Kapitulli 1
Ta Jetojmë Atë që Besojmë
Feja jonë duhet të gjejë shprehje në jetën tonë të përditshme.
Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit
Kur ishte 34 vjeç, Xhorxh Albert Smithi bëri një listë vendimesh që e quajti “kredo vetjake” – 11 ideale me të cilat zotohej të jetonte:
“Do t’i isha mik kujt nuk kishte miq dhe do të gjeja gëzim duke u shërbyer nevojave të të varfrit.
Do të vizitoja të sëmurët e të pikëlluarit dhe do të frymëzoja tek ata një dëshirë për besimin për t’u shëruar.
Do t’ua mësoja të vërtetën të atillë që gjithë njerëzimi të mund ta kuptonte e të bekohej.
Do të kërkoja të gjeja atë që bën jetë të gabuar dhe të përpiqesha ta fitoja sërish për një jetë të drejtë e të lumtur.
Nuk do të kërkoja të detyroja njeri të jetonte në lartësinë e idealeve të mia, por do t’i doja kaq sa ata ta bënin gjënë e drejtë.
Do të jetoja me njerëzit e zakonshëm dhe do t’i ndihmoja të zgjidhnin problemet e tyre, që jeta e tyre tokësore të mund të jetë e lumtur.
Do të shmangia reklamën e pozitave të larta dhe të shkurajoja lajkatimin e miqve të shkujdesur.
Nuk do të lëndoja qëllimisht ndjenjat e askujt, madje as dikë që mund të më ketë bërë padrejtësi, por do të kërkoja t’i bëja mirësi e ta bëja mik.
Do të mposhtja prirjen egoiste e ziliqare dhe të gëzohesha me sukseset e të gjithë fëmijëve të Atit tim Qiellor.
Nuk do të isha armik ndaj asnjë shpirti të gjallë.
“Ngaqë e di se Shëlbuesi i njerëzimit i ka ofruar botës të vetmin plan që do të na zhvillojë plotësisht e të na bëjë vërtet të lumtur këtu e paskëtaj, e ndiej jo vetëm detyrë, por edhe privilegj të bekuar që të përhap këtë të vërtetë.”1 [Shih sugjerimin 1 në faqen 9.]
Ata që e njohën Presidentin Smith, u shprehën se ai vërtet jetoi me kredon e tij. Ezra Taft Benson, atë kohë pjesëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi një përjetim në të cilin Presidenti Smith qe i vërtetë ndaj vendimit të tij për të “[vizituar] të sëmurët e të pikëlluarit dhe [frymëzuar] tek ata një dëshirë për besimin për t’u shëruar”:
“Unë kurrë s’do të pushoj së qeni mirënjohës për vizitat që bënte te shtëpia ime ndërsa isha [larg], duke shërbyer si një misionar i përulur. … Në veçanti, unë jam falënderues për një vizitë në heshtjen e natës, kur vogëlushja jonë dergjej në pragun e vdekjes. Pa njoftime, Presidenti Smith gjeti kohë të vinte në atë shtëpi e t’i vendoste duart mbi kokë asaj të vogle, të mbajtur në krahët e nënës siç kishte qenë për orë të shumta, dhe i premtoi shërim të plotë. Ky ishte Presidenti Smith, ai gjithnjë kishte kohë për të ndihmuar, në veçanti ata që ishin të sëmurë, ata që kishin më shumë nevojë për të.”2
Spenser W. Kimball shënoi një rast tjetër, në të cilin veprimet e Presidentit Smith provuan bindjen e tij për t’i bërë mirësi “[dikujt] që mund [t’i] ketë bërë padrejtësi”:
“[Presidentin Smith] e njoftuan se dikush kishte vjedhur nga kaloshina e tij mantelin e pasagjerit. Në vend që të zemërohej, ai u përgjigj: ‘Dëshiroj që ne ta dinim kush ishte, që të mund t’i jepnim edhe batanijen, se ai duhet të ketë pasur të ftohtë; edhe ndonjë ushqim, sepse duhet të ketë qenë i uritur’.”3
Një vëzhgues tjetër shkroi për Xhorxh Albert Smithin: “Feja e tij nuk është doktrinë e ruajtur në ngrirëse. Nuk është teori. Për të ka më shumë domethënie se një plan i bukur për ta admiruar. Është më shumë se një filozofi e jetës. Për dikë me mendje praktike si ai, feja është shpirti në të cilin jeton një njeri, në të cilin ai i bën gjërat, qoftë kjo vetëm të thotë një fjalë dashamirëse apo të japë një gotë ujë të ftohtë. Feja e tij duhet të gjejë shprehje në vepra. Ajo duhet përçuar në hollësitë e jetës së përditshme.”4
Një nga këshilltarët e tij në Presidencën e Parë, Presidenti J. Ruben Klark i Riu, e përmblodhi me këto fjalë integritetin personal të Presidentit Smith: “Ai ishte një nga ata njerëz të paktë për të cilët mund të thuash që jetoi ashtu siç mësonte”5.
