Biblioteka
Shkrimet e Shenjta


“Shkrimet e Shenjta”, Tema dhe Pyetje (2023)

familje duke lexuar shkrimet e shenjta

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

Shkrimet e Shenjta

Një anal i marrëdhënieve të Perëndisë me fëmijët e Tij

A ju ka ndodhur ndonjëherë të gjeni një fragment në shkrimet e shenjta që duket se po ju flet juve drejtpërsëdrejti? Shkrimet e shenjta mbajnë fuqi shpirtërore (shihni te Lluka 24:32; 2 Nefi 32:3). Ato dëshmojnë se Jezu Krishti është Shpëtimtari e Shëlbuesi ynë dhe na çojnë tek Ai si burimi i shpëtimit tonë. Ati ynë i dashur Qiellor na ka dhënë shkrime të shenjta për të na mësuar rreth planit të Tij për lumturinë tonë, për të na ndihmuar që të fitojmë dëshmi për Birin e Tij, Jezu Krishtin, për të na udhërrëfyer, për të na dhënë shpresë dhe shumë më tepër. Gjatë gjithë historisë, profetët e lashtë dhe modernë i kanë mbajtur shënim mesazhet hyjnore që marrin dhe rrëfimet për ndërveprimet e Perëndisë me fëmijët e Tij. Ne bekohemi që kemi qasje ndaj fjalës së Perëndisë në kohën tonë.

Çfarë Janë Shkrimet e Shenjta?

Shkrimet e shenjta janë libra të shenjtë që përmbajnë fjalën e Perëndisë, mësimet e profetëve dhe rrëfimet e frymëzuara për ndërveprimet e Perëndisë me fëmijët e Tij (shihni te 2 Pjetër 1:20–21). Shkrimet e shenjta zyrtare të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, të cilave u referohemi si “veprat standarde”, përfshijnë Biblën, Librin e Mormonit, Doktrinën e Besëlidhjet dhe Perlën me Vlerë të Madhe.

Vështrim i përgjithshëm i temës: Shkrimet e Shenjta

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Bibla, Libri i Mormonit, Profetët, Mësimdhënia dhe të Mësuarit e Ungjillit të Jezu Krishtit

Pjesa 1

Shkrimet e Shenjta Mund t’ju Sjellin më Pranë Atit Tuaj Qiellor dhe Jezu Krishtit

i ri duke lexuar shkrimet e shenjta

Plaku D. Tod Kristoferson shpalli: “Në fund, qëllimi kryesor i gjithë shkrimit të shenjtë është që të mbushë shpirtin tonë me besim tek Perëndia, Ati, dhe tek Biri i Tij, Jezu Krishti”. Mesazhi dhe fuqia shpirtërore e shkrimeve të shenjta na çojnë drejt shpëtimit. Presidenti Ezra Taft Benson dha mësim: “Fjala e Perëndisë, siç gjendet në shkrimet e shenjta, … ka fuqinë që t’i përforcojë shenjtorët e t’i armatosë me Shpirtin, në mënyrë që të mund t’i bëjnë ballë së ligës, të kapen fort pas së mirës dhe të gjejnë gëzim në këtë jetë”. Vendimi juaj për t’i lexuar e studiuar shkrimet e shenjta është një hap i rëndësishëm drejt bërjes si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.

Gjëra për t’i menduar

  • Plaku Robert D. Hejls dha mësim: “Kur dëshirojmë të flasim me Perëndinë, ne lutemi. Dhe kur dëshirojmë që Ai të na flasë, ne hetojmë shkrimet e shenjta.” Kur e keni ndier se shkrimet e shenjta ju dhanë përgjigje? Çfarë do t’u tregonit të tjerëve për t’i ndihmuar që të dallojnë se shkrimet e shenjta mund t’i ndihmojnë që të marrin përgjigje nga Perëndia?

  • Profeti Nefi shënoi atë që ai shpresoi se do të përjetonin lexuesit e shkrimeve të tij të frymëzuara. Lexoni te 1 Nefi 6:1–6. Si mund të ndikojë të kuptuarit e qëllimit të Nefit për shkrimin e rrëfimit të tij te mënyra se si e studioni Librin e Mormonit?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

Mësoni më shumë

Pjesa 2

Shkrimet e Shenjta Janë një Përmbledhje e Shenjtë e Fjalëve të Perëndisë për Fëmijët e Tij

shkrimet e shenjta

Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme “besoj[n]ë gjithçka që Perëndia ka zbuluar, gjithçka që Ai zbulon tani dhe … se Ai përsëri do të zbulojë shumë gjëra të mëdha dhe të rëndësishme lidhur me Mbretërinë e Perëndisë” (Nenet e Besimit 1:9). Shumë zbulesa të Perëndisë ndaj fëmijëve të Tij shënohen në shkrimet e shenjta, të cilat përfshijnë Biblën, Librin e Mormonit, Doktrinën e Besëlidhjet dhe Perlën me Vlerë të Madhe. Këta libra quhen “veprat standarde” dhe konsiderohen shkrime të shenjta zyrtare, ose të kanonizuara, të Kishës.

  • Bibla është një anal i ndërveprimeve të Perëndisë me popullin e Tij, nga koha e Adamit deri në kohën kur jetuan Apostujt e Jezu Krishtit. Ajo ndahet në dy pjesë: Dhiata e Vjetër dhe Dhiata e Re. Dhiata e Vjetër na mëson se Mesia i premtuar do të vinte si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Dhiata e Re shënon jetën e Jezu Krishtit, flijimin shlyes dhe Ringjalljen e Tij. Ajo gjithashtu përfshin mësimet e Apostujve të Tij për anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të krijuar gjatë asaj kohe.

