Mësime të Presidentëve
Kapitulli 21: Fuqia e Mirësisë


Kapitulli 21

Fuqia e Mirësisë

Duke qenë të mirë dhe të durueshëm, ne mund t’i zbusim zemrat dhe t’i nxisim të tjerët të jetojnë në drejtësi.

Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit

Xhorxh Albert Smithi besonte pa lëkundje në fuqinë e mirësisë për të zbutur zemrat. Ai na mësoi se ne duhet “t’i përballojmë problemet tona me shpirt dashurie dhe mirësi ndaj të gjithëve”1. Mbesa e tij tregoi se si mirësia e tij dhe vlerësimi për të tjerët sollën paqe në një situatë të nderë:

“Një herë në një ditë të nxehtë vere kishte disa probleme në rrugë pranë shtëpisë së Gjyshit në Solt-Lejk-Siti dhe disa punëtorë nga qyteti patën ardhur t’i rregullonin. Ishte nxehtë jashtë, dielli shkëlqente ashpër dhe puna që bëhej ishte me kazmë dhe lopatë, që bënte të rridhte djersa nga fytyrat dhe shpinat e njerëzve ndërsa gërmonin në rrugë. Punëtorët nuk ishin të kujdesshëm në fjalët që përdornin, ose ndoshta nënat e tyre nuk i patën mësuar më mirë, por ata po grindeshin dhe përdornin një gjuhë të tmerrshme. Fjalët e tyre shpejt u bënë fyese për shumë nga fqinjët, dritaret e të cilëve ishin të hapura për të futur çdo fllad që mund të ndihmonte për t’i freskuar.

Disa dolën jashtë dhe u kërkuan burrave të ndalonin të folurin e tyre të pistë dhe në këtë theksuan se Vëllai Smith jetonte pikërisht atje – a nuk mund të tregonin pak respekt dhe të qëndronin pa folur, u luteshin? Pas kësaj burrat lëshuan një breshëri të re fjalësh të këqija. Qetësisht, Gjyshi përgatiti disa limonada dhe, duke vendosur disa gota dhe kanën në një tabaka, i çoi ato jashtë tek burrat e stresuar duke thënë: ‘Miqtë mi, dukeni kaq të nxehur dhe të lodhur. A nuk po vini të uleni poshtë pemëve të mia këtu dhe të merrni një pije të ftohtë?’ Inati i tyre u zhduk, burrat iu përgjigjën mirësisë me butësi dhe vlerësim. Pas pushimit të tyre të shkurtër të këndshëm ata u kthyen në detyrën e tyre dhe e mbaruan punën me kujdes dhe qetësisht.”2 [Shih sugjerimin 1 në faqen 230.]

Një arsye pse Presidenti Smith i trajtonte njerëzit me një mirësi të tillë, ishte bindja e tij se ka një mirësi të brendshme te secili. Vetëm pak javë përpara se Presidenti Smith të vdiste, Plaku Methju Kauli, një anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e vizitoi atë në spital. “Unë shkova te shtrati i tij”, tha ai, “dhe ai u zgjat dhe më mori nga dora, dhe, duke e shtrënguar dorën time fort, tha: ‘Djalosh, kujto në të gjitha ditët e jetës tënde se mund ta gjesh të mirën te çdo njeri vetëm nëse e kërkon atë’.”

Plaku Kauli tha pastaj për Presidentin Smith:

“Ai e donte këdo, sepse ai mund ta shihte të mirën brenda tij. Ai nuk shihte te mëkati as me minimumin e tolerancës, por ai e donte mëkatarin, sepse ai e dinte se Perëndia është dashuri [shih 1 Gjoni 4:16] dhe që është dashuria e Perëndisë që ripërtërin shpirtrat njerëzorë dhe mundet, me anë të atij procesi, ta shndërrojë mëkatarin në shenjtor.

Mundet që ka mëkatarë, të cilët e panë gabimisht dashurinë e tij si respekt. Ai nuk e respektoi mëkatarin, por ai e deshi atë. Unë jam i sigurt se dashuria gjeti përgjigje në zemrat dhe jetën e atyre që ai i deshi.”3

Mësime të Xhorxh Albert Smithit

Shpirti i Zotit është një shpirt mirësie, jo vrazhdësie dhe kriticizmi.

