Kapitulli 9
Hapjani Shpirtin Tuaj Zotit në Lutje
Përmes lutjes vetjake dhe familjare, ne mund të ndiejmë ndikimin e Atit Qiellor në jetën tonë dhe në shtëpitë tona.
Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit
Lutja qe një pjesë e rëndësishme e shtëpisë ku u rrit Xhorxh Albert Smithi. “Lutjeve në fshehtësi dhe familjare i kushtohej vëmendje nga secili anëtar i shtëpisë”, tha ai. “Mësova fare herët në jetë se Zoti i përgjigjej lutjeve sepse Ai iu përgjigj të mijave dhe në shumë mënyra Ai më dha prova të përkujdesjes së Tij syçelë.”1
Edhe vonë në jetën e tij, Presidenti Smith kujtonte me dashuri se si nëna e tij, Sara Far Smith, e mësoi të lutej:
“Unë u mësova te gjunjët e një nëne Shenjtore të Ditëve të Mëvonshme. Një nga gjërat e para, që kujtoj, qe kur ajo më mori për dore dhe më çoi sipër. Në dhomë kishte dy shtretër, shtrati ku flinin prindërit e mit dhe matanë një shtrat i vogël me rrota në anën tjetër. Mund ta kujtoj sikur të ishte dje. Kur u ngjitëm lart, ajo u ul pranë shtratit tim të vogël me rrota. Më bëri të gjunjëzohesha përballë saj. Ajo bashkoi duart e mia dhe i mori në të sajat dhe më mësoi lutjen time të parë. Kurrë nuk do ta harroj. Nuk dua ta harroj. Është një prej kujtimeve më të dashura që kam në jetë, një nënë engjëllore ulur ndanë shtratit tim dhe më mësoi të lutesha.
Qe një lutje kaq e thjeshtë, por … ajo lutje hapi për mua pragjet e qiellit. Ajo lutje shtriu drejt meje dorën e Atit tim në qiell, meqë ajo më pati shpjeguar gjithë domethënien e saj për aq sa mund të kuptonte një fëmijë i vogël. Nga ajo ditë deri më sot, ndërsa kam përshkuar afërsisht një milion kilometra në botë mes fëmijëve të tjerë të Atit tonë, çdo ditë dhe çdo natë, kudo ku kam qenë, kur kam shkuar në shtratin tim apo jam ngritur prej tij, kam ndier se isha pranë Atit tim Qiellor. Ai nuk është larg.”2
Gjatë jetës së tij, Presidenti Smith u mbështet te lutja jo vetëm si një mjet për t’iu afruar më pranë Perëndisë, por edhe për t’i kërkuar ndihmë Atij në kohë nevoje. Një ditë, kur po notonte në Oqeanin Paqësor, larg bregdetit të Kalifornisë, ai pati përvojën në vijim:
“Isha vlerësuar si një notar shumë i mirë dhe e pëlqeja në kulm sportin. Në këtë ditë të veçantë, batica qe shumë e lartë dhe shumë e shpejtë. Kur lashë bregun dhe notova në oqean, u zhyta përmes dallgëzimeve të mëdha ndërsa ato kulmonin dhe më spërkatnin. Synimi im qenë valëzimet e mëdha përtej dallgëve që thyheshin, ku mund të qëndroja me kurriz dhe të lëkundesha lart e poshtë mbi to.
Ndërsa po merresha me këtë sport tërheqës, një valë shumë gjigante u kulmua dhe u palos përpara, para se të mund ta zotëroja veten pas zhytjes nëpër dallgën e mëparshme. E dyta më kapi dhe më hodhi në fund të oqeanit. Mund ta ndieja tek zvarritesha prej rrymës së nënujshme. Në këtë kohë të veçantë, shumë valë erdhën në varg të shpejtë dhe nuk qeshë në gjendje ta zotëroja veten përpara se të më duhej të zhytesha nga njëra tek tjetra. Kuptova se forca po më linte me shpejtësi, që do të ishte e nevojshme për mua që të gjeja disa mjete ndihme. Tek u ngjita në kulm të një dallge gjigante, pashë shtyllat e një skele fare pranë dhe mendova se do të isha në gjendje ta shpëtoja jetën, nëse me përpjekje mbinjerëzore do të mund të arrija sigurinë e shtyllave.
