Kapitulli 24
Jetesë e Drejtë në Kohë të Rrezikshme
Nëpërmjet besnikërisë sonë ndaj ungjillit, mund të gjejmë sigurim nga rreziqet e kohës sonë dhe të jemi një ndikim pozitiv në botë.
Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit
Shërbimi i Xhorxh Albert Smithit si Autoritet i Përgjithshëm përfshiu shumicën e gjysmës së parë të shekullit të 20-të. Gjatë kësaj periudhe, bota pa shumë ngjarje rrënuese dhe të trazuara, përfshirë Depresionin e Madh dhe dy luftëra botërore. Këto fatkeqësi, së bashku me atë që ai e konsideronte një rënie të përgjithshme të moralit në shoqëri, e çuan Presidentin Smith të thoshte më tepër se një herë: “Kjo botë është në një gjendje kritike”1. Ai pa në ngjarjet në botë përmbushjen e profecive mbi ditët e fundit dhe ishte i bindur se e vetmja shpresë për paqe në botë ishte bindja ndaj ligjeve të Perëndisë. Në kulmin e Luftës I Botërore, ai paralajmëroi: “Lufta nuk do të pushojë dhe konflikti në këtë botë nuk do të marrë fund derisa bijtë e njeriut të pendohen për mëkatet e tyre dhe t’i drejtohen Perëndisë e t’i shërbejnë atij e të mbajnë urdhërimet e tij”2.
Mes këtyre kohëve të vështira, Presidenti Smith gjeti se shumë njerëz ishin shkurajuar. Ai tregoi: “Ka qenë privilegji im të isha në pjesë të ndryshme të [Shteteve të Bashkuara] dhe është e rrallë që një njeri të gjejë ata që nuk janë jashtëzakonisht pesimistë, për shkak të kushteve mbi të cilat duket se ne nuk kemi ndonjë kontroll”3. Ndërkohë që e pranoi se lufta, katastrofat natyrore dhe rreziku shpirtëror janë pjesë e të jetuarit në ditët e mëvonshme, Presidenti Smith u mësoi shenjtorëve se ata mund t’i shpëtojnë shumicës së shqetësimit të këtyre kohëve të rrezikshme duke jetuar ungjillin dhe duke i rezistuar tundimit.
Ai gjithashtu gjeti optimizëm në besimin e tij se shenjtorët e drejtë të ditëve të mëvonshme mund të kishin një ndikim të fuqishëm mbi botën rreth tyre. Ai dha mësim se shenjtorët jo thjesht duhet të pranojnë kushtet e botës, por se ata duhet të qëndrojnë aktivë në komunitetet e tyre dhe të përpiqen fort që të bëjnë të ndihet ndikimi i tyre, me gjithë çfarëdo kundërshtimi që mund të hasin. “Ne të gjithë jemi nën detyrimin që ta bëjmë këtë botë një vend më të lumtur sepse ne kemi jetuar në të”, tha ai.4
Motra Bel S. Spaford, presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, tregoi një përvojë në të cilën Presidenti Smith i mësoi asaj këtë parim. Pak pasi u thirr në postin e saj, Motra Spaford mori njoftim për një mbledhje që do të zhvillohej në qytetin e Nju-Jorkut nga National Council of Women [Këshilli Kombëtar i Grave]. Shoqata e Ndihmës kishte qenë anëtare e atij këshilli për shumë vite, por kohët e fundit disa anëtare të tjera të këshillit kishin qenë armiqësore kundrejt Kishës dhe i kishin vënë në siklet delegatet shenjtore të ditëve të mëvonshme në mbledhjet e tij. Për shkak të kësaj, Motra Spaford dhe këshilltaret e saj e ndjenin se Shoqata e Ndihmës duhet t’i jepte fund anëtarësisë së saj në këshill dhe ato hartuan një rekomandim ku shprehnin pikëpamjet e tyre. Motra Spaford më vonë tregoi:
“Me takim, një mëngjes, shkova vetëm që të takohesha me Presidentin Xhorxh Albert Smith, duke marrë rekomandimin me vete, së bashku me një listë arsyesh se përse ishte hartuar rekomandimi. Presidenti e lexoi me kujdes materialin e shtypur. Pastaj ai pyeti: ‘A nuk është kjo organizata me të cilën u bashkuan motrat përpara fillimit të shekullit?’
I thashë: ‘Po, zotëri’.
Ai tha: ‘A duhet të kuptoj se tani ju dëshironi t’i jepni fund asaj anëtarësie?’
I thashë: ‘Po, zotëri’. Pastaj shtova: ‘E dini, President Smith, ne nuk marrim ndonjë gjë nga Këshilli’.
Presidenti më pa me habi. Ai tha: ‘Motra Spaford, a mendoni gjithmonë sipas asaj se çfarë merrni? A nuk mendoni se nganjëherë është mirë të mendoni sipas asaj se çfarë keni për të dhënë? Unë besoj’, vazhdoi ai, ‘se gratë mormone kanë diçka për t’u dhënë grave të botës dhe se ato gjithashtu mund të mësojnë prej tyre. Në vend që t’i jepni fund anëtarësisë suaj, unë sugjeroj që të merrni disa nga anëtaret më të afta të bordit dhe të shkoni përsëri në këtë mbledhje.’
