Kapitulli 23
“Nga Ju Kërkohet të Falni”
Duke i falur të tjerët, ne çlirohemi nga barra e urrejtjes dhe përgatitemi për jetë të përjetshme.
Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit
Në vitin 1897, kur qe ende djalosh, Xhorxh Albert Smithi u regjistrua në Rojën Kombëtare të Jutas. Me nxitjen e disa prej shokëve të tij, ai kandidoi për një post me zgjedhje në Rojë, por gjatë javëve përpara zgjedhjes, një ushtar rival filloi të përhapte thashetheme duke e akuzuar Xhorxh Albert Smithin për praktika të pamoralshme. Si rezultat, rreshter Smithi humbi në një zgjedhje që ai ndjente se duhet ta kishte fituar. Ajo që e bënte më të vështirë situatën, ishte se burri që përhapi thashetheme të rreme, dikur kishte qenë një mik.
Edhe pse u përpoq ta harronte, fyerja e mbushi me hidhërim zemrën e Xhorxh Albert Smithit. Ai shkoi në kishë të dielën vijuese, por nuk u ndie mirë për marrjen e sakramentit. Ai u lut për ndihmë dhe e kuptoi se duhej të pendohej për fyerjen që po ndiente. Ai vendosi ta kërkonte mikun dhe të pajtohej me të.
Xhorxh Albert Smithi shkoi drejtpërsëdrejti tek zyra e burrit dhe tha me zë të butë: “Vëllai im, dëshiroj të më falësh që të kam urryer në mënyrën si e kam bërë disa javët e fundit”.
Menjëherë, zemra e mikut të tij u zbut. “Vëllai Smith, ti nuk ke nevojë për falje”, tha ai. “Jam unë që kam nevojë për falje prej teje.” Ata tokën duart dhe që atëherë mbetën miq të mirë.1 [Shih sugjerimin 1 në faqen 252.]
Disa vite më vonë, Xhorxh Albert Smithi e bëri faljen e të tjerëve një nga synimet e tij për të gjithë jetën, kur shkroi në kredon e tij personale: “Unë nuk do të lëndoj ndjenjat e ndonjë njeriu, me qëllim, as edhe të ndonjërit që mund të më ketë bërë padrejtësi, por do të kërkoj t’i bëj mirë dhe ta bëj atë mikun tim”2.
Një koleg i ngushtë i Presidentit Smith vërejti se aftësia për të falur ishte vërtet një nga tiparet e tij thelbësore: “Vërtet ai i fali të gjithë njerëzit. Gjatë gjithë jetës së tij ai qe i vetëdijshëm për urdhërimin e Perëndisë: Perëndia do të falë atë që do të falë. Por për ne, ne duhet të falim të gjithë njerëzit. Ai mund ta bënte atë dhe pastaj t’ia drejtonte çështjen Perëndisë. Ndërsa fali, jam i sigurt se ai harroi. Kur dikush që fal, mund të harrojë, atëherë vërtet ai burrë është një burrë i jashtëzakonshëm, vërtet një burrë i Perëndisë!”3
Mësime të Xhorxh Albert Smithit
Nëse kuptojmë ungjillin e Jezu Krishtit, jemi më të gatshëm që t’i falim të tjerët.
Ka një gjë që ne mund të përpiqemi vërtet fort që ta lëvrojmë dhe kjo është gatishmëria për t’i falur njëri-tjetrit shkeljet tona. Shpirti i faljes është një virtyt pa të cilin ne kurrë nuk do të fitojmë plotësisht bekimet që shpresojmë të marrim.4
Njerëzit e botës nuk e kuptojnë … se si u ndie Shpëtimtari kur, në agoninë e shpirtit të tij, i thirri Atit të tij Qiellor, jo për të dënuar dhe shkatërruar ata që po merrnin jetën e tij të vdekshme, por ai tha:
“… Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë.” (Lluka 23:34.)
Ai duhet të jetë qëndrimi i të gjithë anëtarëve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ai duhet të jetë qëndrimi i të gjithë bijve e bijave të Perëndisë dhe do të ishte, më duket mua, nëse ata do të kuptonin plotësisht planin e shpëtimit. … Inati dhe urrejtja në zemrat tona nuk do të na sjellin paqe dhe lumturi.5
Zoti na ka dhënë informacion të madh, na ka zbuluar neve mendjen dhe vullnetin e Tij, na ka mësuar gjëra që bota nuk i di dhe, në përputhje me informacionin që kemi marrë, Ai na mban përgjegjës dhe pret nga ne që të jetojmë një jetë më të lartë, një jetë më ideale se e atyre që nuk e kuptojnë Ungjillin aq plotësisht sa e kuptojmë ne. Shpirti i faljes është diçka që shenjtorët e ditëve të mëvonshme mund ta shfaqin, me dobi, më plotësisht mes tyre. … Ne duhet të hyjmë në një gjendje ku mund t’i falim vëllezërit tanë.6 [Shih sugjerimin 2 në faqen 252.]
