Kapitulli 7
Pavdekësia e Shpirtit
Jeta jonë është e përjetshme dhe kjo dije na ndihmon të bëjmë zgjedhje të drejta e na ngushëllon në kohë zije.
Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit
Xhorxh Albert Smithi qe bekuar me një kuptim të palëkundur të qëllimit të jetës dhe kjo e aftësoi atë të nxiste të tjerët ndërsa ndesheshin me fatkeqësi. Ai shpesh u kujtonte shenjtorëve se “ne po jetojmë jetë të përjetshme” – që përjetësia nuk fillon pas kësaj jete, por që vdekshmëria është një pjesë vendimtare e përjetësisë. “Unë ndonjëherë u kam thënë miqve të mi kur ata dukej të ndodheshin në udhëkryqe, të pasigurt lidhur me rrugën që donin të merrnin: ‘Sot është fillimi i lumturisë së përjetshme ose i zhgënjimit të përjetshëm për ju’.”1
Presidenti Smith dëshmoi për këto të vërteta në shërbimin funeral të Hajrëm G. Smithit, Patriarkut të Kishës, i cili ndërroi jetë në një moshë relativisht të re, duke lënë pas tij bashkëshorten dhe tetë fëmijë:
“Unë kam ndier qysh kur më patën kërkuar të flisja në këtë funeral, se ndoshta mund të mos isha në gjendje ta bëja këtë. Emocionet e mia janë trazuar dhe unë e gjeta veten të paaftë t’i kontrolloja, por qëkur u futa në këtë ndërtesë të mrekullueshme, ndikimi i ëmbël i paqes erdhi në shpirtin tim. …
Në vend të mbajtjes zi unë ndiej nevojën të falënderoj Atin tonë në qiell për Ungjillin e Birit të Tij të Dashur që është zbuluar rishtas në ditët tona… Të dish se jeta është e përjetshme është një gjë e mrekullueshme, – të dish se në gjithë përjetësinë bekimet për të cilat ky burrë i mirë ka jetuar, do të jenë të tijat. Jeta e tij e vdekshme ka mbaruar, por kjo është vetëm një pjesë e jetës së përjetshme. Ai e ka hedhur themelin e thellë e të sigurt mbi të cilin ai ka ndërtuar dhe do të vazhdojë të ndërtojë nëpër gjithë përjetësinë. Gëzimit që ai ka përjetuar këtu mbi tokë, do t’i shtohen të tjera. …
Ndërsa mendoj për përvojat e njerëzve në botë, në raste të këtij lloji, unë mrekullohem se si jemi bekuar. Unë nuk kam më shumë dyshim rreth jetës së përjetshme dhe pavdekësisë së shpirtit nga sa kam për diellin që ndrit në mesditë… Është një gjë e trishtueshme të ndahesh me të dashurit tanë, qoftë edhe përkohësisht. Ne i dërgojmë ata në misione, ose ata shkojnë në pjesë të tjera të botës për të jetuar dhe ne na merr malli. Kur një rast si ky ndodh, duket sikur ata janë më larg, por në fakt ata nuk janë kështu, po ta kuptojmë… Në vend që të shpreh ngushëllime që ndonjëherë mund të shkojnë tek ata që janë në zi, unë ndihem me më shumë gjasa ta gëzoj këtë ditë që e di se ky nuk është fundi. …
… Kështu edhe sot, teksa qëndroj në praninë tuaj, kur ndoshta lotë duhej të rridhnin, shpirti im është mbushur me ngushëllim dhe kënaqësi. Unë lutem që ngushëllim mund të ketë në jetën e secilit prej atyre që janë në zi.”2 [Shih sugjerimin 1 në faqen 76.]
Mësime të Xhorxh Albert Smithit
Ne jetuam si shpirtra përpara se të vinim në tokë dhe shpirtrat tanë do të vazhdojnë të jetojnë pasi vdesim.
