“Origjinat e Librit të Abrahamit”, Tema dhe Pyetje (2023)
Pyetje rreth Kishës dhe Ungjillit
Origjinat e Librit të Abrahamit
Vështrim i Përgjithshëm
Libri i Abrahamit është një libër i shkrimit të shenjtë të frymëzuar, që iu dha me anë të zbulesës Profetit Jozef Smith. Ai ndjek rrëfimin biblik të patriarkut të lashtë në disa aspekte dhe shton informacione të rëndësishme për jetën dhe mësimet e tij. Ai përmban të vërteta të thella rreth natyrës së Perëndisë, marrëdhënies së Tij me ne si fëmijët e Tij dhe qëllimit të kësaj jete.
Ky libër i shkrimit të shenjtë iu zbulua Jozef Smithit në fillim të vitit 1835 në një kohë kur ai po studionte disa papiruse të lashta egjiptiane që i kishin blerë shenjtorët. Shumë njerëz i panë papiruset, por nuk ekziston asnjë rrëfim nga dëshmitarë okularë për procesin e përkthimit. Sot ekzistojnë vetëm fragmente të vogla të rrotullave të gjata të papiruseve që dikur ishin në zotërimin e Jozefit. Nuk dihet marrëdhënia midis shkrimeve egjiptiane në ato papiruse dhe tekstit të shkrimit të shenjtë që ne kemi sot.
Jozef Smithi mund ta ketë përkthyer librin e Abrahamit nga pjesë të papirusit që tani mungojnë, ose studimi i papirusit nga ana e tij mund të ketë shërbyer si katalizator që çoi në një zbulesë rreth Abrahamit. Në të dyja rastet, Jozefi nuk e përktheu librin me anë të mjeteve tradicionale. Duke folur për përkthimin e Librit të Mormonit, Zoti tha: “Ti nuk mund ta shkruash atë që është e shenjtë, veçse nëse të jepet nga unë”. I njëjti parim zbatohet për librin e Abrahamit.
E vërteta dhe vlera e librit të Abrahamit nuk mund të vendoset nga debati akademik. Pozita e librit si shkrim i shenjtë mbështetet në të vërtetat e përjetshme që ai na mëson dhe në shpirtin e fuqishëm që ai përçon. Secili prej nesh mund t’i studiojë mësimet e tij dhe të lutet për konfirmim nga Fryma e Shenjtë se mesazhi i tij është nga Perëndia.
Si e përktheu Jozef Smithi librin e Abrahamit?
Profeti Jozef Smith nuk e shpjegoi se si e përktheu librin e Abrahamit. Ne dimë se ai dhe të tjerët i studiuan me kujdes rrotullat egjiptiane të papirusit që mori Kisha, por ai nuk e kuptonte gjuhën e lashtë egjiptiane ose nuk kishte mundësi përdorimi të mjeteve që mund ta ndihmonin për ta përkthyer tekstin nëpërmjet mjeteve tradicionale. Bashkëpunëtorët e Jozefit thjesht mbanin mend se përkthimi u dha si zbulesë nga Perëndia. Sikurse vërejti Xhon Uitmeri: “Jozef Shikuesi i pa këto Anal[e] dhe nëpërmjet zbulesës nga Jezu Krishti mundi t’i përkthente këto anale”. Burimet sugjerojnë se Jozef Smithi mund të ketë përdorur një gur shikues ndërkohë që diktonte tekstin e librit të Abrahamit.
Shumica e papiruseve që ishin në zotërim të Jozefit, tani kanë humbur, prapëseprapë disa fragmente kanë mbijetuar. Ato përbëhen nga dy fragmente të Librit të Frymëmarrjes për Horosin; katër fragmente dhe disa copëza të Librit të të Vdekurve për Seminisin; dhe një fragment nga Libri i të Vdekurve për Nefer‑ir‑nebun. Si shenjtorët e ditëve të mëvonshme ashtu edhe egjiptologët që nuk janë shenjtorë të ditëve të mëvonshme, bien dakord që karakteret në këto fragmente nuk përputhen me përkthimin e dhënë në librin e Abrahamit.
Disa shenjtorë të ditëve të mëvonshme besojnë se teksti i librit të Abrahamit gjendej në papiruset që tani mungojnë. Të tjerë arrijnë në përfundimin se studimi i papiruseve nga Jozefi nxiti një zbulesë rreth ngjarjeve dhe mësimeve kyç në jetën e Abrahamit, sikurse ai kishte marrë më parë një zbulesë rreth jetës së Moisiut ndërkohë që studionte Biblën. Sipas kësaj pikëpamjeje, papiruset vepruan si katalizator për një zbulesë rreth Abrahamit.
