Mësime të Presidentëve
Kapitulli 3: Dëshmia Jonë për Jezu Krishtin


Kapitulli 3

Dëshmia Jonë për Jezu Krishtin

Ungjilli i rivendosur u jep shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dëshmi të mëtejshme që Jezu Krishti është Biri i Perëndisë.

Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit

Në udhëtimet e tij si Autoritet i Përgjithshëm, Xhorxh Albert Smithi takonte me raste ata që mendonin se shenjtorët e ditëve të mëvonshme nuk besojnë te Jezu Krishti. Kjo ide e gabuar e çudiste dhe e shqetësonte Presidentin Smith dhe ai përpiqej ta korrigjonte atë duke shprehur dëshminë e tij personale për Shpëtimtarin.

Në një rast ai foli në një mbledhje të Kishës, në Kardston të Kanadasë, lidhur me jetën dhe misionin e Krishtit. Mëngjesin tjetër ai shkoi te stacioni hekurudhor që të blente një biletë treni. Ndërsa priste në radhë, i zuri veshi një bisedë mes një gruaje dhe punonjëses së biletave. Gruaja përmendi se mbrëmjen e kaluar kishte vendosur të merrte pjesë në një shërbesë adhurimi të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme.

Punonjësja e biletave dukej e befasuar. “Ç’po habitem”, tha ajo. “Nuk po e thua me kuptimin që shkove atje te kisha.”

“Po, shkova”, u përgjigj gruaja. “Përse jo?”

Punonjësja e biletave tha: “Ata as që besojnë te Jezu Krishti”.

Atëherë gruaja iu përgjigj: “Jo më larg se natën e kaluar dëgjova një nga pleqtë e Kishës që fliste për jetën e Jezusit të Nazaretit dhe s’kam dëgjuar ndonjëherë dikë që të dukej i ndikuar më thellë nga dijenia se Jezusi qe më të vërtetë Krishti, sesa folësi në atë rast”.1 [Shih sugjerimin 1 në faqen 30.]

Xhorxh Albert Smithi fitoi forcë nga dëshmia e tij për Jezu Krishtin dhe gjente kënaqësi duke ua treguar atë të tjerëve. Në moshën 44-vjeçare, kur kishte shërbyer në thirrjen e tij apostullore për 11 vjet, ai tha:

“Më është dhënë shtytje dhe, si të thuash, jam nxjerrë prej vetes e më është dhënë fuqi jo e imja që të jap mësimet e të vërtetave të lavdishme të shpalluara nga Shëlbuesi i botës. Nuk e kam parë Atë ballë për ballë, por kam gëzuar shoqërinë e shpirtit të Tij dhe kam ndier praninë e Tij në një mënyrë që nuk gabohet. E di që Shëlbuesi im jeton dhe i jap me gëzim përpjekjet e mia të përulura për të vënë në vend mësimet e Tij. … Çdo fibër e qenies sime ngazëllen me dijen se Ai jeton dhe që një ditë të gjithë njerëzit do ta dinë këtë.

Shpëtimtari vdiq që ne të jetonim. Ai e mposhti vdekjen dhe varrin dhe iu zgjat të gjithë atyre që u binden mësimeve të Tij, shpresën e një ringjalljeje të lavdishme. … E di që kjo është puna e Zotit, që Jezusi ishte me të vërtetë Shpëtimtari ynë.”2

Presidenti Smith ndërroi jetë në ditëlindjen e tij të 81-të, 4 prill 1951. Gjatë çasteve të fundit të jetës së tij, me familjen e tij aty pranë, i biri e pyeti: “Baba, a ka diçka që do të dëshiroje t’ia thoje familjes – diçka të veçantë?”

Me buzëqeshje, ai ripohoi dëshminë që e kishte shprehur herë të shumta gjatë gjithë jetës: “Po, vetëm këtë: e di që Shëlbuesi im jeton; e di që Shëlbuesi im jeton”.3

Mësime të Xhorxh Albert Smithit

Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe Ai jeton sot si Shpëtimtari ynë i ringjallur.