Mësime të Xhorxh Albert Smithit
Bindja jonë ndaj ungjillit – jo thjesht anëtarësimi në Kishën tonë – na cilëson që të quhemi shenjtorë.
Në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme adhurimi është një jetë e përkushtuar, një dëshirë që të jemi të denjë për atë, në shëmbëllimin e të cilit qemë krijuar dhe i cili na ka dhënë gjithçka … që ia vlen – ungjillin e Jezu Krishtit.6
Sa gjë e shkëlqyer është të ndiejmë se i përkasim një kishe që është ose duhet të jetë e përbërë nga shenjtorë. Nuk mjafton që e kemi emrin në dokumente. Është e rëndësishme të jetojmë jetë që na japin të drejtë të quhemi shenjtorë dhe, nëse do ta bëni këtë, do të jeni të lumtur. …
Kur Jezusi i Nazaretit erdhi në botë dhe filloi të predikojë Ungjillin e Mbretërisë, qenë të shumtë ata, në veçanti farisenjtë e vetëkënaqur, që mohuan mesazhin e Tij, duke pretenduar se ishin pasardhës të Abrahamit dhe sugjeronin se prejardhja e tyre do t’i shpëtonte në Mbretërinë e Perëndisë.
Shpëtimtari i vuri në dijeni se, nëse ata ishin fëmijë të Abrahamit, ata do të bënin veprat e Abrahamit. [Shih Gjoni 8:33–39.] Do të dëshiroja t’u thoja shenjtorëve të ditëve të mëvonshme që, nëse jemi të denjë të quhemi shenjtorë të ditëve të mëvonshme, kjo do të jetë ngaqë po jetojmë jetën e shenjtorëve dhe është qëllimi i Ungjillit të na bëjë cilësorë në atë mënyrë. Bota ka mbërritur në një gjendje të atillë e ka qenë mashtruar nga kundërshtari për një kohë kaq të gjatë dhe ka shpallur se thjesht besimi në Perëndi është gjithçka që nevojitet, saqë unë kam frikë për të. Kjo është vetëm dredhi e kundërshtarit.7 [Shih sugjerimin 2 në faqen 9.]
“Mormonizmi”, i ashtuquajtur, është Ungjilli i Jezu Krishtit, rrjedhimisht, ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e të gjithë atyre që besojnë dhe u binden mësimeve të tij. Nuk janë ata që thonë “Zot, Zot”, që gëzojnë shoqërinë e shpirtit të Tij, por ata të që kryejnë vullnetin e Tij [shih Lluka 6:46].8
Duke iu referuar kapitullit të 7-të të Mateut, vargu i 24-t, gjej sa vijon:
“Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb.
Ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; por ajo nuk u shemb, sepse ishte themeluar mbi shkëmb.
Përkundrazi ai që i dëgjon këto fjalë dhe nuk i vë në praktikë, do të krahasohet me një njeri budalla, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi rërë.
Më pas ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; ajo u shemb dhe rrënimi i saj qe i madh.” [Mateu 7:24–27.]
