Kapitulli 22
Rritja e Fëmijëve në Dritë e të Vërtetë
Zoti u ka dhënë prindërve përgjegjësinë t’u mësojnë fëmijëve të tyre ungjillin me fjalë e me shembull.
Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit
Nga fundi i jetës, Presidenti Xhorxh Albert Smith mendoi thellë mbi rritjen e tij dhe mësimet e prindërve:
“Unë u linda në një shtëpi të thjeshtë. … Prindërit e mi po jetonin në rrethana shumë të thjeshta, por unë e lëvdoj Krijuesin tim dhe e falënderoj atë me gjithë zemrën time që më dërgoi në shtëpinë e tyre.
U rrita në Solt-Lejk-Siti. Kur isha tetë vjeç, u pagëzova në Siti-Krik. U konfirmova anëtar i Kishës në mbledhjen e agjërimit në Lagjen e Shtatëmbëdhjetë dhe mësova, që kur isha djalosh, se kjo është puna e Zotit. Mësova se kishte profetë që jetonin në tokë. Mësova se frymëzimi i të Plotfuqishmit do të ndikonte ata që jetonin për ta gëzuar atë. …
Nuk njoh asnjë njeri në të gjithë botën që ka më shumë arsye për të qenë mirënjohës sesa unë. Jam mirënjohës për të drejtën time prej lindjes, mirënjohës për prindërit që më mësuan ungjillin e Jezu Krishtit dhe dhanë shembullin në shtëpinë e tyre. Nëse kam bërë ndonjë gjë që nuk duhet ta bëja në jetën time, do të ishte diçka që nuk mund ta kisha mësuar në shtëpinë e nënës sime. Me një familje të madhe me fëmijë, duhej një nënë me shumë durim, por ajo qe gjithmonë e duruar me ne. Atje kishte gjithmonë ëmbëlsi, mirësi dhe dashuri.”1
Në vetë shtëpinë e tij, Xhorxh Albert Smithi u përpoq të ndiqte shembullin e prindërve të tij të mësimdhënies me durim e dashuri. Bija e tij Editi, kujtoi një përvojë nga fëmijëria e saj:
“Ai vazhdimisht na këshilloi mbi sjelljen tonë, duke theksuar ndershmërinë dhe paanësinë. Më kujtohet një ditë kur po kthehesha në shtëpi nga mësimi im i pianos, fatorinoja harroi të më merrte paratë e biletës. … Në njëfarë mënyre ai nuk më vuri re dhe unë arrita në vendmbërritjen time ende duke e mbajtur monedhën në dorë dhe, sinqerisht, mjaft e lumtur që e kisha bërë udhëtimin falas.
… vrapova shend e verë tek Babi për t’i treguar për fatin tim të mirë. Ai e dëgjoi me durim historinë time. Fillova të mendoj se ishte sukses i madh. … Isha e sigurt se fatorinoja nuk e dinte që nuk kisha paguar për udhëtimin dhe, si rrjedhim, gjithçka qe në rregull.
Kur e përfundova rrëfimin tim, Babai tha: ‘Por, e dashur, edhe nëse fatorinoja nuk e di këtë, ti e di, unë e di dhe Ati Qiellor e di. Kështu, përsëri jemi tre vetë që duhet të kënaqemi duke parë se ti paguan plotësisht për vlerën që ke marrë.’”
Editi u kthye tek cepi i rrugës dhe pagoi për udhëtimin e saj kur tramvaji u kthye. Më vonë ajo shprehu mirënjohje për mënyrën se si e trajtoi i ati situatën: “Jam vërtet mirënjohëse për një Baba që qe mjaft i mençur sa të ma tregonte mirësisht gabimin, sepse, po të ishte shpërfillur, do të mund të kisha menduar se ai e miratoi dhe mund të kisha provuar diçka të ngjashme një herë tjetër.”2 [Shih sugjerimin 1 në faqen 243.]
Mësime të Xhorxh Albert Smithit
Prindërit kanë përgjegjësinë parësore për t’u mësuar ungjillin fëmijëve të tyre.
