Kapitulli 4
Profeti Jozef Smith, Mjet i Perëndisë në Rivendosjen e së Vërtetës
Përmes Profetit Jozef Smith, Perëndia rivendosi ungjillin e Jezu Krishtit në pastërti.
Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit
Pranë përvjetorit të 100-të të lindjes së Profetit Jozef Smith, Plaku Xhorxh Albert Smith udhëtoi me Presidentin Jozef F. Smith dhe të tjerë për të vizituar vende me rëndësi në jetën e Profetit. Në mëngjesin e 23 dhjetorit 1905, një monument kushtuar Jozef Smithit u përkushtua te vendi i lindjes së tij e tij në Vermont. Ishte përjetim emocionues për Xhorxh Albert Smithin dhe pjesëtarët në shoqërinë e tij, të ndodheshe në një vend me domethënie të tillë në Rivendosjen e ungjillit. “Lotët na rridhnin lirshëm”, rikujtonte ai. “Nën ndikimin e Shpirtit, çdo shpirt njerëzor u përul, çdo zemër u shkri dhe ne gëzuam për bekimet e Atit tonë Qiellor.”1 Xhorxh Albert Smithit i kërkuan të jepte bekimin e mbylljes te shërbesat përkushtuese. Pas një përmbledhjeje të ditës në ditarin e tij, ai shkroi: “Kështu përfundoi një nga ditët më të shënuara të jetës sime. Jam mirënjohës që isha një nga pak njerëzit tanë që patën dorë në punën e porsapërfunduar.”2
Më pas ata shkuan te vendi i Vegimit të Parë, në Palmira të Nju-Jorkut. Plaku Smith rikujtoi: “Shkuam në korijen ku Jozefi u përkul në gjunjë dhe i kërkoi Perëndisë ta vinte në dijeni se me cilën kishë duhej të bashkohej. Ne patëm mbresën për të kënduar, në atë vend të shenjtëruar, himnin … e mrekullueshëm ‘Lutja e Parë e Jozef Smithit’.”3
Pasi vizituam Kodrën Kumorah, Tempullin e Kirtlandit dhe vende të tjera që lidhen me misionin e Profetit, shoqëria u ftua së bashku nga Presidenti Jozef F. Smith në mbrëmjen e fundit të udhëtimit. “Pasi kënduam disa nga këngët e Sionit, çdo pjesëmarrës u lejua të dëshmojë për mirësinë dhe mëshirën e Atit tonë për ne. Shpirti i Zotit u derdh mbi ne dhe ne lëshuam lot gëzimi e lumturie.”4 [Shih sugjerimin 1 në faqen 42.]
Disa vjet më vonë, ndërkohë që Xhorxh Albert Smithi shërbente si President i Kishës, u botuan disa libra që orvateshin të përgojonin Jozef Smithin. Në konferencën e përgjithshme të Kishës, Presidenti Smith mbrojti me guxim Profetin, duke dhënë dëshmi për misionin e tij me këto fjalë:
“Shumë nga të mirat dhe bekimet që më kanë ardhur mua, kanë ardhur përmes atij njeriu i cili dha jetën e tij për ungjillin e Jezu Krishtit. Kanë qenë disa të cilët i kanë ulur vlerat e tij, por do të dëshiroja të them se ata që kanë vepruar ashtu, do të harrohen dhe mbetjet e tyre do t’i kthehen tokës mëmë, nëse nuk i janë kthyer tashmë, dhe aroma e turpit të tyre nuk do të shuhet kurrë, ndërsa lavdia, nderi, madhështia, guximi dhe besnikëria që u shfaqën nga Profeti Jozef Smith, do t’i bashkëngjiten emrit të tij përgjithmonë.”5
Plakut Harold B. Li, atë kohë pjesëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i la aq shumë mbresë ky deklarim, saqë mbante në kuletë një kopje të saj dhe e citonte shpesh, duke dashur që fjalët e Presidentit Smith “të mund të dëgjoheshin në të gjitha skajet e tokës”6.
Mësime të Xhorxh Albert Smithit
Vegimi i Parë i Jozef Smithit provoi se qiejt nuk janë vulosur.
