Mësime të Presidentëve
Kapitulli 5: Priftëria e Shenjtë – për Bekimin e Fëmijëve të Perëndisë


Kapitulli 5

Priftëria e Shenjtë – për Bekimin e Fëmijëve të Perëndisë

Priftëria është autoriteti i Perëndisë. Ata që mbajnë priftërinë, duhet të jenë të denjë dhe ta përdorin atë për të bekuar të tjerët.

Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit

Gjatë sesionit të priftërisë në konferencën e përgjithshme më 2 tetor 1948, Presidenti Xhorxh Albert Smith tha:

“Vras mendjen nganjëherë nëse ne si etër bëjmë përpjekje për t’ua shpjeguar djemve tanë seriozitetin e detyrimit që marrin kur një djalë bëhet dhjak. Vras mendjen nëse, kur djali shugurohet dhjak, babai e bën të ndiejë se tani ai ka diçka që është përjetësisht e rëndësishme. …

Më kujtohet sikur të ishte dje, kur Xhon Tingi më vuri duart mbi kokë dhe më shuguroi dhjak. Çështja m’u paraqit në atë mënyrë si dhe rëndësia e saj, që unë e ndjeva se ishte një nder i madh. Rezultati qe që ishte një bekim për mua dhe, pas njëfarë kohe, shugurime të tjera më erdhën. Por në çdo rast, ishte hedhur themeli në mendjen time se këtu kishte një mundësi për një bekim tjetër.”1

Në të njëjtën bisedë, Presidenti Smith dha mësim se një nga bekimet që vijnë nga shugurimi në priftëri, është mundësia për të bekuar jetën e të tjerëve. Si shembull, ai tregoi për një mbajtës ndikues priftërie – një mësues shtëpie – nga rinia e tij:

“Rodni Baxher qe mësues për shtëpinë e atit tim ndër vite dhe një burrë i shkëlqyer. Kurdoherë që vinte, familja mblidhej dhe ai ulej, dhe na bënte pyetje, dhe na tregonte gjëra që ai mendonte se ne duhej t’i kuptonim. Dhe dëshiroj t’ju tregoj se, kur vinte në shtëpinë tonë, ai sillte shpirtin e Zotit me vete. Dhe kur ai largohej, ne ndienim se kishim pasur një vizitë nga një shërbëtor i Zotit.”2

Presidenti Smith përfundoi duke shprehur dëshirën e tij që mbajtësit e priftërisë t’u shërbejnë anëtarëve të lagjeve e kunjeve të tyre dhe “të mos humbasin një mundësi për të ndihmuar që të lartësojnë moralisht dhe të zhvillojnë, dhe t’i sjellin [anëtarët] që të bëhen ajo çfarë Ati ynë do t’i bënte ata të ishin”3. [Shih sugjerimin 1 në faqen 52.]

Mësime të Xhorxh Albert Smithit

Jezu Krishti rivendosi autoritet hyjnor në tokë gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri.

Kur Shpëtimtari erdhi në meridianin e kohës, Ai e gjeti qytetin e shkëlqyer të Jeruzalemit të mbushur me ligësi. Banorët po jetonin në mënyrë të tillë që kishin humbur autoritetin hyjnor, kështu që [Perëndia] dërgoi Birin e Tij në tokë dhe nisi sërish një Kishë që zotëronte fuqi hyjnore. … Në prejardhjen e Tij ishin ata që ishin njerëz të mirë … dhe kishte të tjerë që ende po kryenin detyra në Priftëri, por ishte e domosdoshme që Shpëtimtari të vinte për të rivendosur autoritetin hyjnor. …