Një nga bekimet tuaja më të mëdha e më të pasura nga të gjitha do të jetë ai që vjen nëse ju i mësoni siç duhet dhe i përgatisni siç duhet këta shpirtra të zgjedhur që Ati ynë Qiellor po dërgon në botë në këtë ditë të mëvonshme. … Mos ua lini përgatitjen e fëmijëve tuaj shkollave publike. Mos ua lini përgatitjen e tyre Fillores, Shkollës të së Dielës, [organizatave të rinisë të Kishës]. Ato do t’ju ndihmojnë e do të japin kontribut të shkëlqyer, por kujtoni se çfarë ka thënë Perëndia vetë, se prindërit që nuk u mësojnë fëmijëve të tyre besim në Perëndi, pendim e pagëzim dhe vendosjen e duarve kur të jenë tetë vjeç, mëkati qoftë mbi kokat e e prindërve [shih DeB 68:25–28]. Ky nuk është kërcënim, vëllezërit e motrat e mia, ajo është këshilla e mirë dhe e dashur e Atit tonë Qiellor, që i di të gjitha gjërat dhe kupton e është i vetëdijshëm se çfarë do të thotë kur fëmijët lejohen të rriten pa këtë përgatitje.3
Ajo çfarë jam duke thënë, jam tej mase i shqetësuar që të ngulitet në mendjen e çdo prindi në Sion, dhe kjo është që, ndërsa Zoti ka siguruar gjithë këto institucione të mrekullueshme arsimore, ndërsa shkenca ka kontribuar kaq shumë për rehatinë dhe bekimin tonë, ndërsa Kisha ka përgatitur vende tek të cilët mund të dërgojmë fëmijët tanë që t’u mësohet ungjilli i Krishtit, kjo nuk na lehtëson juve ose mua nga përgjegjësia dhe detyrimi që na është dhënë nga Ati ynë Qiellor, që t’i mësojmë vetë fëmijët tanë. … Nuk është e mjaftueshme që fëmijëve të mi t’u mësohet besim, pendim e pagëzim dhe vendosja e duarve për dhuratën e Frymës së Shenjtë në organizatat ndihmëse. Ati im në qiell ka urdhëruar që unë duhet ta bëj atë vetë.4
Asnjë tjetër nuk mund të kryejë rolin që Perëndia na ka caktuar neve si prindër. Ne kemi marrë një detyrim kur kemi qenë mjetet e sjelljes së fëmijëve në botë. Ne nuk mund ta vendosim atë përgjegjësi mbi asnjë organizatë. Është e jona. … Së pari dhe më përpara detyrimi është mbi ju dhe mbi mua që jo vetëm të informojmë e të këshillojmë, por të stërvitim duke dhënë shembull, duke kaluar kohë të mjaftueshme me të dashurit tanë, këta djem e vajza, që ata të mos mund të udhëhiqen në … shtigje të ndaluara.5
Thirrini familjet tuaja rreth jush dhe, nëse keni dështuar në të shkuarën që t’u jepni atyre një kuptueshmëri të qëllimeve të jetës dhe një njohuri të Ungjillit të Zotit tonë, bëjeni tani, sepse unë ju them juve, si shërbëtor i Zotit, atyre iu duhet kjo tani dhe atyre do t’u duhet kjo këtej e tutje.6 [Shih sugjerimin 2 në faqen 243.]
Interesa të tjera nuk duhet të bëjnë që të harrojmë detyrën tonë për t’u dhënë mësim fëmijëve tanë.
Neve na thuhet tek Lluka se do të ketë një kohë kur njerëzve do t’ua zënë frymën shqetësimet, pasuritë dhe kënaqësitë e jetës [shih Lluka 8:14]. Unë kam në mendje … madje tani, burra dhe gra që i dua, vetë shpirtshmërisë së të cilëve i është zënë fryma nga vetë këto gjëra dhe kundërshtari po i udhëheq përgjatë atij shtegu të lehtë të kënaqësisë dhe ata po shpërfillin detyrën e tyre si prindër dhe si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit.