Ne besojmë që Ati ynë Qiellor ka folur në vetë kohën tonë … , që ai e dëgjoi lutjen e përulur të një të riu në Palmira e iu përgjigj lutjes së tij dhe e bekoi me një njohje për personalitetin e tij, që të gjithë njerëzit të mund ta njohin Zotin, nëse dëshirojnë.
Ishte një gjë shumë e natyrshme që Jozef Smithi të kërkonte Zotin. Ai erdhi nga një … popull i cili besonte tek Ati ynë Qiellor, te misioni hyjnor i Shpëtimtarit, tek efektshmëria e lutjes dhe që Perëndia do ta dëgjonte e do t’i përgjigjej popullit të tij, nëse ata do t’i shkonin përpara me shpirtin e duhur. Ishte e lehtë për këtë të ri të besonte, sepse kishte lindur e qe rritur në një familje besimtare; dhe, kur shkoi te korija në përgjigje të vendimit të shkrimit të shenjtë (Jakobi 1:5 [Bibla]): “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet”, ai besonte që lutja e tij do të merrte përgjigje, dhe Ati ynë Qiellor u ka premtuar fëmijëve të tij që nga fillimi se “me anë të besimit të gjitha gjërat plotësohen”7.
Besimi i tij te Perëndia e udhëhoqi atë larg besimit të përgjithshëm të kohës së tij, që Bibla përmbante të gjithë zbulesën e mundshme që njerëzit duhet të merrnin dhe se qiejt ishin të vulosur mbi krye të tij. Ai iu lut Zotit dhe lutja e tij mori përgjigje. Ai vështroi Atin dhe Birin që zbrisnin në tokë, të rrethuar me dritë të lavdishme. Ai mori një dije të padiskutueshme se ata kishin tabernakuj [trupa fizikë] porsi njerëzit dhe se ishin personazhe prej lënde; ata i folën dhe ai u dëgjoi zërat.8
Rezultati [i lutjes së Jozefit] ishte ajo shfaqje e mrekullueshme, ndryshe nga çdo tjetër që kemi dëgjuar ndonjëherë në historinë e botës. Ne kemi dëgjuar për raste ku Ati ynë Qiellor ka shfaqur veten; kemi dëgjuar për raste ku Shëlbuesi i njerëzimit ka shfaqur veten; por ne nuk kemi dëgjuar asnjëherë për ndonjë rast ku Ati dhe Biri t’i shfaqeshin më përpara ndonjë qenieje të gjallë dhe t’i kenë folur atij individi.
Njerëzit e botës nuk e besojnë këtë. Burrave dhe grave u qe mësuar se qiejt janë vulosur … dhe, kur ky i ri shpalli se në kohën tonë, pikërisht në kohën kur drita na nevojitej më shumë nga gjithçka, kur burra e gra po rendnin nga një vend në një tjetër për fjalën e Perëndisë e nuk mund ta gjenin, sikurse u parashikua nga profetët e lashtë [shih Amosi 8:11–12], Zoti kishte shfaqur veten, atë [Jozefin] e tallën. … Deklarimi i tij u hodh poshtë dhe ata që duhej të ishin miq të tij, iu larguan e madje thanë që kjo ishte nga i ligu. Cila qe dëshmia e djalit?