Sa prej nesh, duke mësuar vullnetin e Atit, po e bëjnë këtë? Sa prej nesh, ditë për ditë, po hedhin një themel e po ngrenë një ndërtesë që do t’i përputhet dinjitetit të shtatit të Mjeshtrit tonë? ‘Elementet janë tabernakulli i Perëndisë; po, njeriu është tabernakulli i Perëndisë, madje tempujt; dhe cilido tempull ndotet, Perëndia do ta shkatërrojë atë tempull.’ [DeB 93:35.] Ai na ka dhënë inteligjencë e urtësi përmbi bashkëqeniet tona njerëzore. Një njohuri e paraekzistencës u është dhënë shenjtorëve të ditëve të mëvonshme; njohuri që ne jemi këtu ngaqë ruajtëm gjendjen tonë të parë dhe që na është dhënë mundësia e fitimit të jetës së përjetshme te prania e Atit tonë Qiellor, me anë të ruajtjes së gjendjes sonë të dytë. Ne nuk do të gjykohemi siç do të gjykohen vëllezërit e motrat tona të botës, por sipas mundësive më të mëdha të vëna në zotërimin tonë. Ne do të jemi ndër ata të cilët kanë marrë fjalën e Zotit, të cilët kanë dëgjuar thëniet e Tij dhe, nëse i kryejmë ato, kjo do të na jetë neve jetë e përjetshme, por, nëse nuk arrijmë, do të rezultojë dënim.9
Le të kryejmë më mirë se ç’kemi kryer ndonjëherë më parë. Le ta përtërijmë vendosmërinë tonë për të qenë shenjtorë të vërtetë të ditëve të mëvonshme dhe jo thjesht të japim përshtypje si të tillë. … Nuk njoh ndokënd që nuk mund të kryejë pak më mirë se ç’ka kryer, nëse ai e mbledh mendjen.10
Ati ynë Qiellor pret që ne të përgatitemi e të jetojmë të denjë për bekimet e Tij të premtuara.
E kam hapur te kapitulli i njëzetedytë i rrëfimit nga Shën-Mateu për mësimin e Shpëtimtarit dhe do t’ju lexoj posaçërisht këtë shëmbëlltyrë:
“Dhe Jezusi, nisi përsëri t’u flasë atyre me shëmbëlltyra, duke thënë:
‘Mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti, i cili përgatiti dasmën e të birit.
Dhe dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur të ftuarit në dasmë. …
Atëherë mbreti hyri për të parë të ftuarit dhe gjeti aty një njeri që nuk kishte veshur rrobë dasme; dhe i tha:
“Mik, si hyre këtu pa pasur rrobë dasme?” Dhe ai mbylli gojën.
Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: “Lidheni duar dhe këmbë, kapeni dhe hidheni në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh”.
Sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur.’” [Shih Mateu 22:1–3, 11–14.] …
… Ja ku ishte një njeri që erdhi në gostinë e dasmës dhe, kur erdhi koha, mbreti apo zotëria pa se ai nuk kishte veshur rrobë dasme. Ai e kishte shpërfillur rëndësinë e saj, me sa duket. Kishte hyrë, i papërgatitur, me shpresën që të merrte pjesë. Ai kishte ardhur në gosti – të gjithë ata ishin të ftuar në gosti, por them se mendohej që ata e dinin se do të pranoheshin vetëm ata që ishin veshur siç duhej, dhe ky njeri u habit kur iu drejtua pyetja se përse ndodhej aty në atë gjendje.
Bota duket që mendon se mund të vijë kurdo që të jenë gati. Fëmijët e Atit tonë nuk e kuptojnë se ka një përgatitje për të bërë. Kundërshtari i ka mashtruar në atë mënyrë, sa t’i bëjë të besojnë se asnjë përgatitje nuk nevojitet, çfarëdo gjëje do të mjaftojë, mirëpo në këtë mesazh që Shpëtimtari u dha në shëmbëlltyrë shoqëruesve të tij, vihemi në dijeni se duhet të ketë një përgatitje dhe, pa atë përgatitje, asnjë nuk do të lejohet të marrë nga ato dhurata më të çmuara të Atit Qiellor. Kjo vlen për anëtarësinë e kësaj Kishe të cilët kanë mendimin se, për arsye se ata janë ftuar e për arsye se emrat e tyre shfaqen në dokument mes atyre të cilët u thirrën, për ta nuk ka më asgjë për të bërë. … Ata e kanë harruar Zotin e nuk po përgatiten për gostinë në të cilën ai i ka ftuar.