Kisha nuk mban qëndrim të caktuar për këto teori. Ajo thjesht pohon se përkthimi u krye me anë të zbulesës. Ashtu si Libri i Mormonit, libri i Abrahamit ka ardhur nëpërmjet “dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë”.
Cila është marrëdhënia midis librit të Abrahamit dhe dokumenteve në gjuhën egjiptiane?
Nga korriku 1835 deri në nëntor 1835, Jozef Smithi dhe shkruesit e tij krijuan disa dokumente që lidheshin me karakteret në papiruset egjiptiane. Këto përfshijnë ato që njihen si “Dokumentet e Alfabetit Egjiptian” dhe “Gramatika dhe Alfabeti i Gjuhës Egjiptiane”. Dokumentet duket se janë pjesë e një kërkimi nga ana e Jozefit dhe të të tjerëve për të kuptuar gjuhët dhe konceptet e lashta në mënyrë që të mund të lidheshin me një të kaluar të shenjtë. Jozef Smithi dhe shkruesit e tij i kopjuan në këto dokumente karakteret nga papiruset dhe burime të tjera dhe sugjeruan shpjegime të shumta (të quajtura “gradë”) për secilin karakter. Këto shpjegime në përgjithësi nuk përputhen me interpretimet e studiuesve.
Jozef Smithi dhe bashkëkohësit e tij nuk e shpjeguan se si lidhen këto dokumente me librin e Abrahamit. Disa studiues besojnë se ato ishin një orvatje për të mësuar gjuhën egjiptiane duke përdorur pjesët e zbuluara tashmë të tekstit nga libri i Abrahamit. Të tjerë arrijnë në përfundimin se Jozefi dhe bashkëpunëtorët e tij i krijuan dokumentet e gjuhës egjiptiane si pjesë e procesit përmes të cilit Jozefi mori zbulesën – fillimisht duke e “studi[uar] atë … në mendjen [e tij]”. Të tjerë ende besojnë se asnjëra nga këto teori nuk është e saktë.
A përdor libri i Abrahamit gjuhë nga Varianti i Mbretit Xhejms të Biblës?
Varianti i Mbretit Xhejms (VMXH) të Biblës pati një ndikim të thellë në gjuhën angleze. Ai variant ishte veçanërisht i mirënjohur nga njerëzit në kohën e Jozef Smithit. Zbulesat në librin Doktrina e Besëlidhje shpesh përfshijnë fraza që gjenden në VMXH. Kështu bëjnë edhe përkthimet e Librit të Mormonit, librit të Moisiut dhe librit të Abrahamit. Është e natyrshme që gjuha e VMXH‑së apo madje fjalët dhe frazat nga burime të tjera të njohura për Jozef Smithin të shfaqen në këto shkrime të shenjta. Zoti shpjegoi se Ai u jep zbulesë shërbëtorëve të Tij “sipas mënyrës së gjuhës së tyre, që ata të arrijnë të kuptojnë”. Gjuha e Jozefit u ndikua fuqishëm nga kultura në të cilën ai jetonte dhe veçanërisht nga familjariteti i tij me VMXH‑në.
Disa fragmente nga tregimi i Abrahamit mbivendosen me librin e Zanafillës. Megjithëse këto fragmente përfshijnë disa fraza nga rrëfimi i njohur biblik, ato përmbajnë edhe dallime domethënëse që mund ta pasurojnë të kuptuarit tonë.
Çfarë dimë ne rreth shpjegimeve të Jozef Smithit për faksimilet e librit të Abrahamit?
Libri i Abrahamit përfshin tre ilustrime të shtypura, të njohura si faksimile, të cilat bazohen te figurat në papiruset. Këto faksimile u përfshinë kur libri i Abrahamit u botua për herë të parë në vitin 1842. Shpjegimet e Jozef Smithit për figurat u botuan së bashku me faksimilet. Ilustrimet përmenden në tekstin e librit të Abrahamit. Për shembull, Abraham 1:12 i referohet “paraqitj[es] në fillim të këtij anali”, duke nënkuptuar Faksimilen 1.