“… Unë kisha parë me të vërtetë një dritë dhe në mes të asaj drite pashë dy Personazhe dhe ata me të vërtetë më folën; edhe pse urrehesha dhe përndiqesha, sepse kisha thënë se kisha parë një vegim, përsëri ai ishte i vërtetë; dhe ndërsa ata më përndiqnin, më tallnin dhe flisnin në çfarëdo mënyre të ligë kundër meje pa të drejtë, ngaqë kisha thënë kështu, unë u nxita të them në zemrën time: Përse më përndiqni ngaqë them të vërtetën? Unë me të vërtetë e kam parë një vegim; dhe kush jam unë që mund t’i bëj ballë Perëndisë, ose përse bota mendon të më bëjë ta mohoj atë që kam parë me të vërtetë? Sepse unë kisha parë një vegim; unë e dija atë dhe e dija se Perëndia e dinte atë dhe nuk mund ta mohoja, as nuk guxoja ta bëja atë; të paktën e dija se duke e bërë këtë, do ta fyeja Perëndinë dhe do të isha nën dënim.” [Shih Joseph Smith – Historia 1:25.]9
Në vitin1830, kur qe organizuar kjo Kishë, nuk kishte mbi tokë një organizim të një kishe që të shpallte se besonte që Perëndia do t’ua zbulonte veten fëmijëve të njerëzve. Mësimet e kishave ishin krejtësisht në kundërshtim me këtë dhe Ati ynë pa që ishte e kotë të përpiqej për të shpëtuar bijtë dhe bijat e tij, derisa ata të frymëzoheshin për të shkuar drejt tij me besimin se ai do t’ua dëgjonte e do t’u përgjigjej lutjeve të tyre. Kur profeti djalosh, në korijen e Palmirës, e pa Atin dhe Birin dhe kuptoi që ishin me të vërtetë persona, që ata mund ta dëgjonin e t’i përgjigjeshin asaj që kishte thënë, kjo nisi një erë të re në këtë botë dhe vuri një themel për besimin e fëmijëve të njerëzve. Ata tani mund t’i luteshin Atit tonë në qiell e të ishin të vetëdijshëm që ai mund t’ua dëgjonte e t’u përgjigjej lutjeve të tyre, që kishte një lidhje ndërmjet qiellit dhe tokës.10 [Shih sugjerimin 2 në faqen 42.]
Megjithëse i ri e i papërvojë, Jozef Smithi u thirr të rivendoste Kishën e vërtetë të Jezu Krishtit.
Besimi e nxiti Jozefin të kërkonte Perëndinë me lutje e të pyeste se me cilën kishë duhej të identifikohej. Cila ishte përgjigjja? A tha Zoti: “Biri im, janë të gjitha të mira, të gjitha po përpiqen të zbatojnë urdhërimet e mia, njerëzit udhëheqës të të gjitha këtyre kishave janë të miratuar nga unë, cilado kishë mjafton, të gjitha do të të çojnë përsëri në praninë e Atit Qiellor?” Djali mund ta kishte pritur një përgjigje të tillë nga kushtet që ekzistonin. Por ai deshi të dinte se çfarë të bënte dhe kishte plot besim se Zoti do t’ia thoshte. Prandaj, kur u lut, ai pyeti se me cilën nga kishat duhej të bashkohej dhe them se ai u habit kur [iu tha]: “Mos u bashko me asnjë prej tyre; ata u mësojnë për doktrinë urdhërimet e njerëzve; ata më afrohen me gojë, por zemrat i kanë larg prej meje; ata kanë një formë shenjtërie, por e mohojnë fuqinë e saj”. [Shih Joseph Smith – Historia 1:19.] Mendoni për një djalë katërmbëdhjetëvjeçar të ngrihet nga qëndrimi gjunjazi në korijen pranë shtëpisë dhe t’i njoftojë botës një mesazh si ky! A mundeni të përfytyroni që një i ri do të kishte guxuar të bënte një gjë të tillë si kjo? Mirëpo, me dëshminë që i qe dhënë nga Ati i tij Qiellor, me atë urdhërim nga vetë Zoti, a guxoi ai të bënte tjetër gjë, sesa të jepte njoftimin që Zoti i kishte thënë?11
Jozef Smithi ishte veçse djalë kur duart e Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit iu vunë mbi krye dhe u shugurua te Priftëria Melkizedeke – ai dhe Oliver Kaudri. Pak më vonë Jozef Smithi u udhëzua të organizonte një Kishë. Ishte veçse djalë i ri, por ai e organizoi atë nën drejtimin e Shëlbuesit të njerëzimit. Dhe ajo është bërë sipas modelit të Kishës që u organizua nga Shpëtimtari kur ishte mbi tokë. Nuk kam asnjë dyshim se ishin të shumtë ata që e shihnin këtë të ri si person të lartësuar papritur dhe që e mendonin si qesharake që dikush i cili nuk ishte arsimuar për t’u bërë udhëheqës, t’i lejonte vetes të udhëhiqte. Por ai ishte si shërbëtorët e tjerë të Atit tonë Qiellor që kanë jetuar mbi tokë, të cilët qenë thirrur nga Zoti për të kryer një punë të veçantë, dhe mungesa e njohurisë për sa i përket gjërave të kësaj bote, nuk e pengonte mundësinë që Zoti t’i jepte atij informacion që e bënte të barabartë e madje sipëror në shumë drejtime ndaj atyre që kishin zotëruar mundësi të mëdha tokësore, të cilat atij iu mohuan.12
Ndonëse keqtrajtuar dhe paraqitur shtrembër, përçmuar prej atyre që duhej të kishin qenë miq të tij, kundërshtuar nga njerëz të ditur e të shkolluar të kohës, ai ia doli në rivendosjen e Ungjillit të jetës e të shpëtimit dhe në ngritjen e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Ndërkohë që fuqitë e të ligut ishin gjithnjë aktive për asgjësimin e tij, ai u ruajt nga Zoti derisa puna e tij përfundoi dhe të gjitha çelësat dhe ordinancat e nevojshme për shpëtimin e familjes njerëzore t’u ishin dorëzuar sërish njerëzve.13 [Shih sugjerimin 3 në faqet 42–43.]