… Tani në mes të pështjellimit, ngazëllimit dhe gjithë kënaqësive të jetës, … le të mos harrojmë detyrën që ua kemi borxh këtyre djemve dhe vajzave, të cilët janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Ai është Ati i shpirtrave të tyre dhe ai do të na mbajë përgjegjës për mësimin që ata marrin. Unë shpresoj dhe lutem që ne do t’i mësojmë ata në atë mënyrë që, kur të vijë fundi, ne të mund të dëgjojmë prej tij atë bekim: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik, hyr në gëzimin e Zotit tënd”, dhe që ne të mund të kemi të dashurit tanë me ne përjetësisht.7
Mendoj se do të më pëlqente t’ju tregoja një ndodhi. Disa vite më parë, jetonin në Indiana dy djem, djalosha që punonin në ferma – ferma tetë deri njëmbëdhjetë kilometra larg. Ata punonin shumë çdo ditë duke kryer detyrat e tyre, duke mjelë lopë etj. Djaloshi i parë shkoi tek i ati një ditë, kur ishte rreth 13 apo 14 vjeç dhe tha: “Atë, do të doja të shkoja në qytet. Do të doja të shihja dritat shkëlqyese. Po vrisja mendjen nëse do të mund të shkoja ndonjë mbrëmje herët, nëse do të punoja shumë dhe do ta kryeja punën time.” Babai tha: “Ti nuk mund ta bësh atë, sepse nuk mund ta mbarosh punën tënde”. “Nëse jam i gatshëm të ngrihem në agim dhe të punoj gjithë ditën, a mund të shkoj në qytet? Nuk është shumë larg, mund të rri atje një apo dy orë dhe pastaj të kthehem herët në shtëpi.” Babai tha: “Mirë, sigurisht, nëse i bën të gjitha detyrat e tua, atëherë mund të shkosh”. Etër, kuptojeni këtë. Përfundimi qe që ai shkoi. Ai shkoi në qytet kur qe thuajse errësirë. Dyqanet dhe bankat ishin mbyllur. Kishte plot sallone bilardoje dhe vende kumari të hapura. Të gjithë njerëzit e mirë ishin brenda, shumica në vetë shtëpitë e tyre. Gjithë fundërrinat qenë në rrugë ose në këto vende. Ata e panë të vinte këtë djalosh dhe e morën me vete. Nuk kaloi shumë kohë përpara se ata t’i tregonin atij disa nga gjërat që asnjë djalosh nuk duhet t’i shohë. Ajo qe përvoja e tij. Kjo i dha atij shijen e diçkaje që nuk ishte e mirë për të.
Djaloshi i dytë iu drejtua babait të tij në të njëjtën mënyrë. Ai i tha: “Atë, do të doja të shkoja në qytet ndonjëherë. A nuk do të dëshiroje që të shkoja dhe të shihja disa nga gjërat që nuk i kam parë kurrë? Unë duhet të shkoj përpara darke që të shoh ndonjë gjë.” “Djaloshi im”, iu përgjigj i ati, “mendoj se ke të drejtë të shkosh në qytet dhe mendoj se ke të drejtën që babai yt të shkojë bashkë me ty. Zgjidh një ditë dhe unë do të të ndihmoj për punët që të mund të shkojmë mjaftueshëm herët saqë ti të takosh disa nga kolegët e mi.”
Unë po flas për të njëjtin vend – dy fermat nuk ishin shumë larg. Brenda një jave ai kishte zgjedhur ditën. Ata i kryen detyrat dhe shkuan në qytet. Ata arritën pak përpara orës katër. Ata shkuan atje përpara se bankat të mbylleshin. Djaloshi qe veshur me rrobat e tij të mira. Babai e çoi tek banka dhe e njohu me bankierin, që e mori për dore dhe i tha: “Kur të jesh në qytet, eja e na tako dhe ne do të të bëjmë të ndihesh i mirëpritur”.
Babai e çoi në disa vende tregtie ku ai kryente tregti, ku njerëzit e përshëndetën përzemërsisht. Kur shkuan në shtëpi së bashku, pasi kishin ndenjur për të parë një shfaqje, ai djalosh ishte njohur me disa nga njerëzit më të shkëlqyer të komunitetit. Rezultati qe që, kur ai u rrit dhe shkoi në qytet, marrëdhëniet e tij shoqërore qenë me njerëz të shkëlqyer.8 [Shih sugjerimin 3 në faqen 243.]
