Mësime të Presidentëve
Kapitulli 18: Qëndroni nga Ana e Zotit e Vijës


Kapitulli 18

Qëndroni nga ana e Zotit e Vijës

Zoti na ka dhënë urdhërime që ne të mund t’i rezistojmë së keqes dhe të gjejmë lumturi.

Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit

Gjyshi i Xhorxh Albert Smithit, Xhorxh A. Smith, shërbeu për shumë vite në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve dhe në Presidencën e Parë si këshilltar i Brigam Jangut. Xhorxh Albert Smithi shpesh përsëriste këshillën që gjyshi i tij e kishte zakon t’ia jepte familjes: “Ka një vijë kufiri të përcaktuar mirë midis territorit të Zotit dhe territorit të djallit. Nëse ju do të qëndroni nga ana e Zotit e vijës ju do të jeni nën ndikimin e tij dhe nuk do të keni dëshirë të bëni gabim; por, nëse kaloni në anën e djallit të asaj vije sado pak, ju jeni në fuqinë e tunduesit dhe, nëse ai është i suksesshëm, ju nuk do të jeni në gjendje të mendoni ose madje të arsyetoni siç duhet, sepse ju do të keni humbur Shpirtin e Zotit.”

Xhorxh Albert Smithi tha se e përdori këtë këshillë gjatë gjithë jetës së tij për të drejtuar zgjedhjet e tij: “Kur kam qenë i tunduar ndonjëherë për të bërë diçka, unë kam pyetur veten: ‘Në cilën anë të vijës gjendem?’ Nëse përcaktoja se isha në anën e sigurt, në anën e Zotit, unë do të bëja gjënë e drejtë çdo herë. Kështu, kur tundimi vjen, mendoni me lutje rreth problemit tuaj dhe ndikimi i Zotit do t’ju ndihmojë të vendosni me urtësi. Siguri ka për ne vetëm nga ana e Zotit e vijës.”1 [Shih sugjerimin 1 në faqen 198.]

Mësime të Xhorxh Albert Smithit

Të qëndruarit nga ana e Zotit e vijës kërkon bindje të rreptë ndaj urdhërimeve.

E gjithë siguria, e gjithë drejtësia, e gjithë lumturia janë nga ana e Zotit e vijës. Nëse po i mbani urdhërimet e Perëndisë duke respektuar ditën e Shabatit, ju jeni nga ana e Zotit e vijës. Nëse bëni lutjet tuaja vetjake dhe lutjet tuaja familjare, ju jeni nga ana e Zotit e vijës. Nëse jeni mirënjohës për ushqimin dhe e shprehni atë mirënjohje për Perëndinë, ju jeni nga ana e Zotit e vijës. Nëse ju e doni të afërmin tuaj porsi vetveten, ju jeni nga ana e Zotit e vijës. Nëse jeni i ndershëm në marrëdhëniet tuaja me njerëzit e tjerë, ju jeni nga ana e Zotit e vijës. Nëse respektoni Fjalën e Urtësisë, ju jeni nga ana e Zotit e vijës. Dhe kështu unë mund të vazhdoj nëpër të Dhjetë Urdhërimet dhe urdhërime të tjera që Perëndia ka dhënë për drejtimin tonë, dhe të them përsëri, gjithçka që na pasuron jetën dhe na bën të lumtur e na përgatit për gëzim të përjetshëm është nga ana e Zotit e vijës. Gjetja e gabimit te gjërat që Perëndia na ka dhënë që të udhëhiqemi, nuk është nga ana e Zotit e vijës.2 [Shih sugjerimin 2 në faqen 198.]

[Zoti ka thënë]: “Nuk mund ta shoh mëkatin as me shkallën më të vogël të lejimit”; as me shkallën më të vogël të lejimit [DeB 1:31]. Pse? Sepse Ai e di se, nëse marrim pjesë në mëkat, ne humbasim një bekim që do ta gëzonim nëse nuk do ta braktisnim shtegun që çon tek ai bekim.3

