Kapitulli 19
Bekimet Materiale dhe Shpirtërore nga Fjala e Urtësisë
Ati ynë Qiellor na dha neve Fjalën e Urtësisë për të na bekuar me shëndet fizik dhe për të na përgatitur për jetë të përjetshme.
Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit
Kur Xhorxh Albert Smithi ishte fëmijë, ai u sëmur nga ethet e tifos. Mjeku që e diagnostikoi, i tha së ëmës se ai duhej të qëndronte në shtrat për tre javë, të mos hante ushqime të forta dhe të pinte pak kafe. Presidenti Smith më vonë kujtonte:
“Kur ai u largua, unë i thashë mamasë se nuk doja aspak kafe. Mua më ishte mësuar se Fjala e Urtësisë, dhënë nga Zoti Jozef Smithit, na këshillonte që të mos përdorim kafe.
Mamaja pati sjellë tre fëmijë në botë dhe dy patën vdekur. Ajo ishte jashtëzakonisht e shqetësuar për mua.”
I riu Xhorxh Albert Smith kërkoi në vend të kësaj për një bekim priftërie, që e mori nga mësuesi i tij i shtëpisë.
“Kur mjeku erdhi mëngjesin tjetër, unë po luaja jashtë me fëmijë të tjerë. Ai u befasua. Ai më vizitoi dhe pa që ethet e mia patën kaluar dhe se unë dukesha të isha mirë.
Unë qeshë mirënjohës ndaj Zotit për shërimin tim. Unë qeshë i sigurt se ai më pati shëruar.”1
Presidenti Smith donte që shenjtorët të kuptojnë se bindja ndaj Fjalës së Urtësisë sjell jo vetëm shëndet fizik por bekime shpirtërore gjithashtu. Në një sesion të priftërisë të konferencës së përgjithshme, ai tregoi historinë e Danielit, profetit të Dhiatës së Vjetër, që qe çuar rob në Babiloni dhe pritej të hante mishin si mbreti dhe të pinte verën e mbretit:
“Danieli ishte një profet i Perëndisë dhe ai ishte profet sepse ai i mbante urdhërimet e Perëndisë. Unë do të doja që ju … ta merrni me vete këtë mesazh. Danieli i respektonte mësimet e Perëndisë bashkë me shokët e tij, në lidhje me llojin e ushqimeve dhe të pijeve që duhej të përdornin dhe kundërshtonte të pranonte ushqimin që shërbehej në tryezën e mbretit. [Shih Danieli 1:3–16.]”
Presidenti Smith vazhdoi të shpjegojë se, për shkak të bindjes së Danielit ndaj ligjit të Zotit për shëndetin në kohën e tij, jo vetëm jeta e tij u ruajt, por Danieli mori gjithashtu një bekim të madh shpirtëror: “frym[ën e] të Plotfuqishmit”2. [Shih sugjerimin 1 në faqen 208.]
Mësime të Xhorxh Albert Smithit
Fjala e Urtësisë është një këshillë e dashur nga Ati ynë, që i di të gjitha gjërat.
Unë do t’ju lexoj juve një pjesë nga ajo që Zoti i tha Kishës më 27 shkurt 1833.
“Një Fjalë Urtësie, për përfitimin e këshillit të priftërinjve të lartë, të mbledhur në Kirtland, dhe të kishës e gjithashtu të shenjtorëve në Sion—
Për t’u dërguar si përshëndetje; jo me anë të urdhërimit apo detyrimit, por me anë të zbulesës dhe fjalës së urtësisë, duke treguar rregullin dhe vullnetin e Perëndisë për shpëtimin e përkohshëm të gjithë shenjtorëve në ditët e fundit.”
Tani vetëm mendoni për një çast – “për shpëtimin e përkohshëm të gjithë shenjtorëve në ditët e fundit”.
“E dhënë për një parim me premtim, e përshtatur me aftësinë e të dobtëve dhe më të dobtëve të gjithë shenjtorëve, të cilët janë ose mund të thirren shenjtorë.” [Shih DeB 89:1–3.]
Pastaj Zoti vazhdon të na tregojë neve gjërat që janë të mira për ne, shpjegon llojin e ushqimit që është i dëshirueshëm që ta përdorim ne dhe pastaj na paralajmëron kundër disa gjërave që kanë qenë shumë helmuese dhe të dëmshme [shih DeB 89:5–17].
