Kapitulli 14
Si ta Ndajmë Ungjillin në Mënyrë të Efektshme
Përpjekjet tona për ta ndarë ungjillin janë më të efektshmet nëse i duam vëllezërit e motrat tona dhe nëse kemi shoqërinë e Frymës së Shenjtë.
Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit
Në përpjekjet e tij të palodhura për të ndarë ungjillin me të tjerët, Xhorxh Albert Smithi ndoqi këtë pohim nga kredoja e tij vetjake: “Unë nuk do të përpiqesha t’i detyroja njerëzit që të jetonin sipas idealeve të mia, por përkundrazi t’i nxisja me dashuri që të bënin atë që është e drejtë”1. Ai ndjeu se mënyra më e efektshme për të shpërndarë ungjillin ishte që të shihje për virtytet e mira tek njerëzit e besimeve të tjera dhe pastaj, me guxim e mirësi, të ofroje që të ndaje të vërtetat shtesë të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Ai tregoi përvojën në vijim që pati gjatë kryesimit të Misionit Europian.
“Një ditë po udhëtoja në tren. Bashkudhëtari im në kabinë qe një shërbestar presbiterian, një zotëri shumë i këndshëm dhe i mirë; dhe kur ma dha mundësinë, i tregova se isha anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ai u habit dhe më pa me çudi. Ai tha: ‘A nuk të vjen turp nga vetja që i përket një grupi të tillë?’
I buzëqesha dhe i thashë: ‘Vëllai im, do të më vinte turp nga vetja po të mos i përkisja atij grupi, duke ditur atë që di’. Atëherë, kjo më dha rastin që dëshiroja për t’i folur atij e për t’i shpjeguar disa prej gjërave që besojmë. …
Ishte një burrë i mirë që nuk kishte asnjë ide për atë që ne përpiqeshim të bënim. Ne nuk qemë aty për t’i shkaktuar dhimbje apo shqetësim; ne po përpiqeshim ta ndihmonim. Dhe teksa biseduam për situatën, i thashë: ‘Ju keni një ide të gabuar të qëllimit të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në këtë vend. Unë jam këtu si një prej përfaqësuesve të saj dhe nëse thjesht do të më lejoni t’ju tregoj pak gjëra, mendoj se do të keni ndjenja më të mira kundrejt nesh.’ Unë thashë: ‘Para së gjithash, ne po ju kërkojmë të gjithëve ju njerëz të mirë këtu që të ruani të gjitha të vërtetat e lavdishme që keni fituar në kishat tuaja, që keni përvetësuar nga shkrimet tuaja të shenjta, ruajini të gjitha ato, mbartni të gjithë shkollimin e mirë që keni marrë në institucionet tuaja arsimore, të gjithë dijen dhe të vërtetën që keni fituar nga çdo burim, ruani … çdo gjë që është e mirë në karakterin tuaj që e keni marrë prej familjes suaj të mirë; mbani të gjithë dashurinë dhe bukurinë që ndodhet në zemrën tuaj nga të jetuarit në një vend kaq të bukur e të mrekullueshëm. … Kjo është e gjitha, pjesë e ungjillit të Jezu Krishtit. Pastaj le të ulemi e të ndajmë me ju disa prej gjërave që nuk kanë ardhur ende në jetën tuaj, të cilat kanë pasuruar jetën tonë dhe na kanë bërë të lumtur. Ne jua japim pa para dhe pa paguar. E gjitha që ju kërkojmë të bëni është që të dëgjoni atë që kemi për të dhënë, dhe nëse ju tërheq, pranojeni falas. …’
Ky është qëndrimi i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.”2 [Shih sugjerimin 1 në faqen 154.]
Mësime të Xhorxh Albert Smithit
Puna misionare është më e efektshme kur e bëjmë me dashuri e mirësi, jo me detyrim apo kritikë.
