“Çelësat e Priftërisë”, Tema dhe Pyetje (2023)
Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
Çelësat e Priftërisë
Autoriteti për të drejtuar veprën e Perëndisë
Çdo ditë, ndoshta keni përvojën e hapjes së dyerve duke përdorur një çelës. Të mbajturit e çelësave mund të jetë simbol i një personi që ka autoritet dhe të drejtë përdorimi. Çelësat e priftërisë, të mbajtur nga shërbëtorët e Zotit, i autorizojnë ata që të drejtojnë mënyrën se si autoriteti dhe fuqia e priftërisë përdoren në veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit.
Jezu Krishti mban të gjithë çelësat e priftërisë që i përkasin Kishës së Tij. Ai i ka dhënë secilit prej Apostujve të Tij të gjithë çelësat që i përkasin mbretërisë së Perëndisë në tokë. Presidenti i Kishës është i vetmi person i autorizuar për t’i ushtruar të gjithë ata çelësa të priftërisë.
Presidentët e tempujve, presidentët e misioneve, presidentët e kunjeve, peshkopët dhe presidentët e kuorumeve gjithashtu mbajnë çelësa të priftërisë, të cilët i lejojnë të drejtojnë e të kryesojnë mbi punën që janë autorizuar të bëjnë. Për shkak të çelësave të priftërisë, ne mund të kemi të drejtë për ordinancat, besëlidhjet, bekimet dhe fuqitë që na nevojiten me qëllim që të kthehemi për të jetuar me Atin tonë Qiellor dhe Shpëtimtarin tonë dhe që të bëhemi si Ata.
Pjesa 1
Lajmëtarë Qiellorë i Rivendosën Çelësat e Priftërisë në Kohën Tonë
Gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, Jezu Krishti ua dha “çelësat e mbretërisë së qiejve” Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit (shihni te Mateu 16:18–19; Doktrina e Besëlidhje 7:5–7). Me vdekjen e Jezu Krishtit dhe të Apostujve të Tij, priftëria dhe çelësat e priftërisë humbën nga toka për shekuj.
Në vitin 1829, Gjon Pagëzori u kthye në tokë dhe ia rivendosi Priftërinë Aarone dhe çelësat e saj Profetit Jozef Smith (shihni te Doktrina e Besëlidhje 13; Joseph Smith – Historia 1:67–72). Pak kohë pas kësaj, Pjetri, Jakobi dhe Gjoni rivendosën Priftërinë Melkizedeke dhe çelësat e saj (shihni te Doktrina e Besëlidhje 27:12–13).
Lajmëtarë të tjerë qiellorë, përfshirë Moisiun, Eliasin dhe Elijan, iu shfaqën Jozef Smithit në Tempullin e Kirtlandit dhe i dhanë më shumë autoritet për të kryer veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 110:11–16).
Gjëra për t’i menduar
-
Krahasoni vargjet te Doktrina e Besëlidhje 110:1–16 me ato te Mateu 17:1–9. Si ishte përvoja e Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit në Tempullin e Kirtlandit e ngjashme me përvojën që patën Pjetri, Jakobi dhe Gjoni në Malin e Shpërfytyrimit?
-
Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 65. Cilat janë disa mënyra se si Perëndia po e përgatit botën për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit nëpërmjet çelësave të priftërisë që Ai ua ka dhënë shërbëtorëve të Tij? Në cilat mënyra mund t’i përgatitni veten tuaj dhe të tjerët për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi çfarë autoriteti i dhanë Moisiu, Eliasi dhe Elija Profetit Jozef Smith në Tempullin e Kirtlandit. Lexojeni thënien vijuese me anëtarët e grupit tuaj:
-
“Moisiu dorëzoi çelësat e mbledhjes së Izraelit …;
-
Eliasi, çelësat e besëlidhjes së Abrahamit;
-
dhe Elija, çelësat e autoritetit vulosës.
-
Jozef Smithi ua dha ato çelësa të rivendosur të priftërisë të gjithë Apostujve të thirrur në kohën e tij. Me radhë, këta çelësa i janë kaluar nëpër breza udhëheqësve të tanishëm të Kishës. Sot, Presidenti i Kishës mban në mënyrë aktive çdo çelës të mbajtur nga të ‘gjithë ata që kanë marrë një kujdestari në çdo periudhë, që nga fillimi i krijimit’ [Doktrina e Besëlidhje 112:31].”
Përse është e nevojshme që Presidentii i Kishës të mbajë sot të njëjtat çelësa të priftërisë që iu dhanë Jozef Smithit?
-
Mësoni më shumë
-
Russell M. Nelson, “Keys of the Priesthood”, Ensign, tetor 2005, f. 40–44
-
Geri E. Stivenson, “Ku Janë Çelësat dhe Autoriteti i Priftërisë?”, Liahona, maj 2016, f. 29–32
Pjesa 2
Ne i Mbështetim Ata që Mbajnë Çelësat e Priftërisë
Profeti Jozef Smith dha mësim se “parimet themelore, qeverisja dhe doktrina e Kishës kontrollohen nga çelësat e mbretërisë”. Kjo do të thotë që çelësat e priftërisë që mbahen nga Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit, e autorizojnë atë që të administrojë të gjitha bekimet, ordinancat, besëlidhjet dhe organizatat e Kishës (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:65–67).
Anëtarët e Kishës shpesh kanë mundësinë në konferenca dhe mbledhje të sakramentit që të mbështetin udhëheqësit e përgjithshëm dhe vendorë të Kishës, përfshirë ata që mbajnë çelësat e priftërisë. Mbështetja tregon mirëbesimin tonë tek ata dhe gatishmërinë tonë për t’i përkrahur, ndihmuar dhe për t’u lutur për ta (shihni te Doktrina e Besëlidhje 26:2). Ne gjithashtu mund të marrim mbrojtje shpirtërore kur i ndjekim dhe i mbështetim ata që mbajnë çelësat e priftërisë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 43:1–7).
Gjëra për t’i menduar
-
Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 90:2–6 për të mësuar të vërteta të rëndësishme rreth çelësave që mbahen nga anëtarët e Presidencës së Parë. Si lidhen çelësat e mbretërisë me zbulesat që Perëndia ia jep Kishës? Çfarë do të ndodhë nëse i trajtojmë si me pak vlerë zbulesat që Perëndia na i jep nëpërmjet atyre që mbajnë çelësat e mbretërisë?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Me anëtarët e grupit diskutoni të vërtetën që të gjithë personat që shërbejnë në Kishë, burra e gra, thirren nën drejtimin e dikujt që mban çelësat e priftërisë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 42:11). President Dallin H. Ouks dha mësim: “Kushdo që vepron në një detyrë ose thirrje të marrë nga një njeri që mban çelësat e priftërisë, ushtron autoritet priftërie në kryerjen e detyrave të caktuara atij ose asaj”. Kur i keni ndier bekimet e Perëndisë t’ju ndihmojnë pasi u veçuat për të shërbyer në një thirrje në Kishë?
Mësoni më shumë
-
Doktrina e Besëlidhje 21:4–6; 35:25; 43:2–6, 12; 107:18–19, 21–22; 124:127–28, 143; Nenet e Besimit 1:5
-
Dallin H. Ouks, “Priftëria Melkizedeke dhe Çelësat”, Liahona, maj 2020, f. 69–72
-
Henri B. Ajring, “Besim dhe Çelësa”, Liahona, nëntor 2004, f. 26–29; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2004, f. 35–39