Kur filloi shërbesën, Ai nuk thirri në ndihmë të Tij mbretërit dhe sundimtarët, dhe priftërinjtë, dhe ata që kishin autoritet të lartë, por Ai thirri peshkatarët e përulur dhe përfundimi qe që Ai thirri rreth vetes njerëz që mund të merrnin mësim, dhe jo njerëz që nuk do ta besonin Atë. Ai organizoi një Kishë nën drejtimin e Atit tonë Qiellor. Ai u dha autoritet hyjnor shoqëruesve të Tij dhe i drejtoi për atë që duhej të bënin. … Ai kishte autoritet hyjnor dhe të drejtët e njohën Atë se ishte Biri i Perëndisë. Disa menduan se Ai ishte vetëm një burrë i mirë. Ne besojmë se Ai erdhi në tokë jo vetëm që t’u mësonte njerëzve se çfarë të bënin, por që t’u jepte shoqëruesve të Tij autoritetin hyjnor për të administruar ordinancat e Kishës së Tij. …

Në ditët e Shpëtimtarit, Ai qe autoriteti kryesues. Pas Tij në autoritet vinte një kuorum prej dymbëdhjetë burrash të zgjedhur prej Tij. Kur Ai ndërroi jetë, Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve, jo një numër burrash të zakonshëm që e quanin veten dishepuj, por një kuorum prej dymbëdhjetë burrash që zotëronin autoritet hyjnor dhe e kishin marrë atë nga Jezu Krishti, u bënë udhëheqja e Kishës.4 [Shih sugjerimin 2 në faqen 53.]

Priftëria u rivendos në kohën tonë nga burra që e mbanin atë në lashtësi.

Është e shënuar dhe dihet në qiell dhe në tokë se besimet dhe sektet fetare u shumëfishuan pasi [Jezu Krishti] la tokën dhe kishat u rritën në numër mbi tokë, derisa në kohën e Jozef Smithit, profetit tonë të dashur, kishte shumë sekte fetare. Kishte shumë burra që pretendonin se zotëronin autoritet hyjnor dhe mendoj se disa prej tyre mendonin se e kishin marrë atë. …

Kur erdhi koha dhe bota e kishte humbur autoritetin apo Priftërinë, Zoti thirri një djalosh të përulur dhe i dha atij një paraqitje qiellore dhe i foli atij, i tregoi atij se çfarë duhet të bënte, dhe dërgoi lajmëtarë të tjerë e qenie qiellore herë pas here, rrjedhim i së cilës qe organizimi i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe në atë Kishë u vendos autoriteti hyjnor. …

Kur Jozef Smithi qe një djalë i ri, Zoti e drejtoi atë të përkthente Librin e Mormonit. Në një rast kur Jozefi dhe Oliver Kaudri po përkthenin, Zoti dërgoi një qenie të shenjtë që t’u përgjigjej pyetjeve të tyre mbi pagëzimin. Cili ishte ai që erdhi? Gjon Pagëzori, që mbante Priftërinë Aarone. Nga erdhi ai? Ai erdhi nga qielli. … Ai iu shfaq Jozef Smithit dhe Oliver Kaudrit si një qenie e përlëvduar e ringjallur. Ai erdhi drejtpërsëdrejti nga Ati ynë Qiellor për t’u dhënë Priftërinë Aarone Jozefit dhe Oliverit, sepse ajo nuk gjendej në asnjë vend në të gjithë botën. Ishte e domosdoshme që qiejt të hapeshin dhe një burrë që kishte mbajtur Priftërinë dhe që ende e mbante atë, duhej të vinte dhe ta jepte atë.

Në vijim të asaj, Pjetri, Jakobi dhe Gjoni, të cilët mbanin Priftërinë Melkizedeke, ua dhanë atë Priftëri Jozefit e Oliverit dhe Zoti drejtoi organizimin e Kishës, me një Presidencë, që përbëhet nga një president dhe dy këshilltarë; gjithashtu me një Kuorum Dymbëdhjetë Apostujsh, një Patriark, Priftërinj të Lartë, Të Shtatëdhjetë, Pleq, Priftërinj, Mësues e Dhjakë; e njëjta lloj organizate që ekzistonte në kishën fillestare, për sa i përket autoritetit.5