Të vërtetat e rivendosura nëpërmjet Jozef Smithit u sjellin paqe dhe gëzim atyre që i pranojnë.
Prej atij djali i cili, në moshën katërmbëdhjetëvjeçare, pa Atin dhe Birin, erdhi ai mesazh i mrekullueshëm që Ati ynë në qiell dhe Biri i tij Jezu Krishti janë njerëz të përlëvduar; që Shpëtimtari i botës ishte ringjallur prej të vdekurve. Ai i ri pa atë që bota e kishte ditur, por për ndonjë arsye e kishte harruar, dhe ai filloi t’u jepte dëshmi për të fëmijëve të njerëzve.14
[Në fillim të viteve 1800] kishte pak njerëz në botë të cilët besonin te një Perëndi person me trup. Por një shfaqje i erdhi në atë kohë Profetit Jozef Smith, kur ishte veçse një djalë, ende as pesëmbëdhjetëvjeçar, dhe ai pa Atin dhe Birin e ashtu dëshmoi. Ai gjithashtu pati vizita nga qenie të tjera qiellore dhe, Zoti, i dha përmes tyre informacion shtesë për fëmijët e njerëzve dhe, ai, në mënyrën e vet, na dha neve, apo atyre që na kanë paraprirë neve në Kishë, një vetëdije për qëllimin e jetës. … Përshkrimi i tij i qiellit na frymëzon me një dëshirë që të jemi të denjë për një shtëpi atje, kur jeta jonë tokësore të mbarojë. Ringjallja e mirëfilltë dhe përshkrimi i qiellit e i ferrit janë bërë aq të thjeshta, sa, për të përdorur një shkrim të shenjtë, “edhe mendjeshkurtri nuk do të mund të gabojë”. [Shih Isaia 35:8.]15
Nëpërmjet tij u zbulua ndërtimi i tempullit, përjetësia e besëlidhjes së martesës dhe shpëtimi për të vdekurit, duke u sjellë gëzim të papërshkrueshëm mijëra fëmijëve të Atit tonë.
Të vërtetat e përjetshme të shqiptuara prej tij, po gjejnë rrugën e tyre mes popujve të tokës, duke u sjellë paqe dhe kënaqësi atyre që i pranojnë ato.16
Ati ynë qiellor e dinte se çfarë po vinte, kur në këtë kohë të mëvonshme ai rivendosi ungjillin në pastërti. Ai e dinte braktisjen në botë mes fëmijëve të tij dhe që ata ishin larguar nga e vërteta e thjeshtë dhe, në mëshirën e tij të madhe, ai zbuloi këtë punë të ditëve të mëvonshme. Ai zgjodhi nga vendi një djalë nga mesi popullit dhe e frymëzoi të fillonte punën që ishte e paracaktuar për të revolucionarizuar botën fetare. Ai e dinte që bota po endej kuturu në terr dhe, në mëshirë, e rivendosi dritën. Nuk ka mënyrë tjetër që fëmijët e njerëzve të gëzojnë lumturinë, veç me anë të jetës së drejtë dhe njerëzit nuk mund të jetojnë jetë të drejta e të mos jenë në harmoni me të vërtetën. Kishte shumë të vërtetë në botë, por ishte aq e përzier me gabim, saqë vetë Zoti i tha Jozef Smithit se njerëzit që ishin mësues dhe drejtues në kisha, u mësonin për doktrinë urdhërimet e njerëzve dhe e paralajmëroi djalin që ai nuk duhej të identifikohej me ta. Ai më pas rivendosi ungjillin, fuqinë e Perëndisë për shpëtim, për të gjithë ata që do të besojnë e do t’i binden atij.17
U them të gjithë njerëzve kudo, shqyrtojini mësimet e Ungjillit të Zotit tonë siç iu zbuluan Profetit Jozef Smith, hetojini me ndihmën e lutjes dhe ju do të gjeni ilaçin e përgjithshëm për sëmundjet e kësaj bote dhe ai nuk do të zbulohet në asnjë mënyrë tjetër.18 [Shih sugjerimin 4 në faqen 43.]