Qetësisht i kërkova Atit tim Qiellor që të më jepte fuqinë për t’ia arritur qëllimit tim. Tek arrita një krah larg molit, u zgjata dhe hodha krahët përreth njërës prej shtyllave. Ato ishin mbuluar me guacka të mprehta e blu të errët dhe tek lëndova krahët e këmbët e mia rreth sigurisë së saj, ato m’i prenë kraharorin, këmbët dhe kofshët. U mbajta për aq sa mund ta duroja dhimbjen dhe ruajta [rastin] që një valë e madhe miqësore të vinte drejt meje që të hidhesha mbi të dhe të lëvizja drejt një shtylle më pranë bregut. Çdo herë, me një lutje në zemër, unë do të përpiqesha që të lëvizja nga një shtyllë te tjetra me ndihmën e valës ngritëse.
Ngadalë, por me siguri dhe vështirësi të madhe, ia dola mbanë deri në breg, ku uji ishte mjaftueshëm i cekët që të ecja drejt plazhit. Kur arrita sigurinë e rërës së ngrohtë, rashë, i rraskapitur. Isha aq i dobët, aq pothuaj i mbytur, saqë nuk qeshë në gjendje të ecja për në shtëpi, derisa pata pushuar për ca kohë. Shtrirë mbi rërën me ngrohtësinë e sigurinë e saj, mendova për përvojën pikëlluese që sapo kisha pësuar, dhe zemra m’u mbush me mirënjohje e përulësi që Zoti pati … kursyer jetën time.”3 [Shih sugjerimin 1 në faqen 99.]
Mësime të Xhorxh Albert Smithit
Lutja na mundëson që t’i flasim Atit tonë Qiellor sikur të ishte i pranishëm.
Është bekim i mrekullueshëm ai që gëzojmë në këto periudha tensioni dhe pasigurie, që të ndihemi të sigurt për udhëheqjen hyjnore, të kemi besim të plotë në një Perëndi vetjak, që interesohet për ne dhe që i dëgjon e u përgjigjet lutjeve tona.4
Disa vite më parë … dëgjova rreth [një] djali nëntëvjeçar, një jetimi, i cili u çua me nxitim në spital, ku ekzaminimi tregoi se duhej operuar pa u vonuar. Ai pati jetuar me miq që i kishin dhënë një vatër familjare. Babai dhe nëna e tij (kur qenë gjallë) i patën mësuar që të lutej; si rrjedhim, kur erdhi në spital, gjëja që donte ishte që të kishte ndihmën e Zotit.
Mjekët patën vendosur që të bënin një konsultë. Kur e çuan në sallën e operacionit, ai shikoi përreth dhe pa infermieret e mjekët që ishin konsultuar mbi çështjen e tij. Ai e dinte që qe serioze dhe i tha njërit prej tyre, teksa po përgatiteshin t’i bënin anestezinë: “Doktor, përpara se të filloni të operoni, a nuk do të luteni për mua, ju lutem?”
Mjeku, në dukje me siklet, kërkoi falje dhe tha: “Unë nuk mund të lutem për ty”. Pastaj, djali i kërkoi mjekëve të tjerë, me të njëjtin përfundim.
Në fund, ndodhi diçka tepër e mrekullueshme; ky djalë i vogël tha: “Nëse ju nuk mund të luteni për mua, ju lutem, a do të prisni ndërsa të lutem për veten?”