Kur i falim të tjerët, ne tregojmë vlerësim për faljen që Ati Qiellor na zgjat neve.
Në lidhje me këtë çështje [të faljes së të tjerëve], do të lexoj disa vargje nga kapitulli i tetëmbëdhjetë i Shën Mateut, duke filluar me vargun e njëzetenjëtë. Duket se Apostujt ishin me Mësuesin në këtë rast dhe Pjetri shkoi tek Ai dhe tha:
“‘Zot, në se vëllai im mëkaton kundër meje, sa herë duhet ta fal? Deri shtatë herë?’
Jezusi i tha: ‘Unë nuk të them deri shtatë herë, por deri shtatëdhjetë herë shtatë’.” [Mateu 18:21–22.]
Pastaj Shpëtimtari dha një shëmbëlltyrë … të dy burrave. Njëri nga burrat i detyrohej zotërisë së tij një shumë të madhe parash dhe shkoi tek ai e i tha se nuk mund ta paguante atë që detyrohej, dhe i kërkoi që të mund t’i falej borxhi. Zotëria i atij shërbëtori u prek nga dhembshuria dhe e fali borxhin. Menjëherë ky burrë që e kishin falur, doli dhe gjeti një shërbëtor tjetër që i detyrohej një shumë të vogël, dhe i kërkoi ta paguante. Burri i shkretë nuk mund ta plotësonte detyrimin dhe ai, nga ana e tij, kërkoi që të mund t’i falej borxhi. Por atë nuk e falën; përkundrazi atë e çoi dhe e flaku në burg ai, të cilin tashmë e kishte falur zotëria i tij. Kur shërbëtorët e tjerë e panë se çfarë kishte bërë, ata shkuan tek zotëria i këtij burri e i treguan atij dhe ai u zemërua dhe ua dorëzoi torturuesve atë që kishte falur, derisa të paguante të gjithë detyrimin. Shpirti i tij nuk qe mjaft i madh sa të vlerësonte mëshirën që i ishte treguar atij dhe, për shkak të asaj mungese të dashurisë hyjnore, ai humbi gjithçka. [Shih Mateu 18:23–35.]
Nganjëherë, ne gjejmë vështirësi të vogla që ngrihen mes nesh, dhe harrojmë durimin që Ati ynë në Qiell ushtron kundrejt nesh, dhe zmadhojmë në zemrat tona ndonjë gjë të parëndësishme që vëllai apo motra jonë mund të ketë bërë ose thënë në lidhje me ne. Ne nuk e jetojmë gjithmonë ligjin që Zoti dëshiron që ne të zbatojmë në lidhje me këto çështje. Ne harrojmë urdhërimin që Ai u dha Apostujve në fjalët e lutjes, ku atyre iu tha të luten që të mund t’u falen fajet e tyre ashtu si ata falin fajtorët e tyre [shih Mateu 6:12]. Unë ndiej se ne duhet të mësojmë shumë në lidhje me këtë. Ne nuk i kemi përmbushur aq plotësisht sa duhet kërkesat e Atit tonë Qiellor.7 [Shih sugjerimin 3 në faqen 252.]
Duke zgjedhur të mos mbajmë mëri, ne mund të pastrojmë nga zemra jonë të gjithë ndjenjat e dashakeqësisë.
Neve na është mësuar t’i duam armiqtë tanë dhe të lutemi për ata që na keqtrajtojnë e flasin keq për ne [shih Mateu 5:44]. … Kur të jeni ofenduar, mos ofendoni sërish. Kur të tjerët të flasin keq për ju, kini keqardhje për ta dhe lutuni për ta. Kujtoni shembullin e Mësuesit Hyjnor, i cili, kur qe varur mbi pemën mizore, tha: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë”.8
Nganjëherë, një vëlla në autoritet ka fyer, në ndonjë mënyrë, një nga anëtarët e Kishës, ndoshta të panjohur për atë vetë dhe ai fëmijë i Atit tonë në heshtje vazhdon të ndihet i lënduar, në vend që të bëjë ashtu si ka urdhëruar Zoti, të shkojë tek fyesi dhe t’i deklarojë atij, me dashamirësi, ndjenjat e zemrës së tij, dhe t’i japë atij vëllai një mundësi që t’i thotë atij: “Më vjen keq që të kam fyer dhe dëshiroj që ti të më falësh”. Rezultati është që, në disa raste, ne gjejmë se ka një ndjenjë mërie, e cila është kurdisur nga Satani.9 [Shih sugjerimin 4 në faqen 252.]