Kam gjetur shumë njerëz në botë që nuk e kanë ditur se ne besojmë në misionin hyjnor të Zotit tonë dhe jam prirë të them në më shumë se një rast se nuk ka popull në botë i cili e kupton aq mirë misionin hyjnor të Jezu Krishtit, i cili beson me aq plotësi se ai ishte Biri i Perëndisë, i cili është aq optimist [i bindur] që në kohën e tanishme ai kurorëzohet në lavdi në të djathtën e Perëndisë, sa shenjtorët e ditëve të mëvonshme.4

E di ashtu siç e di që jetoj, se ai ishte biri i Perëndisë, që nëpërmjet tij dhe vetëm nëpërmjet tij do të fitojmë ekzaltimin në mbretërinë çelestiale dhe të gjithë ata që ndjekin gjurmët e tij dhe jetojnë sipas mësimeve që ai dha, do të jenë të lumtur në këtë jetë dhe do të përgatisin për vete një banesë në mbretërinë çelestiale, ku do të banojnë me të përgjithnjë.5

Shëlbuesi i njerëzimit ishte më shumë se një njeri i mirë që erdhi në botë për të na mësuar etikën. Shëlbuesi i njerëzimit zotëronte më shumë sesa inteligjencë të zakonshme. Ai me të vërtetë ishte Biri i Perëndisë, i vetëmlinduri i Perëndisë në mish. … Ai erdhi që t’i thërrasë njerëzit në pendim, që t’i kthejë nga gabimi i rrugës së tyre. Ai shkonte mes tyre duke përfaqësuar Perëndinë, Atin e Përjetshëm, duke shpallur se ai ishte në shëmbëllimin e Atit të tij dhe se kush kishte parë atë, kishte parë Atin, dhe u tha se qe dërguar të bënte vullnetin e Atit të tij, dhe u bëri thirrje të gjithë njerëzve të kthehen nga gabimi që kishte depërtuar mes tyre, të pendohen për mëkatet e tyre e të zbresin në ujin e pagëzimit.6

Në kohën e Shpëtimtarit kundërshtari u përshpëriste njerëzve se ai nuk është Biri i Perëndisë, me siguri që nuk do ta pranoni atë, ai është veç një njeri i zakonshëm, është vetëm biri i Maries dhe Jozefit e nuk është më shumë nga sa jeni ju Biri i Perëndisë, dhe njerëzit i vunë veshin atij të ligu ogurzi dhe e kryqëzuan Shëlbuesin e njerëzimit.7

Ai ishte me të vërtetë Biri i Perëndisë. Ai mundohej mes [njerëzve] me dashuri e dashamirësi; por ata e përbuzën emrin e Tij si të lig. … Ai ishte Biri i Perëndisë dhe Ai kishte të drejtën të fliste në emrin e Atit. Të vërtetat që Ai solli në tokë erdhën nga Ati; dhe, ndonëse ata e kryqëzuan Atë në kryq, ndonëse i vendosën mbi kokë kurorën e thurur me ferra dhe i vunë në duar një skeptër tallës, ndonëse derdhën gjakun e Tij me heshtën mizore, ende fjala që Ai u dorëzoi ishte fjala e Zotit dhe Ai ishte me të vërtetë Biri i Perëndisë.8

Jo vetëm që besojmë se Jezusi i Nazaretit ka jetuar mbi tokë, por besojmë se ai ende rron, jo si një esencë, jo si diçka jomateriale apo e paprekshme, por ne besojmë në të si një njeri të ekzaltuar; sepse ai u ngrit me të njëjtin trup që u shtri në varrin e Jozefit nga Arimatea, të njëjtin trup të cilit iu bë shërbesa prej atyre që e deshën. I njëjti Jezus që doli nga varri, solli me vete atë trup që e kishin dëlirur dhe pastruar, … dhe ai e mori atë me vete kur iu hoq vështrimit të njerëzimit në Jeruzalem kur dy burra në rroba të bardha thanë: “Ashtu siç e keni parë të shkojë, në të njëjtën mënyrë do të kthehet ai sërish”. [Shih Veprat e Apostujve 1:10–11.]