Herë pas here ne dëgjojmë dikë të thotë: “Oh, unë nuk do të isha aq i kujdesshëm. Zoti nuk do të jetë shumë i ashpër me ne nëse bëjmë vetëm një pjesë të rrugës.” Ai që flet kështu, është tashmë nga ana e djallit e vijës dhe nuk keni nevojë ta dëgjoni sepse, nëse e dëgjoni, ju mund të mashtroheni. Nuk flet në atë mënyrë asnjë që ka Shpirtin e Zotit. Zoti vetë ka thënë se ne duhet të mbajmë urdhërimet e tij: “Ka një ligj, të shpallur në mënyrë të pakthyeshme në qiell, përpara krijimit të kësaj bote, mbi të cilin të gjitha bekimet bazohen”. (DeB 130:20.) Ungjilli i Jezu Krishtit është që të na mësojë se si ta fitojmë atë bekim. 4

Ati ynë i dashur në Qiell na jep urdhërime që të na ndihmojë të gjejmë lumturi.

Zoti, në mirësinë e Tij, duke parë qëndrimin e fëmijëve të Tij dhe duke ditur se ata do të kenë nevojë për udhëheqje, na dha neve Dhjetë Urdhërimet dhe urdhërime të tjera që janë dhënë kohë pas kohe, për të na ndihmuar të gjejmë lumturi. Ju vëreni njerëz që vrapojnë andej këtej në botë, duke kërkuar lumturi por duke mos e gjetur atë. Nëse ata vetëm do të ndalonin aq sa duhet që të marrin këshillën e Zotit, lumturia do të pasonte, por ata nuk do ta gjejnë atë në asnjë mënyrë tjetër.5

Kur isha fëmijë unë e dija, ose mendoja se e dija, se urdhërimet e Zotit ishin ligjet dhe rregullat e Tij për udhëheqjen time. Unë mendoja se e dija që, në mosbindje ndaj atyre ligjeve, ndëshkimi do të pasonte dhe si fëmijë ma merr mendja se mund ta kem ndier që Zoti i pati rregulluar dhe caktuar gjërat në këtë jetë në atë mënyrë që unë duhet t’u bindem ligjeve të caktuara ose ndëshkimi i menjëhershëm do të pasonte. Por duke u rritur, unë mora mësim nga një tjetër këndvështrim dhe tani për mua ligjet e Zotit, siç quhen, këshillat që janë në Shkrimet e Shenjta, zbulesat e Zotit për ne në këtë kohë dhe epokë të botës, nuk janë veçse muzika e ëmbël e zërit të Atit tonë në qiell në mëshirën e Tij për ne. Ato nuk janë veçse porosi dhe këshilla nga një prind i dashur, që është më shumë i shqetësuar për mirëqenien tonë sesa mund të jenë prindërit tokësorë dhe, si rrjedhim, ato këshilla që dikur dukeshin se mbanin emrin e ashpër të ligjit për mua, janë tani këshilla e dashur dhe e dhembshur e një Ati Qiellor të gjithëditur. Dhe kështu unë them se nuk është e rëndë për mua të besoj se është më e mira për mua që të mbaj urdhërimet e Perëndisë.6

E gjithë lumturia që ka ardhur tek unë dhe te familja ime, ka qenë rezultat i përpjekjes për të mbajtur urdhërimet e Perëndisë dhe të jetuarit për të qenë i denjë për bekimet që ai u ka premtuar atyre që e respektojnë atë dhe i mbajnë urdhërimet e tij.7

Nëse ne do të ndjekim porosinë dhe këshillën që Zoti ka dhënë, shtegu ynë do të jetë ai i lumturisë. Ai do të jetë një shteg, ndoshta jo i lehtë dhe i rehatshëm gjithmonë, por në fund ai do të mbarojë në praninë e Atit tonë Qiellor dhe lavdia, pavdekësia dhe jeta e përjetshme do të jenë pjesa jonë.8 [Shih sugjerimin 3 në faqen 198.]

Kundërshtari përpiqet të na çojë në rrugë të shtrembër me mashtrimet dhe dinakërinë e tij.