Kuptimi ynë i kësaj jete është se ajo është jetë e përjetshme – se ne po jetojmë në përjetësi sot po aq sa do të jetojmë përherë në përjetësi. Besimi ynë është se ne jetonim përpara se të vinim këtu; ajo që është inteligjencë, ajo që është shpirt, nuk e ka fillimin e vet në këtë jetë. Ne besojmë se ne morëm një tabernakull shpirti përpara se të vinim në këtë botë. Ai trup shpirtëror qe dërguar në këtë botë dhe këtu ai mori një tabernakull fizik, trupin që ne e shohim. Pjesa fizike që ne shohim është e tokës, tokësore [shih 1 Korintasve 15:47], por ajo pjesë që e lë trupin kur jeta mbaron është ajo që është shpirtërore dhe ajo nuk vdes kurrë. Tabernakulli shpirtëror vendoset në varr – ai është një pjesë e tokës dhe kthehet te toka mëmë – por inteligjenca që Perëndia ka vendosur brenda tij, që ka fuqi të arsyetojë dhe të mendojë, që ka fuqi të këndojë dhe të flasë, nuk njeh vdekje; ajo thjesht del nga kjo sferë e jetës së përjetshme dhe pret atje pastrimin e tabernakullit fizik, deri në kohën që do të ribashkohet me atë tabernakull, i cili do të përlëvdohet, madje ashtu si trupi i Zotit tonë të ngritur u përlëvdua, nëse ne kemi jetuar për të qenë të denjë për të.3
Në gjuhën e poetit: “Jeta është e vërtetë, Jeta është e sinqertë”, dhe “varri nuk është qëllimi i saj”. [Henry Wadsworth Longfellow, “A Psalm of Life”.] Shpirti që banon në tabernakull, është i pavdekshëm. Ai jeton përtej varrit. Trupi kalbet dhe kthehet në tokë, por shpirti vazhdon të jetojë.4
Unë jam mirënjohës që na është zbuluar dhe është bërë e qartë në këto ditë të mëvonshme, se kjo jetë nuk është fundi, se kjo është veçse një pjesë e përjetësisë dhe se, nëse ne përfitojmë nga privilegjet tona këtu, kjo është veçse rruga e përparimit drejt kushtesh më të mrekullueshme dhe më të dëshiruara.5 [Shih sugjerimin 2 në faqen 77.]
Qëllimi ynë këtu në tokë është të përgatisim veten që të jetojmë me Atin tonë Qiellor.
Disa besojnë se, kur ne dalim nga kjo sferë ekzistence, ai është fundi. Më duket e pabesueshme, kur ne shohim në veprat e natyrës, kur ne hetojmë organizmin e njeriut, përsosmërinë e trupit të tij, rrahjen e zemrës së tij, formimin dhe forcimn nga fëmijëria në burrëri, pastaj rënien pak nga pak derisa kjo jetë mbaron – që të jetë e mundur që ndonjë fëmijë i Atit tonë mund të besojë se qeniet njerëzore janë lindur në botë vetëm për të jetuar të qenit burrë dhe grua, për të kaluar në moshë të vjetër dhe për të vdekur, pa ndonjë qëllim në të jetuarit këtu.6
Kjo jetë nuk na është dhënë për të kaluar kohën. Pati një qëllim solemn në krijimin tonë, në jetën që Perëndia na ka dhënë neve. Le ta studiojmë cili është ai qëllim, që ne të mund të përparojmë dhe të fitojmë jetë të përjetshme.7
Nuk ka dyshim në mendjen e shenjtorit të ditëve të mëvonshme mbi qëllimin e jetës sonë në tokë. Ne jemi këtu për ta përgatitur veten dhe për ta zhvilluar veten dhe për ta kualifikuar veten për të qenë të denjë të banojmë në prani të Atit tonë Qiellor.8
Ne besojmë se jemi këtu për shkak se e mbajtëm gjendjen tonë të parë dhe fituam privilegjin e ardhjes në këtë tokë. Ne besojmë se vetë ekzistenca jonë është një shpërblim për besnikërinë tonë përpara se të vinim këtu dhe se ne po gëzojmë në tokë frytet e përpjekjeve tona në botën shpirtërore. Ne gjithashtu besojmë se ne jemi duke mbjellë sot farën për një korrje që do të piqet kur ne të largohemi këtej. Jeta e përjetshme është për ne shuma e paraekzistencës, e ekzistencës aktuale dhe e vazhdimit të jetës në pavdekësi, duke na dhënë fuqinë e përparimit dhe rritjes së pafund. Me atë ndjenjë dhe atë siguri, ne besojmë se: “Siç është njeriu, Perëndia qe dikur