  • Libri i Mormonit është një anal i shenjtë i njerëzve që jetuan në Hemisferën Perëndimore midis periudhës rreth 2000 pr.K. dhe 400 ps.K. Ai mban nëntitullin “Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit”. Ai u shkrua për qëllimin e “bindje[s së] judenjve dhe johebrenjve se Jezusi është Krishti, Perëndia i Amshuar” (faqja e titullit të Librit të Mormonit).

  • Doktrina e Besëlidhje përmban shumë zbulesa moderne të marra si pjesë e Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit. Shumica e këtyre zbulesave u morën nga Profeti Jozef Smith gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë.

  • Perla me Vlerë të Madhe përmban shkrime nga libri i Moisiut dhe libri i Abrahamit. Ajo gjithashtu përfshin pjesë të përkthimit të Biblës prej Jozef Smithit, përzgjedhje nga historia e tij për Kishën dhe Nenet e Besimit.

Përveç veprave standarde, shenjtorët e ditëve të mëvonshme i konsiderojnë fjalët dhe mësimet e frymëzuara të profetëve modernë si shkrim i shenjtë. “Çfarëdo që ata do të flasin kur nxiten nga Fryma e Shenjtë, do të jetë shkrim i shenjtë” (Doktrina e Besëlidhje 68:4).

Gjëra për t’i menduar

  • Lexoni tek Alma 37:8–10 duke kërkuar mënyrat se si shkrimet e shenjta sollën ndryshim mes njerëzve në kohën e Almës. Kur keni parë bekime të ngjashme në jetën tuaj ose në jetën e njerëzve përreth jush? Për cilat nga bekimet e renditura në këtë fragment do të shpresonit pikërisht tani në jetën tuaj?

  • Profetët e Librit të Mormonit, Lehi dhe Nefi, panë një vegim në të cilin fjala e Perëndisë u përfaqësua nga një shufër hekuri (shihni te 1 Nefi 811). Ju mund t’i shqyrtoni këta kapituj dhe të merrni parasysh përse një shufër hekuri është një simbol i përshtatshëm për fjalën e Perëndisë. Kur kanë qenë shkrimet e shenjta një shufër hekuri për ju?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Merrni parasysh të shihni një pjesë ose të gjithë materialin filmik “Scriptures Legacy” [“Trashëgimia e Shkrimeve të Shenjta”] (22:29). Ftojeni grupin të tregojë se cilat histori u lanë mbresa më shumë rreth njerëzve që ndihmuan për t’i sjellë shkrimet e shenjta në dispozicionin tonë sot. Si mund të ndikojnë këto rrëfime te ndjenjat tuaja rreth studimit të shkrimeve të shenjta?

Mësoni më shumë

Pjesa 3

Studimi i Shkrimeve të Shenjta Mund të Sjellë Dritë dhe të Vërtetë në Jetën Tuaj

gra duke lexuar shkrimet e shenjta

Të gjithë profetët e ditëve të mëvonshme na kanë kujtuar për vlerën e studimit të shkrimeve të shenjta. Shkrimet e shenjta bëhen një bekim i çmuar për të gjithë ata që gjejnë kohë për t’i lexuar ato dhe për të mësuar prej tyre. Ndërsa i studiojmë fjalët e profetëve, ne mund të mësojmë të vërtetën dhe të marrim udhërrëfim nga Fryma e Shenjtë. Zoti i paralajmëroi shenjtorët e hershëm: “Mendjet tuaja në të shkuarën janë errësuar për shkak të mosbesimit dhe ngaqë i keni trajtuar me lehtësi gjërat që keni marrë. … Pendoh[uni] dhe … kujto[ni] besëlidhjen e re, madje Librin e Mormonit dhe urdhërimet e mëparshme që [ju] kam dhënë, jo vetëm për t’i thënë, por për të vepruar sipas asaj që kam shkruar” (Doktrina e Besëlidhje 84:54, 57). Shkrimet e shenjta kanë fuqinë që ta davaritin errësirën nëpërmjet dritës shpirtërore që vjen nga Fryma e Shenjtë kur i lexojmë dhe i studiojmë ato.

Gjëra për t’i menduar

  • Në Librin e Mormonit, familja e Lehit u udhëhoq në udhëtimin e saj përmes vendit të shkretë nga një sferë ose busull e quajtur Liahona. Kur ata ushtronin besim dhe zell, Liahona u tregonte rrugën nga duhej të udhëtonin. Lexoni tek Alma 37:38–47, duke kërkuar mënyra se si shkrimet e shenjta mund t’ju shërbejnë juve sot ashtu si Liahona i shërbeu familjes së Lehit. Çfarë mund të bëjmë që të marrim të gjitha përfitimet shpirtërore nga shkrimet e shenjta ose fjalët e Krishtit?

  • Mësimi përmendsh i një fragmenti të shkrimit të shenjtë mund të japë ndihmë dhe fuqi shpirtërore në kohë nevoje. Rishikoni bisedën e Plakut Riçard G. Skot “Fuqia e Shkrimeve të Shenjta. Çfarë mësoni nga kjo bisedë që mund t’ju bëjë ta ndryshoni mënyrën se si i qaseni studimit tuaj të shkrimeve të shenjta?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

Mësoni më shumë

Burime të Tjera rreth Shkrimeve të Shenjta

Shënime

  1. D. Tod Kristoferson, “Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”, Liahona, maj 2010, f. 34.

  2. Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson (2014), f. 125.

  3. Robert D. Hejls, “Shkrimet e Shenjta: Fuqia e Perëndisë për Shpëtimin Tonë”, Liahona, nëntor 2006, f. 26–27; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, f. 33–37.

  4. Riçard G. Skot, “Fuqia e Shkrimeve të Shenjta”, Liahona, nëntor 2011, f. 6–8.