“Rivendosja e Priftërisë”, Tema dhe Pyetje (2023)
Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
Rivendosja e Priftërisë
Perëndia ka dhënë autoritetin për të vepruar në emrin e Tij
Përfytyroni se si jeta juaj do të ishte ndryshe nëse Perëndia nuk do të kishte rivendosur autoritetin e priftërisë për t’i vënë besëlidhjet, ordinancat dhe shumë dhurata të tjera hyjnore në dispozicionin tuaj dhe të njerëzve tuaj të dashur. Një pjesë e rëndësishme e ungjillit të Jezu Krishtit është mesazhi se, ngaqë Perëndia i do fëmijët e Tij, Ai ka dhuruar fuqinë dhe autoritetin e priftërisë mbi shërbëtorët e Tij në Kishë. Priftëria përfshin autoritetin për të predikuar ungjillin e Jezu Krishtit dhe për të kryer veprën e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin. Miliona njerëz sot bekohen me anë të besëlidhjeve të shenjta, ordinancave dhe bekimeve të tjera të dhëna nëpërmjet autoritetit dhe fuqisë së priftërisë së Perëndisë.
Priftëria e Perëndisë i ka bekuar fëmijët e Tij gjatë gjithë historisë së botës. Pas vdekjes së Apostujve të Krishtit në kohën e Dhiatës së Re, humbi autoriteti për të vepruar në emrin e Perëndisë. Shumë kohë më vonë, në vitet 1800, lajmëtarë qiellorë erdhën dhe ua dhanë autoritetin e priftërisë dhe çelësat e priftërisë Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit. Kjo rivendosje e fuqisë së Perëndisë ishte një pjesë e rëndësishme e Rivendosjes së përgjithshme të ungjillit të Jezu Krishtit dhe të Kishës së Tij. Autoriteti dhe çelësat e priftërisë mbeten në Kishë sot.
Pjesa 1
Perëndia e Jep Fuqinë e Priftërisë së Tij për të Bekuar Fëmijët e Tij
Perëndia ua ka dhënë fuqinë e priftërisë shërbëtorëve të Tij që nga fillimi (shihni te Moisiu 6:7). Patriarkët e lashtë si Adami, Noeu, Abrahami, Moisiu dhe njerëz të tjerë të shumtë e mbajtën priftërinë për qëllimin e bekimit të fëmijëve të Perëndisë. Nëpërmjet priftërisë, Perëndia autorizoi njerëzit e Tij që të shpërndanin mesazhin e ungjillit dhe të kryenin ordinancat e shenjta si pjesë e adhurimit të tyre. Kurdoherë që Perëndia ka thirrur profetë, Ai i ka udhëzuar nëpërmjet zbulesës hyjnore dhe u ka dhënë atyre fuqinë dhe autoritetin e priftërisë.
Sot, çdo anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka privilegjin e marrjes së bekimeve që lidhen me priftërinë e Perëndisë. Nëpërmjet priftërisë, ne mund të marrim pagëzimin, konfirmimin dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë, ordinancat në tempull e shumë më tepër. Nëpërmjet ordinancave të priftërisë, “fuqia e perëndishmërisë manifestohet” (Doktrina e Besëlidhje 84:20), duke na përgatitur që të bëhemi më shumë si Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti.
Gjëra për t’i menduar
-
Marrja dhe bërja e besëlidhjeve që lidhen me ordinancat e priftërisë, krijon një lidhje të rëndësishme shpirtërore midis jush dhe Perëndisë. Plaku Dejll G. Renland dha mësim: “Mbajtja e besëlidhjeve të bëra në vaskat e pagëzimit dhe në tempuj na jep forcë … për t’iu bërë ballë sprovave dhe pikëllimeve të vdekshmërisë. Doktrina e shoqëruar me këto besëlidhje na e lehtëson udhën dhe na jep shpresë, ngushëllim dhe paqe.” Çfarë do të bëni ju, për të bërë e për të mbajtur besëlidhjet në dispozicionin tuaj nëpërmjet priftërisë? Si mund t’i përkrahni të tjerët dhe t’i ndihmoni që të bëjnë besëlidhje me Perëndinë?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Ftojini pjesëtarët e grupit tuaj që të lexojnë thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson:
“Për shkak se Priftëria Melkizedeke është rivendosur, gratë si edhe burrat që i mbajnë besëlidhjet, kanë të drejtë të përdorin ‘të gjitha bekime[t] shpirtërore të kishës’ [Doktrina e Besëlidhje 107:18] ose, mund të themi, të gjitha thesaret shpirtërore që Zoti i ka për fëmijët e Tij.
