Biblioteka
Roli i Profetëve


“Roli i Profetëve”, Tema dhe Pyetje (2023)

konferenca e përgjithshme

Pyetje rreth Kishës dhe Ungjillit

Roli i Profetëve

Kërkimi i përgjigjeve për pyetjet tona mund të na afrojë më shumë me Jezu Krishtin nëse vëmë në zbatim parime të shëndosha. Është e rëndësishme të kuptojmë se si të marrim zbulesë kur kërkojmë përgjigje. Shihni tek tema “Pranojeni se Zbulesa Është një Proces” për të hulumtuar më shumë këshilla për përgjigjet ndaj pyetjeve.

Vështrim i Përgjithshëm

Që në kohët e lashta, Perëndia ka thirrur profetë për të dëshmuar për Jezu Krishtin dhe për të shpallur fjalën e Tij. Perëndia përgatit, thërret dhe udhëheq profetë për të arritur qëllimet e Tij të përjetshme. Shkrimet e shenjta përmbajnë mësime të shumë profetëve, të tillë si Moisiu, Isaia, Elija dhe Nefi. Secili prej tyre u foli njerëzve në gjuhën, kohën dhe vendin e tyre, duke u dhënë udhëzime të frymëzuara dhe paralajmërime në kohën e duhur.

Perëndia vazhdon të thërrasë profetë në kohën tonë. Profeti Jozef Smith mori autoritet nga Perëndia për të administruar besëlidhjet e ungjillit dhe ordinancat e priftërisë si dhe për të rivendosur Kishën e Jezu Krishtit. Ai gjithashtu mori zbulesë që qartësonte të vërteta të rëndësishme rreth Perëndisë dhe planit të Tij për fëmijët e Tij. Pasardhësit e tij si Presidentë të Kishës kanë pasur të njëjtin autoritet që të merrnin zbulesë për ta shtuar njohurinë mbi ungjillin dhe për ta udhëhequr Kishën. Ky parim i zbulesës së vazhdueshme është një tipar qendror i ungjillit të rivendosur.

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme i mbështetin Presidentin e Kishës, këshilltarët e Tij dhe anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve si profetë, shikues dhe zbulues. Mësimet e Kishës shpallen nga zëri i bashkuar i këtyre profetëve të gjallë. Doktrina shpallet dhe interpretohet nga Presidenti i Kishës dhe mbështetet nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve duke vepruar në unanimitet, duke ndjekur modelin e dhënë te Doktrina e Besëlidhje 107:27–31.

Zoti ka thirrur burra të vdekshëm që të jenë profetët e Tij. Ashtu si të gjithë fëmijët e Perëndisë, ata përjetojnë sprovat e vdekshmërisë, por Zoti punon nëpërmjet tyre për të kryer veprën e Tij. Ai e ka urdhëruar Kishën që t’i kushtojë vëmendje këshillës së tyre “plot durim e besim”. Nëse e bëjmë këtë, Ai premton se do t’i “shpërndajë fuqitë e errësirës përpara [nesh] dhe do të bëjë që qiejt të dridhen për të mirën t[onë]”.

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje:

Hulumtimi i Pyetjeve Tuaja

Përse është e rëndësishme që t’i dëgjojmë këta profetë?

Jezu Krishti e rivendosi Kishën e Tij në ditët e fundit për ta ndihmuar Atë që të përmbushte veprën e Tij të mrekullueshme: Ai dëshiron të japë mësim bekimet e besëlidhjeve, të lehtësojë faljen për mëkatet dhe t’u ofrojë ndihmë gjatë sprovave të gjithë fëmijëve të Perëndisë; të bashkojë një botë të përçarë rreth mësimeve dhe shembullit të Tij; dhe t’i lidhë të gjithë brezat e familjes njerëzore nëpërmjet ordinancave të shpëtimit dhe të ekzaltimit.

