Biblioteka
Zbulesa


“Zbulesa”, Tema dhe Pyetje (2023)

vajzë duke u lutur në ambient të jashtëm

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

Zbulesa

Udhërrëfim i përditshëm individual nga një Atë i dashur Qiellor

Pyetjet dhe pasiguria janë pjesë të zakonshme të jetës. Fakti se kujt i drejtoheni për përgjigje dhe siguri, është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Për fat të mirë, Perëndia është aty që t’ju ndihmojë në kërkimin tuaj për përgjigje dhe kuptueshmëri. Ju mund të keni mirëbesim te premtimi që “në qoftë se … ju … mungon urtia”, ju mund t’i kërkoni ndihmë Atij dhe ajo “do t’[ju] jepet” (Jakob [Bibël] 1:5).

Perëndia u flet fëmijëve të Tij individualisht me anë të zbulesës vetjake nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Ai ka siguruar profetë dhe njerëz të tjerë si dhe burime për të na udhërrëfyer nëpër sfidat dhe përvojat e kësaj jete. Një nga gjërat më thelbësore është komunikimi i premtuar që mund të na vijë nga Perëndia nëpërmjet Frymës së Shenjtë.

Çfarë Është Zbulesa?

Zbulesa është udhërrëfimi dhe komunikimi hyjnor që Ati ynë i dashur Qiellor ua siguron fëmijëve të Tij. Ajo shpesh përjetohet si ndjenja ose mendime të qeta, të përshkruara si “zëri i vogël, i qetë” i Frymës së Shenjtë (Doktrina e Besëlidhje 85:6). Ne e rritim aftësinë tonë për të marrë dhe për ta dalluar zbulesën vetjake kur drejtohemi te Perëndia në lutje, kur i studiojmë shkrimet e shenjta dhe përpiqemi të jemi të bindur ndaj urdhërimeve të Perëndisë. Zoti e drejton Kishën e Tij nëpërmjet zbulesës që Ai ua jep shërbëtorëve të Tij të autorizuar. Përveç kësaj, secili prej nesh mund të marrë zbulesë vetjake për të na ndihmuar në nevoja, përgjegjësi dhe pyetje të veçanta.

Vështrim i përgjithshëm i temës: Zbulesa

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Dhurata e Frymës së Shenjtë, Lutja, Shkrimet e Shenjta, Kërkimi i së Vërtetës dhe Shmangia e Mashtrimit

Pjesa 1

Perëndia Mund të Komunikojë me Ju nëpërmjet Zbulesës Vetjake

vajzë e gjunjëzuar në lutje pranë shtratit

Perëndia ju do dhe i di në mënyrë të përsosur sfidat dhe sprovat që hasni; Ai nuk ju ka lënë vetëm (shihni te Gjoni 14:18). Ju mund të ndërmerrni hapa të rëndësishëm për t’u përgatitur që të merrni dhe dalloni zbulesën vetjake. Përgatitja shpirtërore përfshin studimin e shkrimeve të shenjta, adhurimin në ditën e Shabatit dhe në shtëpinë e Zotit, pendimin e përditshëm, agjërimin dhe lutjen me sinqeritet. Zoti premton se Ai do t’ju udhërrëfejë nëse përpiqeni të afroheni pranë Tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 88:63).

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:

“Gjeni një vend të qetë ku mund të shkoni rregullisht. Përuleni veten përpara Perëndisë. Hapjani zemrën Atit tuaj Qiellor. Drejtojuni Atij për përgjigje e ngushëllim.

Lutuni në emrin e Jezu Krishtit për shqetësimet tuaja, frikën tuaj, dobësitë tuaja – po, pikërisht dëshirat e zemrës suaj. Dhe më pas dëgjoni! Shkruajini mendimet që ju vijnë në mendje. Shënojini ndjenjat dhe pasojini me veprimet që nxiteni t’i bëni. …

Asgjë nuk i hap qiejt ashtu si ndërthurja e pastërtisë më të madhe, bindjes së përpiktë, kërkimit të zellshëm, ushqimit me bollëk me fjalët e Krishtit në Librin e Mormonit dhe kohës së vazhdueshme, të zotuar për punën në tempull dhe punën e historisë familjare.”

Gjëra për t’i menduar

  • Secili prej fëmijëve të Perëndisë vjen në këtë botë me Dritën e Krishtit. Lexoni te Moroni 7:16–18; Doktrina e Besëlidhje 84:46–48; 93:2, duke kërkuar se çfarë përfshin kjo dhuratë dhe përse është ajo thelbësore.

  • Dëshira juaj për të kërkuar shpirtin e zbulesës mund të rritet kur e kuptoni më mirë gatishmërinë e Perëndisë për t’jua dhënë atë. Krahasoni fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta për të gjetur parime që mund t’ju përgatitin për të përjetuar shpirtin e zbulesës: 1 Nefi 10:17–19; 2 Nefi 32:3; Doktrina e Besëlidhje 9:8; Joseph Smith – Historia 1:10–17. Çfarë parimesh të zbulesës vetjake jepen mësim në këto shkrime të shenjta? Përse është me vlerë të dallojmë se kemi përgjegjësi për t’u përgatitur që të marrim zbulesë vetjake?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Në artikullin e revistës Liahona të janarit 2021, të titulluar “Rrituni drejt Parimit të Zbulesës”, Presidenti Rasëll M. Nelson diskuton se si mund ta kuptojmë më mirë se si ta ftojmë udhërrëfimin e Atit Qiellor në jetën tonë. Ftoni anëtarë të grupit tuaj që të studiojnë pjesë të artikullit. Flisni së bashku rreth pyetjeve vijuese: Cilat janë parimet që thekson Presidenti Nelson? Çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni ndryshe pas leximit të këtij mesazhi?