Shumica e shpjegimeve që Jozefi botoi me faksimilet, nuk përputhen me interpretimet e egjiptologëve modernë. Sidoqoftë, studiuesit kanë vënë re disa paralelizma. Për shembull, Jozef Smithi i paraqiti katër figurat në figurën 6 të Faksimiles 2 si “kjo tokë në të katër skajet e saj”. Studiues të tjerë kanë interpretuar në mënyrë të ngjashme figura identike në tekste të tjera të lashta egjiptiane. Faksimilja 1 përmban një perëndi‑krokodil duke notuar në atë që Jozef Smithi e quajti “kup[a] qiellore mbi kokat tona”. Studiuesit kanë identifikuar në mënyrë të ngjashme koncepte egjiptiane për qiellin si “një oqean qiellor”.
Ne nuk e dimë si lidhen faksimilet me tekstin. Ka dëshmi se disa autorë hebrenj gjatë epokës në të cilën u krijuan papiruset, përshtatën dhe përfshinë vizatime dhe histori egjiptiane në tekstet e tyre të shenjta, përfshirë ato që kishin lidhje me Abrahamin. Është e mundur që këto ilustrime u ripërdorën në një mënyrë të ngjashme.
A ka qenë Kisha transparente për atë që dimë rreth papiruseve dhe përmbajtjes së tyre?
Po. Gjatë gjithë historisë së saj, Kisha ka shpërndarë publikisht njohurinë e saj për tekstet egjiptiane që janë të lidhura me librin e Abrahamit. Kisha pati dy rrotulla egjiptiane papirusi dhe fragmente të një rrotulle të tretë nga viti 1835 deri në 1847. Gjatë asaj periudhe, papiruset iu treguan rregullisht publikut. Pas vdekjes së Jozef Smithit, Ema Smithi dhe bashkëshorti i saj i dytë ia shitën ato një burri të quajtur Abel Kombs, i cili i ndau ato në të paktën dy koleksione dhe ua shiti palëve të tjera. Shumë prej tyre humbën. Kur Kisha i mori fragmentet e mbetura të papirusit nga Muzeu Metropolitan i Artit në qytetin e Nju‑Jorkut në vitin 1967, ajo botoi një njoftim për blerjen dhe figurat e fragmenteve në gazetën Deseret News dhe në revistën e Kishës të asaj kohe Improvement Era. Këta artikuj diskutuan origjinën e fragmenteve dhe lidhjen e tyre me atë që u identifikua në atë kohë si Libri i të Vdekurve për ceremonitë mortore egjiptiane.
Që nga ajo kohë e tutje, udhëheqësit e Kishës u dhanë disa studiuesve mundësi përdorimi të drejtpërdrejtë të fragmenteve të papirusit dhe si studiuesit shenjtorë të ditëve të mëvonshme ashtu edhe ata që nuk ishin shenjtorë të ditëve të mëvonshme, botuan përkthimet dhe analizat e tyre. Vetëm një pjesë e vogël e dy rrotullave të papirusit dhe fragmenteve të ndryshme të papirusit të mbajtura nga Jozef Smithi dihet të kenë mbijetuar. Në vitin 2018, grupi për projektin “Joseph Smith Papers” [“Shkresat e Jozef Smithit”] botoi pamje dhe analiza të reja të gjithë këtyre fragmenteve.
Sa nga fragmentet e papiruseve mungojnë sot?
Studiuesit përgjithësisht bien dakord se papiruset që ekzistojnë tani, përfaqësojnë vetëm një pjesë të dy rrotullave origjinale dhe fragmenteve të tjera të blera fillimisht nga Jozef Smithi dhe Kisha. Kërkuesit shkencorë kanë përdorur metoda të ndryshme për të përcaktuar gjatësinë origjinale të rrotullave. Vlerësimet e tyre për atë që kemi sot, shtrihen nga aq pak sa 2,5 për qind deri aq shumë sa 30 ose 45 përqind të papirusit që zotëronte Jozefi.
Pse libri i Abrahamit pretendon se është shkruar nga dora e vetë Abrahamit?
Kur libri i Abrahamit u botua për herë të parë në vitin 1842, ai u hap me një shpjegim që thoshte: “Një përkthim i disa Analeve të lashta që kanë rënë në duart tona, nga Katakombet e Egjiptit, që pretendohet se janë shkrimet e Abrahamit, ndërkohë që ai ishte në Egjipt, i quajtur ‘Libri i Abrahamit’, i shkruar nga vetë dora e tij, mbi papirus”. Një variant i hershëm i dorëshkrimit të librit të Abrahamit përmban një hyrje të formuluar në mënyrë të ngjashme. Hyrja siç ekziston sot, ndoshta u krijua kur libri i Abrahamit u botua në vitin 1842. Hyrje të ngjashme u përfshinë me botimin e disa prej teksteve të tjera të zbulesës së Jozef Smithit.