I njëjti autoritet që pati [Jozef Smithi], u është dhënë bijve tuaj dhe atyre do t’u kërkohet nga Ati ynë në qiell që të shërbejnë në ordinancat e Ungjillit. Përgjegjësia që i erdhi Jozef Smithit, nuk humbi nga largimi e tij, ajo ka rënë mbi supet tanë. Ati ynë në qiell ka ngritur herë pas here ata që kanë pasur autoritetin për të folur në emrin e Tij, për të administruar në ordinancat e Ungjillit dhe për të bekuar fëmijët e njerëzve. Ata e kanë ndarë atë nder me ju dhe fëmijët tuaj.6

Jam mirënjohës që në këtë ditë dhe epokë Zoti e ka zbuluar Ungjillin sërish. Ati dhe Biri u shfaqën; burra që mbanin Priftërinë në fillim, erdhën dhe ua dhanë atë Priftëri burrave të përulur dhe ata nga ana e tyre, u urdhëruan t’ua jepnin atë të tjerëve. Kështu Ungjilli dhe Priftëria u bënë të disponueshme për të gjithë atë që kualifikohen për ta marrë atë, dhe kjo është mënyra e Zotit.7

Misioni juaj është një mision shumë i shquar, ju burra që mbani Priftërinë. Juve ju është dhënë autoritet hyjnor. Ju nuk e merrni të drejtën tuaj për të predikuar dhe për të dhënë mësim ungjillin, dhe për të kryer detyrë në ordinancat e tij si rrjedhim i përgatitjes në një kolegj apo universitet. Ju e morët autoritetin tuaj nga burra të mandatuar hyjnisht që të veprojnë si shërbëtorë të Zotit dhe u është dhënë juve nga ata që e morën atë drejpërsëdrejti nga Jezu Krishti, Zoti ynë.8 [Shih sugjerimin 3 në faqen 53.]

Fuqia dhe autoriteti i Perëndisë mund të gjenden vetëm në Kishën e Tij të vërtetë.

Mua më kanë pyetur disa njerëz: “Çfarë përfitimi sjell kisha juaj më shumë se disa kisha të tjera?” Unë jam përpjekur, me takt, t’u shpjegoj atyre ndryshimin. Çfarëdo organizate mund të mblidhet së bashku për adhurim, por kjo nuk u jep atyre autoritet hyjnor. Çfarëdo grupi kishash mund të mbajë meshë së bashku dhe të organizojë kisha të bashkuara. Kjo nuk jep autoritet hyjnor. Njerëzit mund të mblidhen për qëllime të mira, por autoriteti nga Ati ynë Qiellor merret vetëm sipas mënyrës së tij dhe mënyra e tij në ditët e mëparshme qe duke thirrur e shuguruar burra, dhe duke i veçuar ata për punën. E njëjta gjë është e vërtetë në kohën tonë. …

Njerëzve duhet t’u bëhet e ditur se thjesht përkulja përpara Zotit në lutje, nuk u jep atyre autoritet hyjnor. Të jetosh sipas kërkesave që janë bërë për ndershmëri, virtyt, të vërtetë etj., nuk u jep atyre autoritet hyjnor. … Nuk është e mjaftueshme që ne të lutemi, që ne të shkojmë në kishë. Është e domosdoshme që ne të zotërojmë autoritet hyjnor dhe është pretendimi se ne e zotërojmë atë autoritet, që ka sjellë mbi këtë Kishë shumë prej përndjekjes që e ka ndjekur atë që nga fillimi. Por kjo është e vërteta dhe shumë prej fëmijëve të Atit tonë po fillojnë ta vërejnë ndikimin e autoritetit hyjnor në këtë Kishë. Ata shohin zhvillimin që kryhet në jetën e burrave e të grave.9 [Shih sugjerimin 4 në faqen 53.]

Personalisht nuk dua që njerëzit të mendojnë se po gjej faj dhe po kritikoj njerëzit që u përkasin sekteve të ndryshme fetare të botës. Jam mirënjohës që ka në kaq shumë prej tyre burra të mirë e gra të mira, të cilët besojnë tek ai dhe me dritën se i kanë shërbyer Perëndisë; por mbetet fakti që Ati ynë ka themeluar në këtë botë, Kishën e tij. Ai u ka dhënë burrave në këtë kohë autoritetin e tij dhe nuk ka asnjë autoritet në botë që ai do ta njihte, përveç atij që Ai vetë ka krijuar.10 [Shih sugjerimin 5 në faqen 53.]