Ne nuk kemi ndjenja të ashpra kundrejt ndonjërit prej bashkënjerëzve tanë; ne nuk kemi rast për t’i pasur. Nëse ata na keqkuptojnë, na citojnë keq dhe na përndjekin, ne duhet të kujtojmë se ata janë në duart e Zotit. … Kështu, kur ne marrim sakramentin e Darkës së Zotit, … le të pastrojmë nga zemra jonë të gjithë ndjenjat e dashakeqësisë kundrejt njëri-tjetrit dhe kundrejt vëllezërve e motrave tona që nuk janë të besimit tonë.10
Duke i falur të tjerët, ne përgatitemi për mbretërinë çelestiale.
Le të jetojë secili prej nesh në mënyrë të tillë që kundërshtari të mos ketë fuqi mbi ne. Nëse keni ndonjë mospajtim me njëri-tjetrin, nëse ka pasur ndonjë mosmarrëveshje mes jush dhe fqinjëve tuaj, zgjidhini ato sa më shpejt që të mundeni, nën ndikimin e Shpirtit të Zotit, me qëllim që, kur të vijë koha, si ju ashtu dhe pasardhësit tuaj që mund të jenë duke vijuar pas jush, të mund të përgatiten për të marrë një trashëgim në mbretërinë çelestiale.11
Tek Libri i Doktrinës e Besëlidhjeve ne gjejmë një referim bërë kësaj çështjeje të faljes, ku Zoti jep një urdhërim; ai përmbahet në seksionin gjashtëdhjetë e katër dhe na referohet neve, në këtë kohë. Ai lexon si vijon:
“… Në të vërtetë, unë ju them, unë, Zoti, ua fal mëkatet atyre që i rrëfejnë mëkatet e tyre përpara meje dhe kërkojnë falje, atyre që nuk kanë mëkatuar me vdekje.
Dishepujt e mi, në ditët e lashta, kërkuan rast kundër njëri-tjetrit dhe nuk e falën njëri-tjetrin në zemrat e tyre; dhe për këtë ligësi ata u brengosën dhe u ndëshkuan rreptësisht.
Prandaj, unë ju them se ju duhet ta falni njëri-tjetrin; sepse ai që nuk ia fal shkeljet vëllait të tij, mbetet i dënuar përpara Zotit; sepse atij i ngelet mëkati më i madh.”
Vargu që u lexua i fundit, është ai që do të theksoja.
“Unë, Zoti, do të fal kë do të fal, por nga ju kërkohet t’i falni të gjithë njerëzit.
Dhe ju duhet të thoni në zemrat tuaja—Perëndia duhet të gjykojë midis meje dhe teje dhe të të shpërblejë sipas veprave të tua.” [DeB 64:7–11.]
Nëse jeta jonë do të ishte e tillë që, kur të kemi mospajtim me fqinjin tonë, nëse, në vend që ta vendosim veten si gjykatës njëri kundër tjetrit, ndershmërisht dhe vetëdijshëm t’i drejtoheshim Atit tonë në Qiell e të thoshim: “Zot, gjyko mes meje dhe vëllait tim; ti e njeh zemrën time; Ti e di se nuk kam ndjenja zemërimi kundër tij; na ndihmo të shohim njëlloj dhe na jep urtësi që të mund të sillemi drejtësisht me njëri-tjetrin”, sa pak ndryshime do të kishte dhe sa gëzim e bekime do të na vinin! Por, vështirësi të vogla dalin herë pas here, të cilat shqetësojnë ekuilibrin e jetës sonë të përditshme, dhe ne vazhdojmë të jemi të trishtuar sepse ushqejmë një ndikim të papërshtatshëm dhe nuk kemi dashuri hyjnore. …
… “Tani, unë ju flas lidhur me familjet tuaja—në qoftë se njerëzit do t’ju godasin ju ose familjet tuaja, një herë, dhe ju i bëni ballë asaj me durim dhe nuk do të thoni fjalë të rënda kundër tyre as nuk do të kërkoni hakmarrje, ju do të shpërbleheni;
Por, nëse nuk i bëni ballë me durim, do t’ju llogaritet, po të mateshit, si një masë e drejtë për ju.” [DeB 98:23–24.]