Dëshiroj t’ju sugjeroj se … , mënyra më e mirë si mund ta kaloni kohën tuaj, mënyra më e mirë si mund ta përdorni kohën tuaj është që të stërvitni djemtë tuaj dhe vajzat tuaja që të jenë të denjë për bekimet e Atit tonë Qiellor.9
Shembulli i një prindi mund ta udhëheqë një fëmijë në siguri, drejtësi dhe lumturi.
Le të jemi shembuj drejtësie për fëmijët tanë, le të kemi lutjet tona familjare dhe të kërkojmë bekim mbi ushqimin. Le të shohin fëmijët tanë se si bashkëshortë e bashkëshorte ne jemi të dashur me njëri-tjetrin. Ndërsa është ende koha, përdorni mundësitë si bashkëshortë e bashkëshorte që të bekoni njëri-tjetrin me dashurinë tuaj, me mirësinë tuaj dhe me mbështetjen tuaj në çdo mënyrë. Përdorni mundësinë ndërsa është ende koha që t’i mësoni bijtë e bijat tuaja se si të jetojnë që të jenë të lumtur. … Shtëpitë tona le të jenë shenjtërore paqeje, shprese dhe dashurie.10
Vetëm disa ditë më parë pashë një letër nga një burrë që ndoshta kishte jetuar gjysmën e jetës së tij. Duke i shkruar atit të tij ai tha: “Interesimi yt për të dashurit e tu, mësimi yt për mua, shembujt që më ke dhënë, kanë qenë një frymëzim për mua për të bërë atë që Zoti dëshiron që unë të bëj. Kam ndier se duke ndjekur hapat e tu, unë do të isha i sigurt.” Ai qe një atë i urtë, ai qe një atë i bekuar, që mund të kishte frymëzuar në mendjen e birit të tij një mirëbesim të tillë. … Për shkak të sjelljes së të atit – të paktën ai ia jepte meritën të atit në letrën e tij – për shkak të shembullit të dhënë në shtëpinë e tij, ai është sot një nga besnikët e kësaj Kishe. Ai mund të jetojnë në botë dhe të mbajë urdhërimet e Zotit. Shqetësimi i tij për të bërë mirë u frymëzua nga shtëpia ku jetoi. Ai nuk zbuloi egoizëm në shtëpi, por bujari. Prindërit nuk shqetësoheshin të merrnin gjithçka mundeshin dhe ta mbanin me egoizëm për vete, por ata shkuan duke kërkuar ata që kishin nevojë për ta, duke u dhënë kurajë e duke i bekuar ata. Gjithë të folurit në botë nuk do të kishte futur në zemrën e atij burri atë çfarë ai ka sot, por ishte shembulli që u dha nga prindërit e tij, nga ata që jetuan në shtëpinë ku ai jetoi.
Nuk kam dyshim se ka qindra burra e gra, mijëra prej tyre ndoshta, në komunitetet ku jetojmë ne dhe në botë, që do të thoshin të njëjtën gjë për mësimet e etërve të tyre dhe nënave të tyre. Por kam frikë se ka disa prej nesh që ndikohen nga zakonet e botës dhe i mundon ideja se duhet të ndjekin turmën, pavarësisht se çfarë beson ose bën ajo. Në atë rast, shembulli ynë nuk do të jetë një bekim, por mund të shkatërrojë lumturinë e fëmijëve tanë.11
Le të japim dëshmi në veprimet tona të përditshme, ashtu si dhe në bisedat tona, se ne besojmë që kjo është puna e Atit dhe gëzim i papërshkrueshëm do të na vijë, dhe fëmijëve që do të rriten në shtëpitë tona, do t’u shtohet besimi dhe përulësia. Atyre do t’u shtohet dhe do t’u jepet fuqi t’u rezistojnë tundimeve të kundërshtarit që janë drejtuar kundrejt tyre, dhe në vend të vuajtjeve që u janë shkaktuar fëmijëve të njeriut, për shkak të mëkatit, do të ketë ngushëllim, paqe e lumturi dhe … burra e gra do të banojnë në këtë tokë që do të kenë forcë karakteri që t’u bëjnë ballë të ligave të jetës.12 [Shih sugjerimin 4 në faqen 243.]
