Biblioteka
E Vetmja Kishë e Vërtetë dhe e Gjallë


“E Vetmja Kishë e Vërtetë dhe e Gjallë” Tema dhe Pyetje (2023)

Bashkësi duke kënduar himn

Pyetje rreth Kishës dhe Ungjillit

E Vetmja Kishë e Vërtetë dhe e Gjallë

Kërkimi i përgjigjeve për pyetjet tona mund të na afrojë më shumë me Jezu Krishtin nëse vëmë në zbatim parime të shëndosha. Është e rëndësishme të kuptojmë se si të marrim zbulesë kur kërkojmë përgjigje. Shihni tek tema “Pranojeni se Zbulesa Është një Proces” për të hulumtuar më shumë këshilla për përgjigjet ndaj pyetjeve.

Vështrim i Përgjithshëm

Që nga fillimi i Rivendosjes së ungjillit e deri më sot, udhëheqësit e Kishës kanë pohuar se të gjithë njerëzit janë fëmijë të Perëndisë. Ati ynë Qiellor i do dhe dëshiron t’i bekojë të gjithë fëmijët e Tij.

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nuk pretendon një monopol mbi mirësinë dhe të vërtetën. Ka njerëz të panumërt në mbarë botën që janë shembuj të integritetit dhe vullnetit të mirë. Dhe parime të vërteta dhe të shëndetshme mund të gjenden në besime fetare dhe sisteme etike të ndryshme anembanë botës. Secili prej nesh ka të drejtën të besojë dhe të adhurojë ashtu si na drejton ndërgjegjja jonë individuale (shihni te Nenet e Besimit 1:11).

Në të njëjtën kohë, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka një detyrë unike nga Perëndia për t’i ofruar botës plotësinë e ungjillit të Jezu Krishtit. Vetë Zoti deklaroi se Kisha ishte “[e] vetm[ja] kishë [e] vërtetë dhe [e] gjallë mbi faqen e tërë dheut” (Doktrina e Besëlidhje 1:30). Mesazhi i ungjillit që ne e shpërndajmë, përfshin të vërteta të çmuara, të rivendosura që nuk gjenden askund tjetër, rreth Perëndisë dhe marrëdhënies sonë me Të. Kisha gjithashtu ka autoritetin e priftërisë nga Perëndia për të administruar ordinancat me anë të të cilave hyjmë në një marrëdhënie besëlidhjesh me Të.

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë dhe dëshmojnë se të jetuarit e ungjillit të rivendosur sjell gëzim të qëndrueshëm, shëron pasojat e mëkatit dhe i përgatit fëmijët e Perëndisë të jetojnë përsëri në praninë e Tij.

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje:

Hulumtimi i Pyetjeve Tuaja

Si i shikon Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme traditat e tjera fetare?

Ne besojmë se Perëndia frymëzon njerëz të mirë të të gjitha besimeve dhe bindjeve fetare. Në vitin 1978, Presidenca e Parë e Kishës shpalli: “Udhëheqësit e mëdhenj fetarë të botës, të tillë si Muhamedi, Konfuci dhe Reformistët, si edhe filozofët përfshirë Sokratin, Platonin dhe të tjerë, morën një pjesë të dritës së Perëndisë. Atyre Perëndia iu dha të vërteta morale për të ndriçuar të gjitha kombet dhe për të sjellë një nivel më të lartë kuptueshmërie tek individët.” Ne bashkohemi me njerëz me besim dhe vullnet të mirë në mbarë botën për të forcuar komunitetet, për t’u kujdesur për njerëzit nevojtarë dhe për të bërë punën e Perëndisë në botë.

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme vlerësojnë çdo gjë “të virtytshme, të dashur ose me famë të mirë apo të denjë për t’u lavdëruar” në kisha dhe tradita të tjera fetare botërore. Presidenti Gordon B. Hinkli dha mësim: “U themi me një shpirt dashurie, sillni me vete gjithçka që e keni të mirë dhe të vërtetë, të cilën e keni marrë nga çfarëdo burim, dhe ejani e le të shohim nëse mund t’i shtojmë asaj”.

Çfarë do të thotë që Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është “[e] vetm[ja] Kishë [e] vërtetë dhe [e] gjallë”?