Unë ndihem i trishtuar nganjëherë kur dëgjoj gjërat e pakëndshme që thuhen, jo vetëm për njerëzit në Kishën tonë, por për njerëzit në botë. Gjërat e pakëndshme nuk thuhen zakonisht nën frymëzimin e Zotit. Shpirti i Zotit është shpirti i mirësisë, ai është shpirti i durimit, është një shpirt i dashurisë hyjnore dhe i dashurisë, dhe i vetëpërmbajtjes, dhe i durimit të madh dhe nuk ka asnjë nga ne që nuk ka nevojë për të gjitha këto virtyte që janë rrjedhim i pasjes së Shpirtit të Atit tonë Qiellor.4

Çdo ndikim për paqe duhet të ushtrohet. Luçiferi po përdor çdo mjet për të shkatërruar shpirtrat e familjes njerëzore. Ai është më aktiv se kurrë dhe punon me një mënyrë aq tinëzare. Unë nuk do të marr kohë duke përmendur mënyrat e shumta që ai përdor, por ka një mënyrë me të cilën ai vepron dhe ka vepruar qysh nga fillimi i botës, dhe ajo është të joshë një njeri për të shkatërruar emrin e një tjetri duke thënë gjëra jo të mira për të.5

Është lehtë të kritikosh dikë tjetër, aq lehtë të gjesh gabim dhe ndonjëherë ne flasim vrazhdë për fqinjët dhe miqtë tanë. Tani kjo është ajo që Ati ynë Qiellor na dha neve … :

“Mos gjykoni, që të mos gjykoheni.

Sepse ju do të gjykoheni sipas gjykimit me të cilin ju gjykoni; dhe me masën me të cilën ju masni, do t’ju masin të tjerët.

Pse shikon lëmishten që është në syrin e vëllait tënd dhe nuk shikon trarin që është në syrin tënd?

Ose, si mund t’i thuash vëllait tënd: ‘Dale të të heq lëmishten nga syri’, kur ke një tra në syrin tënd?” [Mateu 7:1–4.]

Si popull ne jemi këshilluar të mos jemi kritikë, të mos jemi të ashpër, të mos flasim vrazhdë për ata me të cilët shoqërohemi. Ne duhet të jemi shembujt më të shkëlqyer në të gjithë botën lidhur me këtë. Shqyrtoni kriticizmin e sotëm. Merrni gazetat tuaja dhe shihni gjërat e ashpra që janë thënë nga individë për të tjerë dhe përsëri shumë herë individi që po kritikon, ka një tra në syrin e vet dhe nuk e sheh atë aspak qartë, por ai mendon se vëllai i tij ka një lëmishte në syrin e tij.6 [Shih sugjerimin 2 në faqen 230.]

A nuk jemi ne më shumë të prirur për të parë kufizimet dhe dobësitë e fqinjëve tanë? Përsëri ajo është në kundërshtim me mësimet e Ungjillit të Jezu Krishtit. Ka një kategori njerëzish që gjejnë gabim dhe kritikojnë gjithmonë në një mënyrë të dëmshme. Ka një ndryshim te kriticizmi. Nëse mund të kritikojmë pozitivisht nën ndikimin e Shpirtit të Zotit, ne mund të ndryshojmë dobishëm dhe siç duhet disa nga gjërat që po bëhen. Por nëse ne kemi shpirtin e gjetjes së gabimit, të theksimit të dobësive dhe të mungesave të të tjerëve me një mënyrë të dëmshme, ai kurrë nuk vjen si rezultat i shoqërimit nga Shpirti i Atit tonë Qiellor dhe është gjithnjë i dëmshëm.7

Ne duhet të kërkojmë virtyte te të tjerët dhe të ofrojmë lavdërim të sinqertë.

Unë jam këtu sonte për të folur për një njeri që ka disa vite që ka ndërruar jetë… E kam fjalën për Frencis M. Liman [i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve] dhe unë dua t’ju them se ai njeri i madh ishte i butë si fëmijë, pikërisht aq i butë sa një fëmijë i vogël, dhe dëshira e tij për të ndihmuar dhe nxitur ishte e mrekullueshme. Unë e kam dëgjuar atë të komplimentojë vëllezërit e tij shumë herë kur ata kanë bërë diçka për t’u lavdëruar – njëri pati mbajtur një bisedë të shkëlqyer, një tjetër pati dhënë një dëshmi bindëse, një tjetër pati bërë diçka tjetër për t’u lavdëruar. Unë e kam parë atë t’u hedhë krahun dhe të thotë: “Unë jam krenar për ju dhe për gjërat e mrekullueshme që keni bërë”. A nuk është ajo një mënyrë e rekomandueshme për të jetuar? Ajo është mënyra për ta bërë veten të lumtur. Nëse, në vend që të jemi xhelozë, ne shohim dhe vlerësojmë, dhe lavdërojmë virtytet e aftësitë e shokëve tanë, nëse ne shohim forcën për të mirë te [të tjerët], sa shumë më mirë do të jetë.