Ka dy ndikime sot në botë dhe ato kanë qenë qysh nga fillimi. Njëri është ndikimi që është dobiprurës, që rrezaton lumturi dhe që ndërton karakter. Ndikimi tjetër është ai që shkatërron, i kthen njerëzit në demonë, shemb dhe shkurajon. Ne jemi të gjithë të prekshëm nga të dy. Njëri vjen nga Ati ynë Qiellor dhe tjetri vjen nga burimi i së keqes që ka qenë në botë qysh nga fillimi, duke u përpjekur të sjellë shkatërrimin e familjes njerëzore.9

Ne të gjithë do të tundohemi; asnjë njeri nuk është i lirë nga tundimi. Kundërshtari do t’i përdorë të gjitha mjetet e mundshme për të na mashtruar; ai u përpoq pa sukses ta bënte atë me Shpëtimtarin e botës. Ai e ka provuar këtë te shumë njerëz që kanë pasur autoritet hyjnor dhe ndonjëherë ai gjen një pikë të dobët dhe individi humbet atë që mund të ishte një bekim i madh nëse ai do të qe besnik.10

Një burrë dikur më tha mua – apo vërejti në një vend ku ndodhi të isha unë – “Përse, këta njerëz këtu duket se mendojnë se unë jam plot ligësi, por unë nuk jam”. Dhe unë i thashë: “Vëllai im, a keni njohur ndonjëherë ndonjë njeri që ishte plot ligësi dhe e dinte?” Ajo është një nga dredhitë e djallit: Të të zotërojë ty dhe mos të të lejojë të jesh dijeni për këtë. Dhe ajo është një nga vështirësitë tona.11

Profeti Nefi, qindra vite përpara, pa çfarë do të ndodhte, që njerëzit do të haheshin me njeri-tjetrin dhe do të mohonin fuqinë e Frymës së Shenjtë e Të Shenjtin e Izraelit, dhe do të jepnim mësim si doktrinë urdhërimet e njerëzve. Një ndikim është sot në botë duke u përpjekur për t’i bërë njerëzit të besojnë se me vetë zgjuarësinë e tyre dhe me vetë fuqinë e tyre mund të fitojnë jetë të përjetshme. Më lejoni … të lexoj nga Nefi:

“Dhe do të ketë gjithashtu shumë që do të thonë: Hani, pini dhe dëfrehuni; megjithatë, kini frikë Perëndinë—ai do të na justifikojë në bërjen e një mëkati të vogël.”

Unë dua që ju të vini re se: “Ai do të na justifikojë në bërjen e një mëkati të vogël”. Ai kundërshtar dinak duke ditur se nëse thjesht do ta shtyjë një burrë apo grua të bëjë një gabim të vogël, me aq sa ata kanë hyrë në territorin e tij, me aq ata do të jenë nën pushtetin e tij.

“Megjithatë, kini frikë Perëndinë—ai do të na justifikojë në bërjen e një mëkati të vogël; po, gënjeni pak, përfitoni nga ndonjë për shkak të fjalëve të tij, hapini gropën fqinjit; nuk ka gjë të keqe në këtë; dhe bëjini të gjitha këto gjëra, pasi nesër ne vdesim dhe në qoftë se jemi fajtorë, Perëndia do të na qëllojë pak me kamxhik dhe në fund ne do të shpëtohemi në mbretërinë e Perëndisë.” [2 Nefi 28:8.]

A nuk është saktësisht ajo që djalli u thotë fëmjëve të njerëzve sot siç shkruhet hapur këtu? “Oh, bëni një mëkat të vogël, që nuk do të bëjë ndonjë dëm, gënjeni pak, që nuk do të bëjë ndonjë dëmtim të veçantë, Zoti do ta falë atë dhe ju vetëm do të rriheni pak me kamxhik, dhe në fund ju do të shpëtoheni në mbretërinë e Perëndisë.” Ajo është çka i thotë ai burrit apo gruas që i është mësuar Fjala e Urtësisë kur ai thotë: “Oh, pini pak çaj, ai nuk do t’ju dëmtojë, përdorni pak duhan, ai nuk do të shkaktojë ndonjë ndryshim, pak pije alkoolike nuk do të bëjë ndonjë dëm.” Këto janë gjëra të vogla, ai kurdoherë e bën atë pak e nga pak, jo të gjithë menjëherë. Ajo është çka unë do të doja që ne ta kujtojmë… Janë këto pëshpërima të parëndësishme tinzare që e tradhëtojnë njerëzimin dhe që na vendosin ne në pushtetin e djallit. …

Dhe Nefi thotë më tej:

“Dhe të tjerë ai do t’i paqësojë dhe do t’i përkundë në siguri trupore, që ata do të thonë: Gjithçka është mirë në Sion; po, Sioni lulëzon, gjithçka është mirë—dhe kështu djalli gënjen shpirtrat e tyre”.