Duke e dashur e duke e mësuar rininë tonë, ne mund të ndihmojmë që ta mbrojmë atë nga e liga.
Shenjtorë të ditëve të mëvonshme, mësojuni fëmijëve tuaj që të respektojnë ligjin moral. Rrethojini ata me krahët e dashurisë tuaj, që ata të mos kenë asnjëfarë lloj dëshire që të marrin nga tundimet e së ligës, të cilat i rrethojnë ata nga çdo anë. …
Çfarë privilegji është për prindërit që të ulen në shtëpitë e tyre, rrethuar nga një familje djemsh e vajzash të dëlira dhënë atyre nga Ati ynë Qiellor, me shpirtrat e tyre të lindur nga Ati ynë në Qiell! Çfarë gëzimi është t’i kesh ata të ndërveprojnë së bashku duke marrë bekimet e Atit tonë Qiellor e duke gëzuar në shoqërimin e Shpirtit të tij dhe t’i kesh ata të stërvitur në mënyrë të tillë në ditët e tyre të rinisë që, ndërsa të kalojnë në pjekuri, të kenë mbajtur dëlirësinë e jetëve të tyre!
Vëllezërit e motrat e mia, unë ju përgjërohem që me më shumë zell, me më shumë vëmendje, më durim se kurrë më parë, ju ta ruani brezin e ri nga grackat që kundërshtari ka vënë për këmbët e tyre. Shumë prej [filmave] tanë, programeve radiofonike, revistave, librave etj., janë të papërshtatshëm … , dhe nëse ne nuk e asnjëanësojmë ndikimin e këtyre gjërave me mësimdhënie dhe mjedis të shëndetshëm, duke i sjellë rinisë përfitimet që rrjedhin nga njohja e jetës së burrave e grave të mira, duke u mësuar atyre virtytet e profetëve dhe kuptimin e Ungjillit të Jezu Krishtit, disa prej atyre që i duam, mund të shkasin ngadalë larg nesh. …
Le t’u mësojmë fëmijëve tanë të jenë të dëlirë në jetën e tyre, të jenë të drejtë. Mësojuni djemve tuaj të mbrojnë virtytin e motrave të tyre dhe të shoqeve të tyre. Mësojuni bijave tuaja të mbrojnë virtytin e djemve me të cilët shoqërohen. … Le të diplomohemi, nëse mund ta përdorim atë term, në rritjen e djemve dhe vajzave tona nën ndikimin e Shpirtit të Perëndisë, që kundërshtari të mos ketë fuqi t’i udhëheqë ata në rrugë të gabuar.13 [Shih sugjerimet 5 dhe 6 në faqen 243–244.]
Studimi i ungjillit si familje do të na ndihmojë t’i mbajmë fëmijët pranë nesh.
Në shtëpitë tona, vëllezër e motra, është privilegji ynë, është detyra jonë, që t’i mbledhim familjet tona së bashku që të gëzohemi e të forcojmë, e të mbështesim njëri-tjetrin, që të jepen mësim të vërtetat e Shkrimeve të Shenjta. Në çdo shtëpi, fëmijët duhet të nxiten që ta lexojnë fjalën e Zotit siç na është zbuluar në të gjitha periudhat ungjillore. Ne duhet të lexojmë Biblën, Librin e Mormonit, Doktrinën e Besëlidhjet dhe Perlën me Vlerë të Madhe; jo vetëm t’i lexojmë ato në shtëpitë tona, por gjithashtu t’ua shpjegojmë ato fëmijëve tanë që ata të mund të kuptojnë … marrëdhëniet e Perëndisë me njerëzit e tokës.
Le të shohim nëse nuk mund të bëjmë më shumë prej kësaj në të ardhmen sesa kemi bërë në të shkuarën. Le të zotohemi ndaj parimit dhe praktikës të mbledhjes së familjeve tona rreth nesh në vetë shtëpitë tona. Secili prej nesh le ta pyesë veten: “A e kam kryer detyrën time në shtëpinë time për leximin dhe mësimdhënien e ungjillit, ashtu si është zbuluar nëpërmjet profetëve të Zotit? A i kam mbajtur fëmijët e mi pranë meje dhe a e kam bërë shtëpinë një vend të këndshëm dhe një vend nderimi, dashurie, kuptueshmërie dhe përkushtimi?”
