit. Në rrëfimin e tij të vitit 1832, Jozefi shkroi se filloi të përsiaste mbi “shqetësimet shumë të rëndësishme për mirëqenien e shpirtit [të tij] të pavdekshëm” kur ishte 12 vjeç, ose rreth vitit 1818. Të dhënat historike janë të qarta se një entuziazëm i përgjithshëm për fenë po përfshinte Shtetet e Bashkuara në këtë kohë, veçanërisht në Nju‑Jorkun perëndimor, ku jetonte Jozefi.

Ndonjëherë ky entuziazëm mori formën e takimeve të rigjallërimit, si ai që u mbajt nga metodistët pikërisht pranë Palmirës në vitin 1818. Metodistët e zonës u mblodhën edhe vitin pasues në Vienë (tani Felps), Nju‑Jork, 24 kilometra larg nga ferma e familjes Smith. Ditarët e një predikuesi udhëtues metodist dokumentojnë një gjallërim fetar të shumtë në zonën gjeografike të Jozefit në vitet 1819 dhe 1820. Ata raportojnë se I Përnderuari Xhorxh Lejn, një shërbestar gjallërues metodist, ishte në atë krahinë në të dyja vitet, duke folur “për metodën e Perëndisë për të sjellë Reformime”. Pati një takim treditor të kampit metodist në Palmira në fund të pranverës së vitit 1820 dhe rigjallërime në masë të gjerë ndodhën disa vjet më vonë në vitin 1824. Megjithëse Jozefi nuk i përmendi në mënyrë specifike rigjallërimet, ato janë dëshmi e pagabueshme e “gjallërimit të pazakontë” që ai përshkroi.

Pse Jozefi priti kaq gjatë për të shkruar një rrëfim të Vegimit të Parë?

Jozef Smithi nuk krijoi asnjë anal autobiografik gjatë 24 viteve të para të jetës së tij. Ai u rrit në një familje ku dihej shkrim e këndim, por mori pak arsim formal. Ne e dimë se ai e kishte të vështirë të shprehej me shkrim.

Pak pasi Kisha u organizua, Zoti e urdhëroi Jozefin të mbante një histori. Është domethënëse që menjëherë pasi Jozefi e mori këtë urdhërim, një nga gjërat e para që ai shënoi, ishte një rrëfim i Vegimit të Parë.

Përse disa anëtarë të hershëm të Kishës nuk e përmendën Vegimin e Parë në rrëfimet e tyre për Rivendosjen?

Anëtarët e hershëm të Kishës ndonjëherë tregonin për Rivendosjen pa e përmendur Vegimin e Parë. Për shembull, nëna e Jozef Smithit, Lusi, dhe vëllai i tij, Uilliami, që të dy lanë rrëfime që filluan me vizitën e engjëllit Moroni në vitin 1823 dhe nuk e përmendën shfaqjen e Atit dhe të Birit. Në mënyrë të ngjashme, rrëfimi më i hershëm i botuar i Oliver Kaudrit për Rivendosjen, fillon me shfaqjen e Moronit.

Vetë Jozefi nuk e theksoi apo nuk foli shpesh për vegimin në publik për shumë vjet. Një nga rrëfimet e tij sugjeron se fillimisht ai madje ngurroi që t’i tregonte hollësi familjes së vet, ndoshta nga druajtja për të treguar për një përvojë që ishte e shenjtë në një mënyrë të pashoqe. Nga ana tjetër, Jozefi dëshmoi shpesh për vizitën e Moronit dhe përkthimin e Librit të Mormonit. Këto ngjarje u panë nga shumë anëtarë të hershëm të Kishës si prova kryesore e thirrjes hyjnore të Jozefit. Rrëfimet e dhëna nga këta anëtarë të Kishës nuk e nënvleftësojnë dëshminë e Jozefit si dëshmitar okular, por ato pasqyrojnë ngazëllimin dhe dëshminë e shenjtorëve të hershëm të ditëve të mëvonshme për Librin e Mormonit.

A ka ngjashmëri midis rrëfimit të Vegimit të Parë të Jozef Smithit të vitit 1832 dhe historive të kthimit në besim të të krishterëve të tjerë në kohën e tij?

Vegimi i Parë i Jozef Smithit ishte një çast i jashtëzakonshëm në historinë njerëzore. Ndërkohë që njerëz të tjerë në kohën e tij shkruajtën për vegime shpirtërore, rrëfimet e tyre mbetën të gjitha histori të kthimit vetjak në besim. Përvoja e pakrahasueshme e Jozefit shënoi fillimin e një serie mrekullish që çuan në Rivendosjen e plotësisë së ungjillit të Jezu Krishtit.

Rrëfimi i Vegimit të Parë i vitit 1832 ka njëfarë gjuhe të përbashkët që gjendet edhe në rrëfimet e kthimit në besim të të krishterëve të tjerë në kohën e tij. Nuk është çudi që Jozefi do të përdorte një gjuhë të njohur prej tij për të përshkruar vegimin. Në mënyrë të ngjashme, anëtarët e Kishës sot japin dëshmitë e tyre duke përdorur fraza që i mësuan nga të tjerët. Por ndërsa gjuha që përdorim për të dhënë dëshmitë tona, shpesh ndjek një model, përvojat tona shpirtërore individuale janë unike dhe vetjake.

Mësoni më Shumë

Shënime

  1. Joseph Smith, në “History, circa Summer 1832”, f. 3, josephsmithpapers.org.

  2. Shihni te Veprat e Apostujve 9:3–9; 22:6–10; 26:12–18.

  3. Joseph Smith, në “History, circa Summer 1832”, f. 3, josephsmithpapers.org.

  4. Joseph Smith, në “History, circa Summer 1832”, f. 3, josephsmithpapers.org.

  5. Ditari i Benajah Williams‑it, 15 korrik 1820, kopje në Bibliotekën e Historisë së Kishës, Solt‑Lejk‑Siti; drejtshkrimi i rregulluar.

  6. Joseph Smith – Historia 1:5.

  7. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 69:2–8.

  8. Shihni tek Oliver Cowdery, “Letter III”, Messenger and Advocate, dhjetor 1834; “Letter IV”, Messenger and Advocate, shkurt 1835.

  9. Shihni te Joseph Smith – Historia 1:20, 49.

  10. Shihni te D. Todd Christofferson, “The Book of Mormon and Your Mission” (takim shpirtëror në QTM, Provo, Jutë, 17 janar 2023); shihni edhe te 3 Nefi 21:1–2, 7.