Jozef Smithi ishte i gatshëm të jepte jetën për dëshminë e tij.
Siç ka qenë rasti me profetë që Zoti kishte ngritur më parë, dukej e nevojshme në këtë rast që dëshmia e shërbëtorit të Tij të vulosej me gjakun e jetës së tij. Asnjë faqe më [prekëse] nuk do të gjendet në historinë e botës, se ajo mbi të cilën janë mbishkruar thëniet e fundit të Profetit tonë të dashur Jozef Smith. Ai e dinte se koha e tij ishte mjaft e afërt; ai e kuptonte që misioni i jetës së tij qe përmbushur. … Dhe, kur erdhi koha që të ishte ballë për ballë me vdekjen, ai tha: “Unë po shkoj si një qengj për t’u therur; por jam i qetë si një mëngjes vere. Kam një ndërgjegje të paqortueshme përpara Perëndisë dhe kundrejt gjithë njerëzve. Nëse ma marrin jetën, unë do të vdes i pafajshëm e gjaku im do të thërrasë nga toka për hakmarrje dhe do të thuhet përsëri për mua: ‘Ai u vra me gjak të ftohtë’.” [Shih DeB 135:4.]
Ai nuk kishte frikë të qëndronte para shufrës së këndshme … e të përgjigjej për veprat e bëra në trup. Ai nuk kishte frikë të përballej me akuzën që qe bërë kundër tij, që po mashtronte njerëzit e po sillej me ta padrejtësisht. Nuk kishte frikë për rezultatin e misionit të jetës së tij dhe për triumfin përfundimtar të veprës, të cilën ai e dinte se ishte me origjinë hyjnore dhe për të cilën dha jetën. Megjithatë, njerëzit e botës, ashtu si përpara, e gjykojnë këtë punë me shpirtin e njeriut. Ata nuk kanë Shpirtin e Perëndisë, i cili do t’i aftësonte për të kuptuar që ajo erdhi nga Ati në qiell.19
Ky i ri ishte aq i sigurt për zbulesën që kishte marrë dhe ishte aq i dëshiruar që fëmijët e Atit të tij, të gjithë ata, të dinin për të vërtetën, sa, që prej kohës kur mori fletët e Librit të Mormonit nga engjëlli Moroni, ia kushtoi tërë jetën e tij organizimit të Kishës dhe përhapjes të së vërtetës. … I digjej në shpirt një dije e atillë siç pati Stefani [shih Veprat e Apostujve 7:54–60], e atillë siç pati Shëlbuesi, që Ati ynë Qiellor ishte në timon, se ishte pikërisht puna e tij ajo që ishte mbi tokë, se ishte fuqia e tij që do të kishte përfundimisht kontrollin, se kjo jetë ishte vetëm një pjesë e përjetësisë. Ai qe i përgatitur të hiqte dorë nga një pjesë e jetës së tij të tokës, nëse nevojitej, në mënyrë që të mund të gëzonte përjetësisht shoqërinë që ai e donte aq sinqerisht dhe shoqërimin e burrave e të grave të mira të cilët kanë banuar e banojnë mbi tokë, dhe përsëri do të banojnë mbi tokë kur ajo të bëhet mbretëri çelestiale.20
Jozef Smithi na mësoi se e dinte që ka jetë përtej dhe se e dinte që Perëndia jetonte dhe se Perëndia e dinte që ai e dinte se Perëndia jetonte. Ai ishte i gatshëm të jepte jetën e tij, që juve, vëllezër e motra të mia, të mund t’ju forcohet dëshmia dhe që bindja juaj e brendshme në të, të mos mund të lëkundet. Ai e dinte qëllimin e jetës së tij. E dinte që ndodheshim këtu për t’u përgatitur për të ardhmen e për një ekzistencë më të lavdishme. Dhe ishte i gatshëm, nëse nevojitej, të jepte jetën e vet, jo thjesht që ta humbte, për dobinë tonë, por sepse dinte që Ati