Ordinancat e priftërisë janë thelbësore që ne të hyjmë në mbretërinë çelestiale.

Nëse do të ishim si të gjitha sektet e tjera fetare, ne mund të kërkonim Zotin dhe të merrnim bekimet e tij, sepse çdo njeri që bën mirë në këtë botë, merr një bekim; ne mund të kishim të gjitha virtytet kryesore dhe t’i bënim tonat, por pa fuqinë e Perëndisë dhe autoritetin e Priftërisë së shenjtë, nuk është e mundur që njeriu të arrijë mbretërinë çelestiale.11

I vetmi plan që do të përgatisë njerëzit për mbretërinë Çelestiale, është plani që është dhënë nga Jezu Krishti, Zoti ynë; dhe i vetmi autoritet që do t’i kualifikojë njerëzit për të dhënë mësim e për të kryer detyra siç duhet në ordinancat e Ungjillit, është autoriteti i Jezu Krishtit, Zotit tonë.12

Jozef Smith i Riu u thirr nga Perëndia që të ishte Profeti i Tij dhe nëpërmjet tij u rivendos në tokë Priftëria e Shenjtë Melkizedeke, që është fuqia e Perëndisë deleguar njeriut për të vepruar në emrin e Tij. Nëpërmjet kësaj Priftërie, çdo ordinancë e Ungjillit të Zotit tonë, Jezu Krishtit, e domosdoshme për shpëtimin e fëmijëve të njeriut, administrohet me autoritet.13

Si do të ndikonte te ne nëse do të na duhej të ndaheshim nga autoriteti që Perëndia na ka dhënë? Do të thoshte se do të mbylleshin për ne dyert e mbretërisë çelestiale. Do të thoshte se bekimi kurorëzues, drejt të cilit më kanë mësuar të shoh që kur isha fëmijë, nuk do të realizohej. … Shoqërimi i njerëzve të mi të dashur, … që janë të shtrenjtë për mua pothuajse po aq sa vetë jeta, nuk do të mund të gëzohej në mbretërinë çelestiale.14

Priftëria … është një bekim që, nëse jemi besnikë, do të hapë dyert e mbretërisë çelestiale dhe do të na japë një vend atje për të jetuar nëpër epokat e përjetësisë. Mos luani me këtë bekim të paçmueshëm.15 [Shih sugjerimin 6 në faqen 53.]

Mbajtësit e priftërisë kanë përgjegjësi të jetojnë jetë shembullore dhe ta përdorin priftërinë për të bekuar të tjerët.

Sa e bukur është të kuptosh se burrat që janë të denjë, mund ta marrin priftërinë dhe, në autoritetin që u është dhënë atyre, të bëjnë kaq shumë gjëra që janë bekim për fëmijët e tjerë të Atit tonë.16

Ju nuk mund të shkoni jashtë në botë në çfarëdo Kishe tjetër ose në të gjitha Kishat e tjera dhe të gjeni … burra që mbajnë autoritet hyjnor. Mos e harroni këtë. Ju i përkisni një grupi të zgjedhur burrash … që u janë vënë duar mbi kokë dhe keni marrë autoritet hyjnor, duke ju bërë partnerë me Mjeshtrin e Qiellit dhe të Tokës. Kjo nuk do të thotë se ju nuk mund të qeshni, të buzëqeshni e ta shijoni jetën, por dua të them se duhet të jetë thellë në çdo shpirt një ndërgjegjësim se “unë jam rojtari i vëllait tim. Unë mbaj autoritet nga Zoti Jezu Krisht – unë jam një mbajtës i Priftërisë së Shenjtë.” Nëse do ta bëjmë këtë, nuk do të gjendemi duke luajtur me gjërat e shenjta, siç kanë bërë disa në të shkuarën.17

Fakti se mbajnë Priftërinë do të jetë një dënim për shumë burra, për shkak të mënyrës se si e kanë trajtuar ata atë, duke e konsideruar sikur të ishte diçka shumë e zakonshme.18