Zoti thërret profetë dhe u jep atyre autoritet për ta drejtuar këtë punë. Ai u jep atyre zbulesë për t’i ndihmuar të dinë se çfarë të theksojnë dhe se si ta çojnë përpara veprën e Perëndisë. Edhe pse profetët vijnë nga formime të ndryshme dhe kanë talente dhe këndvështrime të ndryshme, ata me përulësi e kërkojnë dhe marrin vullnetin e Zotit për Kishën e Tij.

Kërkimi i të kuptuarit dhe konfirmimit të thirrjeve hyjnore të profetëve nëpërmjet zbatimit besnikërisht të mësimeve të tyre është një element i dishepullimit. Ndjekja e profetëve mund të kërkojë “durim e besim” ngaqë ne mund të mos e kuptojmë gjithmonë qëllimin hyjnor të zbulesave dhe mësimeve që i zbulohen një profeti. Edhe pse mund të kemi pyetje, Zoti na kërkon ta ndjekim drejtimin e shërbëtorëve të Tij me besim në njohurinë e Tij të përsosur dhe fuqinë e Shlyerjes së Tij.

Kur ua vëmë veshin fjalëve të profetëve, ne ftojmë Shpirtin e Shenjtë në jetën tonë. Ne i bashkohemi një komuniteti mbarëbotëror dishepujsh të Jezu Krishtit të zotuar për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë në tokë. Ndërsa e ndjekim këshillën profetike, ne fitojmë qasje ndaj bekimeve të fuqisë hyjnore dhe paqes të përjetshme të premtuar për ata që hyjnë në besëlidhjet e ungjillit dhe i mbajnë ato.

Si mund të fitoj dëshmi se Zoti e udhërrëfen Kishën e Tij nëpërmjet profetëve?

Perëndia dëshiron që fëmijët e Tij t’i dëgjojnë dhe t’u mirëbesojnë profetëve të Tij. Ndërsa kërkojmë me qëllim të vërtetë, ne mund të fitojmë një dëshmi vetjake se Ai e udhërrëfen Kishën e Tij sot.

Ne mund të vëmë në praktikë këshillën e profetit Alma. Vërini në “provë … fjalët e mia”, – i këshilloi ai zoramitët, – “dhe … ushtroni një pjesëz të besimit, po, edhe në qoftë se ju nuk mund të bëni më shumë sesa të dëshironi të besoni, lëreni këtë dëshirë të veprojë në ju, madje derisa të besoni në mënyrë që të bëni vend për një pjesë të fjalëve të mia”.

Alma më tej shpjegoi: “Ne do ta krahasojmë fjalën me një farë. Tani, në qoftë se bëni vend që një farë të mund të mbillet në zemrën tuaj, vini re, po të jetë një farë e vërtetë, ose një farë e mirë” dhe “nuk e hidhni tej me mosbesimin tuaj, … ajo do të fillojë të fryhet në kraharorin tuaj” dhe ju do të thoni: “Kjo duhet të jetë një farë e mirë, ose që fjala është e mirë, pasi po fillon të zmadhojë shpirtin tim; po, po fillon të ndriçojë kuptimin tim, po, po fillon të jetë e këndshme për mua”.

Siç dha mësim Alma, ne mund t’i vëmë në provë fjalët e profetëve. Për shembull, aty ku është e mundur, ne mund të veprojmë sipas këshillës së profetit për të caktuar një takim të rregullt për të adhuruar në shtëpinë e Zotit. Ndërsa e bëjmë këtë, ne mund të vrojtojmë për bekimet që premtoi profeti. Dallimi i këtyre bekimeve e forcon besimin tonë në fjalët e profetëve të gjallë.

Kultivimi i farës me anë të besimit tonë është një proces që zgjat gjithë jetën, por ne mund të fillojmë sot që të fitojmë siguri shpirtërore për profetët e gjallë dhe t’ua vëmë veshin këshillave të tyre me durim e besim.

A janë udhëheqësit e Kishës të pagabueshëm?

Vetëm Jezu Krishti jetoi një jetë të përsosur. Udhëheqësit e Kishës përpiqen të jetojnë një jetë të drejtë dhe t’i sjellin njerëzit te Jezu Krishti nëpërmjet fjalëve dhe veprimeve të tyre, por ata janë të nënshtruar ndaj dobësisë njerëzore. Udhëheqësit e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nuk janë të pagabueshëm.