Pastaj ai tha me forcë: ‘Bëni të ndihet ndikimi juaj’.”5
Motra Spaford iu bind kësaj këshille dhe më vonë u caktua në poste udhëheqëse në Këshillin Kombëtar të Grave, duke u zgjedhur së fundi presidente e tij. [Shih sugjerimin 1 në faqen 263.]
Mësime të Xhorxh Albert Smithit
Vështirësi serioze janë parashikuar për ditët e mëvonshme.
Neve na është thënë se në ditët e fundit do të dalin vështirësi serioze. … Ne jo vetëm që jemi paralajmëruar nga shkrimet e shenjta që u dhanë në ditët e Shpëtimtarit dhe përpara kohës së tij dhe në ato që u dhanë pas tij, por në vetë ditën dhe epokën tonë, Zoti ka folur dhe zbulesat e Atit tonë Qiellor gjenden tek Doktrina e Besëlidhjet. Nëse do t’i lexojmë këto zbulesa, do të mësojmë se përvojat mes të cilave po kalojmë, ishin parashikuar. …
… Shtypi i përditshëm na sjell raportime fatkeqësish që ndodhin kudo – të detit që është i stuhishëm dhe të humbjes së jetës në të, tërmete, tornado të fuqishëm, të tillë si ato që na është thënë se do të ndodhin në ditët e fundit – dhe mua më duket, vëllezër e motra, nëse njerëzit po mendojnë seriozisht, nëse ata po lexojnë shkrimet e shenjta, ata duhet ta dinë se ngjarjet që Zoti ka thënë se do të ndodhnin në ditët e fundit, po ndodhin. Pema e fikut sigurisht që po i nxjerr gjethet [shih Joseph Smith—Mateu 1:38–39] dhe ata që janë të matur duhet ta dinë se vera është afër, se ato gjëra që Zoti ka parashikuar se do t’i paraprijnë ardhjes së tij të dytë, tani po ndodhin.6
Ne ende jemi në rrezik. Kjo botë sigurisht do të marrë një spastrim nëse bijtë dhe bijat e Atit tonë Qiellor nuk pendohen për mëkatet e tyre dhe t’i kthehen atij. Dhe kjo do të thotë se shenjtorët e ditëve të mëvonshme, ose anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, së bashku me gjithë të tjerët, por ne, në radhë të parë, duhet të japim shembullin.7 [Shih sugjerimin 2 në faqen 263.]
Mënyra e vetme drejt paqes është ungjilli i Jezu Krishtit.
Ka vetëm një mjet shërimi për shqetësimin universal – ilaç gjithëpërfshirës për sëmundjen e botës. Ai është ungjilli i Jezu Krishtit; ligji i përsosur i jetës dhe lirisë, që është rivendosur sërish në përmbushje të Shkrimeve të Shenjta.8
“Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.” (Gjoni 14:27.)
Këto janë fjalët qetësuese nga Princi i Paqes për ndjekësit e tij besnikë. Sigurisht nuk ka asgjë që u nevojitet më shumë njerëzve se bekimet e paqes e të lumturisë dhe zemrat të çliruara nga frika. Dhe këto na ofrohen ne të gjithëve nëse ne thjesht do të bëhemi pjesëmarrës të tyre.
Kur ungjilli u rivendos në tokë në këtë periudhë ungjillore, Zoti përsëriti atë që ai e ka thënë kaq shumë herë në Dhiatën e Vjetër e të Re, se çmimi i paqes e i lumturisë është drejtësia. Megjithë këtë njohuri, ka shumë që duket se mendojnë që ne mund të sigurojmë lumturi në ndonjë mënyrë tjetër, por ne të gjithë duhet ta dimë tani se nuk ka mënyrë tjetër. Dhe përsëri, me dinakërinë e tij dredharake Satani e ka shmangur shumicën e njerëzimit nga ecja në udhën që do të sigurojë lumturi dhe ai është ende i zënë. Kundërshtari i drejtësisë nuk fle kurrë.