Disa burra mendojnë se, meqë ata mbajnë Priftërinë, kjo u jep atyre një mënyrë të veçantë se si mund të sillen në shtëpitë e tyre. Dëshiroj t’ju them se ju burra që mbani Priftërinë, nuk do të hyni kurrë në Mbretërinë Çelestiale, nëse nuk nderoni bashkëshortet tuaja e familjet tuaja, dhe t’i përgatitni ato, dhe t’u jepni atyre bekimet që dëshironi për vete.19

Autoriteti i Atit tonë Qiellor është mbi tokë për bekimin e njerëzimit, jo për t’i bërë ata që e marrin atë autoritet, arrogantë, por për t’i bërë ata të përulur; jo për t’i bërë ata që kanë marrë privilegje të veçanta, që të ndihen se janë më të mëdhenj se të tjerët, por për të na bërë të përulur në shpirtrat tanë, plot lutje në zemrat tona dhe që të marrim parasysh të gjithë njerëzit në gjithçka që bëjmë, duke u bërë shembull kështu me jetë të drejta, i asaj që Ati ynë Qiellor dëshiron që të japim mësim.20

Të qenit anëtar i Kishës dhe mbajtja e Priftërisë nuk do të na çojnë asgjëkundi nëse nuk jemi të denjë. Zoti ka thënë se çdo bekim që dëshirojmë, është me anë të bindjes ndaj urdhërimeve të Tij. Ne mund të mashtrojmë fqinjët tanë dhe mund të mashtrojmë veten me idenë se po bëjmë gjithçka mirë, por nëse nuk mbajmë urdhërimet e Atit tonë Qiellor, nëse nuk e mbajmë denjësisht këtë Priftëri të shenjtë që është kaq e çmueshme, ne nuk do ta gjejmë vendin tonë në mbretërinë çelestiale.21

Juve vëllezër … ju është dhënë një mundësi e shenjtë, një detyrë e shenjtë. Ju keni marrë bekimet e Priftërisë së shenjtë. Juve ju është dhënë autoritet hyjnor dhe, me atë autoritet atje, ka ardhur përgjegjësia e ngritjes së zërit tuaj dhe e të jetuarit të jetës suaj në atë mënyrë që njerëzit e botës të mund të dallojnë ndryshimin mes Ungjillit të Jezu Krishtit dhe organizatave të tjera të botës.22

Kudo që të shkoni, mbani në mendje faktin se ju përfaqësoni atë që është autori i qenies sonë. Priftëria që ju mbani, nuk është priftëria e Jozef Smithit, ose e Brigam Jangut, ose e çfarëdo burri tjetër që është thirrur në udhëheqje të Kishës në vend ose jashtë tij. Priftëria që ju mbani, është fuqia e Priftërisë, e dhënë juve që nga lart. Qenie të shenjta janë dërguar në tokë … me qëllim që të vendosin atë bekim të lavdishëm që ishte humbur në tokë për qindra vite. Sigurisht që ne duhet të jemi mirënjohës për bekimet tona.23

Unë lutem që Zoti do të na bekojë ne të gjithëve, që ne do të jemi të denjë për të mbajtur priftërinë që Ai na ka ofruar dhe na ka dhënë, që kudo që të shkojmë, njerëzit të mund të thonë: “Ai njeri është një shërbëtor i Zotit”24. [Shih sugjerimin 7 në faqen 53.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet v–vii.

  1. Mendoni mbi përvojat që përshkruan Presidenti Smith në faqet 45–46. Çfarë mund të bëjmë që të ndihmojmë të rinjtë që të përgatiten për t’u shuguruar në detyra priftërie? Çfarë mund të bëjmë që të ndihmojmë të rejat që të kuptojnë rëndësinë e fuqisë së priftërisë në jetën e tyre? Përse është e rëndësishme që burrat e gratë të mësojnë mbi priftërinë?

  2. Përse qe “e domosdoshme që Shpëtimtari të … rivendos[te] autoritetin hyjnor” (faqe 46) gjatë shërbesës së Tij tokësore, përveç që të jepte mësim ungjillin?