Ky është Jezusi i Nazaretit të cilin besojnë shenjtorët e ditëve të mëvonshme. Gjithashtu besojmë se premtimet që janë bërë lidhur me njerëzimin, do të përmbushen, se në kohën e caktuar, kur ungjilli do të jetë predikuar në të gjithë tokën, çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli, kur njerëzit do të lihen pa shfajësim në lidhje me të, besojmë që nëpërmjet fuqisë së Atit tonë Qiellor njerëzimi do të marrë atë bekim të mrekullueshëm të ringjalljes prej të vdekurve dhe që Shëlbuesi i njerëzimit do të vijë në retë e qiellit me fuqi e me lavdi që të banojë mbi tokë. Ne e besojmë që Jezusi i Nazaretit do të vijë të banojë me ata që janë të denjë për lavdinë çelestiale.9 [Shih sugjerimin 2 në faqen 30.]

Ne e pranojmë dëshminë e Biblës për misionin hyjnor të Jezu Krishtit.

Jezusi i Nazaretit zbriti në ujë dhe u pagëzua nga Gjoni dhe, kur doli nga uji, Fryma e Shenjtë erdhi e zbriti mbi të në formën e një pëllumbi. Dhe një zë nga qielli tha: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur”. [Shih Mateu 3:13–17.]

A mund të kishte ndonjë gjë më të përcaktuar se kjo? Bibla jonë e mrekullueshme përmban gjithë atë informacion dhe shumë më tepër, natyrisht. Kur njerëzit thonë ose mendojnë që ne nuk besojmë në misionin hyjnor të Jezu Krishtit, le ta dinë se ne besojmë gjithçka që mëson Bibla lidhur me të. Ne e besojmë historinë se si e organizoi ai popullin e tij e i mësoi ata dhe se si, në fund, … u kryqëzua.10

Ne e pranojmë pa rezervë dëshminë e të gjithë ungjilltarëve që përmbahet në Dhiatën e Re lidhur me ringjalljen e Shëlbuesit të njerëzimit. Është aq e qartë, saqë mua më duket se nuk ka person të vëmendshëm që mund të mos e kuptojë atë. Fakti është se, pasi Shpëtimtari u kryqëzua dhe u vendos në varr, ai erdhi së andejmi dhe, për dyzet ditë, u shoqërua me dishepujt e tij, ai mori e hëngri peshk dhe huall mjalti me ta, ata prekën shenjat e gozhdëve në duart e tij dhe gjurmën e heshtës në ijën e tij. Ai u shpalli teksa qëndronte mes tyre: “Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, sepse unë jam. Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!” [Shih Lluka 24:39–43.] Sigurisht që kjo është provë e padiskutueshme e, megjithatë, ka shumë nga fëmijët e Atit tonë të cilët nuk e kuptojnë.11 [Shih sugjerimin 3 në faqen 30.]

Libri i Mormonit dhe dëshmia e Jozef Smithit na japin provë shtesë për hyjninë e Krishtit.

Në botën e vjetër qe ngritur çështja se Jezusi nuk ishte i origjinës hyjnore, ngaqë lindi si një fëmijë i vogël, përkundur në një grazhd, nënë e Tij Maria dhe baba i tij i menduar marangozi Jozef. Shumë njerëz kanë pranuar se Ai ishte njeri i madh e i mirë, por kanë dëshiruar t’ia zhvatin natyrën hyjnore të lindjes së Tij.