Kisha udhëhiqet nga Jezu Krishti, i cili ua zbulon vullnetin e Tij në ditët tona profetëve të gjallë dhe udhëheqësve të tjerë të frymëzuar. Zbulesa e vazhdueshme nga Shpëtimtari e lejon Kishën të jetë në përputhje me qiellin dhe gjithashtu të rritet e të përparojë – të jetë një kishë si e vërtetë dhe e gjallë. Të gjitha gjallesat rriten dhe ndryshojnë. Siç tha Presidenti Rasëll M. Nelson: “Ne jemi dëshmitarë të një procesi rivendosjeje. Nëse mendoni se Kisha është rivendosur plotësisht, ju po shihni vetëm fillimin. Shumë më tepër gjëra do të vijnë.”

Ungjilli i rivendosur që gjendet në Kishën e Zotit, ofron njohuri dhe të vërtetë që nuk gjendet askund tjetër. Ai ofron të drejtë individuale të përdorimit të fuqisë shenjtëruese të Perëndisë nëpërmjet Frymës së Shenjtë si dhe shpëtimin dhe ekzaltimin e familjes së Perëndisë nëpërmjet ordinancave të priftërisë. Te Doktrina e Besëlidhje 1:30, Zoti shpalli se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e “vetm[ja] kishë [e] vërtetë dhe [e] gjallë mbi faqen e tërë dheut, me të cilën unë, Zoti, jam shumë i kënaqur, duke i folur kishës në mënyrë kolektive dhe jo individuale”.

A nevojitet të jeni anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme për t’u shpëtuar?

Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne besojmë se Perëndia ka përgatitur një mënyrë që të gjithë fëmijët e Tij të marrin shpëtimin nëpërmjet Shlyerjes së Birit të Tij, Jezu Krishtit. Të gjithë do të shpëtohen nga vdekja nëpërmjet Ringjalljes së Jezu Krishtit. Një vegim i lavdishëm që iu tregua Profetit Jozef Smith, jep mësim më tej se praktikisht të gjithë fëmijët e Perëndisë do të trashëgojnë një mbretëri lavdie pas Ringjalljes.

Këto mësime pohojnë fuqinë e madhe të Perëndisë sonë të dashur për të na shpëtuar dhe dëshirën e Tij të thellë për ta bërë këtë. Perëndia na ofron gjithçka që Ai ka. Por ne duhet të zgjedhim që t’i pranojmë këto bekime. Për të marrë ekzaltimin, plotësinë e lavdisë që ofron Perëndia, ne duhet të bëjmë besëlidhje me Të, ta pranojmë Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij, të përpiqemi fort që të jetojmë sipas mësimeve dhe shembullit të Jezusit dhe të pendohemi me përulësi për mëkatet tona kur nuk ia dalim. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka autoritet nga Perëndia për të ofruar besëlidhjet dhe ordinancat e ungjillit të Jezu Krishtit që na përgatitin për shkallën më të lartë të lavdisë në mbretërinë çelestiale të Perëndisë.

Sigurisht, shumica e fëmijëve të Perëndisë gjatë gjithë historisë së botës nuk kanë qenë kurrë anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit. Në fakt, shumica e njerëzve që kanë jetuar në tokë, nuk kanë dëgjuar për Jezu Krishtin. Megjithatë, ka shumë njerëz të mirë në çdo epokë, fe dhe kulturë të botës, të cilët mishërojnë perëndishmëri në jetën e tyre. Çdo person do të ketë një mundësi, në këtë jetë ose në tjetrën, që t’i mësohet plotësia e ungjillit dhe të pranojë ose të refuzojë ordinancat dhe besëlidhjet e tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 138:30–35, 57–59).

Pse Kisha nuk i pranon pagëzimet e të krishterëve të tjerë?

Pak pasi Kisha e Jezu Krishtit u organizua në vitin 1830, anëtarët e ardhshëm që ishin pagëzuar më parë, pyesnin veten nëse kishin nevojë të pagëzoheshin përsëri në Kishën e saporivendosur. Si përgjigje, Zoti zbuloi nëpërmjet Jozef Smithit se ishte e nevojshme të pagëzoheshim nga autoriteti i priftërisë që Ai kishte rivendosur. Ndërkohë që Kisha e nderon qëllimin e drejtë të të krishterëve të tjerë në pagëzimet e tyre të mëparshme, ne e ndjekim këtë mësim sot.