Ati ynë Qiellor … na ka dërguar ne në botë, përfaqësuesit e tij, jo që të nxisim apo detyrojmë, por që të ftojmë. “Eja e më ndiq”, është ajo që tha Shpëtimtari, “dhe unë do t’ju jap çlodhje”. Kjo është ajo që jep mësim Ungjilli dhe kjo është shërbesa jonë.3
Nuk është qëllimi i kësaj Kishe të bëjë formulime që do të lëndonin ndjenjat atyre që nuk i kuptojnë gjërat. Kjo Kishë nuk është e tillë që shkon andej-këndej duke kritikuar e gjetur gabimet e të tjerëve, por në shpirtin e dashamirësisë së përzemërt dhe dëshirës për të qenë ndihmues, përfaqësuesit e saj e mbartin mesazhin e Ungjillit për te kombet e tokës.4
Në të gjitha … kishat ka burra të mirë dhe gra të mira. Është e mira, që ndodhet në këto grupe fetare të ndryshme, që i mban të bashkuar. Ka qenë privilegji im të jem me njerëz në shumë vende të botës dhe të jem në shtëpitë e shumë njerëzve të grupeve të ndryshme fetare të botës, si të krishterë edhe judenj. Kam qenë me [myslimanët]; kam qenë me ata të cilët besojnë te Konfuci; dhe mund të përmend shumë të tjerë. Kam gjetur njerëz të mrekullueshëm në të gjitha këto organizata; dhe kam përgjegjësinë e pamasë kudo që shkoj mes tyre, që të mos i fyej ata, të mos u lëndoj ndjenjat, të mos i kritikoj, ngaqë nuk e kuptojnë të vërtetën.
Si përfaqësues të Kishës, ne kemi përgjegjësinë të shkojmë mes tyre me dashuri, si shërbëtorë të Zotit, si përfaqësues të Zotërisë së qiellit dhe tokës. Ata mund të mos e vlerësojnë tërësisht këtë; ata mund të mos e durojnë atë [se u duket] si arrogante dhe e padrejtë, por kjo nuk do ta ndryshonte qëndrimin tim. Unë nuk kam ndërmend t’i bëj të brengosen, nëse mund t’ia dal. Do të doja t’i bëja të lumtur, veçanërisht kur mendoj për mundësitë e mrekullueshme që më kanë ardhur për shkak të anëtarësisë në këtë Kishë të shenjtë.5
Shërbesa jonë është ajo e dashurisë dhe vetëpërmbajtjes, dhe ne dëshirojmë që të bëjmë mirë për të gjithë dhe t’i ndihmojmë të gjithë që të kuptojnë planin e jetës dhe shpëtimit që Zoti zbuloi në këtë periudhë të mëvonshme.6
Ne nuk mund t’i shtyjmë këta të rinj dhe fqinjët e miqtë tanë drejt mbretërisë së qiellit nëpërmjet qortimit dhe gjetjes së gabimit në ta, por dua t’ju them se ne nëpërmjet dashurisë mund t’i nxisim në drejtim të Atit tonë në qiell, dhe përfundimisht t’i çojmë aty edhe ata.
Ky është privilegji ynë. Dashuria është fuqia e madhe për ta ndikuar këtë botë.7
Në që e dimë, ata prej nesh që kanë një dëshmi, le të shkojmë përpara çdo ditë dhe me dashuri e mirësi të pashtirur, mes këtyre burrave e grave, qofshin brenda Kishës apo jashtë Kishe; dhe të gjejmë një mënyrë për të prekur zemrat e tyre dhe t’i çojmë drejt atij shtegu që do të sigurojë një njohuri të së vërtetës.8
Sa shumë lutem që ne si shërbëtorë të Zotit të mund të kemi dashuri hyjnore për njerëzimin, të mund të kemi durim me ata që gabojnë dhe me mirësi e dashuri të shkojmë përpara duke dhënë mësim të njëjtat parime të ungjillit të Zotit tonë për bekimin e çdo shpirti me të cilin takohemi.9 [Shih sugjerimin 2 në faqen 154.]
Ne nuk duhet të kemi turp për të ndarë atë që dimë se është e vërtetë.