dhe siç është Perëndia, njeriu mund të bëhet”. [Shih Lorenzo Snow, “The Grand Destiny of Man”, Deseret Evening News, 20 korrik 1901, f. 22.] Krijimi ynë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, ne besojmë se nuk është i papërshtatshëm, që ai nuk është i padrejtë, për ne që të shpresojmë se ne mund të lejohemi të marrim nga cilësitë e Perëndisë dhe, nëse jemi besnikë, të bëhemi si Perëndia; sepse kur ne marrim dhe u bindemi ligjeve të natyrshme të Atit tonë që qeverisin këtë jetë, ne bëhemi më shumë si Ai; dhe ndërsa përfitojmë nga mundësitë që janë të arritshme për ne, përgatitemi të marrim mundësi më të mëdha në këtë jetë dhe në jetën që do të vijë. …
Çfarë njerëz të lumtur duhet të jemi me njohjen që kemi se kjo provë nuk është që të na përgatisë për të vdekur, por për të jetuar; që dëshira e Atit për ne është që ne të mund të shmangim çdo gabim dhe të marrim çdo të vërtetë dhe duke zbatuar të vërtetën në jetën tonë të bëhemi më shumë si Ai dhe të bëhemi të denjë të banojmë me të.9
Vëllezër dhe motra, kjo është një çështje shumë e rëndësishme. Ne duhet të mendojmë për të seriozisht. Ne duhet të shohim në vetë jetën tonë dhe të zbulojmë nëse jemi të përgatitur për atë të ardhme të madhe, nëse do të thirreshim këtej nesër, a do të ishim të përgatitur të jepnim një raport për veprimet tona tokësore, a mund të ndiejmë se do të merrnim nga Ati ynë Qiellor lëvdatën mirëseardhëse: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik”.10 [Shih sugjerimin 3 në faqen 77.]
Gjatë kësaj jete ne duhet të kërkojmë ato gjëra që janë me vlerë të përjetshme.
Neve mund të na jenë dhënë, në këtë jetë, disa gjëra që do të na japin kënaqësi, përkohësisht; por gjërat që janë të përjetshme, gjërat që “ia vlejnë”, janë ato gjëra të përjetshme që ne kërkojmë dhe e përgatisim veten t’i marrim, dhe kapemi tek ato me anë të përpjekjes vetjake që bëjmë.11
Nuk është një gjë e jashtëzakonshme se ajo për të cilën bota ka luftuar qysh nga fillimi, pasuria, pushteti, të gjitha ato gjëra që i bëjnë njerëzit të ndihen rehat, gjenden për t’u patur me shumicë sot – veshje më të mira dhe më të shumta se kurrë më parë, më shumë ushqim nga sa mund të konsumohet, më shumë pasuri nga të gjitha llojet sesa ka pasur bota më parë. Shtëpitë tona janë më të rehatshme. Lehtësitë e jetës janë shumëfishuar për mrekulli prej kohës që Ungjilli erdhi në tokë dhe sot, çdo gjë për të cilën kemi luftuar, e kemi. Arsimi ka arritur në pikën e vet më të lartë. Më shumë njohuri sesa kurrë më parë zotërohet nga njeriu për gjërat e kësaj toke. Çdo gjë për të cilën njerëzimi ka luftuar që prej fillimit të kohës, që është konsideruar shumë e dëshirueshme, është sot mbi tokë; dhe megjithatë, ka dyshim dhe tmerr mbi atë që rezervon e ardhmja.
Cili është shqetësimi ynë? Ai është se ne kemi kërkuar rehati për qenien fizike, ne kemi kërkuar nderimet e njerëzve, ne kemi kërkuar ato gjëra që egoizmi i vendos në zemrat tona. Ne kemi kërkuar ta bëjmë veten më të rëndësishme dhe kemi parapëlqyer veten ndaj fëmijëve të tjerë të Atit tonë.12
Le të mos nanurisemi për të fjetur, le të mos mashtrohemi nga bollëku i gjërave të mira të kësaj bote; sepse çfarë do të përfitonte një njeri qoftë edhe nëse do të fitonte të gjithë botën dhe do të humbiste shpirtin e vet? [Shih Marku 8:36.] Le të mos anashkalohet qëllimi i krijimit tonë; por le të punojmë për shpëtimin e shpirtrave tanë.13
Një nga gjërat më të dhimbshme në jetë është të shohësh një burrë apo grua të varroset në tokën mëmë me një kuptim të faktit se ai/ajo ka kundërshtuar bekimet më të mëdha që Ati ynë i ka ofruar dhe ka vazhduar të kapet pas fluskës që është zhdukur për vete. Kur mendoj për miliona fëmijë të Perëndisë në botë dhe kuptoj se sa pak po përpiqen për gjërat për të cilat vërtet ia vlejnë, unë ndihem i dëshpëruar.14