Ata hoqën çarçafin dhe ai u gjunjëzua mbi tavolinën e operacionit, përkuli kokën dhe tha: “Atë Qiellor, jam vetëm një djalë jetim. Jam jashtëzakonisht shumë i sëmurë. Të lutem, a do të më bësh [më] mirë? Bekoji këta njerëz që do të më operojnë që ta bëjnë siç duhet. Nëse do të më bësh [më] mirë, unë do të përpiqem që të rritem për t’u bërë njeri i mirë. Faleminderit, Atë Qiellor, që më bën [të jem] mirë.”
Kur mbaroi së luturi, ai u shtri. Sytë e mjekëve dhe infermierëve qenë mbushur me lot. Atëherë ai tha: “Jam gati”.
Operacioni u krye. Djalin e vogël e kthyen në dhomën e vet dhe, në pak ditë, e morën nga spitali, [në gjendje të] mirë drejt shërimit të plotë.
Disa ditë pas kësaj, një burrë që pati dëgjuar për ngjarjen, shkoi në zyrën e njërit prej kirurgëve dhe tha: “Më tregoni rreth operacionit që kryet pak ditë më parë – operacionin e një djali të vogël”.
Kirurgu tha: “Kam operuar disa djem të vegjël”.
Burri shtoi: “Ai djali i vogël që donte që dikush të lutej për të”.
Mjeku tha shumë seriozisht: “Pati një rast të tillë, por di vetëm që është një gjë tepër e shenjtë për mua për të folur rreth saj”.
Burri tha: “Doktor, nëse do të ma tregosh, do ta trajtoj me respekt; do të doja ta dëgjoja”.
Atëherë, doktori tregoi historinë pothuaj siç e ritregova unë këtu dhe shtoi: “Kam operuar qindra njerëz, burra e gra, të cilët mendonin se kishin besim që do të shëroheshin; por, kurrë, derisa qëndrova sipër atij djali të vogël, nuk e kam ndier praninë e Perëndisë siç e ndjeva në këtë kohë. Ai djalë hapi pragjet e qiellit dhe i foli Atit të tij Qiellor siç një njeri i flet një tjetri ballë për ballë. Dua të të them se jam një njeri më i mirë për shkak se pata këtë përvojë, që qëndrova dhe dëgjova një djalë të vogël t’i fliste Atit të tij në qiell sikur të qe i pranishëm.”5 [Shih sugjerimin 2 në faqen 99.]
Le të jetojmë kështu që çdo natë kur gjunjëzohemi për t’u lutur dhe çdo mëngjes kur përkulemi para Zotit në falënderim, të jetë në ne fuqia për të hapur qiejt në mënyrë që Perëndia t’i dëgjojë dhe t’u përgjigjet lutjeve tona, që ne do ta dimë se jemi miratuar prej Tij.6
Nëse jetojmë pranë Atit tonë Qiellor, ne do të frymëzohemi që të dimë se për çfarë të lutemi.
Babi im kur qe i ri gati sa s’humbi jetën në Lumin e Provos. … Babai i vet, që qe në Solt-Lejk-Siti, ndjeu nxitjen që të shkonte në një dhomë që ishte veçuar për lutje. Ai … u gjunjëzua … dhe tha: “Atë Qiellor, ndiej se ka diçka serioze që nuk shkon me familjen time në Provo. Ju e dini se nuk mund të jem me ata atje dhe të jem këtu. Atë Qiellor, a do t’i ruani dhe mbroni ata. …”
Në kohën kur ai po lutej, aq afërsisht sa ishte e mundur të thuhej nga kontrollimi i kohës, babai im pati rënë në lumë. Qe në periudhë vërshimi. Trungje e shkëmbinj po derdheshin nga kanioni dhe ai ishte i pafuqishëm. Ata që qenë pranë, e panë gjendjen e tij të vështirë, por nuk mund ta arrinin. Turbullira e ujit qe e tillë, sa askush nuk mund të jetonte në të. Ata thjesht qëndronin atje në tmerr. Babai po bënte çdo gjë që mundej që ta mbante kokën mbi ujë, por ai po vërvitej lart e poshtë dhe po përplasej kundrejt gurëve dhe trungjeve. Befas një dallgë e ngriti me forcë nga uji dhe e flaku në breg. Ishte një përgjigje e drejtpërdrejtë e … lutjes.7
Ne duhet t’i kushtojmë vëmendje lutjeve tona në fshehtësi. Ne duhet të jetojmë aq pranë Atit tonë Qiellor saqë kur të përkulemi para tij, të mund ta dimë se gjëja që po kërkojmë do të jetë e pëlqyeshme për të; dhe nëse nuk na plotësohet sipas mënyrës që e kërkojmë, ne mund ta dimë që bekimi do të na vijë neve që gëzojmë të drejtën për të dhe që do të jetë vërtet një bekim.”8 [Shih sugjerimin 3 në faqen 99.]