Ati ynë Qiellor nënkupton se do të duhet të përgatitemi për gostinë e dasmës ose do të përjashtohemi. Ai pret nga ne të vazhdojmë ta pajisim mendjen me të vërtetën dhe ta përhapim atë të vërtetë, siç ofron mundësia, mes të gjithë fëmijëve të tij. Fakti që emrat tanë shfaqen në dokumentat e Kishës, nuk është garanci se ne do të gjejmë vendin në mbretërinë çelestiale. Vetëm ata që jetojnë të denjë për të qenë pjesëtarë të asaj mbretërie, do të gjejnë vend atje.
Mes gjendjes së turbullt, pasigurisë që është në botë, nëse qe ndonjëherë një kohë kur ne duhet të shqyrtojmë vetveten, për të parë nëse po bëjmë atë që do të na kërkonte Zoti, ajo është sot; nëse qe ndonjëherë një kohë kur ne duhet të sigurohemi se jemi në shtegun e jetës së përjetshme, ajo është tani. Nuk mund t’i shpërfillim këto mundësi. Perëndia nuk do të vihet në lojë. Kur ai na ka ofruar një dhuratë, kur ai e ka vënë brenda mundësisë sonë një bekim, kur ai na ka ftuar të marrim pjesë në një gosti dhe ne nuk e marrim parasysh, mund të jemi të sigurt se do të vuajmë fatkeqësinë që do t’u vijë atyre që refuzojnë bekimet e Zotit kur ato ofrohen.11
Nuk mundet të jetojmë si bota e të presim të fitojmë vendin tonë të ligjshëm në Mbretëri. Zoti na thotë në seksionin e parë të Doktrinës e Besëlidhjeve, duke pasur parasysh të ligën, se ai nuk mund ta shohë mëkatin as me shkallën më të vogël të lejimit [shih DeB 1:31]. Ky është ilaç i fortë, sepse disa nga ne të Kishës kanë mendimin se mund të luajmë me Ungjillin e Zotit tonë dhe me çështjet themelore të Jetës së Përjetshme dhe ende të fitojmë vendin që dëshirojmë. Kjo nuk është e vërtetë. Zoti do të jetë i mëshirshëm, por ai do të jetë i drejtë dhe, nëse ne dëshirojmë ndonjë bekim, ka vetëm një mënyrë që mund ta fitojmë dhe ajo është t’u bindemi urdhërimeve që do të na japin të drejtën për bekimin.12 [Shih sugjerimin 3 në faqen 9.]
Në rast se po kryejmë detyrën e plotë, jeta jonë jep prova të besimit tonë tek ungjilli.
Brenda vitit të kaluar kam pasur privilegjin të takohem e të bisedoj mbi ungjillin me disa njerëz të cilët jetojnë në këtë komunitet [Solt-Lejk-Siti], jo anëtarë të Kishës sonë. Një burrë kishte banuar këtu për njëzet vjet, një njeri jeta e të cilit nuk ka të qortuar, një qytetar i mirë, një njeri i shkëlqyer i biznesit, dikush i cili ka ndjenja dashamirësie ndaj popullit tonë. Ai më tregoi se kishte jetuar këtu njëzet vjet dhe kishte arritur në përfundimin se ne ishim po aq të mirë sa fqinjët tanë të cilët janë anëtarë të kishave të tjera; nuk arrinte të shihte tek ne ndonjë ndryshim.
Dëshiroj t’ju them, vëllezër e motra të mia, se kjo për mua nuk është kompliment. Nëse ungjilli i Jezu Krishtit mua nuk më bën njeri më të mirë, atëherë unë nuk jam zhvilluar ashtu siç duhej dhe, në rast se fqinjët tanë jo të kësaj Kishe mund të jetojnë mes nesh nga viti në vit e të mos shohin asnjë provë të të mirave që vijnë nga zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë në jetën tonë, atëherë ka nevojë për reformë në Izrael. …
… A po e bëni ju detyrën tuaj, a po e kryejmë punën që Zoti ia ka besuar kujdesit tonë, a e ndiejmë përgjegjësinë që është mbi ne apo po pluskojmë duarkryq me rrjedhën, duke shkuar sipas baticës me mendimin e mirëqenë se në ditën e fundit ne do të shëlbohemi?13
Ne quhemi një popull i veçantë [shih 1 Pjetri 2:9] ngaqë, ndofta, besojmë plotësisht ungjillin e Jezu Krishtit. …
Nëse veçantia jonë të shtrihej aq sa të jetonim me çdo fjalë që del nga goja e Atit Qiellor [shih DeB 84:44], atëherë do të ishim vërtet një popull i bekuar. Ne, në një shkallë të madhe, vërtet jetojmë sipas dëshmisë që na është dhënë nga Shëlbuesi ynë dhe, deri në këtë nivel, jemi një popull i bekuar; por ne do të ishim edhe shumë më të bekuar e të lulëzuar, nëse mund ta bindnim veten të bënim detyrën tonë të plotë.
