Mësime të Presidentëve
Kapitulli 16: ‘Ofroni Sakramentet Tuaja në Ditën Time të Shenjtë’


Kapitulli 16

“Orfoni Sakramentet Tuaja në Ditën Time të Shenjtë”

Mbajtja e ditës së Shabatit të shenjtë dhe pjesëmarrja në sakrament na sjell forcë më të madhe shpirtërore.

Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit

Si fëmijë, Xhorxh Albert Smithi mësoi rëndësinë e nderimit të ditës së Shabatit. Shpesh të dielave një grup djemsh të lagjes do të vinin te shtëpia e tij pas Shkollës të së Dielës për ta ftuar atë të luanin me top. “Unë isha si djemtë”, thoshte ai. “Unë mendoja se do të ishte shumë qejf të luaje me top dhe të luaje lojëra të tjera. Por unë kisha një nënë të mrekullueshme. Ajo nuk thoshte: ‘Ti nuk mund të shkosh’, por ajo thoshte: ‘Bir, ti do të jesh më i lumtur nëse nuk e bën atë. …’ Dëshiroj t’ju tregoj se jam mirënjohës për atë lloj përgatitjeje në shtëpi.”1 Ndikimi i mësimeve të nënës së tij mund të shihet tek të kujtuarit të shpeshtë që Presidenti Smith u bën shenjtorëve se mbajtja e shenjtë e ditës së Shabatit sjell bekime të mëdha.

Si Autoritet i Përgjithshëm, Xhorxh Albert Smithi pati rastin të merrte pjesë në shërbime të së dielës të Kishës në shumë vende. Ndërsa ai vërente shenjtorët që adhuronin së bashku në Shabat, ai qe i kënaqur me qëndrimin e tyre nderues ndaj sakramentit: “Unë e ndiej se një kuptim i shenjtërisë së sakramentit të Darkës së Zotit është i rëndësishëm për anëtarët e Kishës… Unë gëzohem kur i gjej vëllezërit dhe motrat tona të vijnë në shenjtërore dhe të marrin nga këto simbole … denjësisht.”2 [Shih sugjerimin 1 në faqen 176.]

Mësime të Xhorxh Albert Smithit

Urdhërimi i Perëndisë që ta mbajmë të shenjtë ditën e Shabatit nuk është barrë por bekim.

[Zoti] na ka mësuar se duhet ta nderojmë Ditën e Shabatit që ta mbajmë të shenjtë. Një ditë nga të shtatat ai e veçoi si ditën e tij dhe, duke pasur parasysh të gjitha bekimet që na janë dhuruar në ditët e tjera, më duket mua se ne duhet të gjejmë gëzim në të bërit e gjërave që ai na kërkon të bëjmë në ditën e tij të shenjtë dhe unë besoj se po të mos i bëjmë ato ne nuk do të gjejmë lumturi… Ai na do të jemi të lumtur dhe na ka treguar se si mund ta arrijmë atë lumturi.3

Ne duhet të mendojmë për qëllimin e ditës [së Zotit] dhe të marrim nga ndikimi i adhurimit. Çfarë do të përmbushej për botën nëse të gjithë fëmijët e Atit tonë Qiellor – dhe të gjithë ne jemi bijtë e tij – do të respektonin dëshirën e tij që Shabati duhet të jetë një ditë adhurimi. Nuk ka mënyrë që të vlerësohet çfarë ndryshimi dobiprurës mund të realizohej, jo vetëm në kombin tonë, por në të gjitha kombet e botës nëse ne do ta nderonim ditën e Shabatit dhe do ta mbanim të shenjtë atë.4

Shabati është bërë dita e lojës … – dita e veçuar nga mijëra vetë për të shkelur urdhërimin që Perëndia e ka dhënë shumë, shumë kohë përpara dhe unë jam bindur se shumë nga hidhërimi dhe dhembja që po goditin dhe do të vazhdojnë të goditin njerëzimin, u shkojnë gjurmët te fakti që ata kanë shpërfillur këtë paralajmërim për ta mbajtur të shenjtë ditën e Shabatit.5 [Shih sugjerimin 2 në faqen 176.]