Kujtoni se është inteligjenca që ju fitoni që është e përjetshme, e vërteta që ju mësoni këtu dhe e zbatoni në jetën tuaj, dijenia dhe përvoja që ju fitoni dhe keni dobi prej saj – këto ju do t’i merrni me vete kur të hyni në jetën tjetër. 15
Thesarët që ne do të gjejmë kur të shkojmë në botën tjetër pas vdekjes do të jenë ato që do të kemi grumbulluar atje duke u shërbyer bijve dhe bijave të tjera të Atit tonë me të cilët ne jemi shoqëruar këtu. Ai e ka bërë të mundshme këtë për të gjithë ne dhe gjatë qëndrimit tonë këtu ne do të jemi më të lumtur duke u shërbyer shokëve tanë sesa do të mundnim me çfarëdo mënyre tjetër.16
Nuk është aq e rëndësishme sa shumë gjëra me vlerë mund të keni, sa prona mund të zotëroni dhe sa nderime njerëzish mund të fitoni dhe të gjitha ato gjëra që janë aq të dëshirueshme në botë. Gjëja që Perëndia ju ka dhënë, që ia vlen më shumë se çfarëdo tjetër, është mundësia që të fitoni jetë të përjetshme në mbretërinë çelestiale dhe të keni si shokët tuaj, në të gjitha epokat e përjetësisë, bij dhe bija, bashkëshortë dhe bashkëshorte me të cilët ju jeni shoqëruar këtu në tokë.17 [Shih sugjerimin 4 në faqen 77.]
Në saje të Jezu Krishtit, ne do të ringjallemi.
Jeta e drejtë e Shpëtimtarit është një shembull i përsosur për të gjithë dhe ringjallja e Tij ishte siguria e parë për njerëzimin se ne, gjithashtu, do të ngrihemi nga varri.18
Kur Jezusi u ringjall së vdekurish, Ai u bë fryti i parë i ringjalljes. Shpirti i të lindurit prej Atit (pjesa inteligjente e shpirtit të Tij) banoi përsëri në tabernakullin e Tij tokësor që qe pastruar dhe Ai u bë një qenie çelestiale e përlëvduar dhe zuri vendin e Tij, në të djathtë të Atit, si një pjesëtar i Kreut-Perëndi. Ai pati fuqi të mposhtte vdekjen, sepse Ai qe në përputhje me të gjitha ligjet e Atit të Tij, që e kontrollonin atë dhe duke mposhtur vdekjen, ai bëri ashtu të mundur që i gjithë njerëzimi të mund të ringjallet dhe të gjithë të mund të përlëvdohen gjithashtu duke iu bindur mësimeve të Tij, që janë aq të thjeshta sa të gjithë mund t’i përmbushin nëse duan.19
Jezu Krishti ishte një burrë pa mëkat. Në saje të dëlirësisë së Tij, drejtësisë së Tij dhe virtytit të Tij, Ai ishte në gjendje të hapte dyert e burgut, të mposhtte vdekjen e varrin dhe të hapte udhën … drejt atij qielli ku ne presim të shkojmë.20
Ne mund të kthehemi te seksioni 88 i Doktrinës e Besëlidhjeve dhe të shohim se çfarë ka thënë Zoti rreth ringjalljes sonë, jo vetëm ringjallja e Shpëtimtarit, por ai na tregon se çfarë mund të ndodhë me ne… Ne mësojmë në këtë seksion se trupat tanë duhet të ngrihen nga varri, jo trupa të tjerë, dhe se shpirtrat që zotërojnë këta tabernakuj tani do të banojnë në të njëjtët tabernakuj pasi të jenë pastruar dhe purifikuar, dhe bërë të pavdekshëm. [Shih DeB 88:14–17, 28–33.]21
Tani, mjaft njerëz në botë nuk e dinë se çfarë është ringjallja. A ua mësoni fëmijëve tuaj dhe shokëve tuaj ç’do të thotë ajo? … Ringjallja [e Shpëtimtarit] është e qartë për shenjtorët e ditëve të mëvonshme që e kanë kuptuar ungjillin, por ka aq shumë që nuk e kuptojnë çfarë do të thotë… Qëllimi i Ungjillit të Jezu Krishtit është të përgatisë çdo burrë, grua dhe fëmijë për kohën kur të gjithë ata që kanë vdekur, do të dalin nga varret e tyre dhe kur Ati ynë Qiellor do të krijojë mbretërinë e Tij mbi këtë tokë, dhe të drejtët do të banojnë atje, dhe Jezu Krishti do të jetë Mbreti ynë dhe Ligjdhënësi ynë.22 [Shih sugjerimin 5 në faqen 77.]