A ka Perëndia një “popull [të] zgjedhur”?

Secili prej nesh është një fëmijë i dashur i Perëndisë. Shkrimet e shenjta japin mësim se Perëndia bën besëlidhje me fëmijët e Tij për t’i ftuar ata në një marrëdhënie lidhëse përjetësisht me Të. Nga Bibla mësojmë se Perëndia e vendosi besëlidhjen e Tij me Abrahamin, duke shpallur se nëpërmjet familjes së Abrahamit e gjithë bota do të bekohej (shihni te Zanafilla 17: 1–7; 22:17–18). Kjo besëlidhje u përtëri me fëmijët e Izraelit, pasardhës të Abrahamit (shihni te Zanafilla 28:10–15). Edhe pse njerëzit në periudha të ndryshme gjatë historisë e kanë kuptuar këtë besëlidhje si të kufizuar për një linjë të caktuar prejardhjeje, Zoti u zbuloi Apostujve të Tij se “Perëndia nuk tregohet i anshëm; por, në çfarëdo kombi, ai që ka frikë prej tij dhe që vepron drejtësisht, është i pranuar nga ai”.

Rivendosja e ungjillit nëpërmjet Jozef Smithit ishte një përtëritje e besëlidhjes së përjetshme të Perëndisë në ditët e fundit. Kushdo që zgjedh të hyjë në një besëlidhje me Zotin me anë të autoritetit të duhur, është pjesë e popullit të Tij të besëlidhjes. Siç i tha Perëndia Abrahamit: “Të gjithë ata që e marrin këtë Ungjill, do të … llogariten si fara jote”. Si rrjedhojë e zgjedhjes për ta ndjekur Jezu Krishtin, ata bëhen “një fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i fituar”.

Cilat janë pikëpamjet e Kishës për lirinë fetare?

Plani i Atit tonë Qiellor për shpëtimin varet nga aftësia jonë për të zgjedhur vetë, duke e bërë lirinë fetare një parim thelbësor të ungjillit të Jezu Krishtit.

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme e kanë vlerësuar lirinë fetare që në ditët e hershme të Kishës. Përvoja e Jozef Smithit si viktimë e përndjekjes dhe e dhunës i mësoi atij të mbronte lirinë fetare, jo vetëm për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, por për të gjithë njerëzit. Ai i nxiti shenjtorët që të “[dëbojmë] nga ne çdo frymë fanatizmi dhe intolerance ndaj ndjenjave fetare të një njeriu”. Ai dha mësim se “e drejta e patjetërsueshme e njeriut për të menduar si të dojë [dhe] për të adhuruar si të dojë” ishte “ligji i parë i gjithçkaje që është e shenjtë”.

Sot udhëheqësit e Kishës pohojnë rëndësinë e lejimit të të gjithë njerëzve që të “adhurojnë si, ku apo çfarë të zgjedhin”. Duke folur për të gjithë njerëzit me besim, Presidenti Dallin H. Ouks këshilloi: “Me dashurinë dhe respektin reciprok që kërkohet nga urdhërimet hyjnore, neve na nevojitet të gjejmë mënyra për të mësuar nga njëri‑tjetri dhe për të përforcuar zotimet e ngjashme që na mbajnë së bashku dhe të nxitim shoqëri të qëndrueshme e pluraliste. Ne duhet të ecim krah për krah përgjatë rrugës së lirisë fetare për të gjithë, ndërkohë që ende e ushtrojmë këtë liri për të ndjekur bindjet tona të veçanta.”

Mësoni më shumë

  • Dallin H. Ouks, “Nevoja për një Kishë”, Liahona, nëntor 2021, f. 24–26.

  • Rasëll M. Nelson, “Emri i Saktë i Kishës”, Liahona, nëntor 2018, f. 87–89

  • J. Devn Cornish, “What Do We Mean When We Say the Church Is True?”, Liahona, qershor 2024, f. 17–21