Nëse jo, le të pendohemi për shpërfilljen tonë dhe t’i mbledhim familjet tona rreth nesh, dhe t’u mësojmë atyre të vërtetën. …
“A e kam vendosur në rregull shtëpinë time?” Kjo duhet të jetë pyetja në çdo zemër. Jo, a ka bërë kështu fqinji im, por, a kam bërë unë atë që Zoti ka kërkuar prej meje?14
Fëmijët tanë janë dhurata më e çmuar që Ati ynë na jep neve. Nëse ne mund t’i udhëheqim këmbët e tyre në shtegun e shpëtimit, do të ketë gëzim të përjetshëm për ne dhe për ata. …
Një mënyrë si mund t’i mbajmë ata më pranë nesh është që ne të mblidhemi së bashku më shpesh në shtëpitë tona. Kisha ka kërkuar që të lihet mënjanë çdo javë të paktën një natë në shtëpi, që e gjithë familja të mblidhet së bashku dhe të gëzojmë shoqërinë e njëri-tjetrit, të gëzojmë kënaqësitë e thjeshta të mbledhjes familjare rreth vatrës dhe të diskutojmë me njëri-tjetrin ato gjëra që kanë vlerë të madhe e të qëndrueshme.
… Në vitin 1915 Presidenca e Parë u shkroi për këtë “presidentëve të kunjeve, peshkopëve dhe prindërve në Sion” dhe unë citoj nga ajo që thanë ata atëherë:
“Ne këshillojmë dhe nxitim krijimin e një ‘Mbrëmjeje në Shtëpi’ në mbarë Kishën, kohë në të cilën etërit dhe nënat të mund të mbledhin së bashku djemtë e vajzat e tyre në shtëpi dhe t’u mësojnë atyre fjalën e Zotit. … Kjo ‘Mbrëmje në Shtëpi’ duhet t’i kushtohet lutjes, këndimit të himneve, këngëve, muzikës instrumentale, leximit të Shkrimit të Shenjtë, temave familjare dhe udhëzimeve të veçanta mbi parimet e ungjillit dhe mbi problemet etike të jetës, si dhe detyrave e detyrimeve të fëmijëve ndaj prindërve, shtëpisë, Kishës, shoqërisë dhe kombit.”
Dhe ky ishte bekimi i premtuar ndaj atyre që do ta bënin atë që kërkohej:
“Nëse shenjtorët i binden kësaj këshille, ne premtojmë se bekime të mëdha do të rezultojnë. Dashuria në shtëpi dhe bindja ndaj prindërve do të rriten. Besimi do të zhvillohet në zemrat e rinisë së Izraelit dhe ata do të fitojnë fuqi për të luftuar ndikimet e liga dhe tundimet që i mësyjnë ata.”
Këto parime e premtime janë ende përpara nesh.15
Nëse mbrëmja në shtëpi do të mund të ishte një fakt mes shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, nëse gjatë një mbrëmjeje në javë ne do të jetonim me njerëzit tanë, nën ndikimin e shpirtit të Zotit, në vetë mbledhjet tona rreth vatrës të rrethuar nga ata të cilët Zoti na i ka dhënë dhe na ka thënë, veçanërisht, se ne duhet t’i udhëzojmë ata, sa shumë shtëpi të lumtura do të kishte aty ku sot është hidhërim dhe mosmarrëveshje, dhe shqetësim. …
… Kur ne i lëmë përjashta botën dhe gjërat e pjesës së jashtme dhe nën fuqinë e lutjes e të falënderimit ne u japim bijëve e bijave tona ato të vërteta të pasura që Zoti i ka lënë me ne për mirëqenien tonë dhe për të tyren, një zhvillim i çiltër i besimit do të vijojë. Unë shpresoj se do të jetë e mundur për ne që të kthehemi, nëse jemi larguar nga ajo këshillë. Le t’i mbledhim fëmijët tanë rreth nesh dhe le t’i lëmë shtëpitë tona të jenë vendi i qëndrueshëm i Shpirtit të Zotit. Nëse ne do të bëjmë pjesën tonë, ne mund ta dimë e të jemi të sigurt se Ati ynë Qiellor do ta bëjë të tijën.16 [Shih sugjerimin 7 në faqen 244.]