Mirëpo, fatmirësisht për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, ne kemi marrë një dëshmi se këto gjëra janë të vërteta; dhe përveç asaj, kemi marrë dëshminë se Ai erdhi në hemisferën perëndimore, siç dokumentohet në Librin e Mormonit, dhe kreu shërbesë për nefitët në këtë kontinent. Nuk erdhi këtë herë si fëmijë i vogël, por erdhi në retë e qiellit; dhe ardhja e Tij u shpall me një zë që depërtoi mu në qendër të çdo personi që banonte në vend. Ai erdhi këtë herë si njeri nga qielli dhe ata e panë tek vinte. Ata e dinin që Ai ishte Krishti, sepse ardhja e Tij ishte parathënë nga profetët e tyre. Ai u dha të njëjtin organizim që ekzistonte te Kisha në Jeruzalem. Ai u mësoi se duhet të pagëzoheshin, ashtu sikurse Ai, nga ata që kishin autoritetin për të kryer detyrën në atë ordinancë. [Shih 3 Nefi 11:1–27.] Kjo nuk ishte fjala e një njeriu të zakonshëm; ishte fjala e Birit të Perëndisë, i cili ishte ngjitur tek Ati i Tij dhe i cili ishte kthyer përsëri, që fëmijëve të njerëzve të mund t’u shtohej një dëshmi tjetër në numrin e atyre që tashmë u ishin dhënë.12

Ç’provë më të drejtpërdrejtë të ringjalljes prej të vdekurve mund të kishte pasur, sesa që Ai, me trupin e tij të ringjallur, erdhi mes [nefitëve] dhe u mësoi të njëjtin Ungjill që mësoi në Jeruzalem? Dhe ai tashmë përmbushi premtimin që kishte bërë në Jeruzalem, kur tha: “Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t’i mbledh edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm”. [Gjoni 10:16.] Ai erdhi me trupin e tij të ringjallur t’u sillte informacionin që e kishte parathënë se duhej t’u jepej atyre të cilëve po u kryente tani shërbesë.

Ky ishte një përjetim i mrekullueshëm për ata njerëz. Pasi i mësonte në gjithë ditën … ai shëronte të sëmurët e tyre e u bekonte fëmijët dhe vazhdonte t’i udhëzonte në bukurinë e Ungjillit të tij. Nuk kishte dyshim në mendjen e tyre që ai ishte Shpëtimtari i botës. Ata e panë tek vinte nga qielli dhe dëshmuan fuqinë e tij të mrekullueshme. … Ai erdhi në lavdi. Engjëj zbritën nga qielli si në mes të zjarrit dhe qarkuan të vegjëlit, që u rrethuan kështu me zjarr. Dhe engjëjt u kryen shërbesë. [Shih 3 Nefi 17:6–24.]

Ato nuk ishin halucinacione, por përvoja me karakter të tillë të mrekullueshëm, sa t’u kujtohen përgjithnjë atyre që i përjetuan. Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme e pranojmë këtë dokumentim si provë të ringjalljes së Jezu Krishtit, Zotit tonë.13

Më pas, në kohën dhe epokën në të cilën jetojmë, u ngrit një tjetër person. … [Jozef Smithi] jo vetëm që pati dëshminë e Biblës që Jezusi është Krishti, por ai pa Perëndinë Atë që qëndronte në retë e qiellit, veshur me lavdi, dhe Jezu Krishtin, Shëlbuesin e botës, të ekzaltuar në të djathtën e Tij dhe dëgjoi zërin e Zotit që thoshte: “Ky është Biri Im i Dashur, dëgjoje Atë”. [Shih Joseph Smith – Historia 1:16–17.] Ai u dha dëshmi për këtë vegim të lavdishëm atyre me të cilët shoqërohej. Të tjerë gjithashtu morën një dëshmi nga lart. Dëshmia e tyre për hyjninë e misionit të Shpëtimtarit është rritur e forcuar, kësisoj nuk ishte më një çështje e historisë së lashtë që Perëndia jetonte e që Jezusi ishte Krishti; ata e dinin personalisht, për arsye se kishin marrë dëshmi vetë.14

Për mendimin tim, një nga dëshmitë më të forta për hyjninë e jetës së Shpëtimtarit tonë është dëshmia e Jozef Smithit, i cili dha jetën e tij si dëshmi të së vërtetës së ungjillit të Jezu Krishtit.15 [Shih sugjerimin 3 në faqen 30.]