Çdo grua e çdo burrë që bën besëlidhje me Perëndinë dhe i mban ato besëlidhje, dhe që merr pjesë me denjësi në ordinancat e priftërisë, ka të drejtë përdorimi të drejtpërdrejtë të fuqisë së Perëndisë. Ata që e marrin dhurimin në shtëpinë e Zotit, marrin një dhuratë të fuqisë së priftërisë së Perëndisë në saje të besëlidhjes së tyre, së bashku me një dhuratë të njohurisë për të ditur se si të mbështeten tek ajo fuqi.”
Cilat janë disa prej “thesare[ve] shpirtërore” ose bekimeve që keni marrë nëpërmjet marrjes së ordinancave dhe bërjes e mbajtjes së besëlidhjeve?
Mësoni më shumë
-
Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Besëlidhje”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
-
Xhefri R. Holland, “Tipari Ynë Më Dallues”, Liahona, maj 2005, f. 43–45; Konferenca e Përgjithshme, prill 2005; f. 51–54
-
“Kapitulli 5: Priftëria e Shenjtë – për Bekimin e Fëmijëve të Perëndisë”, Mësimet e Presidentëve të Kishës: Xhorxh Albert Smith (2011), f. 45–54.
Pjesa 2
Gjon Pagëzori i Ringjallur ua Rivendosi Priftërinë Aarone Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit
Zoti ka përgatitur një mënyrë të rregullt për shpërndarjen e autoritetit të priftërisë së Tij. Burrat nuk mund ta marrin vetë këtë autoritet (shihni te Hebrenjve 5:4). Vetëm ata që mbajnë priftërinë, mund të shugurojnë burra të tjerë dhe mund ta bëjnë këtë vetëm kur autorizohen nga ata që mbajnë çelësat për atë shugurim (shihni te Nenet e Besimit 1:5).
Ndërkohë që përkthenin Librin e Mormonit, Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri u ndeshën me fragmente rreth pagëzimit. Jozefi dhe Oliveri patën pyetje rreth tij (shihni te Joseph Smith – Historia 1:68) dhe vendosën që të pyesnin Zotin. Ata shkuan në pyll që të luteshin dhe në përgjigje të lutjes së tyre, Gjon Pagëzori iu shfaq atyre dhe iu dha autoritetin e priftërisë me anë të vënies së duarve (shihni te Doktrina e Besëlidhje 13). Ai i udhëzoi ata që të pagëzonin njëri‑tjetrin dhe ta shuguronin njëri‑tjetrin në priftëri (shihni te Joseph Smith – Historia 1:68–72).
Gjëra për t’i menduar
-
I riu Jozef Smith pati pyetje rreth mësimeve fetare të kohës së tij. Për të kërkuar udhërrëfim, ai iu drejtua Perëndisë në lutje dhe u vizitua nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Lexoni te Joseph Smith – Historia 1:17–20. Si ju ndihmon ky fragment që të kuptoni më mirë se përse ishte e nevojshme rivendosja e priftërisë?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Me anëtarët e grupit tuaj shikoni materialin filmik “Restoration of the Priesthood” [“Rivendosja e Priftërisë”] (2:00), duke dëgjuar bekimet që vijnë në jetën tonë për shkak të rivendosjes së Priftërisë Aarone. Si mund t’i marrim më tërësisht në jetën tonë bekimet e Priftërisë Aarone?