Shumë nga ne jetojmë në një atmosferë të tillë që jemi thuajse të heshtur kur duhet të lavdërojmë dikë tjetër. Ne dukemi të paaftë të themi gjërat që mund të themi … për bekimin e të tjerëve. Le të kërkojmë virtytet e shokëve tanë dhe, duke i vërejtur ato, t’i bëjmë ata të lumtur duke i lavdëruar.8

Unë ju lutem juve vëllezër dhe motra të mia, le të jemi bujarë me njëri-tjetrin. Le të jemi të durueshëm me njëri-tjetrin siç do të donim të ishin të tjerët me ne. Le të shohim virtytet e fqinjëve tanë e të miqve tanë dhe të flasim për ato virtyte, jo të gjejmë gabime dhe të kritikojmë. Nëse ne do ta bëjmë atë, ne do të rrezatojmë rreze dielli dhe ata që na njohin ne më mirë, do të na duan.9 [Shih sugjerimin 3 në faqen 230.]

Mirësia ka fuqi t’i largojë njerëzit nga gabimet e tyre.

Ka nga ata që do të bëjnë gabime. Ka nga ata midis nesh sot që kanë shkuar në rrugë të shtrembër, por ata janë fëmijë të Zotit tonë dhe ai i do ata. Ai ju ka dhënë juve dhe mua të drejtën të shkojmë tek ata me mirësi e dashuri dhe, me durim e me dëshirë për të bekuar, të përpiqemi t’i nxjerrim nga gabimet që po bëjnë. Nuk është e drejta ime të gjykoj disa nga këta që kanë bërë gabime dhe që janë ende duke bërë gabime, përveç kur jam thirrur për këtë me anë të autoritetit që mund të më jepet. Por është e drejta ime, nëse i shoh ata duke bërë gjënë e gabuar, që në ndonjë mënyrë, nëse është e mundur, t’i kthej në rrugën që çon në jetën e përjetshme në mbretërinë Çelestiale.10

Le të mos ankohemi për miqtë tanë dhe për fqinjët tanë, sepse nuk bëjnë atë që duam ne që të bëjnë. Më mirë le t’i duam ata për faktin se bëjnë gjëra që Ati ynë Qiellor do të donte që të bënin. Ne mund ta bëjmë atë dhe ne nuk mund ta fitojmë besimin e tyre apo dashurinë e tyre me tjetër mënyrë.11

Çfarë gëzimi, çfarë ngushëllimi, çfarë kënaqësie mund të shtohet tek jeta e fqinjëve dhe e miqve tanë nëpërmjet mirësisë. Sa do të doja ta shkruaja atë fjalë me germa të mëdha dhe ta shfaqja në ajër. Dashamirësia është fuqia që Perëndia na ka dhënë për të hapur zemrat e vështira dhe për të nënshtruar shpirtrat kokëfortë, dhe për t’i bërë ata që të kuptojnë qëllimet e Tij.12 [Shih sugjerimin 4 në faqen 230.]

Dashuria dhe dashamirësia në shtëpitë tona mund t’i bëjë fëmijët tanë që ta dëgjojnë këshillën tonë.

Është detyra jonë – duhet të them është e drejta jonë dhe gjithashtu detyra jonë të marrim kohë të mjaftueshme për t’i rrethuar fëmijët tanë me mbrojtje dhe kështu t’i duam ata dhe të fitojmë dashurinë e tyre që ata të jenë të gatshëm që të dëgjojnë porosinë dhe këshillën tonë.13

Jetoni në mënyrë të tillë, në dashuri dhe dashamirësi, që paqja dhe lutja, dhe falënderimi të jenë në shtëpitë tuaja së bashku. Mos i lejoni shtëpitë tuaja të jenë thjesht një vend ku varni kapelen tuaj në darkë dhe ushqeheni, dhe pataj ikni shpejt për diku tjetër, por le të jenë shtëpitë tuaja vendi i përhershëm i Shpirtit të Zotit.14

Unë lutem që ne të mund të mbushemi me atë shpirt që vjen nga [Zoti], dhe që është një shpirt i dashurisë, i dashamirësisë, dhe i ndihmës, dhe i durimit dhe i vetëpërmbajtjes. Atëherë, nëse ne e mbajmë atë shpirt me ne në shtëpitë tona, djemtë dhe vajzat tona do të rriten për t’u bërë çka ne do të donim që ata të ishin.15

Unë mbaj mend disa vite përpara isha në një tren duke shkuar për në veri. Unë pashë ulur në vagonin ditor të atij treni një grua që e pata njohur… Ajo më njohu kur kaloja në korridorin e vagonit. Ajo më foli dhe unë e pyeta: “Ku po shkon?” Ajo tha: “Unë po shkoj në Portland, [Oregon]”. Unë e dija se familja nuk ishte e pasur. Unë e dija se kjo grua ishte nëna e një familjeje të madhe me djem, kështu që thashë: “Përse po shkon në Portland?” Ajo tha: “Unë kam një djalë atje në spital”.