Çdokush nga ne mund të fitojë një dëshmi personale që Jezusi është Krishti.

Ne kemi një tjetër dëshmi, një tjetër provë, që është madje më e përkryer e më bindëse se të tjerat, sepse është dëshmi që vjen tek individi kur pajtohet me kërkesat e Atit tonë në Qiell. Është dëshmi që ngulitet në shpirtin tonë nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, kur ne kemi kryer punën që Zoti ka thënë se duhet të kryhet, nëse do të dëshironim të dinim që doktrina është e Perëndisë apo nëse është e njeriut.16

Vetë Ai ka thënë: “Doktrina ime nuk është imja, por e atij që më ka dërguar. Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime” (Gjoni 7:16–17). Ky ishte premtimi i Atij vetë. Ne, ashtu si të krishterët në të gjithë botën, e pranojmë atë premtim dhe duhet të përpiqemi ta provojmë atë, që të shohim nëse është i realizueshëm ose jo. Janë të shumtë ata që e kanë bërë këtë. Jam i vetëdijshëm se janë … të shumtë ata që e kanë vënë në provë këtë, të shumtë ata që e dinë se Perëndia jeton dhe që Jezusi është Krishti, që Ai është Shpëtimtari i botës.17

Pra, jo vetëm që kemi provën e dokumenteve … , jo vetëm që kemi dëshminë e njerëzve të mirë që kanë jetuar mbi tokë në kohën tonë, por, nëse jemi pajtuar me kërkesat e Atit tonë Qiellor, nëse kemi pasur besim te Perëndia, nëse jemi penduar për mëkatet tona, nëse kemi marrë pagëzim me zhytje, nëse kemi marrë Frymën e Shenjtë nën duart e shërbëtorëve të autorizuar të Zotit, po them që, nëse i kemi bërë të gjitha këto gjëra, atëherë në secilin shpirt njerëzor gjendet një dije e sigurt që nuk mund të kundërshtohet [mohohet] që Perëndia jeton dhe që Jezu Krishti ishte Shëlbuesi i njerëzimit. …

… Si njëri prej anëtarëvet të përulur të kësaj Kishe, ju jap dëshminë time që e di se ai jeton, siç e di që unë jetoj. … Jezusi është Krishti, dhe e di që fëmijët e njerëzve duhet të vijnë tek ajo dije, që duhet ta marrin atë dhe, me gjuhën e atij që jeton në qiell, “çdo gju do të përkulet e çdo gjuhë do të rrëfejë që Jezusi është Krishti”. [Shih DeB 88:104.]18 [Shih sugjerimin 4 në faqen 30.]

Misioni ynë është t’ua tregojmë të gjithë njerëzve çfarë dimë për Jezu Krishtin.

Ju them ju shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, nuk ka asnjë popull tjetër në gjithë botën i cili të ketë informacionin që kemi ne në lidhje me hyjninë e Shpëtimtarit; dhe, sikur ne të mos besonim në Të, do të ishim nën dënim më të madh se të tjerët që nuk e kanë pasur kurrë atë informacion. Dhe, prandaj, mund t’i themi botës pa ngurrim se ne i besojmë këto gjëra. …

Unë ju përgëzoj që ka ardhur në jetën tuaj ky privilegj e ky bekim. Dhe tani ju kërkoj solemnisht si vëllai juaj, ju përgjërohem si një nga më të përulurit ndër ju, të mos e fshihni qiriun nën babunë. Mos e mbani fshehur nga bashkëqeniet tuaja dijen që Perëndia jua ka dhuruar.