Lutja është një ndikim i fuqishëm në jetën tonë vetjake, shtëpitë tona dhe komunitetet tona.
Zoti … na ka shpjeguar se si mund të marrim bekime përmes lutjes. Ka shumë njerëz në botë që nuk i kuptojnë dobitë e vërteta të lutjes. Lutja është fuqi. Ka një ndikim që relativisht pak njerëz duket se e kuptojnë. …
… Sa ka në këtë Kishë nga ata që nuk e dinë se kanë të drejtën, të drejtën e plotë, që t’i luten Atit të tyre në qiell dhe t’i kërkojnë Atij t’ua heqë vuajtjen dhe t’i udhëheqë drejt kënaqësisë dhe lumturisë?9
Është e çuditshme që çdo anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme duhet të nxitet që të bëjë lutjet e tij; dhe ende ka disa njerëz që nuk luten në fshehtësi apo nuk bëjnë lutjet e tyre familjare. Sidoqoftë po të mos lutemi, ne humbasim mbrojtjen që ofron lutja.10 [Shih sugjerimin 4 në faqen 99–100.]
Do të doja ta theksoja këtë: Shpresoj që Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme nuk do të dështojnë në mbajtjen e lutjeve të tyre, lutjeve të tyre në fshehtësi dhe lutjeve të tyre familjare. Fëmijët, të cilët rriten në shtëpi ku nuk kanë lutje familjare dhe lutje në fshehtësi, humbasin shumë bekime; dhe kam frikë se në mes të pështjellimit të botës, të nxitimit e rrëmujës, shpesh herë, largimi nga shtëpitë bëhet pa lutje dhe pa bekimet e Zotit; këto shtëpi nuk mund të vazhdojnë të jenë të lumtura. Ne jetojmë në një epokë kur kemi nevojë për Atin tonë Qiellor, po aq sa patën përherë nevojë për Të në çdo epokë.11
Mos e lini mënjanë vetes fuqinë e Perëndisë. Mbani në shtëpitë tuaja ndikimet e lutjes dhe falënderimit; dhe lëreni mirënjohjen të ngrihet tek ai që është autori i qenies tonë dhe dhënësi i gjithë të mirës.12
Lërini shtëpitë tona të jenë vendi i qëndrueshëm i lutjes dhe falënderimit dhe mirënjohjes. … Le të lutemi për burrat dhe gratë e mëdhenj të botës të cilëve u duhet Zoti, por nuk e kuptojnë interesimin e tij për ta. Lutuni për … qeveritarët tanë, bashkiakët tanë të qyteteve, njerëzit që kanë ndikim në politikë në komunitetet tona të ndryshme, që ata të mund të bëjnë gjërat që do të jenë më mirë për të gjithë ne dhe që do të na bëjnë më të lumtur e do ta kënaqin Atin tonë Qiellor. Ky është privilegji ynë. Unë ju them se fuqia e lutjes është diçka që nuk mund të matet.13
Lutja familjare i sjell unitet familjeve.
Ne [si anëtarë familjeje] nuk do t’i shohim gjithmonë gjërat me të njëjtin sy; burrat nuk do të arsyetojnë gjithmonë si gratë e tyre dhe anasjelltas, por nëse do të luteni së bashku, me një dëshirë të vërtetë për të qenë të bashkuar, unë mund t’ju them: ju do të bini dakord mbi të gjitha çështjet e rëndësishme.