Një nga predikimet e para të bëra në këtë luginë [të Solt-Lejkut] ishte nga Presidenti Brigam Jang dhe ai këshilloi njerëzit që të nderojnë ditën e Shabatit dhe ta mbajnë atë të shenjtë, dhe që, pavarësisht sa të vështira të ishin rrethanat e tyre, ata nuk duhej të dilnin jashtë dhe të bënin punë krahu në ditën e Shabatit… Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme i ka nxitur njerëzit e saj ta kujtojnë ditën e Shabatit që ta mbajnë të shenjtë sepse është kënaqësi për Atin tonë Qiellor që ne të veprojmë kështu.6

Le t’i mësojmë këta djem dhe vajza [të Kishës], ndërsa ata rriten që të bëjnë gjërat që Zoti do të donte që ata të bënin në ditën e Shabatit, dhe se do të jetë befasues ndikimi që ata mund të kenë në komunitetet ku jetojnë. Nëse bota nuk pendohet për pakujdesinë dhe moskokëçarjen e saj, nëse [ne si] shenjtorë të ditëve të mëvonshme, në shumë raste, nuk pendohemi për qëndrimin tonë moskokëçarës ndaj ditës së shenjtë të Atit tonë Qiellor, nuk do të na vijë i gjithë gëzimi dhe lumturia që dëshirojmë të gëzojmë këtu, dhe nuk do t’i kemi me ne në përjetësi.7

Disa njerëz duken sikur mendojnë se, nëse do të kenë marrë pjesë në mbledhje fetare apo do të kenë kryer disa pjesë të shërbimit që kërkohet prej tyre të dielën, ata janë atëherë të lirë të ndjekin kënaqësitë dhe të merren me aktivitete që nuk përputhen me shpirtin e Shabatit dhe përsëri të vazhdojnë të gëzojnë miratimin e Atit tonë. Unë ju them ju se, nëse anëtarët e Kishës, duke e ditur më mirë, ngulin këmbë në çshenjtërimin e ditës së Shabatit për të ndjekur kënaqësitë e botës, ata do të humbasin besimin e tyre dhe Shpirti i Atit tonë Qiellor do të tërhiqet prej tyre.8

Nuk është një gjë e parëndësishme të shkelësh ditën e Shabatit. Unë dua të them se ju do të humbisni sa herë që do të shkelni ditën e Shabatit, ju humbisni më shumë sesa mund të fitoni, pavarësisht se çfarë mund të mendoni se do të fitoni.9

Të harrosh se ajo [dita e Shabatit] është dita e Zotit, siç duket se disa nga ne bëjnë, është mosmirënjohje. Ai ka veçuar një ditë në shtatë, jo për ta bërë barrë atë, por për të sjellë gëzim në jetën tonë dhe që të bëjë që shtëpitë tona të mund të jenë vendi i grumbullimit të familjes, që prindërit dhe fëmijët të mund të mblidhen përreth zemrës së familjes duke rritur dashurinë tonë për njëri-tjetrin. …

Nderojeni ditën e Shabatit dhe mbajeni atë të shenjtë, shenjtorë të ditëve të mëvonshme, dhe ajo do t’ju sjellë gëzim të madh, dhe Ati ynë Qiellor do t’ju japë bekimet që vijnë nga bindja ndaj porosisë dhe këshillës së tij.10

Pjesëmarrja në kishë është një pjesë e rëndësishme e mbajtjes së shenjtë të ditës së Shabatit.