Mos i mërzisni ata, por mos jini aq të pamend, sa të fshihni prej tyre ungjillin e Jezu Krishtit. Ai është e vetmja fuqi e Perëndisë për shpëtimin në mbretërinë çelestiale.19

Burrat më të lumtur dhe gratë më të lumtura që njihni në botë, janë ata që po e përshtasin jetën e tyre me mësimet e ungjillit të Jezu Krishtit. Janë ata që kanë sigurinë e jetës së përjetshme; janë ata që kuptojnë qëllimin e ekzistencës sonë. … Teksa kam udhëtuar në botë nga një vend në tjetrin duke dhënë këtë mesazh, shpirti im është mbushur me gëzim dhe sytë e mi janë vagëlluar me lot, kur kam parë se në ç’mënyrë të përkryer mund të shndërrohet jeta e njerëzve nga mësimet e Jezu Krishtit. Kam parë ata që ishin të shkurajuar, ata që ishin në errësirë, ata që ishin në dyshim për qëllimin e ekzistencës së tyre dhe, kur ua mësuan të vërtetat e lavdishme të ungjillit të Jezu Krishtit, ata kanë ndryshuar, ata kanë mësuar të jenë të lumtur, të jenë mendjeqetë, të jenë të kënaqur, të jenë entuziastë në të besuar dhe në dhënien e mësimeve të ungjillit që u shpall nga Jezu Krishti kur banonte mbi këtë tokë e udhëtonte në Galile.

Vëllezër e motra, bota nuk e kupton këtë, por është misioni ynë që t’i ndihmojmë ta kuptojnë, dhe ky mesazh dërgohet pa kultin e unit, pa arrogancë, por me dashuri hyjnore për të gjithë dhe me butësi të përzemërt. …

Si një nga më të përulurit ndër ju, e falënderoj atë me gjithë zemër për sigurinë që ka hyrë në jetën time. … Mbi të gjitha, e falënderoj për dijen që është ngulitur në shpirtin tim; unë e di se Ati im Qiellor jeton, unë e di se Jezu Krishti është Shpëtimtari i njerëzimit dhe se nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell nëpërmjet të cilit burrat dhe gratë mund të ekzaltohen, veç emrit të Jezu Krishtit, Zotit tonë. Vërtet e di se ai erdhi në botë në këtë kohë të mëvonshme, që ai i dha autoritetin hyjnor një djali të përulur i cili po kërkonte të vërtetën dhe rezultati i kësaj ishte organizimi i Kishës me të cilën ne identifikohemi; dhe ka me të fuqinë e Perëndisë për shpëtimin e të gjithë atyre që besojnë.20

Lutem që ne të mund të jetojmë në atë mënyrë që të jemi modele të denjë të kauzës së Tij. Lutem që jeta jonë qoftë e atillë që të mund të tregojmë nëpërmjet saj se me të vërtetë jemi besimtarë në Zotin Jezu Krishti.21 [Shih sugjerimin 5 në faqen 30.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet v–vii.

  1. Lexoni ngjarjen në faqen 21. Si do t’i përgjigjeshit ju dikujt që thotë se shenjtorët e ditëve të mëvonshme nuk besojnë te Jezu Krishti?

  2. Presidenti Smith na mësoi: “Jo vetëm që besojmë se Jezusi i Nazaretit ka jetuar mbi tokë, por besojmë se ai ende rron” (faqe 23). Çfarë arsyesh kanë shenjtorët e ditëve të mëvonshme për besimin që Jezu Krishti jeton sot? Çfarë arsyesh keni ju vetë për besimin e kësaj?

  3. Shihni sërish shkurtimisht faqet 24–27. Cilat janë disa ngjarje ose pjesë të shkrimeve të shenjta që e kanë forcuar dëshminë tuaj se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë? Lexoni 1 Nefi 10:17 dhe mendoni mënyra me të cilat mund të zhvillohet vetëdija juaj për misionin e Shpëtimtarit.

