Biblioteka
Pranojeni se Zbulesa Është një Proces


“Pranojeni se Zbulesa Është një Proces”, Tema dhe Pyetje (2023)

e re në Ganë ulur jashtë në një shkallë dhe shkruan në ditar

Të Kërkuarit e Përgjigjeve për Pyetjet Tuaja

Pranojeni se Zbulesa Është një Proces

Është e lehtë të përfytyroni se kur Perëndia dëshiron të komunikojë diçka, Ai thjesht u drejtohet udhëheqësve të Kishës për t’ua bërë të njohur. Por historia e Rivendosjes demonstron se zbulesa është një proces i kërkimit për të ditur vullnetin e Perëndisë dhe më së shpeshti merret pas përsiatjes dhe përgjërimit. Kjo është e vërtetë për profetët dhe për secilin prej nesh. Presidenti Rasëll M. Nelson na nxiti të gjithëve që të “shtrihe[m]i përtej aftësisë s[onë] të tanishme shpirtërore për të marrë zbulesë vetjake”1.

Ja disa parime që do t’ju ndihmojnë teksa e studioni shpalosjen e zbulesës, si në Kishë dhe në jetën tuaj vetjake:

  • Mbani mend që zbulesa zakonisht fillon me pyetje. Shembulli i Jozef Smithit ilustron se liria jonë e zgjedhjes dhe pyetjet e sinqerta luajnë rol jetik në procesin e zbulesës. Gati çdo seksion i librit Doktrina e Besëlidhje erdhi si përgjigje ndaj një pyetjeje. Zoti i mësoi Jozefit që t’i studionte gjërat tërësisht në mendjen e tij dhe të kërkonte shpirtin e zbulesës. Procesi i përballjes me problemet, i kërkimit të kuptueshmërisë, i vënies në provë të përgjigjeve të ndryshme, të mundshme dhe lutjes për udhërrëfim i përgatit zemrat tona dhe i hap mendjet tona. Ai na ndihmon që të marrim zbulesë, ta kuptojmë atë dhe të veprojmë sipas saj.

  • Kuptojeni se zbulesa vjen rresht pas rreshti. “Ne jemi dëshmitarë të një procesi rivendosjeje”, – ka thënë Presidenti Rasëll M. Nelson. “Nëse mendoni se Kisha është rivendosur plotësisht, ju po shihni vetëm fillimin.”2 Kjo është një Kishë e gjallë. Ndërkohë që të vërtetat thelbësore të ungjillit janë të pandryshueshme, rregulloret, programet, organizatat dhe mësimet e Kishës janë zbuluar rresht pas rreshti gjatë muajve, viteve dhe dekadave. Dhe procesi vazhdon. Ne nuk mund ta shohim gjithmonë fundin që nga fillimi, por ne mund të mirëbesojmë se Zoti do të vazhdojë të punojë me fëmijët e Tij për t’u sjellë atyre më shumë dritë.

  • Mbani mend se Perëndia na flet në përputhje me të kuptuarit tonë. Të gjitha qeniet njerëzore marrin formë nga kultura: bindjet fetare, zakonet, gjuhët dhe vlerat që i kemi të përbashkëta. Kulturat ndryshojnë shumë nga vendi në vend dhe me kalimin e kohës. Gatishmëria e Perëndisë për të dhënë zbulesë që na flet neve brenda kulturave tona dhe në përputhje me të kuptuarit tonë, është një e vërtetë e bukur e Rivendosjes. Të kujtuarit e kësaj mund të na ndihmojë që t’u drejtohemi me përulësi shkrimeve të shenjta dhe fjalëve të profetëve të së kaluarës. Perëndia u foli izraelitëve të lashtë në përputhje me të kuptuarit e tyre nga Lindja e Afërme e lashtë. Ai i foli Jozef Smithit duke përdorur simbole dhe gjuhë nga kultura e tij amerikane e viteve 1800. Dhe Perëndia komunikon me ne sot në përputhje me vetë aftësinë tonë të kufizuar në mënyra që ne mund t’i kuptojmë.

  • Jini besnikë dhe besoni. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme shpesh shpallin “Unë e di” kur japin dëshmitë e tyre. Këto shprehje të çiltra përshkruajnë përvoja shpirtërore vetjake, të fituara nëpërmjet studimit dhe të jetuarit të ungjillit. Por ne të gjithë ecim me besim në këtë jetë. Jezu Krishti thjesht na kërkon që ta fillojmë duke besuar. Nuk ka problem nëse keni pasiguri. Nuk ka problem nëse pikërisht tani gjithçka që keni, është dëshira për të besuar. Si babai i cili i kërkoi Jezusit që ta shëronte fëmijën e tij, ju mund të thoni: “Unë besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim”3.

  • Mbani mend se gjithë mirësia vjen nga Perëndia. Kur engjëlli Moroni iu shfaq Jozef Smithit, ai tregoi profecinë e Joelit që Zoti do të derdhte Shpirtin e Tij mbi çdo mish në ditët e fundit.4 Ndërkohë që ka shumë ligësi në botë, gjithashtu ajo është e mbushur me mirësi e të vërtetë. Kjo përfshin përparime në shkencë e mjekësi dhe përpjekje për ta shtuar respektin për gjithë njerëzit. Udhëheqësit e Kishës kanë dhënë mësim se Perëndia u flet individëve në çdo kulturë. Ashtu siç i ftojmë të tjerët që të bashkohen me ne dhe të “s[jellin] me vete gjithë të mirën që k[anë]”, ne e përqafojmë të vërtetën kudo ku e gjejmë atë.5

  • Dijeni se për të marrë zbulesë mund të hasim vështirësi. Ndërkohë që përgjigjet ndaj pyetjeve tona ndonjëherë vijnë shpejt dhe lehtësisht, zbulesa gjithashtu mund të kërkojë vite për të funksionuar. Situata jonë në jetë gjithashtu mund të bëjë që të hasim vështirësi kur kërkojmë zbulesë vetjake. Për shembull, disa njerëz përjetojnë sëmundje të tilla si depresioni, që e bën më të vështirë të ndihen pranë Perëndisë. Ne mund të bëjmë pjesën tonë për t’i trajtuar këto sfida ndërkohë që vazhdojmë të mirëbesojmë se Zoti do të na ndihmojë të gjejmë paqe. Thjesht ngaqë nuk keni marrë përgjigje nga Perëndia, nuk do të thotë me domosdo se po bëni diçka të gabuar. Jini të duruar dhe kultivojeni besimin tuaj ndërkohë që prisni për Zotin.

  • Vazhdoni të kërkoni zbulesë. Ndërkohë që kërkoni paqe lidhur me pyetjet tuaja, vazhdoni të bëni gjërat bazë: lutuni, studiojini shkrimet e shenjta, merrni sakramentin, përpiquni fort t’i zbatoni urdhërimet dhe adhuroni në tempull. Përveç këtyre, ju mund të kërkoni afërsi me Zotin duke u shërbyer të tjerëve në familjen tuaj, në bashkësinë apo komunitetin tuaj; duke shpenzuar kohë në natyrë ose duke medituar për gjëra shpirtërore. Të afruarit më pranë Perëndisë do të ndihmojë për t’ju siguruar që kanalet e zbulesës të qëndrojnë të hapura.

Shkrime të shenjta kyç: Jakob [Bibël] 1:5–6; 2 Nefi 28:30; 31:3; Alma 5:45–47; Doktrina e Besëlidhje 1:24; 88:63