Nëse ne bëjmë atë që Ati ynë Qiellor do të donte të bënim, ne do të shkojmë në shtëpinë e tij të shenjtë në ditën e Shabatit dhe atje do të marrim sakramentin në kujtim të sakrificës që qe bërë për ne nga Shëlbuesi i njerëzimit.11

Kjo [ditë e Shabatit] është dita e shenjtë e Zotit; kjo është dita që ai ka veçuar në të cilën ne duhet ta adhurojmë atë, dhe në këtë ditë të mëvonshme ai ka dhënë një urdhërim shtesë që ne duhet të shkojmë në shtëpinë e lutjes dhe duke agjëruar në ditën e tij të shenjtë, dhe atje të njohim gabimet tona, dhe të japim dëshminë tonë në prani të njëri-tjetrit [shih DeB 59:9–12]. …

Në këtë kohë të mrekullueshme kur njerëzit mund të ulen rehat në shtëpi dhe të dëgjojnë muzikë nga bota, dhe të dëgjojnë biseda publike dhe predikime, ata do të qëndrojnë në vatrën e tyre dhe ndoshta do të ndiejnë se po marrin gjithçka që mund të merrnin, po të kishin shkuar në vendin e caktuar për shërbime fetare.

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme nuk duhet të mashtrohen në këtë mënyrë. Nuk është vetëm fjala që dëgjojmë që sjell përfitim, por është ndikimi që përshkon shtëpitë tona të adhurimit që vjen nga Ati ynë Qiellor, që është thelbësor. Ne mund të kemi një komplet radioje në shtëpinë tonë, por ne nuk do të përfitojmë shpirtërisht prej tij aq shumë sa kur shkojmë në shtëpinë e Zotit në ditën e tij të shenjtë, ku neve na lejohet të marrim Sakramentin dhe ku ne lutemi dhe përftojmë bekimet e Atit tonë Qiellor dhe marrim dëshmi të së vërtetës së përllogaritur për të shpëtuar njerëzimin.12 [Shih sugjerimin 3 në faqen 176.]

Është një privilegj i shenjtë të marrim sakramentin në ditën e Shabatit.

Unë mendoj se ndoshta shumica jonë e kuptojnë se çfarë dhurate ka ardhur te ne në ato raste kur ne lejohemi të mblidhemi në paqe dhe në qetësi, të takohemi së bashku dhe të marrim simbolet e trupit të thyer dhe të gjakut të derdhur të Mësuesit. Do të jetë, dhe unë them se është, në mendjen e secilit prej nesh një rast shumë i shenjtë dhe solemn të kuptojmë se jemi duke rinovuar besëlidhjet tona me atë që dha jetën që ne të mund të ringjallemi dhe të ekzaltohemi. Kur marrim nga këto simbole, unë jam i sigurt se ne të gjithë kuptojmë se sakramenti, i filluar prej tij përpara se të ndërronte jetë, duhet të jetë për ne një lartësim dhe frymëzim, dhe një bekim gjatë gjithë përjetësisë.13

Sakramenti ka rëndësi të madhe. Zoti Vetë shuguroi që ne të marrim nga këto simbole. Ka shumë njerëz që besojnë se është e nevojshme të pagëzohen dhe të kryhen ordinanca të tjera të Ungjillit në emër të tyre, dhe përsëri ata bëhen moskokëçarës dhe të pakujdesshëm në lidhje me sakramentin e Darkës së Zotit. Ai konsiderohej me një rëndësi të tillë nga Ati ynë në Qiell saqë, nëpërmjet Birit të Tij të dashur dhe apostujve e profetëve, siç shënohet në shkrimet e shenjta, shenjtorët qenë porositur ta marrin atë rregullisht. Tre nga ungjillorët [shkrues të ungjillit] e përmendin atë [shih Mateu 26:26–28; Marku 14:22–24; Lluka 22:19–20] dhe ne gjejmë se shkrimet e shenjta, në shumë vende, na mësojnë rëndësinë e tij, siç qe dhënë mësim nga Zoti Vetë kur Ai banoi në mish. Ati ynë në Qiell nuk na jep neve urdhërime apo këshilla që nuk janë të rëndësishme. Ai na mëson për lartësimin tonë, për rritjen dhe zhvillimin tonë dhe, nëse do të ndjekim këshillën e Tij, ne do të përgatitemi për t’u kthyer në praninë e Tij… Çdo ditë Shabati ne pritet të takohemi së bashku dhe të marrim simbolet e trupit dhe të gjakut të Shëlbuesit tonë të ngritur. …

Ne gjithashtu gjejmë referenca për këtë në kapitullin e 18-të të Nefit të Tretë, ku Shpëtimtari po udhëzon njerëzit në këtë kontinent [amerikan], pikërisht siç Ai pati mësuar dishepujt e Tij në botën antike që të zbatonin sakramentin. Atje lexohet si më poshtë:

“Dhe kur turma hëngri dhe u ngop, ai u tha dishepujve: Vini re, njëri prej jush do të shugurohet dhe atij do t’i jap pushtet, që të copëtojë bukën dhe ta bekojë dhe t’ua japë njerëzve të kishës sime, të gjithë atyre që do të besojnë dhe do të pagëzohen në emrin tim.

