“Punoni që ta Kuptoni të Kaluarën”, Tema dhe Pyetje (2023)
Të Kërkuarit e Përgjigjeve për Pyetjet Tuaja
Punoni që ta Kuptoni të Kaluarën
Studimi i historisë së Kishës mund të na ndihmojë që të shohim dorën e Perëndisë në jetën e fëmijëve të Tij. Ajo është e pasur me histori të besimit, kurajës dhe mirësisë së shenjtorëve të ditëve të mëvonshme nga e kaluara. Me raste ajo zbulon edhe dobësitë e tyre njerëzore dhe pasqyron vështirësitë që ne të gjithë i hasim teksa përpiqemi fort të ndjekim Jezu Krishtin. Hasja e ndërlikimeve në historinë e Kishës apo të mësuarit rreth gjërave në të kaluarën që nuk përputhen me pritshmëritë tona, mund ta sfidojë besimin tonë.
Secili prej nesh i përgjigjet informacionit të ri rreth historisë në mënyra të ndryshme. Pyetjet që e bezdisin një njeri, mund t’ia shtojnë energjinë dikujt tjetër. Ne të gjithë sjellim hamendësime, pritshmëri, përvojë jetësore dhe njohuri të ndryshme në kërkimin tonë për kuptueshmëri. Vënia në jetë e parimeve vijuese ndërsa studiojmë historinë, mund të na ndihmojë që ta kuptojmë të kaluarën më qartë dhe në mënyrë më frytdhënëse:
-
Dalloni kufizimet e njohurisë sonë. Historitë janë interpretime të së kaluarës nisur nga burimet e kufizuara që mbeten. Ka shumë gjëra që mund t’i themi me vetëbesim rreth së kaluarës. Por ka shumë gjëra që thjesht nuk i dimë. Informacioni që kemi, pothuajse gjithmonë lejon për më shumë se një interpretim. Kur qëndrojmë të përulur rreth asaj që mendojmë se e dimë, ne do të jemi më të hapur ndaj shpjegimeve të reja kur dalin në dritë burime shtesë. Mbani mend se nganjëherë ne duhet të jetojmë me njëfarë paqartësie ose pasigurie, madje për pyetje që duken të rëndësishme.
-
Pritni ndryshim. Kur e studiojmë të kaluarën, ne nganjëherë zbulojmë se praktikat, mësimet dhe idetë që i menduam se ishin të pandryshueshme, aktualisht kanë ndryshuar goxha. Parimet thelbësore të ungjillit janë të përjetshme, por mënyrat se si ato kuptohen dhe shprehen me kalimin e kohës, pasqyrojnë natyrën rresht pas rreshti të zbulesës dhe ndryshimin e vazhdueshëm të kulturës njerëzore. Parimi i zbulesës së vazhdueshme na ndihmon që të orientohemi nëpër këto ndryshime. Mund të zbuloni se të mësuarit më shumë rreth gjërave të shumta që kanë ndryshuar, e bën më të lehtë që t’i dallojmë gjërat që janë të qëndrueshme.
-
Vendosini gjërat në kontekstin e tyre. Dikush dikur tha: “E shkuara është një vend i huaj, ata i bëjnë gjërat ndryshe atje”1. Njerëzit në të shkuarën patën hamendësime të ndryshme rreth botës nga ato që kemi ne. Ata përdorën simbolikë dhe fjalë të ndryshme për ta përshkruar përvojën e tyre. Nëse dëshirojmë t’i kuptojmë më mirë fjalët dhe veprimet e atyre që jetuan në të kaluarën, ne gjithashtu kemi nevojë të kuptojmë kulturën dhe kontekstin në të cilët ndodhën ato. Kjo nuk do të thotë që ne nuk mund t’i hedhim poshtë gjërat rreth kulturave të së kaluarës. Në fakt, ka disa gjëra nga e kaluara që ungjilli na bën thirrje që t’i hedhim poshtë. Por të kuptuarit e kontekstit historik ndihmon që të na mbajë larg nga imponimi i pikëpamjeve tona të tanishme mbi njerëz të së kaluarës në një mënyrë që e pengon të kuptuarit.
-
Mbani mend se qeniet njerëzore bëjnë gabime. Kur tregojmë ngjarje nga historia e Kishës, ne kemi prirjen që të përqendrohemi te veprimet heroike dhe përfundimet e gëzuara. Është mirë që t’i kujtojmë njerëzit kur ata ishin në gjendjen e tyre më të mirë. Por nganjëherë ne harrojmë se shenjtorët e ditëve të mëvonshme të së kaluarës, përfshirë udhëheqësit e Kishës së hershme, ishin qenie njerëzore. Qeniet njerëzore kanë dobësi. Ata bëjnë gabime. Ata mëkatojnë. Mbani mend se Perëndia përdor njerëz të papërsosur që të përmbushë veprën e Tij. Ne mund të mësojmë si nga kontributet e tyre ashtu edhe nga gabimet e tyre. Ndërkohë që është mirë t’i shohim me ndershmëri aspektet sfiduese të historisë së Kishës, mos u përqendroni tek ato në një mënyrë që ju bën ta humbisni të mirën dhe të bukurën.
-
Jini të kujdesshëm ndaj interpretimeve të dyshimta. Jo të gjitha interpretimet e ngjarjeve të së kaluarës janë njëlloj të vlefshme. Njerëzit bëjnë shumë pretendime rreth historisë së Kishës, si të favorshme ashtu edhe antagoniste, që nuk i plotësojnë standardet për saktësi, besueshmëri dhe ndershmëri. Kjo është veçanërisht e vërtetë në një epokë kur çdokush mund t’i publikojë pikëpamjet e veta me një klikim të një butoni. Zoti na udhëzoi që të kërkojmë urtësi “nga librat më të mirë”2. Si një nxënës i historisë së Kishës, ju mund të përdorni si mjetet e studiuesve, ashtu edhe dhuratën e Frymës së Shenjtë.
Shkrime të shenjta kyç: 1 Nefi 11:17; Doktrina e Besëlidhje 88:118