Unë nuk dija se ndonjë nga fëmijët e saj ishte larguar, kështu e pyeta pak më tej dhe atëherë ajo ma hapi zemrën. Ajo tha: “Djali im më i vogël, disa javë përpara, u largua nga shtëpia dhe nuk na tha ku po shkonte. Ne nuk morëm asnjë lajm prej tij, por ai mendonte se do të dilte nëpër botë pa dyshim dhe ta shihte atë vetë, dhe sinjali i parë që patëm mbi peripecitë e tij ishte kur një telegram erdhi nga spitali Mersi në Portland, që na thoshte se djali ynë ishte atje i sëmurë në atë spital.” Ajo tha: “Sigurisht lajmi na tronditi shumë. Kishte vetëm një gjë për të bërë dhe ajo ishte të mblidhje para dhe të shkoje menjëherë tek ai djalë.”

… Ajo ishte e përgatitur të qëndronte ulur gjatë atij udhëtimi të gjatë, ditë e natë, pa mëri për mizorinë dhe shkujdesjen e djalit të saj, por vetëm duke menduar që ai ishte i saj, që ai i përkiste asaj, që Perëndia ia dha atë asaj, dhe që Ati ynë Qiellor priste që ajo të përdorte çdo mjet të mundshëm që ta përmirësonte jetën e tij dhe ta përgatiste për mundësitë që e prisnin. Kështu nëpër orët e gjata të natës, ndërsa treni gumëzhinte mbi shina, kjo grua e mirë u ul atje, plot mall për djalin e saj, çdo milje duke e afruar atë pak më pranë tek ai magnet që po i tërhiqte zemrën. Më në fund kur arriti, aq shpejt sa mundej, ajo çau për te spitali. Ndodhi që vendi ku do të qëndroja, nuk ishte larg nga spitali, kështu që unë shkova atje për të parë çfarë kishte ndodhur.

Atje ishte ajo nënë e ëmbël ulur anës shtratit të djalit të saj që ishte sëmurur nga një atak i rëndë pneumonie dhe ai shtrihej atje në dhimbje. Ajo nuk po e qortonte atë që pati qenë aq moskokëçarës për të; ajo nuk kishte mëri për pamendësinë dhe shkujdesjen e tij, ajo ishte vetëm mirënjohëse që ishte pranë djalit të saj që Perëndia ia pati dhënë. Ajo po përpiqej tani t’i shërbente përsëri fëmijës për të cilin pati hyrë në bashkëpjesëmarrje me Atin Qiellor, për ta sjellë atë në këtë botë. Ai, me që ra fjala, ishte rreth 16 vjeç, por vogëlushi i saj. Ajo po përpiqej ta nxiste atë duke i treguar gjërat që do ta bënin të lumtur dhe të kënaqur, duke i treguar mundësitë që do të ishin të tijat kur të ishte mirë. Në vend të dhimbjes dhe ankthit që mbushte atë dhomë përpara hyrjes së saj atje, atje ishte një shkëlqim drite dhe paqeje, dhe lumturie përhapur në pamjen e atij djali ndërsa shihte në fytyrën e asaj që pati ofruar jetën, që ai të mund të ishte, dhe që në këtë rast pati ardhur nga një largësi e madhe që të ulej pranë tij dhe t’i shërbente për ta kthyer përsëri në jetë.

Unë vras mendjen ndonjëherë nëse këto nëna e kuptojnë sa të mrekullueshme janë në sytë e fëmijëve të tyre në një rast si ai. Ai djalë pati vendosur që përpara se nëna e tij të ishte atje, që kurrë përsëri nuk do të ishte i pabesë ndaj saj, kurrë përsëri nuk do të ishte moskokëçarës për çka ajo i pati dhënë atij, por i vendosur që emri që i ishte dhënë atij me nder do të mbahej prej tij i nderuar për sa kohë do të ishte gjallë.16 [Shih sugjerimin 5 në faqe 230–231.]