Dhe këtë gjë ju do të përpiqeni ta bëni gjithmonë, madje, ashtu siç e bëra unë, madje, ashtu si e copëtova unë bukën dhe e bekova dhe jua dhashë juve.”

… Vargu tjetër lexon si më poshtë:

“Dhe këtë gjë do ta bëni për të kujtuar trupin tim që jua tregova. Dhe do të jetë një dëshmi për Atin, që ju më kujtoni gjithnjë. Dhe në qoftë se ju më kujtoni gjithnjë, ju do të keni Shpirtin tim që të jetë me ju.” [3 Nefi 18:5–7.]

… Përveç kësaj, ne gjejmë se në vetë ditët tona Zoti na ka dhënë zbulesë mbi këtë temë. Në seksionin 20 të Doktrinës e Besëlidhjeve, Zoti na jep udhëzim mbi çështjen. Në atë zbulesë, duke filluar me vargun e 75-të, Ai thotë:

“Është e domosdoshme që kisha të takohet së bashku shpesh për të marrë bukë dhe verë në kujtim të Zotit Jezus;

Dhe plaku ose prifti duhet ta administrojë atë; dhe sipas kësaj mënyre ai duhet ta administrojë atë—ai duhet të bjerë në gjunjë me kishën dhe t’i drejtohet Atit me lutje solemne, duke thënë”

Vini re lutjen e mrekullueshme që vijon … :

“O Perëndi, Ati i Amshuar, ne të kërkojmë ty në emër të Birit tënd, Jezu Krishtit, t’u bekosh e t’u shenjtërosh këtë bukë shpirtrave të të gjithë atyre që marrin prej saj, që ata të mund të hanë në kujtim të trupit të Birit tënd dhe të mund të të dëshmojnë ty, O Perëndi, Ati i Amshuar, se ata janë të gatshëm të marrin mbi vete emrin e Birit tënd dhe gjithmonë ta kujtojnë atë e të zbatojnë urdhërimet që ai u ka dhënë atyre, që të mund të kenë gjithmonë Shpirtin e tij me ta. Amen.” [DeB 20:75–77.]

Lutja dhe bekimi i ujit është diçka e ngjashme [shih DeB 20:78–79].

Sa të shenjta, sa thellësisht të shenjta, janë mendimet e shprehura në lutjen e sakramentit. Unë ju paralajmëroj ju, vëllezër të mi, se kur kemi detyrën e administrimit të sakramentit, ne të përsërisim … saktësisht fjalët e dhëna nga zbulesa dhe ne e bëjmë këtë me Shpirtin e Zotit. Kur përsërisim këto lutje, ne duhet t’i ndiejmë kuptimet e shprehura në fjalët që themi.14

Unë kam frikë ndonjëherë se, kur administrohet sakramenti në disa nga mbledhjet tona, nuk është atmosfera solemne që duhet të jetë. Është një privilegj i tillë i shenjtë… Ata që [marrin] nga sakramenti duhet të kenë në mendjen e tyre detyrimin që tregohet në lutje.15 [Shih sugjerimin 4 në faqen 176.]

Marrja denjësisht e sakramentit përtërit forcën tonë shpirtërore.