Vura re … mbi një stendë afishimi: “Familja që lutet së bashku, qëndron së bashku”. Nuk e di se kush e vendosi atje, por dua të them se nëse do të mendoni rreth saj për një çast, ju do ta dini se është e vërtetë. Unë ju këshilloj t’i luteni së bashku Zotit, dhe me këtë nuk dua të them që thjesht të bëni lutjet, nuk dua të them që … të përsërisni diçka pa pushim, por t’i hapni shpirtrat Zotit si bashkëshortë dhe etër në shtëpinë tuaj dhe t’i bëni të bashkohen me ju, bashkëshortet tuaja dhe fëmijët tuaj. Bëjini që të marrin pjesë. Atëherë vjen në shtëpi një ndikim që mund ta ndieni kur hyni aty.14
Si një nga ata të cilit Zoti i ka kërkuar të japë mësim, ju përgjërohem që t’i vini në rregull shtëpitë tuaja. Mos i merrni shumë gjëra për të mirëqena. Mos lejoni që të çoheni te marrëzitë dhe të metat e botës. Mbrojini familjet tuaja me çdo mënyrë të mundshme. Bashkojini ato nën ndikimin e lutjes. … Çfarë fuqie përbën lutja, për të na mbajtur në shtegun për te jeta e përjetshme dhe udhëhequr te mbretëria çelestiale!15 [Shih sugjerimin 5 në faqen 100.]
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet v–vii.
-
Tek pjesa “Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit” (faqet 91–94), vini re se si përvojat e hershme të Presidentit Smith me lutjen ndikuan mbi të gjatë gjithë jetës së tij. Cilat janë disa mënyra të efektshme për t’i mësuar fëmijët rreth fuqisë së lutjes?
-
Shihni sërish historinë rreth djalit nëntëvjeçar (faqet 94–95). Përse ndodh që lutjet tona ndonjëherë nuk ndihen si një bashkëbisedim ballë për ballë me Atin Qiellor? Merrni parasysh atë që mund të bëni me lutjet tuaja vetjake për ta ndier më shpesh praninë e Tij.
-
Teksa meditoni mbi mësimet e Presidentit Smith në faqet 95–97, mendoni për një rast kur ndiet nxitjen që të kërkonit për diçka në lutje. Çfarë do t’i thoshit dikujt që ndien se lutjet e tij apo saj kanë kaluar pa marrë përgjigje?
-
Merrni parasysh thënien e Presidentit Smith: “Po të mos lutemi, ne humbasim mbrojtjen që ofron lutja” (faqe 97). Në çfarë mënyrash e keni ndier fuqinë dhe mbrojtjen e lutjes? Merrni në konsideratë ndarjen e dëshmisë suaj për fuqinë e lutjes me ata që vizitoni si mësues shtëpie apo mësuese vizitore.
-
Presidenti Smith dha mësim se lutja do “të na mbajë në shtegun për te jeta e përjetshme” (faqe 99). Përse mendoni se është kështu? Çfarë mund të bëjnë familjet për t’u siguruar që të luten përherë së bashku ? Merrni parasysh atë që mund të bëni për ta shndërruar lutjen vetjake në një pjesë më kuptimplote të jetës suaj.
Shkrime të Shenjta Përkatëse: Mateu 6:7–13; 7:7–11; 2 Nefi 4:35; Alma 34:18–27; 37:37; 3 Nefi 18:20–21; Doktrina e Besëlidhje 88:63–64
Ndihmë për mësimdhënien: “Është nxënësi ai që duhet të vihet në veprim. Kur një mësues bëhet epiqendra, bëhet ylli i shfaqjes, thotë çdo gjë dhe me fjalë të tjera merr në dorë të gjithë veprimtarinë, është pothuaj e sigurt që ai po ndërhyn me të mësuarin e anëtarëve të klasës” (Azahel D. Udraf, në Teaching, No Greater Call, f. 61).