Kjo është gjithashtu fjala e Mësuesit për ne. Nëse jetojmë sipas këtij ligji, ne do të rritemi në hir e forcë ditë pas dite dhe në pëlqim të Atit tonë Qiellor. Besimi do të rritet në zemrat e fëmijëve tanë. Ata do të na duan për drejtësinë dhe integritetin moral të jetës sonë dhe ata do të gëzojnë që kanë lindur nga prindër të tillë. Unë ju them juve se ky urdhërim nuk është dhënë në një mënyrë boshe; sepse Zoti ka shpallur se Ai nuk jep ndonjë ligj me shpërfillje, por çdo ligj është dhënë që të mund të mbahet dhe të jetohet prej nesh.
Ne do të jemi në këtë botë vetëm për një kohë të shkurtër. Më të rinjtë e më të fortët prej nesh thjesht po përgatiten për jetën tjetër dhe, përpara se ne të hyjmë në lavdinë e Atit tonë dhe të gëzojmë bekimet që shpresojmë të marrim me anë të besnikërisë, neve do të na duhet të jetojmë ligjet e durimit dhe të ushtrojmë falje ndaj atyre që bëjnë shkelje kundër nesh, dhe t’i heqim nga zemrat tona të gjitha ndjenjat e urrejtjes ndaj tyre.
“Dhe përsëri, në qoftë se armiku juaj do t’ju godasë për herë të dytë dhe ju nuk e shani me fjalë të rënda armikun tuaj dhe i bëni ballë atij me durim, shpërblimi juaj do të jetë njëqindfish.
Dhe përsëri, në qoftë se armiku juaj do t’ju godasë për herë të tretë dhe ju i bëni ballë me durim, shpërblimi juaj do t’ju shtohet katërfish.” [DeB 98:25–26.] …
Paçim Shpirtin e Mësuesit që të banojë brenda nesh, që ne të mund të falim të gjithë njerëzit ashtu si Ai ka urdhëruar, të falim, jo vetëm me buzët tona, por në vetë thellësitë e zemrave tona, çdo shkelje që mund të jetë kryer kundër nesh. Nëse e bëjmë këtë gjatë jetës, bekimet e Zotit do të banojnë në zemrat tona dhe në shtëpitë tona.12 [Shih sugjerimin 5 më poshtë.]
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet v–vii.
-
Mendoni thellë mbi ndodhinë në faqen 245 dhe lexoni 3 Nefi 12:22–24. Si mendoni ju, përse Zoti kërkon që të pajtohemi me vëllezërit e motrat tona përpara se të mund të shkojmë tek Ai?
-
Në faqen 247 Presidenti Smith shpjegon se njohuria jonë për planin e shpëtimit duhet të na ndihmojë të jemi më falës. Si mendoni ju, përse është kështu? Në ç’mënyrë ne “hyjmë në një gjendje” (faqe 247) ku mund t’i falim të tjerët?
-
Ndërsa studioni seksionin që fillon në faqen 248, mendoni për një kohë kur Ati Qiellor ju fali juve. Si mendoni ju, përse mos arritja që të falim të tjerët do të na bënte të padenjë për faljen që kërkojmë?
-
Lexoni paragrafin e dytë në faqen 249. Çfarë na pengon të pajtohemi me një udhëheqës të Kishës ose dikë tjetër që, me dashje ose pa dashje, na ka fyer? Çfarë mund të bëjmë që t’i mposhtim këto vështirësi?
-
Shihni sërish seksionin e fundit të mësimeve (faqet 249–252). Në ç’mënyrë gatishmëria jonë për të falur na përgatit për mbretërinë çelestiale? Në çfarë mënyrash bekohen familjet tona kur i falim të tjerët?
Shkrime të Shenjta Përkatëse: Mateu 5:23–24, 38–48; 6:12, 14–15; 7:1–5; 18:15; 1 Nefi 7:16–21; Doktrina e Besëlidhje 42:88
Ndihmë për mësimdhënien: “Kur një individ bën një pyetje, merrni parasysh të ftoni të tjerët që të përgjigjen në vend që të përgjigjeni ju vetë. Për shembull, ju mund të thoshit: ‘Kjo është një pyetje interesante. Çfarë mendon pjesa tjetër?’ ose ‘A mund të ndihmojë dikush për këtë pyetje?’” (Teaching, No Greater Call, [Mësimdhënia, S’Ka Thirrje më të Madhe] f. 64).