  4. Ndërsa lexoni seksionin që fillon në faqen 27, mendoni se në ç’mënyrë e ka forcuar bindja ndaj parimeve dhe ordinancave të ungjillit dëshminë tuaj për Jezu Krishtin. Çfarë mund të bëjnë prindërit që t’i ndihmojnë fëmijët të fitojnë këtë dëshmi?

  5. Çfarë mendimesh ose ndjenjash keni kur lexoni dëshminë e Presidentit Smith në faqet 28–30? Mendoni për ato herë kur keni parë jetën e njerëzve të ndryshojë për shkak të ungjillit të Jezu Krishtit. Si e ka ndryshuar ungjilli jetën tuaj?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Mateu 16:15–17; 17:1–5; 2 Nefi 25:26; Alma 5:45–48; Doktrina e Besëlidhjet 76:22–24; 110:1–4

Ndihmë për mësimdhënien: “[Shmangni] tundimin për të përfshirë tepër përmbajtje mësimore…. Po mësojmë njerëzit, jo lëndën e temës në vetvete; dhe … çdo skemë mësimore që kam parë ndonjëherë, në mënyrë të pashmangshme do të ketë brenda më shumë sesa ndoshta ne mund të përfshijmë në kohën që është caktuar” (Jeffrey R. Holland, “Teaching and Learning in the Church”, Ensign, qershor 2007, f. 91).

Shënime

  1. Deseret News, 27 dhjetor 1924, Church section, f. 6; shih edhe Sharing the Gospel with Others, përzgjodhi Preston Nibley (1948), f. 201–201.

  2. “Testimony of Elder George Albert Smith”, Liahona: The Elders’ Journal, 2 shkurt 1915, f. 502.

  3. Në Robert L. Simpson, The Powers and Responsibilities of the Priesthood, Brigham Young University Speeches of the Year (31 mars 1964), f. 8.

  4. Deseret News, 27 dhjetor 1924, Church section, f. 6.

  5. Deseret News, 15 janar 1927, Church section, f. 8.

  6. Në Conference Report, tetor 1921, f. 39.

  7. Në Conference Report, prill 1918, f. 39.

  8. Në Conference Report, prill 1904, f. 63.

  9. Deseret News, 27 dhjetor 1924, Church section, f. 6.

  10. Në Conference Report, tetor 1950, f. 156.

  11. Në Conference Report, prill 1939, f. 120–121.

  12. Në Conference Report, prill 1905, f. 61.

  13. Në Conference Report, prill 1939, f. 121–122.

  14. Në Conference Report, prill 1905, f. 61–62.

  15. Deseret News, 15 janar 1927, Church section, f. 8.

  16. Deseret News, 27 dhjetor 1924, Church section, f. 6.

  17. Sharing the Gospel with Others, f. 206; ligjëratë e mbajtur më 4 nëntor 1945, në Uashington, D.K.

  18. Deseret News, 27 dhjetor 1924, Church section, f. 6.

  19. Sharing the Gospel with Others, f. 211, 214; ligjëratë e mbajtur më 4 nëntor 1945, në Uashington, D.K.

  20. Në Conference Report, tetor 1927, f. 48–50.

  21. Deseret News, 12 janar 1907, f. 31.

“E di që Shëlbuesi im jeton dhe i jap me gëzim përpjekjet e mia të përulura për të vënë në vend mësimet e Tij.”

“Ne e pranojmë pa rezervë dëshminë … në Dhiatën e Re lidhur me ringjalljen e Shëlbuesit të njerëzimit.”

Kur Shpëtimtari i ringjallur vizitoi nefitët, “engjëj zbritën nga qielli si në mes të zjarrit dhe qarkuan të vegjlit”.

Shtyp në Letër