Mësoni më shumë

Pjesa 2

Zbulesa Vetjake në Përgjithësi Vjen si Mbresa, Mendime dhe Ndjenja

burrë duke u menduar

A keni mësuar ndonjëherë fraza në një gjuhë tjetër? Me studim dhe ushtrim, mund të filloni t’i dalloni ato fjalë kur fliten nga njerëz të tjerë në bashkëbisedim. Në mënyrë të ngjashme, ju mund të mos e dalloni gjithmonë zërin e Shpirtit që në fillim, por të mësuarit e parimeve të rëndësishme mund t’ju përgatitë që ta kuptoni më mirë komunikimin hyjnor. Për shembull, Elija, profeti i Dhiatës së Vjetër, dëshmoi një erë të fortë, një tërmet dhe një zjarr, por Elija vuri re se “Zoti nuk ishte në” ato gjëra. Por më pas ai dëgjoi “një zë, si një shushurimë [të] ëmbël” dhe e dalloi se ishte zëri i Zotit (shihni te 1 Mbretërve 19:11–13). Perëndia na flet me një “zë [të] qetë” (shihni te Helamani 5:28–30) dhe me ndjenja të tilla si paqe, ngushëllim e gëzim (shihni te Galatasve 5:22–23).

Një tjetër parim i zbulesës është që Perëndia u “j[e]p fëmijëve të njerëzve rresht pas rreshti, parim pas parimi, pak këtu dhe pak atje” (2 Nefi 28:30). Kjo do të thotë që Perëndia nuk na e jep gjithçka njëherësh. Përkundrazi, zbulesa vetjake mund të shpaloset me kalimin e kohës.

Plaku Dejvid A. Bednar vuri në dukje këtë koncept: “Ne, si anëtarë të Kishës, priremi për t’i theksuar aq shumë shfaqjet shpirtërore të mahnitshme dhe dramatike, saqë nuk arrijmë të vlerësojmë e madje mund të mos vëmë re mënyrën tipike me të cilën Fryma e Shenjtë përmbush punën e Tij. Pikërisht ‘thjeshtësia e udhës’ (1 Nefi 17:41) për marrjen e mbresave shpirtërore të vogla dhe shtuese, të cilat me kohë dhe në tërësi përbëjnë një përgjigje të dëshiruar apo drejtim që na nevojitet, mund të bëjë që ne të shikojmë ‘përtej shenjës’ (Jakobi [LiM] 4:14).”

Gjëra për t’i menduar

  • Në bisedën e tij në konferencën e përgjithshme të prillit 2020, “Dëgjojeni Atë”, Presidenti Nelson tha: “Asnjëherë nuk ka qenë më e domosdoshme ta dini se si ju flet Shpirti sesa është pikërisht tani. … E përsërit përgjërimin tim ndaj jush që të bëni çfarëdo që [ju] duhet që ta rritni aftësinë tuaj shpirtërore për të marrë zbulesë vetjake.” Në çfarë mënyrash e keni përjetuar zbulesën vetjake?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

Mësoni më shumë

Pjesa 3

Zoti e Drejton Kishën e Tij nëpërmjet Zbulesës

Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve

Shpirti i zbulesës mund ta udhërrëfejë secilin prej nesh individualisht, por kur Zoti dëshiron ta drejtojë Kishën e Tij, Ai flet nëpërmjet profetit të gjallë që shërben si Presidenti i Kishës (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:91–92). Plaku Dejll G. Renland dha mësim: “Vetëm profeti merr zbulesë për Kishën. Do të ishte ‘në kundërshtim me rendin e Perëndisë’ që njerëz të tjerë të marrin zbulesë të tillë. … Zbulesa vetjake me të drejtë u përket individëve. Ju mund të merrni zbulesë, për shembull, rreth vendit ku të jetoni, shtegut të karrierës që të ndiqni ose personit me kë të martoheni. Udhëheqësit e Kishës mund të japin mësim doktrinën dhe këshillë të frymëzuar, por përgjegjësia për këto vendime mbetet me ju. Ajo është zbulesa që duhet ta merrni ju.”

Gjëra për t’i menduar

  • Pak kohë pasi u organizua Kisha, u qartësua për anëtarët e Kishës roli i rëndësishëm i Jozef Smithit si profet. Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 43:1–7. Si mund t’ju mbrojë parimi i përshkruar në këtë fragment që të mos mashtroheni nga ata që nuk janë të Perëndisë?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Me grupin tuaj, lexoni mesazhin e Presidentit M. Rasëll Ballard “Vegimi i Shëlbimit të të Vdekurve, duke kërkuar se si Zoti e përgatiti Presidentin Jozef F. Smith për të marrë një zbulesë të tillë të rëndësishme për Kishën. Si e përgatitën Presidentin Smith përvojat e jetës së tij për vegimin që mori? Sipas vargjeve te Doktrina e Besëlidhje 138:1–11, çfarë bëri Presidenti Smith që e përgatiti për të marrë mësim nga qielli? Si na ndihmon ky shembull që të kuptojmë rëndësinë e përgatitjes për të dalluar shpirtin e zbulesës?

Mësoni më shumë