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet v–vii.
Mendoni mbi ndodhinë në faqet 233–234. Si mendoni ju, përse Xhorxh Albert Smithi qe në gjendje ta mësonte kaq suksesshëm bijën e tij Editin? Mendoni rreth një kohe nga rinia juaj kur një prind ju mësoi diçka që pati ndikim në jetën tuaj. Përse ai mësim qe kaq efikas?
Studioni seksionin e parë të mësimeve (faqet 234–235) dhe Doktrinën e Besëlidhjet 93:37–40. Si mendoni ju, përse Zoti u ka dhënë prindërve, më tepër se organizatave të tjera, përgjegjësinë që t’u mësojnë fëmijëve të tyre ungjillin? Si munden organizatat e Kishës të ndihmojnë prindërit për këtë përgjegjësi? Si mund të ndihmojnë pjesëtarë të familjes më të gjerë? Nëse ju nuk keni vetë fëmijët tuaj, merrni parasysh mënyra se si mund të jeni një ndikim i drejtë mbi rininë e Kishës në një mënyrë që është mbështetëse për prindërit.
Shihni sërish ndodhinë në faqet 236–237. Si përfitojnë fëmijët kur prindërit e tyre kalojnë kohë me ta? Cilat janë disa nga “shqetësimet dhe … kënaqësitë e jetës” (faqe 235) që mund të na bëjnë të lëmë pas dore përgjegjësitë tona për familjet tona? Çfarë mund të bëjmë që t’i mposhtim këto hutime?
Lexoni seksionin që fillon në faqen 237. Mendoni për qëndrimet tuaja ndaj “zakoneve të botës” dhe se si këto qëndrime mund të ndikojnë fëmijët tuaj. Cilat janë disa “veprime të përditshme” që u japin dëshmi veçanërisht të fortë për besimet tona fëmijëve tanë?
Cilat janë disa nga tundimet që fëmijët dhe rinia përballin në komunitetin tuaj? Studioni seksionin që fillon në faqen 239, duke kërkuar gjëra që mund të bëjnë prindërit, gjyshërit dhe të tjerë për ta ndihmuar rininë t’i rezistojë tundimit.
Presidenti Smith këshilloi se ne duhet të “diplomohemi”, ose të specializohemi, në rritjen e fëmijëve tanë nën ndikimin e Shpirtit (shih faqe 240). Çfarë do të thotë kjo për ju? Çfarë lloj gjërash mund të bëjnë prindërit që të specializohen në rritjen e fëmijëve të tyre në drejtësi?
Në faqet 241–242, Presidenti Smith sheh sërish disa nga premtimet që u janë bërë familjeve që mbajnë mbrëmje familjare të rregullt. Si janë përmbushur këto premtime në familjen tuaj? Çfarë këshille do t’i jepnit një familjeje që nuk ka mbajtur kurrë më parë mbrëmje familjare por që dëshiron të fillojë?
Shkrime të Shenjta Përkatëse: Fjalët e Urta 22:6; Isaia 54:13; Enosi 1:1–3; Mosia 4:14–15; Alma 56:45–48; Doktrina e Besëlidhje 68:25–31; shih edhe “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Ensign, nëntor 1995, f. 102.
Ndihmë për mësimdhënien: “Kini kujdes të mos i jepni fund një diskutimi të mirë tepër shpejt në përpjekje për të paraqitur të gjithë materialin që keni përgatitur. Edhe pse është e rëndësishme ta pasqyroni materialin, është më e rëndësishme të ndihmoni nxënësit të ndiejnë ndikimin e Shpirtit, të zbërthejnë pyetjet e tyre, të rrisin kuptueshmërinë e tyre për ungjillin dhe të forcojnë zotimin e tyre për të mbajtur urdhërimet” (Teaching, No Greater Call, [Mësimdhënia, S’Ka Thirrje më të Madhe] f. 64).