  3. Lexoni faqen 48 deri në mbarim të seksionit, në faqen 49. Si mendoni ju, përse Zoti e bën të disponueshëm autoritetin e Tij për të gjithë burrat e denjë në vend që ta kufizojë atë tek disa burra me edukim zyrtar?

  4. Presidenti Smith foli për “zhvillimin që kryhet në jetën e burrave e të grave” për shkak të priftërisë ( faqe 49). Çfarë kuptimi ka për ju kjo deklaratë? Çfarë mund të bëni ju për të ushqyer fuqinë dhe ndikimin e priftërisë në jetën tuaj?

  5. Ndërsa shihni sërish seksionin që fillon në faqen 49, mendoni se si do të përgjigjeshit ju nëse dikush do t’ju bënte pyetjen që iu drejtua Presidentit Smith: “Çfarë përfitimi sjell kisha juaj më shumë se disa kisha të tjera?”

  6. Studioni seksionin që fillon në faqen 50. Cilat janë disa prej “bekimeve të paçmueshme” që keni marrë për shkak të priftërisë?

  7. Ndërsa studioni seksionin e fundit të mësimeve (faqet 51–52), kërkoni përgjegjësitë që Presidenti Smith thotë se vijnë me priftërinë. Çfarë mund të bëjnë anëtarët e kuorumit të priftërisë për të mbështetur njëri-tjetrin në përgjegjësitë e tyre? Si mund të ndihmojnë gratë mbajtësit e priftërisë që të qëndrojnë të vërtetë ndaj këtyre përgjegjësive? Çfarë mund të bëjnë mbajtësit e priftërisë për të mbështetur gratë në rolet e tyre hyjnore?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Gjoni 15:16; Alma 13:1–3, 6–10; Doktrina e Besëlidhje 84:19–22; Joseph Smith—Historia 1:68–72; Nenet e Besimit 1:5

Ndihmë për mësimdhënien: “Jepni dëshmi kurdoherë që Shpirti ju nxit ta bëni këtë, jo vetëm në fund të çdo mësimi. Krijoni mundësi për ata që u jepni mësim që të japin dëshmitë e tyre” (Teaching, No Greater Call [Mësimdhënia S’Ka Thirrje më të Madhe], f. 45).

Shënime

  1. Në Conference Report, tetor 1948, f. 180–181.

  2. Në Conference Report, tetor 1948, f. 186.

  3. Në Conference Report, tetor 1948, f. 190.

  4. “The Church with Divine Authority”, Deseret News, 28 shtator 1946, Church section, f. 6.

  5. “The Church with Divine Authority”, f. 6.

  6. Në Conference Report, prill 1904, f. 64.

  7. Në Conference Report, prill 1934, f. 28–29.

  8. Në Conference Report, prill 1927, f. 83.

  9. Në Conference Report, prill 1934, f. 28–29.

  10. Në Conference Report, prill 1917, f. 37–38.

  11. Në Conference Report, tetor 1926, f. 106.

  12. Në Conference Report, prill 1934, f. 30.

  13. “Message to Sunday School Teachers”, Instructor, nëntor 1946, f. 501.

  14. Në Conference Report, prill 1925, f. 65.

  15. Në Conference Report, prill 1949, f. 191–192.

  16. Në Conference Report, tetor 1950, f. 6.

  17. Seventies and stake missionary conference, 4 tetor 1941, f. 7.

  18. Në Conference Report, prill 1948, f. 184.

  19. Në Conference Report, prill 1948, f. 184.

  20. Në Conference Report, tetor 1928, f. 94.

  21. Në Conference Report, prill 1943, f. 91–92.

  22. Në Conference Report, tetor 1933, f. 25.

  23. Në Conference Report, tetor 1945, f. 118.

  24. Në Conference Report, tetor 1950, f. 182.

“Vras mendjen nëse, kur [një] djalë shugurohet dhjak, babai e bën të ndiejë se tani ai ka diçka që është përjetësisht e rëndësishme.”

“Burra që mbanin Priftërinë në fillim, erdhën dhe ua dhanë atë Priftëri burrave të përulur.”