Ndonjëherë ndiej se nuk e kuptojmë mjaftueshëm rëndësinë e [ungjillit], që nuk e japim mësim me seriozitetin që kërkon.10
Ky ungjill i Jezu Krishtit është fuqia e Perëndisë për shpëtim, siç shpalli Apostulli Pal [shih Romakëve 1:16]. Është puna e Shëlbuesit. Është e vetmja rrugë përmes së cilës ne mund të arrijmë ekzaltimin më të lartë që Shpëtimtari i njerëzimit kishte ndërmend që duhet ta gëzojnë ata që e ndjekin. Nuk e them atë me arrogancë, e them me dashuri hyjnore për fëmijët e Atit tonë që i përkasin kishave të tjera. E them me dashuri për bijtë dhe bijat e tij që nuk e kuptojnë, por ai ka urdhëruar që ne duhet ta themi këtë gjë. Është vullneti i tij që njerëzit duhet ta dinë.11
Unë e di që Perëndia jeton. E di se Jezusi është Krishti. E di që Jozef Smithi ishte një profet i Zotit. Unë nuk kam qenë kurrë ndokund që të kem qenë i turpëruar të dëshmoj për këto të vërteta. Nuk e di arsyen që një njeri duhet të turpërohet që di të vërtetën ngaqë dikush tjetër nuk e di atë, veçanërisht kur i përket ungjillit që është fuqia e Perëndisë për shpëtim.12
Nuk duhet të merret si mburrje nga ne që të shprehemi në këtë mënyrë, nëse e dimë të vërtetën. Nuk duhet të merret si arrogancë sipas mendimit tonë, nëse mund t’u themi fëmijëve të tjerë të Atit: “Unë e di këtë dhe ju mund ta dini gjithashtu nëse dëshironi”.
Kjo është bukuria e ungjillit të Jezu Krishtit. Nuk është për pak njerëz, por është që ta dijë çdo shpirt që është lindur në botë. … Sot ka nga ata që e dinë se Perëndia jeton dhe ka mijëra të tjerë që do mund ta dinin nëse do të mundnin. … Nuk varen nga ne këta njerëz që ta dinë, por ata varen nga ne që t’u mësojmë se si mund ta dinë.13
E di se Ati ynë Qiellor ka folur në këtë ditë dhe periudhë kohe, që Ungjilli i tij është mbi tokë; dhe teksa nuk do të detyroja asnjë shpirt që ta pranonte atë, lutem që të mund të kemi fuqi dhe urtësi e forcë për të arritur tek këta fqinjët tanë që nuk e kuptojnë të vërtetën. Le të bëjmë detyrën tonë dhe t’i tërheqim në grigjën e Mësuesit, që ata, me ne, të mund të dinë se ai jeton.14 [Shih sugjerimin 3 në faqen 154.]
Ne synojmë t’i shtojmë lumturisë e mirësisë që fëmijët e Perëndisë e kanë tashmë.
Kur [njerëzit] më kanë pyetur: “Cili është motivacioni i kësaj organizate së cilës i përkisni? Për çfarë jeni kaq të shqetësuar që dërgoni misionarët tuaj kudo në botë?” Ndonjëherë jam përgjigjur: “Ne duam që ju të gjithë të jeni të lumtur. Ne duam që ju të gjithë të gëzoheni siç gëzohemi ne.”15
Mijëra e mijëra misionarë … kanë shkuar nëpër botë dhe me dashuri e mirësi kanë shkuar nga dera në derë duke u thënë fëmijëve të tjerë të Atit tonë:
“Le të arsyetojmë bashkë; le t’ju shpjegojmë diçka që jemi të sigurt që do t’ju bëjë të lumtur siç na ka bërë ne të lumtur!”
Ky është historiku i punës misionare të Kishës me të cilën ne njëjtësohemi.16
Më kujtohet në një rast një burrë më tha, pasi kishim biseduar për ca kohë: “Mirë, nga e gjitha që mund të mësoj, kisha juaj është po aq e mirë sa cilado kishë tjetër”. Them se mendoi që po na bënte një kompliment të madh; por unë i thashë: “Nëse Kisha që unë përfaqësoj këtu nuk është për fëmijët e njerëzve më me rëndësi se çdo kishë tjetër, atëherë gabohem në detyrën time këtu. Ne nuk kemi ardhur që t’ua marrim të vërtetën e virtytin që keni. Ne nuk kemi ardhur për të gjetur gabim në ju apo për t’ju kritikuar. … Ruajeni gjithë të mirën që keni dhe na lejoni t’ju sjellim më shumë të mirë, në mënyrë që të mund të jeni më të lumtur dhe në mënyrë që të mund të përgatiteni për të hyrë në praninë e Atit tonë Qiellor.” [Shih sugjerimin 4 në faqen 154–155.]