Mua më duket se ne si popull jemi bekuar mrekullisht… Zoti ka qenë i mëshirshëm për ne, që na ka paralajmëruar, këshilluar dhe njoftuar lidhur me shumë gjëra.3
Unë mendoj për Fjalën e Urtësisë si një këshillë bujare e Atit tonë në qiell, që dëshiron t’i shohë fëmijët e Tij të bëhen më shumë si Ai… Unë e marr atë si një këshillë atërore nga dikush që, duke e ditur çfarë më nevojitej, më tha: “Biri im, këto gjëra nuk janë të mira për ty dhe, nëse ti do t’i shmangësh ato, unë do të të jap ty shoqërinë e Frymës sime të Shenjtë e gëzim ndërsa jeton në botë dhe në fund, jetë të përjetshme.” Sa i marrë do të isha atëherë që të merrja pjesë në këto gjëra të ndaluara, duke patur sigurimin se është këshilla e Zotit që unë duhet të përmbahem nga ato. Unë do të ndihesha nën mallkim nëse do të merrja pjesë në to, kur Ai që di më mirë se cilido tjetër, thotë që ato janë të dëmshme dhe më ka paralajmëruar kundër tyre. …
… Ai e mendoi atë me aq rëndësi sa të na i jepte ne dhe të na paralajmëronte ne, dhe nëse Ai që i di të gjitha gjërat e mendoi të domosdoshme të na japë porosi dhe këshillë mbi këto gjëra të përkohshme, sa me kujdes ne, që nuk dimë atë që e nesërmja ka rezervuar për ne, duhet ta respektojmë atë këshillë hyjnore. Unë e ndiej se shenjtorët e ditëve të mëvonshme kanë në Fjalën e Urtësisë një ligj që do t’i ekzaltojë ata dhe do t’i ngrejë mbi ata që dështojnë ta mbajnë atë.4
Ungjilli i Jezu Krishtit është që të ruajë shpirtrat, për të cilët trupi është tabernakulli, për lumturi të përjetshme. Sa të marrë jemi ne nëse u hapim rrugë huqeve dhe zakoneve të botës! … Ati ynë Qiellor në mirësinë dhe dashurinë e tij [paralajmëroi]: “Si pasojë e djallëzive dhe planeve që ekzistojnë dhe do të ekzistojnë në zemrat e njerëzve komplotues në ditët e fundit, unë ju kam lajmëruar dhe paralajmëruar, duke jua dhënë këtë fjalë të urtësisë me anë të zbulesës.” (DeB 89:4.)… Qëllimi i ungjillit të Jezu Krishtit është të na përgatisë të kuptojmë bukurinë e jetës siç Zoti ka treguar që ajo duhet të jetohet, duke na treguar neve se si mund t’i shmangim gjërat që po shkatërrojnë botën.5
A besoni se Zoti na e ka dhënë Fjalën e Urtësisë? A mendoni vërtet se ai e di atë që është mirë për ne? A mendoni se ai do të kënaqet në se ne do ta respektojmë atë ligj? Ai thotë se po. A mendoni se ai kishte atë parasysh?6
Vëllezër dhe motra, ne nuk mundemi, pa u ndëshkuar, ta shohim me shpërfillje Fjalën e Urtësisë. Ishte dhënë si porosi dhe këshillë, jo me urdhër apo detyrim, por si një fjalë urtësie, nga Ati ynë, për shpëtimin material të trupave tanë dhe përgatitjen e shpirtrave tanë për jetë të përjetshme.7 [Shih sugjerimin 2 në faqen 209.]
Zoti premton shëndet mendor dhe fizik për ata që i binden Fjalës së Urtësisë.