Tani, unë dua që ju të vini re atë: “Dhe kështu djalli gënjen shpirtrat e tyre dhe i çon me kujdes poshtë në ferr”. [2 Nefi 28:21.] Dhe ajo është mënyra si ai e bën atë, ajo është saktësisht mënyra se si ai e bën atë. Ai nuk vjen dhe t’ju rrëmbejë juve fizikisht, dhe t’ju marrë në territorin e tij, por ai pëshpërit: “Bëje këtë të keqe të vogël” dhe kur ka sukses atje, një tjetër e keqe e vogël edhe një tjetër, dhe, për të përdorur shprehjen e cituar: “Ai gënjen shpirtrat e tyre”. Ajo është çka bën ai. Ai ju bën të besoni se po fitoni diçka kur po humbisni. Kështu është sa herë që ne harrojmë të respektojmë ligjin e Perëndisë ose të mbajmë një urdhërim, ne po mashtrohemi, sepse nuk ka fitim në këtë botë apo në botën që do të vijë, veçse nëpërmjet bindjes ndaj ligjit të Atit tonë Qiellor.

… Ai sugjerim i veçantë: “Dhe ai i çon me kujdes poshtë në ferr”, është i rëndësishëm, ajo është metoda e tij. Burrat dhe gratë në botën e sotme janë subjekte të atij ndikimi dhe ata po tërhiqen andej këtej, dhe ajo pëshpërimë po vazhdon e ata nuk kuptojnë çfarë dëshiron Zoti që ata të bëjnë, por vazhdojnë në territorin e të ligut, subjekte të fuqisë së tij ku Shpirti i Zotit nuk do të shkojë.

Ai thotë më tej: …

“Dhe vini re, të tjerët ai i lajkaton dhe u thotë se nuk ka ferr; dhe ai u thotë atyre: Unë nuk jam djall, pasi nuk ka asnjë—dhe kështu ai pëshpërit në veshët e tyre, derisa i kap ata me zinxhirët e tij të tmerrshëm, prej të cilëve nuk ka çlirim”. [2 Nefi 28:22.]

Tani, vëllezër dhe motra të mia, ajo është gjendja e botës sot. Nefi nuk mund ta thoshte atë më hapur nëse do të ndodhej pikërisht këtu në botën e sotme. Dhe kundërshtari është në punë dhe, ngaqë Ati ynë Qiellor dëshiroi t’i ruante fëmijët e tij nga e keqja e asaj mësimdhënieje dhe e atij besimi, ai dërgoi profetin djalosh, Jozef Smithin, në botë, të ngarkuar me autoritet hyjnor, organizoi Kishën e Tij dhe filloi përsëri t’u mësojë të vërtetën fëmijëve të njerëzve, që ata të mund të udhëhiqen larg gabimeve të mënyrave të tyre.12

Ne duhet të mësojmë të mposhtim pasionet tona, prirjet tona të liga. Ne duhet të mësojmë t’u rezistojmë tundimeve. Kjo është arsyeja pse jemi këtu dhe me qëllim që ne të mund ta bëjmë më përsosmërisht këtë, ungjilli është rivendosur në tokë dhe ne jemi bërë pjesëmarrës të tij, dhe ne kemi forcën që na vjen si rezultat i fuqisë së Frymës së Shenjtë. Ne jo vetëm kemi rezistencën e një individi të zakonshëm, me kufizimet që një individ i tillë ka, që nuk ka njohjen e së vërtetës – ne kemi rezistencë të njëjtë me forcën e tij për të tunduar dhe, përveç saj rezistencën që vjen nga njohja e së vërtetës dhe nga njohja e qëllimit të ekzistencës sonë.13 [Shih sugjerimin 4 në faqen 199.]

Ne mund t’i rezistojmë së ligës duke zgjedhur t’ia nënshtrojmë veten ndikimit të Zotit.