Lutem që të jetë me ne shpirti i cili do të na aftësojë të shërbejmë besnikërisht, që dëshira për të kryer të mirën i mposhttë tundimet që vihen në udhën tonë, dhe që, kudo ku të shkojmë, u detyrofshin të tjerët që na i vëzhgojnë veprat e mira, të lëvdojnë Atin tonë që është në qiell [shih Mateu 5:16].14
Tani, le ta shqyrtojmë veten. A po bëjmë ne aq sa do të duhej? Dhe, nëse nuk po bëjmë, le të ndryshojmë krejtësisht e të bëjmë më mirë. Nëse po bëjmë siç duhet, nëse po kërkojmë në çdo drejtim për t’u bërë mirësi fëmijëve të Atit tonë, atëherë i sjellim vetes bekimin prej një Ati urtësiplotë dhe do të gëzohemi për të mirën që ne kryejmë këtu. …
Le të jemi të përulur dhe të lutjes, të jetojmë pranë Atit tonë Qiellor dhe të japim prova të besimit tonë tek Ungjilli i Jezu Krishtit duke jetuar në bindje të parimeve të tij. Le të japim prova të besimit në Perëndi e në punën që Ai i ka dhënë tokës, me një jetë të rregullt e të qëndrueshme, sepse, në fund të fundit, kjo është dëshmia më e fortë që do të jemi në gjendje të japim për të vërtetën e kësaj pune.15 [Shih sugjerimin 4 në faqen 9–10.]
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet v–vii.
-
Teksa shihni sërish kredon e Presidentit Smith (faqe 1–2), mendoni disa ideale ose parime që do të dëshironit të ndiqnit në jetën tuaj. Merrni parasysh që t’i mbani shënim në një ditar vetjak.
-
Lexoni katër paragrafët e parë të plotë të faqes 3. Çfarë do të thotë të jesh shenjtor i ditëve të mëvonshme? Çfarë mund të bëjë një prind që t’i ndihmojë fëmijët të mësojnë të jetojnë jetën e një shenjtori?
-
Ndërsa lexoni seksionin që fillon në faqen 5, mendoni se në ç’mënyrë mund t’i vlejë jetës suaj shëmbëlltyra e gostisë së dasmës (shih edhe Mateu 22:1–14). Për shembull, çfarë mendoni se përfaqëson gostia e dasmës? Cilët përfaqësojnë mysafirët e ftuar? Mendohuni se çfarë mund të bëni që “të [përgatiteni] për gostinë e dasmës” (faqe 6).
-
Lexoni paragrafin e fundit të mësimeve (në faqen 9) dhe mendoni për dikë që e njihni, i cili ka dëshmi të fortë për ungjillin. Në ç’mënyrë jep prova jeta e atij personi për dëshminë e vet? Merrni parasysh se ç’mund të bëni që të jepni prova për dëshminë tuaj.
Shkrime të Shenjta Përkatëse: Mateu 7:16–23; Jakobi (Bibla) 1:22–25; 2:15–18; 1 Gjoni 2:3–6; Moroni 7:3–5; Doktrina e Besëlidhjet 41:5
Ndihmë për mësimdhënien: “Që të na ndihmojë të japim mësim nga shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme, Kisha ka prodhuar manuale mësimi dhe materiale të tjera. Është e paktë nevoja për material komentues ose materiale të tjera referimi” (Teaching, No Greater Call: A Resource Guide for Gospel Teaching [1999], f. 52).