kishte thënë se ai që do ta shpëtonte jetën e tij, do ta humbte atë, por ai që do ta humbte jetën e tij për hir të Tij, do ta gjente atë, madje jetë të përjetshme [shih Mateu 16:25]. Ishte pikërisht kjo dije që ua bëri të mundur Profetit dhe Patriarkut të Kishës [Hajrëm Smith] në ditët e hershme të [linin pas] njerëzit e dashur, të burgoseshin dhe të jepnin gjithçka që kishin në këtë botë, që njerëzit mund ta japin për vëllezërit e tyre – jetën e tyre të vdekshme.21
Në vitin 1830 Kisha qe organizuar me gjashtë anëtarë. Kundërshtari i të gjithë drejtësisë ka kërkuar që nga ajo ditë e deri në të tashmen të pengojë përparimin e saj e ta shkatërrojë. Unë mrekullohem në rast se ai njeri i madh, Jozef Smithi, i cili dha jetën e tij që Kisha të mund të organizohej e të ecte më tej siç synonte Zoti, mund ta shohë Kishën siç ekziston ajo sot, me degët e saj të ngritura në të gjitha anët e botës, dhe kupton se çdo ditë, qëkurse ai u martirizua, qëkurse dha jetën e tij dhe e vulosi dëshminë me gjakun e tij, Kisha është bërë më e fortë se në ditën përpara.22 [Shih sugjerimin 5 në faqen 43.]
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet v–vii.
Mendoni për përvojat që përshkruan Presidenti Smith në tre paragrafët e parë të pjesës “Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit” (faqe 33–34). Cilat përvoja në jetë jua kanë forcuar dëshminë për Profetin Jozef Smith? Ndërsa e lexoni këtë kapitull, përcaktoni prej mësimeve të Presidentit Smith thënie që e forcojnë dëshminë tuaj dhe merrni parasysh t’ua tregoni pjesëtarëve të familjes, të kuorumit të priftërisë apo të Shoqatës së Ndihmës.
Shihni sërish seksionin e parë të mësimeve (faqe 34–36) dhe rishihni përshkrimin vetjak të Jozef Smithit për Vegimin e Parë (shih Joseph Smith – Historia 1:10–19). Si ka ndikuar Vegimi i Parë në besimin tuaj te Perëndia? Si e keni parë të ndikojë në besimin e të tjerëve?
Studiojeni seksionin që fillon në faqen 36 dhe lexoni Doktrina e Besëlidhjet 1:17–19. Çfarë mund të mësojmë mbi shërbimin në Kishë nga shembulli i Jozef Smithit? Mendoni një kohë kur ju dhanë një detyrë nga Zoti dhe ju nuk mendonit se i përmbushnit cilësitë. Në ç’mënyrë ju ndihmoi Zoti?
Cilat janë disa nga të vërtetat që zbuloi Zoti nëpërmjet Jozef Smithit? (Për disa shembuj të këtyre të vërtetave, shih seksionin që fillon në faqen 38.) Si ju është bekuar jeta ngaqë dini këto të vërteta?
Ndërsa e përsiatni paragrafin e fundit të mësimeve (faqe 42), mendoni se çfarë mund të bëni për të ndihmuar që Kisha të vazhdojë të bëhet më e fortë.
Shkrime të Shenjta Përkatëse: Isaia 29:13–14; 1 Korintasve 1:26–27; 2 Nefi 3:5–9, 11–15; Doktrina e Besëlidhjet 135
Ndihmë për mësimdhënien: “Për të frymëzuar diskutim, përdorni pyetjet në fund e kapitullit. … Gjithashtu mund të përpunonit pyetje vetjake posaçërisht për ata që po mësoni. Për shembull, mund t’i pyesni pjesëmarrësit si mund t’i zbatojnë mësimet e Presidentit Smith në përgjegjësitë e tyre si prindër ose si mësues shtëpie apo mësuese vizitore” (prej faqes vi të këtij libri).