Unë lutem që dashuria e ungjillit të Zotit tonë do të ndizet në shpirtrat tanë dhe do të pasurojë jetën tonë që ajo të bëjë që bashkëshortët të jenë më të mirë me bashkëshortet dhe bashkëshortet të jenë më të mira me bashkëshortët, prindërit me fëmijët dhe fëmijët me prindërit për shkak të ungjillit të Jezu Krishtit, që është një ungjill i dashurisë dhe i dashamirësisë.17

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet v–vii.

  1. Lexoni ngjarjen rreth Xhorxh Albert Smithit që përgatit limonadë për punëtorët e lodhur (faqe 223). Kur keni parë një akt dashamirësie të zbusë zemrën e dikujt? Cilat janë disa probleme që mendoni se mund të zgjidhen me “shpirtin e dashurisë dhe të dashamirësisë ndaj të gjithëve”?

  2. Presidenti Smith na mësoi se “ne duhet të jemi shembujt më të shkëlqyer në të gjithë botën” në shmangien e kriticizmit të ashpër (faqe 225). Cilat janë disa situata në të cilat ne mund të japim një shembull të tillë? Sipas opinionit tuaj, përse janë kaq që dëmshme kriticizmi i ashpër dhe gjetja e gabimit?

  3. faqen 226, Presidenti Smith tregon për Plakun Frencis M. Liman duke komplimentuar vëllezërit e tij. Si jeni ndikuar ju nga dikush që ju jep vlerësime të sinqerta? Ndaluni një çast për të menduar për dikë të cilin ju duhet ta komplimentoni.

  4. Presidenti Smith na mësoi se “dashamirësia është fuqia që Perëndia na ka dhënë për të hapur zemrat e vështira” (faqe 227). Për cilat histori mund të mendoni nga shkrimet e shenjta që e ilustrojnë këtë parim? (Për disa shembuj, shih Mateu 9:10–13; Alma 20:1–27.)

  5. Shihni sërish historinë rreth nënës që viziton djalin e saj në spital (faqet 228–230). Kur një fëmijë shkon në rrugë të gabuar, përse është nganjëherë e vështirë të reagosh në mënyrën se si veproi nëna në histori. Plot lutje mendoni thellë se si një shpirt i dashamirësisë dhe i durimit mund të përmirësojë marrëdhënien tuaj me anëtarë të familjes suaj.

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Fjalët e Urta 15:1; Mateu 18:15; Gjoni 8:2–11; Efesianëve 4:29–32; 3 Nefi 12:22–24; Doktrina e Besëlidhje 121:41–46

Ndihmë për mësimdhënien: Diskutime në grupe të vogla “i japin një numri të madh njerëzish mundësinë të marrin pjesë në mësim. Individët që janë zakonisht ngurrues për të marrë pjesë mund të ndajnë ide në grupe të vegjël që ata nuk do t’i shfaqnin përpara gjithë grupit” (Teaching, No Greater Call [Mësimdhënia, S’Ka Thirrje më të Madhe], f. 161).

Shënime

  1. Në Conference Report, prill 1941, f. 28.

  2. Martha Stewart Hatch, në Susan Arrington Madsen, The Lord Needed a Prophet (1990), f. 130–131.

  3. Matthew Cowley, në Conference Report, prill 1951, f. 166–167.

  4. Në Conference Report, prill 1937, f. 34.

  5. “To the Relief Society”, Relief Society Magazine, dhjetor 1932, f. 704.

  6. Në Conference Report, tetor 1949, f. 168–169.

  7. Në Conference Report, tetor 1934, f. 50.

  8. “To the Relief Society”, f. 707.

  9. Në Conference Report, tetor 1934, f. 50.

  10. Në Conference Report, prill 1937, f. 34.

  11. Në Conference Report, tetor 1945, f. 174.

  12. “To the Relief Society”, f. 709.

  13. Në Conference Report, prill 1929, f. 33.

  14. Në Conference Report, prill 1948, f. 183.

  15. Në Conference Report, tetor 1950, f. 9.

  16. Deseret News, 15 maj 1926, seksioni katër, f. 6.

  17. Në Conference Report, tetor 1948, f. 167.

“Qetësisht, Gjyshi përgatiti disa limonada dhe, duke vendosur disa gota dhe kanën në një tabaka, i çoi ato jashtë tek burrat e stresuar.”

“Jetoni në mënyrë të tillë, në dashuri dhe mirësi, që paqja dhe lutja, dhe falënderimi të jenë në shtëpitë tuaja.”