Ne marrim nga ushqimi fizik – që do të thotë, ne marrim bukën dhe ujin etj., për të ushqyer trupin fizik. Është po aq e nevojshme që ne të marrim simbolet e trupit dhe të gjakut të Zotit tonë të ngritur për të rritur forcën tonë shpirtërore. Është vërejtur që burrat dhe gratë që kalojnë nga viti në vit pa marrë Darkën e Zotit, pak nga pak e humbasin Shpirtin e Atit Qiellor; ata e humbasin shoqërimin e tij prej të cilit kanë pasur mundësinë të marrin pjesë në atë bekim, por kanë dështuar të përfitojnë prej tij. …

Unë i jam kthyer një fragmenti nga shkrimet e shenjta në kapitullin e 11-të të Një Korintasve, duke filluar me vargun e 23-të, që lexon si më poshtë:

“Sepse unë mora nga Zoti atë që ju transmetova edhe juve; se Zoti Jezus, në atë natë që po tradhtohej, mori bukën

dhe, si falënderoi, e theu dhe tha: ‘Merrni, hani; ky është trupi im që është thyer për ju; bëni këtë në përkujtimin tim’.

Gjithashtu, pas darkës, mori edhe kupën, duke thënë: ‘Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, bëni këtë sa herë që të pini, në përkujtimin tim’.

Sepse sa herë të hani nga kjo bukë ose të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit, derisa ai të vijë.

Prandaj ai që ha nga kjo bukë ose pi nga kjo kupë e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor i trupit dhe i gjakut të Zotit.

Por secili të shqyrtojë vetveten dhe kështu të hajë nga buka e të pijë nga kupa.

sepse ai që ha dhe pi padenjësisht, ha dhe pi një dënim për veten e tij, sepse nuk e dallon trupin e Zotit.

Për këtë arsye ka në mes jush shumë të dobët e të sëmurë, dhe shumë vdesin.” [1 Korintasve 11:23–30.]

… Unë dëshiroj të tërheq vëmendjen tuaj te fakti se ka rrezik nëse ne e bëjmë atë [marrim sakramentin] padenjësisht. Përpara se të marrim këtë sakrament, zemrat tona duhet të jenë të dëlira; duart tona duhet të jenë të pastra; ne duhet të jemi zhveshur nga gjithë armiqësitë ndaj shokëve tanë; ne duhet të jemi në paqe me bashkënjerëzit tanë; dhe ne duhet të kemi në zemrën tonë një dëshirë për të bërë vullnetin e Atit tonë dhe të mbajmë të gjitha urdhërimet e Tij. Nëse e bëjmë këtë, marrja e sakramentit do të jetë një bekim për ne dhe do të ripërtërijë forcën tonë shpirtërore. …

… Ne duhet të marrim parasysh seriozisht besëlidhjet që bëjmë me Atin tonë. Le t’u kushtojmë një vëmendje të madhe atyre besëlidhjeve, dhe le të sigurojmë që të hamë dhe pimë denjësisht për bekimet e shpirtit tonë dhe për rritjen e forcës sonë shpirtërore. Këto bekime janë për ju, vëllezër dhe motra të mia, që jeni të familjes së besimit. Le t’i vlerësojmë ato dhe të jetojmë denjësisht për to, që jeta jonë të mund të bëhet shembull i besimit tonë. Le të mos jetë asnjë nga ne në ndëshkimin prej marrjes së sakramentit padenjësisht, duke qenë kështu i privuar nga shoqërimi i Shpirtit të Atit tonë.16

Ne duhet ta marrim atë [sakramentin] me përulësi, me përgatitjen e duarve të pastra dhe zemrave të kulluara dhe me dëshirë për të qenë të pranueshëm për Atin tonë; atëherë ne do ta marrim atë denjësisht dhe do të gëzohemi në bekimin që vjen te ne.17

Na bekoftë Zoti; vazhdoftë Shpirti i Tij të derdhet mbi ne. Le ta duam njëri-tjetrin, siç urdhëroi Ati ynë që të bëjmë. Nëse ne mund ta marrim sakramentin denjësisht, ne mund ta duam njëri-tjetrin, madje ashtu si Ati ka shuguruar; duke kujtuar që Ai na ka thënë: “Nëse nuk jeni një, nuk jeni të mitë”. [DeB 38:27.]18 [Shih sugjerimin 5 në faqen 176.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet v–vii.