… Në kohën që Shpëtimtari qe në tokë, në meridianin e kohës, kishte kisha të tjera; kishte grupe fetare e sekte të shumtë, dhe ata besonin se po i shërbenin Zotit. Sinagogat e mëdha të Judesë qenë mbushur me njerëz që besonin se kishin autoritetin e priftërisë. Ata, siç mendonin, po ndiqnin mësimet e Abrahamit dhe Moisiut. Ata vazhduan të shpallnin ardhjen e Shpëtimtarit të botës. Ata i patën nxitur burrat e gratë drejt punëve të drejtësisë. Ata patën ndërtuar një tempull dhe shtëpi adhurimi. Ata patën ngritur përmendore për profetët që kishin dhënë dëshmi të qenies së Perëndisë, dhe disa prej të cilëve ishin vrarë dhe e kishin vulosur dëshminë e tyre me gjakun e jetës së tyre. Këta qenë njerëzit te të cilët erdhi Shpëtimtari. … Kishte shumë të mira në ta. Kishte shumë burra e gra të mira mes tyre. Kishte shumë drejtësi mes atyre njerëzve. Shpëtimtari nuk erdhi që t’u merrte ndonjë nga këto gjëra të mira. Kur iu shfaq atyre nuk qe për t’i mallkuar ata, por qe për t’i thirrur në pendim, qe për t’i thirrur larg nga gabimi i tyre dhe për t’i nxitur që ta ruanin të gjithë të vërtetën që kishin.
… Kur ne i shpallim familjes njerëzore, në mënyrën që bëjmë, se njerëzit kanë braktisur ungjillin, ne nuk po shpallim diçka që nuk ka ndodhur më parë në botë. Kur themi burra e gra të mira janë udhëhequr që të bëjnë e besojnë gjëra që nuk janë të sakta, ne nuk e themi këtë në mallkim, ne nuk flasim me dëshirë për të plagosur, por flasim me dëshirë që njerëzit të mund të pushojnë mjaftueshëm gjatë sa ta shqyrtojnë veten, të shohin ku po shkojnë dhe cila do të jetë e ardhmja e tyre përfundimtare.17
Ah sikur të mund të ishim në gjendje që t’i jepnim njerëzimit një kuptim të ndjenjave tona, që të mund të kuptonin që nuk dëshirojmë të kufizojmë mundësitë e tyre, por që ata të mund të ndiejnë se zemrat tona shtrihen drejt tyre në dashuri e mirësi, jo me ndonjë dëshirë për të lënduar. Misioni ynë në botë është që të shpëtojmë shpirtra, t’i bekojmë dhe t’i vëmë në gjendje që të mund të kthehen në praninë e Atit tonë, të kurorëzuar me lavdi, pavdekësi dhe jetë të përjetshme.18
Nëse japim mësim me Frymën e Shenjtë, Ai do t’u japë dëshmi për të vërtetën atyre që u mësojmë.
Misionarët janë dërguar nga kjo Kishë në katër anë e dheut dhe ata kanë shpallur Ungjillin e Jezu Krishtit. Shumë nuk janë shkolluar në universitet e mëdha të botës. Arsimimi i tyre është kufizuar kryesisht te përvojat praktike të jetës, por ata kanë pasur atë që është më e fuqishme në frymëzimin e familjes njerëzore, shoqërinë e Frymës së Shenjtë.19
Teksa shkoj lart e poshtë në fushën e misionit, shoh zhvillimin e këtyre të rinjve dhe të rejave të shkëlqyera që po shërbejnë bujarisht dhe kuptoj se ata jo vetëm që mësojnë gjuhën e vendeve në të cilat punojnë, por ata e dinë që kanë një dhuratë nga Zoti për të përhapur të vërtetën që njerëzit nuk mund ta marrin në ndonjë mënyrë tjetër.20
Shumë prej jush apo stërgjyshërve tuaj e kanë dëgjuar ungjillin siç jepet mësim nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. … Ndonjëherë e keni dëgjuar në rrugë ku qe një misionar i përulur, duke dhënë mësim atë që Zoti e kishte thirrur të jepte mësim.