Unë kujtoj disa vite përpara një burrë të mirë, që ishte në atë kohë kryetar i komisionit të kontrollit të Kishës Universaliste të Amerikës. Ai erdhi këtu të vizitonte [Solt-Lejk-Sitin] dhe mori pjesë në dy shkolla tona të së dielës. Në një prej klasave [të fëmijëve] ai u bë shumë i interesuar. Më në fund, kur [klasa] do të përfundonte, presidenti i shkollës të së dielës tha: “A do të dëshironit t’i thoshit disa fjalë [klasës]?” … Ai tha: “Unë do të doja të thoshja disa fjalë”. Ai tha: “Nëse do të mundja vetëm të jetoja në atmosferën që gjeta në atë … klasë të vogël në këtë shkollë Shabati këtë mëngjes, unë nuk mund të isha veçse njeri i mirë”. [Shih sugjerimin 5 në faqen 199.]

Unë kam menduar për atë shumë shumë herë. Ne zgjedhim me kujdes atmosferën ku marrim frymë që të mund të jetojmë me shëndet. Por ndonjëherë, në pakujdesinë tonë, ne e vendosim veten në varësi të ndikimeve të pamoralshme, që shkatërrojnë rezistencën tonë ndaj së keqes, dhe ne udhëhiqemi të bëjmë gjëra që nuk duhet t’i bëjmë dhe nuk do t’i bënim nëse do të ishim nën ndikimin e Zotit. Nëse ne vetëm do të ishim të përulur, nëse ne vetëm do të ishim plot lutje, nëse ne vetëm do të jetonim në mënyrë të tillë që çdo orë të jetës sonë të mund të themi vërtetësisht: “Atë në qiell, unë jam i gatshëm dhe në ankth që të bëj atë që ti do që unë të bëj”, jeta jonë çdo ditë do të pasurohej ndërsa kalojmë këtë përvojë tokësore.14

Ne zgjedhim ku do të jemi. Perëndia na ka dhënë lirinë tonë të zgjedhjes. Ai nuk do të na e heqë atë dhe, nëse unë bëj atë që është e gabuar dhe futem në territorin e djallit, unë e bëj atë sepse unë kam vullnetin dhe fuqinë që ta bëj atë. Unë nuk mund të fajësoj asnjë tjetër dhe, nëse unë vendos t’i mbaj urdhërimet e Perëndisë dhe të jetoj siç duhet të jetoj, dhe të qëndroj nga ana e Zotit e vijës, unë e bëj atë sepse unë duhet ta bëj atë dhe unë do të marr bekimin tim për atë. Ajo nuk do të jetë rezultat i asaj që dikush tjetër mund të bëjë.15

Ne, si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, duhet të jemi shumë të kujdesshëm që ta jetojmë çdo ditë të jetës sonë në mënyrë që të mund të ndikohemi nga fuqia e Zotit dhe të jemi në gjendje t’u largohemi atyre gjërave, që kanë prirje të na thyejnë forcën për të fituar mbretërinë çelestiale.16

Sigurohuni që këmbët tuaja të jenë ngulur mbi shkëmb. Sigurohuni që të mësoni dëshirat e Mësuesit ndaj jush, dhe, duke i ditur ato dëshira, sigurohuni që t’i mbani ligjet dhe urdhërimet e Tij. Sigurohuni që dëlirësia e jetës suaj t’ju japë të drejtën e shoqërimit prej Frymës së Shenjtë, sepse nëse jeni i dëlirë dhe i virtytshëm, dhe në këmbë, i ligu nuk do të ketë fuqi t’ju shkatërrojë.17

Unë lutem që ne të shqyrtojmë veten dhe të gjejmë në cilën anë të vijës jemi; dhe nëse jemi nga ana e Zotit, të qëndrojmë atje, sepse ajo do të thotë lumturi e përjetshme në shoqërinë e burrit dhe gruas më të mirë që ka jetuar mbi tokë.

Nëse ne kemi rrëshqitur në ndonjë mënyrë, nëse ne kemi qenë të pakujdesshëm, nëse ne kemi dëgjuar tunduesin dhe kemi kaluar vijën për të marrë pjesë në ato gjëra që bota mendon se janë aq të dëshirueshme dhe që Zoti ka thënë se nuk janë të mira për ne, le të kthehemi sa më shpejt që është e mundur në anën tjetër, t’i kërkojmë Zotit të na e falë marrëzinë dhe pastaj me ndihmën e tij, të vazhdojmë jetën që çon në lumturi të përjetshme.18

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet v–vii.