Unë jam mirënjohës për atë Fjalë të Urtësisë të mrekullueshme, të thjeshtë siç është dhe, siç thotë Zoti, “e përshtatur me aftësinë e të dobtëve apo më të dobtëve të të gjithëve që janë ose mund të thirren Shenjtorë”. Unë ndaloj të pyes … , a jemi ne të denjë të quhemi shenjtorë? Të gjithë që shpresojnë të thirren shenjtorë duhet sigurisht të jenë respektues të Fjalës së Urtësisë. Dhe çfarë do të thotë ajo për ne? Ajo na jep ëmbëlsinë e jetës, ajo largon prej nesh avujt helmues që shumë njerëz thithin si pasojë e pirjes së duhanit. Ajo shmang për ne atë gjendje të neveritshme që është pasojë e mbllaçitjes së duhanit. Ajo na ruan ne, nëse e respektojmë, nga gjymtitë për shkak të futjes së [drogave] që përmban çaji dhe kafeja në organet tona dhe nga ndikimet shkatërrimtare të pijeve alkoolike. …
Ati ynë Qiellor jo vetëm që na tregon neve se çfarë duhet të shmangim, por ai na tregon neve se çfarë mund të përdorim me dobi. Ai na ka thënë se gjithë drithërat, të gjitha barishtet e shëndetshme, fruti i rrushit etj. janë të mira për njeriun. Mishi i kafshëve dhe i shpendëve të ajrit, dhe këto gjërat që ai i përmend, ne mund t’i përdorim me kujdes dhe me falënderim dhe unë dua ta theksoj me falënderim.8
Ne vëmë re se bindja ndaj ligjeve të shëndetit prodhon forcë mendore e fizike dhe ne zbulojmë se nga mosbindja ndaj tyre vjen përkeqësim mendor dhe fizik. Është Krijuesi ynë, Ati i shpirtit tonë, që na dha mundësinë të jetojmë mbi këtë tokë, i cili ka thënë se disa gjëra që përmenden te zbulesa nuk janë të mira për ne. Ai na ka bërë neve premtime të vlefshme, nëse ne do t’i bindemi këtij ligji, – premtime të urtësisë, të shëndetit e të forcës dhe se engjëlli shkatërrimtar do të kalojë anash dhe nuk do të na dëmtojë ne, siç bëri me fëmijët e Izraelit [shih DeB 89:18–21].9 [Shih sugjerimin 3 në faqen 209.]
Bindja ndaj Fjalës së Urtësisë forcon besimin dhe shpirtshmërinë tonë.
Unë jam plotësisht i bindur që Zoti në mëshirën e Tij, kur Ai na dha neve Fjalën e Urtësisë, na e dha neve, jo vetëm që ne të mund të kemi shëndet, ndërsa jetojmë në botë, por që besimi ynë të mund të forcohet dhe që dëshmia jonë për karakterin hyjnor të misionit të Zotit dhe Mësuesit tonë të mund të rritet, që duke vepruar kështu ne të mund të jemi të përgatitur më mirë për t’u kthyer në praninë e tij kur puna jonë këtu të ketë përfunduar. Unë trembem se, si bij dhe bija të Sionit, ne ndonjëherë nuk arrijmë ta kuptojmë rëndësinë e këtij mesazhi të madh drejtuar botës.10
Unë dua t’ju them juve, sipas gjykimit tim, se përdorimi i duhanit, një gjë e vogël siç duket për disa njerëz, ka qenë mjeti për shkatërrimin e jetës së tyre shpirtërore, ka qenë mjeti për t’i larguar ata nga shoqërimi i Shpirtit të Atit tonë, i ka bërë ata të huaj për shoqërinë e burrave e të grave të mira dhe u ka sjellë atyre shpërfillje e qortim nga fëmijët që u kanë lindur, dhe akoma djalli do t’i thotë një njeriu: “Oh, është vetëm diçka e vogël!”11
Ne jetojmë në një kohë kur Zoti u ka folur përsëri njerëzve të Tij. Ne, që jemi anëtarë të Kishës, që i kemi zbatuar kërkesat e Atit tonë në Qiell, e kuptojmë përsosmërisht se Perëndia jeton dhe se Ai është shpërblyesi i atyre që me zell i shërbejnë Atij. Ne e kuptojmë se Ai ka dhënë disa rregulla e norma për të na qeverisur ne në këtë jetë dhe bindja ndaj kërkesave të Tij na siguron kënaqësinë e Tij dhe bekimet e premtuara do të pasojnë bindjen tonë; por, nëse dështojmë t’u bindemi mësimeve të Tij, nëse nuk i marrim parasysh këshillat e Tij të urta, atëherë ne nuk kemi ndonjë premtim prej Tij dhe po humbasim mundësitë që nuk do të na vijnë përsëri. Unë e ndiej rëndësinë e zbatimit të këtij ligji të veçantë [Fjalës së Urtësisë] nga shenjtorët e ditëve të mëvonshme. Unë besoj se duke iu bindur atij, shumë më tepër besim mund të gëzojnë shenjtorët e ditëve të mëvonshme. Ne lexojmë në mësimet e Mormonit se nëse nuk do të kishte mrekullira të kryera midis atij populli, kjo ishte sepse ata nuk patën besim dhe ai u tha atyre më tej se, pa besim, “e tmerrshme është gjendja e njeriut”. [Shih Moroni 7:37–38.] Nëse ne shkelim vullnetin e njohur të Zotit është e natyrshme që besimi ynë do të venitet, sepse Shpirti nuk do të përpiqet gjithmonë me ne. …
… Unë besoj fort se nga shkaku i shpërfilljes së kësaj kërkese të thjeshtë, besimi është zvogëluar në zemrat e disa prej njerëzve tanë – që, nëpërmjet një zbatimi më të përgjithshëm të Fjalës së Urtësisë, besimi do të rritet midis shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe njohuri më e madhe do të na vijë si rrjedhim; sepse duke iu bindur asaj, do të vijë gatishmëri për t’iu bindur ligjeve të tjera të Atit tonë dhe respektimi i secilit siguron një bekim.12 [Shih sugjerimet 3 dhe 4 në faqen 209.]