Analiza tregon se papiruset janë shkruar midis shekujve të tretë dhe të dytë pr.K., shumë kohë pasi jetoi Abrahami. Ky datim nuk e hedh poshtë përmbajtjen e librit të Abrahamit. Shumë tekste të lashta që ekzistojnë sot, janë kopje të kopjeve. Në mënyrë të ngjashme, libri i Abrahamit mund të ishte rikopjuar shumë herë gjatë shekujve, por ende pretendon se Abrahami ishte autori i tij.
A është libri i Abrahamit në përputhje me atë që dimë për Lindjen e Afërt në lashtësi?
Libri i Abrahamit përmban hollësi që nuk gjenden në Bibël, por janë në përputhje me literaturën e botës së lashtë. Për shembull, disa emra njerëzish dhe vendesh janë të ngjashëm me emrat që janë gjetur në anale të lashta. Për shembull, “pllaj[a e] Olishemit” është lidhur nga disa studiues me një qytet në Sirinë veriperëndimore të quajtur Ulisum. Kjo është një përputhje shumë e besueshme për Olishemin sipas praktikave standarde gjuhësore. Në mënyrë të ngjashme, perëndia e Elkenahut është sugjeruar nga disa studiues shenjtorë të ditëve të mëvonshme se përfaqëson një formë të shkurtuar të titullit hyjnor El Koneh Artzu, i cili njihet nga një larmi gdhendjesh semitike veriperëndimore dhe do të thotë diçka të tillë si “Eli, Krijuesi i Tokës”.
Disa nga temat e përgjithshme dhe struktura tregimtare e librit të Abrahamit ngjajnë me histori nga burime të lashta jobiblike. Këto përfshijnë babanë e Abrahamit, Terahun, i cili ishte idhujtar; një zi buke që goditi qytetin e lindjes së Abrahamit; dhe një engjëll që shpëtoi Abrahamin prej flijimit njerëzor nga duart e një faraoni egjiptian. Tekstet e lashta gjithashtu përmendin që Abrahami i udhëzoi egjiptianët rreth qiejve. Për shembull, Eupolemi, i cili jetoi nën sundimin egjiptian në shekullin e dytë pr.K., shkroi se Abrahami u dha mësim priftërinjve egjiptianë rreth astronomisë dhe shkencave të tjera. Një papirus i shekullit të tretë pr.K. nga biblioteka e një tempulli egjiptian, e lidh emrin Abraham me një ilustrim të ngjashëm me Faksimilen 1 në librin e Abrahamit. Disa nga këto hollësi rreth jetës së Abrahamit ishin përgjithësisht të panjohura në kohën e Jozef Smithit.
Ndërsa këta shembuj janë bindës, ka gjithashtu shumë shembuj të interpretimeve të faksimileve nga ana e Jozef Smithit që nuk janë në përputhje me atë që ne aktualisht dimë për botën e lashtë. Ndonëse e pranojmë se ka shumë gjëra që nuk i kuptojmë rreth procesit të përkthimit, është e rëndësishme të kujtojmë se e vërteta dhe vlera e librit të Abrahamit nuk mund të vendoset nga debati akademik në lidhje me përkthimin e librit. Leximi i librit të Abrahamit, përsiatja e përmbajtjes së tij dhe lutja rreth mësimeve të tij mund t’ju ndihmojnë që të fitoni dëshmi shpirtërore për vlerën e tij të përjetshme.
Si mund të fitoj dëshmi për librin e Abrahamit dhe shkrimet e tjera të shenjta që iu zbuluan Jozef Smithit?
Ka shumë gjëra që nuk i dimë për mënyrën se si libri i Abrahamit iu zbulua Jozef Smithit. Por në shumë mënyra, pyetjet tona rreth procesit janë më pak të rëndësishme sesa pyetja nëse Perëndia i zbuloi apo jo shkrim të ri të shenjtë Jozef Smithit. Kjo është një çështje besimi. Mënyra më e mirë për të marrë konfirmimin shpirtëror për këtë pyetje është të lexoni librin e Abrahamit, të përsiatni të vërtetat që ai zbulon, t’i vini në praktikë mësimet e tij dhe të kërkoni një dëshmi nga Fryma e Shenjtë. Ky proces mund të na ndihmojë që t’i afrohemi më pranë Jezu Krishtit. Ajo është prova përfundimtare e vlerës së librit të Abrahamit.