Por ne nuk duhet ta humbasim nga sytë rolin e tyre jetik. Zoti i thërret anëtarët e Presidencës së Parë dhe Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës që të jenë “dëshmitarë [të] veçantë të emrit të Krishtit” dhe të veprojnë si profetë, shikues dhe zbulues në kohën tonë. Ashtu si profetët e lashtë, ata komunikojnë me Perëndinë dhe zbulojnë vullnetin e Tij. Ata kanë autoritet hyjnor që ta udhërrëfejnë Kishën me anë të zbulesës, të administrojnë ordinancat e ungjillit dhe të drejtojnë veprën e Zotit në tokë. Kjo nuk do të thotë se ata i dinë të gjitha gjërat. Ata punojnë sipas dritës që Zoti u ka dhënë, kërkojnë njohuri të mëtejshme nëpërmjet zbulesës së vazhdueshme dhe mbështeten te fuqia forcuese që e marrin nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij.

Zoti ka punuar gjithmonë nëpërmjet profetëve të vdekshëm pavarësisht nga dobësia e tyre. Ashtu si Jona që iu arratis thirrjes së tij në Ninive, Pjetri që i preu veshin ushtarit ose Jozef Smithi që i dha Martin Harrisit faqe nga përkthimi i Librit të Mormonit, profetët ndonjëherë mund të bëjnë gabime. Në raste të tilla, Zoti i korrigjon shërbëtorët e Tij dhe pasi ata pendohen, Ai i bekon që të përmbushin veprën që Ai i thirri të bënin.

Është e rëndësishme të mbani mend se si vendoset doktrina e Kishës. Doktrina shpallet dhe interpretohet nga Presidenti i Kishës dhe mbështetet nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve duke vepruar në unanimitet, duke ndjekur modelin e dhënë te Doktrina e Besëlidhje 107:27–31. “Kjo kërkesë për unanimitet siguron një kontroll mbi paragjykimet dhe huqet vetjake. Ajo siguron që Zoti të sundojë nëpërmjet Shpirtit, jo njeriu nëpërmjet shumicës apo kompromisit.” Një mësim nga një udhëheqës individual i Kishës mund të përfaqësojë “një opinion vetjak, ndonëse të mirëmenduar, që nuk synohet të jetë zyrtar apo detyrues për të gjithë Kishën”.

Nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë, secili prej nesh mund të marrë siguri vetjake se profetët thirren nga Perëndia dhe se Ai e drejton veprën e Tij nëpërmjet tyre.

Çfarë do të thotë që profeti nuk do ta udhëheqë kurrë Kishën në rrugë të gabuar?

Presidenti Uillford Udraf tha: “Zoti nuk do të më lejojë kurrë mua apo ndonjë burrë tjetër që qëndron si President i kësaj Kishe, për t’ju udhëhequr në udhë të gabuar”. Profetët dhe apostujt e kanë ripohuar këtë mësim ndër breza. Doktrina shpallet dhe interpretohet nga Presidenti i Kishës dhe mbështetet nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve duke vepruar në unanimitet, duke ndjekur modelin e dhënë te Doktrina e Besëlidhje 107:27–31.

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se plotësia e ungjillit të rivendosur dhe autoriteti i priftërisë nuk do të hiqen më kurrë nga toka. Kjo do të thotë se Perëndia gjithmonë do të udhërrëfejë profetë për të siguruar që Kisha të përmbushë misionin e saj për t’i përgatitur fëmijët e Tij për bekimet e jetës së përjetshme. Ai do të vazhdojë t’ua zbulojë vullnetin e Tij profetëve rresht pas rreshti, duke e rritur kuptueshmërinë tonë dhe duke eliminuar gabimin si pjesë e Rivendosjes së ungjillit që po shpaloset.

Përse disa gjëra në Kishë ndryshojnë me kalimin e kohës?