Duke iu bindur Fjalës së Urtësisë, ne përgatitemi për jetë të përjetshme.
Unë ndonjëherë pyes veten nëse shenjtorët e ditëve të mëvonshme e kuptojnë se [Fjala e Urtësisë] na është dhënë për ekzaltimin tonë; jo vetëm për bekimin tonë tokësor, por për të na përgatitur për jetën shpirtërore. …
Neve na është thënë se lavdia e Perëndisë është inteligjencë [shih DeB 93:36] dhe ne të gjithë i admirojmë burrat dhe gratë inteligjente, prandaj duhet të kemi dëshirë që të hedhim themelet për ta rritur fuqinë mendore dhe jo të bëjmë gjëra që e dobësojnë. Është e dukshme në jetën e disave se ata ia heqin vetes forcën e trurit që mund të gëzonin, duke përdorur vazhdimisht gjëra që Ati ynë Qiellor ka thënë se nuk janë të mira; ata bëhen si rrjedhim më pak inteligjentë dhe dështojnë të bëjnë përgatitjen për jetë të përjetshme që duhet të jetë qëllimi i tyre.13
Nëse ne besojmë siç pretendojmë, se Jezusi është Krishti, dhe që ne jemi fëmijët e Atit tonë Qiellor, atëherë sa të kujdesshëm duhet të jemi për t’u sjellë në mënyrë të tillë që të mund të jemi të denjë për tempujt që mbajmë, të cilët qenë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Sa prej nesh e kuptojnë se duke marrë në organet tona gjëra që Ati ynë i ka ndaluar, ne njollosim tempullin e shpirtit? Sa prej nesh ndalojnë për të marrë parasysh se, kur ne u hapim rrugë dobësive të mishit, ne i grabisim vetes mundësitë që na presin në të ardhmen dhe na shkëpusin nga bekimet që Zoti ka rezervuar për besnikët?14
Nëse ky ligj, që është përshtatur sipas aftësive të më të dobtëve prej nesh, respektohet, ai do të jetë një themel mbi të cilin mund të shtohen shumë bekime të mëdha që Ati ynë do të jetë i kënaqur të na i japë, që përndryshe ne nuk do të kishim të drejtë për to dhe nuk do të mund t’i merrnim. Si mundet ndonjë nga ne të ndihet i justifikuar në shpërfilljen e një ligji të thjeshtë të Perëndisë që Ai, me vetë zërin e Tij, ka thënë se secili prej nesh mund t’i bindet? A mund të presim të jemi në gjendje të mbajmë një ligj më të lartë dhe të jemi në gjendje të arrijmë ekzaltim të madh, nëse dështojmë të mbajmë këtë kërkesë të thjeshtë?15 [Shih sugjerimin 3 në faqen 209.]
Mënyra më e mirë për t’u mësuar familjeve tona që t’i binden Fjalës së Urtësisë, është t’i bindemi vetë.