  1. Lexoni “Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit” (faqe 189) dhe Moroni 7:10–19. Si e dini ju se kur ndodheni “nga ana e Zotit e vijës”? Çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar njëri-tjetrin që të qëndrojmë nga ana e Zotit e vijës?

  2. paragrafin e parë në faqen 191, Presidenti Smith përmend disa urdhërime që ne duhet t’u bindemi për të qëndruar nga ana e Zotit e vijës. Çfarë standardesh të tjera na ka dhënë Zoti për të na ndihmuar të qëndrojmë nga ana e Tij e vijës?

  3. Ndërsa lexoni pjesën që fillon në faqen 192, merrni parasysh se si mund t’i përdorni mësimet e Presidentit Smith për të ndihmuar dikë që ndjen se urdhërimet janë tepër kufizuese.

  4. Ndërsa shihni sërish faqet 193–196, kërkoni taktikat e Satanit që përshkruan Presidenti Smith, dhe mendoni rreth kohëve kur ju keni parë prova të këtyre taktikave. Si mundemi ne të ndihmojmë të rinjtë t’i njohin dhe t’i mposhtin ato? Si na ndihmon ne “njohja e qëllimit të ekzistencës sonë” (faqe 196) që t’i rezistojmë tundimit?

  5. Mendoni se si ngjarja në faqen 196 mund të zbatohet tek ju. Cilat janë disa nga vendet apo rrethanat në të cilat ju nuk ndjeni dëshirë për të bërë ligësi? Çfarë mund të bëjmë ne për të krijuar një atmosferë të tillë në shtëpinë tonë? në vendin tonë të punës? në komunitetin tonë? në jetën tonë vetjake?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Mateu 4:1–11 (përfshirë fragmente nga Përkthimi i Jozef Smithit në shënimet në fund të faqes); Jakobi 4:7; 1 Gjoni 5:3–4; Alma 13:27–28; Helamani 5:12; Doktrina e Besëlidhje 82:8–10

Ndihmë për mësimdhënien: “Pyetje të shkruara në dërrasë përpara se të fillojë mësimi do të ndihmojnë nxënësit të mendojnë rreth çështjeve madje përpara se mësimi të fillojë” (Teaching, No Greater Call [Mësimdhënia, S’Ka Thirrje më të Madhe], f. 93).

Shënime

  1. “A Faith Founded upon Truth”, Deseret News, 17 qershor 1944, Church section, f. 9.

  2. Në Conference Report, tetor 1945, f. 118.

  3. Sharing the Gospel with Others, përzgj. Preston Nibley (1948), f. 198; fjalë e mbajtur më 4 nëntor 1945, në Uashington, D.C.

  4. “Seek Ye First the Kingdom of God”, Improvement Era, tetor 1947, f. 690.

  5. Në Conference Report, prill 1941, f. 25.

  6. Në Conference Report, tetor 1911, f. 43–44.

  7. Në Conference Report, prill 1949, f. 87.

  8. Në Conference Report, prill 1937, f. 36.

  9. “A Faith Founded upon Truth”, f. 9.

  10. Në Conference Report, tetor 1945, f. 117.

  11. Në Conference Report, prill 1948, f. 179.

  12. Në Conference Report, prill 1918, f. 39–41.

  13. Në Conference Report, tetor 1926, f. 102.

  14. Në Conference Report, tetor 1929, f. 23.

  15. Në Conference Report, tetor 1932, f. 27.

  16. Në Conference Report, tetor 1926, f. 103.

  17. Në Conference Report, tetor 1906, f. 48.

  18. “Seek Ye First the Kingdom of God”, f. 691.

“Nëse ne do të ndjekim porosinë dhe këshillën që Zoti ka dhënë, shtegu ynë do të jetë ai i lumturisë.”

“Zbulesat e Zotit për ne në këtë kohë dhe epokë të botës, nuk janë veçse muzika e ëmbël e zërit të Atit tonë në qiell në mëshirën e Tij për ne.”

“Ne, si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, duhet të jemi shumë të kujdesshëm që ta jetojmë çdo ditë të jetës sonë në mënyrë që të mund të ndikohemi nga fuqia e Zotit.”

Shtyp në Letër