Te Doktrina e Besëlidhje 1:30, Zoti shpall se Kisha është “[e] vetm[ja] kishë [e] vërtetë dhe [e] gjallë mbi faqen e tërë dheut”. Megjithatë, të gjitha gjallesat zhvillohen dhe ndryshojnë. Praktikat e Kishës janë të ndryshme sot nga vetëm disa vite më parë. Kjo është një veçori thelbësore e Kishës, e cila u themelua mbi parimin e zbulesës së vazhdueshme. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë se Perëndia ende “do të zbulojë shumë gjëra të mëdha dhe të rëndësishme”.

Zbulesa e vazhdueshme mund ta zgjerojë ose përmirësojë të kuptuarit tonë, të na udhëheqë për të ndryshuar disa nga traditat tona dhe të na ndihmojë t’i afrohemi gjithnjë e më shumë idealit të Sionit. Kisha mbarëbotërore përshtatet në mënyrë që rregulloret e saj të mund të plotësojnë nevojat për kohë dhe vende të veçanta. Në fund të fundit, nevojat e shenjtorëve në kufirin amerikan të shekullit të 19‑të ishin në shumë mënyra jashtëzakonisht të ndryshme nga ato të miliona anëtarëve të Kishës të shpërndarë sot në mbarë rruzullin.

Shumica e ndryshimeve që përjetojmë në Kishë, përfshijnë zbatimin praktik të parimeve të ungjillit, si për shembull mënyrën se si e kryejmë adhurimin në Shabat ose si i japim shërbesë njëri‑tjetrit në lagjet dhe degët tona. Ndonjëherë zbulesa ka çuar në ndryshime më domethënëse në mësimet dhe praktikat e Kishës. Shembujt përfshijnë deklaratat zyrtare që gjenden te Doktrina e Besëlidhje, të cilat çuan në dhënien fund të praktikës së martesës me shumë bashkëshorte dhe në shtrirjen e bekimeve të priftërisë dhe tempullit të gjithëve, pavarësisht nga raca.

A janë mësimet e profetëve të gjallë më të rëndësishme se ato të shkrimeve të shenjta apo të udhëheqësve të kaluar të Kishës?

Profetët e gjallë, shkrimet e shenjta dhe udhëheqësit e kaluar të Kishës janë të gjithë të rëndësishëm. Qëllimi kryesor i këtyre tre burimeve të së vërtetës është të japin dëshmi për misionin shpëtues të Jezu Krishtit. Ne duhet të përpiqemi që të kuptojmë rolin e rëndësishëm që luan secili burim dhe se si ata lidhen me njëri‑tjetrin.

Shkrimet e shenjta janë një burim i të vërtetave të rëndësishme të zbuluara gjatë mijëra viteve dhe në shumë mjedise kulturore. Ato i mbajnë gjithmonë para syve tanë të vërtetat thelbësore të ungjillit. Ato dëshmojnë për Krishtin dhe japin mundësi që Shpirti të na flasë. Mësimet e profetëve të kaluar të Rivendosjes ofrojnë një burim të ngjashëm shpirtëror. Ne duhet të kërkojmë t’i kuptojmë shkrimet e shenjta dhe mësimet e profetëve të kaluar në kontekstin në të cilin ato u dhanë dhe të përqafojmë me mirënjohje të vërtetat e zbuluara që i shprehin.

Profetët e gjallë mbajnë çelësat e priftërisë të nevojshme për të udhëhequr Kishën dhe për të administruar ordinancat e ungjillit sot. Ata ua shtojnë dëshminë e tyre për Krishtin dëshmive të shprehura nga profetët e së shkuarës. Ata na ndihmojnë të kuptojmë se si zbatohen të vërtetat e ungjillit në rrethanat tona aktuale. Ata marrin zbulesë të re për Kishën, duke i përshtatur udhëzimet e kaluara me rrethanat e tanishme siç udhëzohen nga Zoti. Ndonjëherë, mësimet e tyre i zëvendësojnë mësimet e profetëve të së shkuarës. Më shpesh, fjalët e tyre përforcojnë mësimet e shkrimeve të shenjta dhe fjalët e profetëve të së shkuarës.

Mësoni më shumë