Baballarët dhe nënat, nëse do të mbajnë Fjalën e Urtësisë, mund t’u transmetojnë fëmijëve të tyre virtyte dhe forcë që ata nuk mund t’ua japin dot ndryshe atyre. Unë besoj se shoqëria e Shpirtit të Atit tonë do të jetë në zemrat e shtëpitë e atyre që e mbajnë këtë ligj, dhe dëshira e tyre për të qenë të bindur do të transmetohet te fëmijët e tyre… Është fakt i mirënjohur që ndikimi i duhanit mbi trurin e fëmijëve është shumë i dëmshëm, shkatërrues i kujtesës dhe që topit ndjesitë më të holla; gjithashtu, që efekti i pijeve alkoolike mbi trurin e të rinjve është shumë i dëmshëm: ai ndërpret dëshirën për të qenë i ndershëm e i drejtë dhe çon drejt vesit dhe krimit. … Zoti na ka dhënë neve këtë ligj në mirësi dhe dashuri, duke premtuar disa bekime nëse ne do t’i bindemi këshillës së Tij. Unë ndiej t’ju nxit ju, vëllezër dhe motra të mia, që ta jepni mësim këtë në shtëpitë tuaja. Tërhiquni vëmendjen për këtë fëmijëve tuaj që po rriten, dhe për shpërblimin që bazohet te respektimi i tij.
Më lejoni t’ju them se treguesi më i mirë i besimit tonë te ky ligj, që ne e besojmë se erdhi nga Perëndia, është një respektim i tij i përhershëm në jetën tonë. Ne mund ta predikojmë atë gjithë ditën, por nëse ne e shkelim në praktikë, shembulli ynë mund të jetë shkatërrues për ata që ne i duam më shumë se jetën, sepse ata do të ndiejnë se munden me siguri të vijnë për aty ku ne udhëheqim.16
Më lejoni të lutem me ju, shqyrtojeni Fjalën e Urtësisë plot lutje. Mos u mjaftoni thjesht me leximin e saj, shqyrtojeni plot lutje. Zbuloni se për çfarë e dha atë Ati ynë Qiellor. Ai na e dha atë me një premtim për një jetë më të gjatë dhe lumturi, jo nëse dështojmë ta respektojmë, por nëse e respektojmë atë. Lexoni Fjalën e Urtësisë në prani të familjes suaj dhe jini shembull. Nëse ne do ta bëjmë atë, Sioni do të vazhdojë të rritet. Nëse ne do ta bëjmë atë, Kisha e Qengjit të Perëndisë do të vazhdojë të bëhet një fuqi për mirë në botë.17 [Shih sugjerimin 5 në faqen 209.]
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet v–vii.
-
Në faqen 202, Presidenti Smith i referohet historisë së Danielit që nuk pranon të marrë nga mishi dhe vera e mbretit. Lexoni Danieli kapitulli 1 dhe mendoni rreth një përvoje që mund të keni pasur kur pritej të merrnit diçka që është e ndaluar në Fjalën e Urtësisë. Cilat janë disa mënyra të përshtatshme për t’iu bindur Fjalës së Urtësisë në rrethana të tilla duke qenë përsëri respektues ndaj të tjerëve?
-
Shihni sërish seksionin e parë të mësimeve (faqet 202–204). Si mund t’i përdorni këto mësime për të ndihmuar dikë që ka vështirësi për t’iu bindur Fjalës së Urtësisë?
-
Shihni sërish shkurtimisht faqet 204–207, në të cilat Presidenti Smith diskuton disa nga bekimet premtuar atyre që i binden Fjalës së Urtësisë (shih gjithashtu DeB 89:18–21). Si janë përmbushur këto premtime në jetën tuaj? Çfarë bekimesh të tjera keni marrë ndërsa keni jetuar këtë ligj?
-
Në faqen 206, Presidenti Smith premton se respektimi i Fjalës së Urtësisë sjell një “gatishmëri për t’u bindur”. Çfarë do të thotë kjo frazë për ju?
-
Në opinionin tuaj, si e ndihmon Kishën bindja jonë ndaj Fjalës së Urtësisë “të bëhet një fuqi për mirë në botë”? (faqe 208). Plot lutje studioni seksionin 89 të Doktrinës e Besëlidhjeve, siç sugjeron Presidenti Smith dhe mendoni thellësisht se çfarë mund të bëni që t’i bindeni Fjalës së Urtësisë më plotësisht.
Shkrime të Shenjta Përkatëse: 1 Korintasve 6:19–20; Alma 34:36; Doktrina e Besëlidhje 29:34; 130:20–21
Ndihmë për mësimdhënien: “Ju mund të shprehni dashuri për ata që u jepni mësim duke i dëgjuar me vëmendje dhe duke qenë sinqerisht të interesuar mbi jetën e tyre. Dashuria si e Krishtit ka forcën të zbusë zemra dhe t’u ndihmojë njerëzve të jenë pranues ndaj pëshpërimave të Shpirtit” (Teaching, No Greater Call [Mësimdhënia S’Ka Thirrje më të Madhe], f. 46).