Mësoni më shumë
-
“Rivendosja e Plotësisë së Ungjillit të Jezu Krishtit: Një Proklamatë në Dyqindvjetor drejtuar Botës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
-
Church History Topics [Temat e Historisë së Kishës], “Restoration of the Aarone Priesthood” [“Rivendosja e Priftërisë Aarone”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
-
“Days Never to Be Forgotten”, The Priesthood Restored: A Joseph Smith Papers Podcast, josephsmithpapers.org
Pjesa 3
Priftëria Melkizedeke iu Rivendos Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit nga Lajmëtarët Qiellorë Pjetri, Jakobi dhe Gjoni
Brenda një muaji nga vizita e Gjon Pagëzorit, lajmëtarë të tjerë qiellorë erdhën te Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri. Këtë herë, Apostujt e Dhiatës së Re, Pjetri, Jakobi dhe Gjoni iu dhanë Jozefit dhe Oliverit Priftërinë Melkizedeke dhe çelësat e mbretërisë së Perëndisë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 27:12–13; 128:20). Ndërkohë që Priftëria Aarone iu dha Jozefit dhe Oliverit autoritetin për të pagëzuar, Priftëria Melkizedeke iu dha atyre autoritetin për të kryesuar në Kishë dhe për të kryer të gjitha ordinancat e nevojshme për të marrë shpëtim dhe ekzaltim.
Më vonë, Jozef Smithit dhe udhëheqësve të tjerë të Kishës iu dhanë çelësa shtesë të priftërisë ose autoriteti për të mbikëqyrur e drejtuar pjesë të caktuara të Kishës dhe të misionit të saj. Në Tempullin e Kirtlandit, lajmëtarë të tjerë qiellorë – Moisiu, Eliasi dhe Elija – dhanë çelësat e mbledhjes së Izraelit, të periudhës ungjillore të Abrahamit (që përfshin rivendosjen e besëlidhjes së Abrahamit) dhe çelësat e fuqisë vulosëse (shihni te Doktrina e Besëlidhje 110:11–16).
Gjëra për t’i menduar
-
Çdo mbajtës i priftërisë mund ta gjurmojë autoritetin e tij deri te ngjarja e shenjtë e rivendosjes së priftërisë. Plaku Xhefri R. Holland shpjegoi: “Ne në Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit mund ta gjurmojmë linjën e autoritetit të priftërisë të ushtruar nga dhjaku më i ri në lagje, peshkopi që kryeson mbi të dhe profeti që kryeson mbi të gjithë ne. Ajo linjë shkon pas në një zinxhir të pashkëputur deri te shërbestarët engjëllorë që erdhën nga Vetë Biri i Perëndisë, duke e sjellë këtë dhuratë të pakrahasueshme nga qielli.” Linja e autoritetit të priftërisë së një burri mund të kërkohet në zyrat qendrore të Kishës.
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Si e keni ndier që ju është ndryshuar jeta pasi keni marrë një ordinancë të priftërisë? Ndërkohë që ju dhe pjesa tjetër e grupit e merrni parasysh këtë pyetje, lexojeni këtë thënie nga Joseph Smith – Historia 1:74: “Me mendjet tona të ndriçuara tashmë, ne filluam t’i kishim shkrimet e shenjta të qarta për të kuptuarin tonë dhe kuptimi e qëllimi i vërtetë i shumë prej pjesëve të tyre të mistershme na u zbulua në një mënyrë që ne kurrë nuk mund ta fitonim më parë, as kurrë më parë nuk kishim menduar për të”.
Mësoni më shumë
-
Gary E. Stevenson, “The Priesthood’s Vital Role in the Restoration”, Liahona, qershor 2020, f. 13–17
-
Church History Topics [Temat e Historisë së Kishës], “Restoration of the Melchizedek Priesthood” [“Rivendosja e Priftërisë Melkizedeke”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
-
“The Voice of Peter, James, and John”, The Priesthood Restored: A Joseph Smith Papers Podcast, josephsmithpapers.org