Njohuria jonë për pavdekësinë e shpirtit na frymëzon, nxit dhe ngushëllon.
Ne lexojmë te Jobi: “Por te njeriu ka një frymë, dhe është fryma e të Plotfuqishmit që i jep zgjuarsinë”. [Jobi 32:8.] Ata që nuk e kanë marrë atë frymëzim nuk do të kuptojnë domethënien e ringjalljes nga vdekja dhe pa atë kuptim, mua më duket se do të ketë pak lumturi për ata që po jetojnë vitet e moshës më të vjetër, duke pritur për kohën kur shpirti e lë trupin pët të shkuar atje ku ata nuk e dinë.23
Oh, sa e trishtueshme do të ishte në se ne do të mendonim se vdekja i dha fund ekzistencës sonë. Nëse, kur puna e jetës sonë në tokë do të mbaronte, ne nuk do të kishim mundësi të vijonim përparimin, do të kishte pak për të na frymëzuar të jetonim siç duhet këtu. Njohuria që të gjitha të mirat që realizojmë këtu dhe i gjithë përparimi që bëjmë, do ta ngrenë lumturinë tonë përjetësisht, na nxit që të bëjmë më të mirën tonë.24
Ne jemi të gjithë duke kaluar me shpejtësi tek ajo kohë kur ne do të thirremi nga kjo jetë. Nëse ne nuk kuptojmë se ka një jetë të ardhshme, nëse nuk e kuptojmë se ka diçka më shumë se ndikimi që kemi marrë deri tani, nëse nuk do të kish veç kotësi dhe shqetësim jete për të cilat duhet të jetojmë, ka shumë, më duket mua, që do të këputeshin në luftën që duhet bërë për ekzistencë këtu. Por në mëshirën e Atit tonë Qiellor ai na ka dhënë neve dhuratat më të mrekullueshme që i vijnë racës njerëzore.25
Zoti na ka bekuar me një njohuri që ai jeton dhe ka një trup, dhe që ne jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së tij. Ne nuk besojmë se ai është një lloj esence apo se ai është i pakuptueshëm. Nëse ju e keni marrë dëshminë që ka ardhur tek unë dhe e dini siç e di unë se Ati ynë Qiellor e ka zbuluar veten te fëmijët e njerëzve, që ai është një Perëndi personal, që ne jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së tij, që shpirtrat tanë u lindën prej tij, që ai na ka dhënë neve mundësinë të banojmë në tokë që të marrim një tabernakull fizik, me qëllim që ne të mund të përgatitemi për t’u kthyer në praninë e tij dhe për të jetuar përjetësisht me të, unë them, nëse ju e keni marrë këtë siguri, atëherë ju keni një themel mbi të cilin ju mund të ndërtoni besimin tuaj. Hiqeni këtë prej jush, njohurinë se Perëndia realisht jeton, sigurinë se Jezu Krishti ishte shfaqja e Perëndisë në mish, hiqeni nga ju sigurinë se do të jetë një ringjallje e mirfilltë nga vdekja dhe ju do ta gjeni veten në kushtet që janë fëmijët e Atit tonë kudo në botë dhe unë ju pyes juve, çfarë ngushëllimi mbetet tek ju atëherë? Këto janë të vërtetat që janë themelore.26
Më shumë nga të dashurit e mi janë në botën e shpirtrave sesa këtu dhe nuk do të kalojë shumë në rrugën e natyrshme të gjërave kur unë, gjithashtu, do të marr thirrjen time për t’i ndjekur. Unë nuk po pres për atë kohë me ankth dhe dëshpërim, por me shpresë dhe me me sigurinë se ndryshimi, kur të ndodhë, do të jetë për të rritur lumturinë dhe epërsitë që ne nuk mund t’i njohim në vdekshmëri.27
Kur ne kuptojmë se vdekja është vetëm një nga hapat që fëmijët e Perëndisë do të hedhin në gjithë përjetësinë dhe se ajo është sipas planit të tij, ajo ia heq gjembin vdekjes dhe na sjell ballë për ballë me realitetin e jetës së përjetshme. Shumë familje janë thirrur që t’u thonë lamtumirë përkohësisht atyre që duan. Kur vdekje të tilla ndodhin, ato na turbullojnë, nëse ne do t’i lejojmë, dhe kështu sjellin dëshpërim të madh në jetën tonë. Por nëse sytë tanë shpirtërorë do të mund të hapeshin dhe ne do të mund të shihnim, ne do të qetësoheshim, jam i sigurt, me atë që vështrimi ynë do të kapte. Zoti nuk na ka lënë ne pa shpresë. Përkundrazi, ai na ka dhënë neve çdo siguri për lumturi të përjetshme, nëse ne do të pranojmë udhëzimin dhe këshillën e tij ndërsa jemi këtu në vdekshmëri.