Pati diçka që preku zemrat e atyre që e dëgjuan. Unë kam pasur përvoja në fushën e misionit. Kam parë grupe njerëzish që rrinë e dëgjojnë një misionar të përulur tek shpjegon qëllimin e jetës dhe u flet njerëzve dhe i nxit që të pendohen për mëkatet e tyre; dhe ndonjëherë kam dëgjuar njerëz të thonë: “Kurrë më parë nuk kam ndier një ndikim si ai që ndiej tek e dëgjoj të flasë atë njeri”.21
Nuk ka rëndësi sa të talentuar mund të jemi, apo sa e përzgjedhur me kujdes është gjuha jonë, është Shpirti i Atit tonë që arrin zemrën dhe sjell bindje mbi hyjninë e kësaj pune.22
Kjo është puna e Zotit. Njerëzit nuk mund ta kishin çuar përpara me sukses siç është bërë me mjetet e thjeshta të përdorura nga ne. Një njeri i zakonshëm nuk mund ta kishte sjellë në shpirtrat tuaj njohurinë që keni. As nuk mund t’i frymëzojmë ne si njerëz ata në botë me sigurinë që Perëndia jeton dhe se kjo është Kisha e tij, por nëse do bëjmë pjesën tonë, Ati ynë Qiellor do ta bekojë përpjekjen tonë.23
Le të punojmë dita ditës që Ati ynë të na bekojë. Nëse kemi Shpirtin e Tij të Shenjtë, njerëzit me të cilët takohemi do ta ndiejnë atë pasi do të përshkojë mjedisin në të cilin jetojmë dhe ata do ta marrin atë dhe do ta thithin atë.24
Ka vetëm relativisht pak që e kanë pranuar ungjillin siç është zbuluar në periudhën e mëvonshme; por ka miliona prej fëmijëve të Atit tonë që kanë dëshirë të dinë vullnetin e Tij; dhe kur e vërteta t’u sillet atyre dhe ndikimi bindës i Shpirtit t’u japë dëshmi për të vërtetën, ata do të gëzohen që ta pranojnë atë.25 [Shih sugjerimin 5 më poshtë.]
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet v–vii.
Studioni dy paragrafët e fundit tek “Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit” (faqet 147–148). Mendoni rreth dikujt që e njihni që nuk është anëtar i Kishës. Çfarë cilësish admironi në këtë person? Në cilat të vërteta të ungjillit beson ai apo ajo tashmë? Çfarë të vërtetash shtesë të ungjillit do të ishin veçanërisht ndihmuese për të? Si ndikon të menduarit në këtë mënyrë rreth njerëzve te mënyra se si e ndajmë ungjillin me ta?
Teksa lexoni seksionin e parë të mësimeve (faqet 148–149), mendoni rreth një kohe kur u ndikuat për mirë nga dashuria që tregoi dikush për ju. Përse është kaq e rëndësishme të shmangim të qenit kritikues ndaj atyre, besimet e të cilëve ndryshojnë nga tonat?
Rishikoni seksionin që fillon në faqen 150. Çfarë do të thotë ta ndash ungjillin me “[seriozitet]”? Si mund t’i ndajmë dëshmitë tona mbi ungjillin e rivendosur pa u dukur krenar apo arrogant?
Si mendoni, çfarë donte të thoshte Presidenti Smith kur tha: “Nëse Kisha që unë përfaqësoj këtu nuk është për fëmijët e njerëzve më me rëndësi se çdo kishë tjetër, atëherë gabohem në detyrën time këtu”? (faqe 151). Çfarë ofron Kisha e Jezu Krishtit që mund ta shtojë lumturinë në jetën e një personi?
Teksa lexoni seksionin e fundit të mësimdhënieve (faqet 152–154), mendoni rreth një përvoje që keni pasur në të cilën e ndatë ungjillin me dikë. Çfarë e bëri përvojën të suksesshme? Çfarë mund të bëni për të përmirësuar përpjekjet tuaja për të ndarë ungjillin?
Shkrime të Shenjta Përkatëse: Gjoni 13:34–35; 2 Timoteut 1:7–8; 2 Nefi 33:1; Alma 20:26–27; Doktrina e Besëlidhje 50:13–22
Ndihmë për mësimdhënien: Merrni parasysh ndarjen e anëtarëve të klasës në grupe të vogla prej tre apo pesë personash. Caktoni një udhëheqës në secilin grup. Caktojini secilit grup një seksion të ndryshëm. Kërkojini që ta lexojnë si grup seksionin e tyre dhe të diskutojnë pyetjet përkatëse në fund të kapitullit. Pastaj bëjini anëtarët e klasës që të ndajnë me tërë klasën atë që kanë mësuar në grupet e tyre. (Shih Teaching, No Greater Call, f. 161.)