  1. Lexoni paragrafin e fundit në faqen 167. Nëse Presidenti i Kishës do të qe i pranishëm në mbledhjen e sakramentit, si mendoni se do të ishin përshtypjet e tij? Çfarë mund të bëni ju vetë që të tregoni nderim më të madh për Zotin dhe sakramentin?

  2. Mendoni thellë fjalët e Presidentit Smith në paragrafët e dytë dhe të tretë në faqen 169. Si do mundej të përfitonte shoqëria në përgjithësi nëse më shumë njerëz do ta nderonin ditën e Shabatit? Cilat janë disa mënyra të përshtatshme për të ndihmuar familjet tona dhe të tjerë që ta shohin respektimin e ditës së Shabatit më shumë si një bekim sesa si barrë?

  3. Cilat janë disa nga përfitimet e adhurimit së bashku të dielën që ne nuk i kemi kur thjesht e studiojmë ungjillin në shtëpitë tona? (Shih faqe 172 për disa shembuj; shih gjithashtu DeB 59:9–12.)

  4. Ndërsa lexoni seksionin që fillon në faqen 171, mendoni thellë se çfarë mund të bëni që ordinanca e sakramentit të bëhet një pjesë më kuptimplotë të jetës suaj. Cilat janë disa mënyra të efektshme për të ndihmuar fëmijët që të përgatiten për sakramentin dhe ta trajtojnë atë me nderim?

  5. Ndërsa lexoni katër paragrafet e fundit të mësimeve (faqe 175), shihni se çfarë thotë Presidenti Smith se na kualifikon ne që të marrim denjësisht sakramentin. Përse mendoni ju se marrja denjësisht e sakramentit rrit forcën tonë shpirtërore?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Eksodi 20:8–11; Isaia 58:13–14; Mateu 18:20; 3 Nefi 18:1–12; 20:8–9; Moroni 6:5–6

Ndihmë për mësimdhënien: “Një mësues i aftë nuk mendon, ‘Çfarë do të bëj në klasë sot?’ por pyet, ‘Çfarë do të bëjnë studentët e mi në klasë sot?’; jo, ‘Çfarë do të jap mësim sot?’ por përkundrazi, ‘Si do t’u ndihmoj studentëve të mi të zbulojnë atë që ata kanë nevojë të dinë?’” (Virginia H. Pearce, në Teaching, No Greater Call [Mësimdhënia S’Ka Thirrje më të Madhe], f. 61).

Shënime

  1. Në Conference Report, tetor 1948, f. 188.

  2. Në Conference Report, prill 1908, f. 34–35.

  3. Në Conference Report, tetor 1937, f. 50.

  4. “A Faith Founded upon Truth”, Deseret News, 17 qershor 1944, Church section, f. 4.

  5. Në Conference Report, tetor 1935, f. 120.

  6. Në Conference Report, prill 1948, f. 13–14.

  7. “Tribute to Richard Ballantyne”, Instructor, nëntor 1946, f. 505.

  8. “Faith—and Life”, Improvement Era, prill 1949, f. 252.

  9. Në Conference Report, tetor 1948, f. 188.

  10. Në Conference Report, tetor 1932, f. 23.

  11. Në Conference Report, tetor 1932, f. 23.

  12. Deseret News, 31 janar 1925, seksioni 3, faqe 4.

  13. “The Sacredness of the Sacrament”, Improvement Era, prill 1946, f. 206.

  14. Në Conference Report, prill 1908, f. 35–37.

  15. “The Sacredness of the Sacrament”, f. 206.

  16. Në Conference Report, prill 1908, f. 34–35, 37.

  17. Në Conference Report, prill 1908, f. 36.

  18. Në Conference Report, prill 1908, f. 37.

“Nderojeni ditën e Shabatit dhe mbajeni atë të shenjtë, shenjtorë të ditëve të mëvonshme, dhe ajo do t’ju sjellë gëzim të madh.”

“Sakramenti, i filluar prej [Mësuesit] përpara se të ndërronte jetë, duhet të jetë për ne një lartësim dhe frymëzim, dhe një bekim gjatë gjithë përjetësisë”.