Kjo nuk është një ëndërr boshe. Këto janë fakte. Për ju që jeni anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit, kjo është një histori e thjeshtë, por është e vërtetë. Ka volume të shenjta shkrimi të shenjtë që Ati ynë Qiellor i ka bërë të mundshëm për ne, duke na mësuar se jetojmë përjetësisht… Zoti na e ka dhënë këtë informacion në një qartësi të madhe dhe nga thellësitë e zemrës sime unë e falënderoj atë për njohurinë që na ka dhënë, që ata që janë në zi të mund të ngushëllohen dhe që ne vetë të mund të kuptojmë qëllimin tonë të të qenit këtu. Nëse ata që kanë vdekur do të mund të na flisnin, ata do të thoshin: “Vazhdoni përpara, vazhdoni përpara për qëllimin që do të na sjellë lumturi të përjetshme së bashku”. Bëni gjërat që Zoti do t’ju vinte të bënit, dhe juve nuk do t’ju mungojë asgjë që ia vlen; por përkundrazi ju do të jeni vazhdimisht duke mbledhur thesarë në qiell ku tenja dhe ndryshku nuk mund të brejnë dhe as vjedhësit të shpërthejnë dhe të vjedhin. [Shih Mateu 6:19–20.]
Unë lë dëshminë time me ju që unë e di se ne po jetojmë jetë të përjetshme dhe se ndarja e përkohshme nga vdekja … është veç një nga hapat përgjatë shtegut të përparimit të përjetshëm dhe do të çojë më në fund në lumturi nëse ne jemi besnikë.28 [Shih sugjerimin 6 në faqen 77.]
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shih faqet v–vii.
-
Ndërsa lexoni “Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit” (faqe 67–68), mendoni rreth një kohe kur jeni përpjekur të ngushëlloni dikë pas vdekjes së një të dashuri. Çfarë ishte ajo që i solli ngushëllim Presidentit Smith?
-
Presidenti Smith na mësoi se “kjo [jetë] është veçse një pjesë e përjetësisë” (faqe 69). Çfarë do të thotë kjo për ju? Si ndikon kuptimi ynë i këtij parimi në zgjedhjet që bëjmë?
-
Studioni seksionin që fillon në faqen 69. Si ndryshojnë mësimet e këtij seksioni nga ajo që bota jep mësim rreth qëllimit të jetës? Çfarë përvojash kemi ne gjatë vdekshmërisë që mund të na ndihmojnë “të marrim nga cilësitë e Perëndisë”?
-
Shihni sërish seksionin që fillon në faqen 70, veçanërisht katër paragrafët e fundit të seksionit. Përse është përpjekja për gjëra tokësore si “të kapesh pas [një] fluske që është zhdukur për vete”?
-
Në faqen 74, Presidenti Smith i referohet informacionit rreth ringjalljes në Doktrina e Besëlidhje 88. Çfarë ju mësojnë juve vargjet 14–17 dhe 28–33 të këtij seksioni rreth ringjalljes? Cilat janë disa mënyra të efektshme për t’u mësuar fëmijëve rreth ringjalljes?
-
Lexoni seksionin që fillon në faqen 74. Cilat janë disa nga sprovat e jetës që janë bërë më të durueshme ngaqë keni një dëshmi për parimet e dhëna mësim në këtë seksion?
Shkrime të Shenjta Përkatëse: 1 Korintasve 15:12–26, 35–42, 53–58; 2 Nefi 9:6–13; Alma 12:24; 28:12; Doktrina e Besëlidhje 93:19–20, 29–34; 130:18–19; Abrahami 3:24–26
Ndihmë për mësimdhënien: “Kërkojuni pjesëmarrësve të zgjedhin një seksion për të cilin ata janë të interesuar dhe ta lexojnë atë qetësisht. Ftojini ata të mblidhen në grupe me nga dy ose tre vetë që zgjedhin të njëjtin seksion, dhe të diskutojnë atë që mësuan” (nga faqja vii e këtij libri).