Por duke ndjekur mësimet e Zotit, duke iu drejtuar atij dhe duke u penduar për mëkatin, duke shkuar duke bërë mirë, ne mund të kemi paqe, lumturi dhe lulëzim. Nëse njerëzit do ta duan njëri-tjetrin, urrejtja dhe dashakeqësia që kanë ekzistuar kaq shumë në botë, do të pushojnë.9
Në këto ditë pasigurie, kur njerëzit po vrapojnë nga një vend në tjetrin duke kërkuar ndonjë plan të ri me anë të të cilit paqja të mund të sillet në botë, dijeni këtë: se e vetmja rrugë për paqe për këtë botë është shtegu i Ungjillit të Jezu Krishtit, Zotit tonë. Nuk ka tjetër. … Të zotërosh një dije të së vërtetës ia vlen gjithë pasurinë e botës, të dish se ne jemi në autostradën e sigurt kur jemi në shtegun e detyrës siç është përcaktuar nga Ati ynë Qiellor dhe të dish se ne mund të vazhdojmë atje nëse do të duam, pavarësisht nga ndikimet dhe shtytjet që mund të na ofrohen nga ata që nuk janë caktuar të jenë udhëheqësit tanë, është një bekim që është i paçmueshëm.10
Ne jetojmë në një ditë kur shkrimi i shenjtë po plotësohet mes kombeve, ku Zoti tha nëpërmjet njërit prej profetëve të tij se në ditët e mëvonshme, “… dituria e njerëzve të tij të urtë do të shuhet dhe zgjuarësia e të mënçurve të tij do të zhduket”. (Isaia 29:14.) Me gjithë urtësinë e botës, asnjë grup deri tani nuk ka qenë në gjendje të tregojë rrugën për paqe me sigurinë se kjo është rruga. Ne … jemi me fat të dimë se ka një rrugë për paqe, që e vetme do të japë rezultate dhe se ajo rrugë është të mbajmë urdhërimet e Perëndisë, siç iu janë zbuluar fëmijëve të njerëzve së lashti dhe në kohën tonë. Nëse ajo rrugë do të ndiqej, të gjithë problemet që janë kaq serioze në botë, do të mund të zgjidheshin dhe paqja do të vinte në këtë tokë të brengosur.11
Edhe pse bota mund të jetë e mbushur me shqetësim dhe qiejt mbledhin errësirë, dhe vetëtimat e ndriçme shkrepin, dhe tërmeti lëkund që nga qendra deri në perimetër, nëse e dimë se Perëndia jeton dhe jeta jonë është e drejtë, ne do të jemi të lumtur, do të ketë paqe sa s’mund të shprehet sepse ne e dime se Ati ynë i miraton jetët tona.12 [Shih sugjerimin 3 në faqen 263.]
Ne nuk duhet të kemi frikë nëse bëjmë atë çfarë Zoti na ka kërkuar të bëjmë.
Ne nuk duhet të kemi frikë nëse bëjmë atë çfarë Zoti na ka kërkuar të bëjmë. Kjo është bota e Tij. Të gjithë burrat e gratë janë të varur prej Tij. Të gjitha fuqitë e së ligës do të kontrollohen për hir të popullit të Tij, nëse ata do ta nderojnë Atë dhe do të mbajnë urdhërimet e Tij.13
Nëse kemi besimin e Atit tonë Qiellor, nëse kemi dashurinë e Tij, nëse jemi të denjë për bekimet e Tij, gjithë ushtritë e botës nuk mund të na shkatërrojnë, nuk mund ta ndalojnë besimin tonë dhe nuk mund ta mposhtin Kishën që ka marrë emrin sipas Birit të Perëndisë.
Lexoni në kapitullin e nëntëmbëdhjetë të 2 Mbretërve se si Senasheribi, mbret i Asirisë, u përpoq të përmbyste Jeruzalemin. Ezekia, mbreti që përfaqësonte Izraelin, iu përgjërua Zotit për shpëtim ndërsa Senasheribi e tallte atë, duke thënë: “Mos mendo se lutjet për Perëndinë tuaj mund t’ju ndihmojnë ju. Në çdo vend ku kam qenë dhe e kam marrë tashmë, kanë qenë duke u lutur. Nuk keni shpëtim.” Dhe mëngjesin tjetër, një pjesë e madhe e ushtrisë asirase u gjet e vdekur përtokë dhe Jeruzalemi ishte ruajtur nga Zoti. [Shih 2 Mbretërve 19:10–20, 35.] Ai është forca jonë, … Ati juaj dhe imi, Ati i të gjithëve; nëse ne vetëm do të jemi të denjë Ai do të na mbrojë ashtu si bëri me bijtë e Helamanit [shih Alma 57:24–27] dhe ashtu si e mbrojti Danielin nga luanët [shih Danieli 6], dhe tre djaloshat hebrenj nga furra e zjarrtë [shih Danieli 3], dhe gjashtë qind mijë pasardhësit e Abrahamit kur i nxori ata nga Egjipti nën udhëheqjen e Moisiut dhe e mbyti ushtrinë e Faraonit në Detin e Kuq [shih Eksodi 14:21–30]. Ai është Perëndia i këtij universi. Ai është Ati i ne të gjithëve. Ai është i plotfuqishëm dhe na premton mbrojtje nëse do të jetojmë të denjë për të.14
Pavarësisht nëse retë mund të mblidhen, pavarësisht se kush mund të jetë në luftë, pavarësisht se çfarë kushtesh mund të dalin në botë, këtu në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, kudo ku po i nderojmë dhe po i mbajmë urdhërimet e Perëndisë, do të ketë mbrojtje nga fuqitë e së ligës, dhe burrat e gratë do të lejohen të jetojnë mbi tokë derisa jeta e tyre të përfundojë në nder e lavdi nëse ata do të mbajnë urdhërimet e Atit tonë Qiellor.15 [Shih sugjerimin 4 në faqen 263.]
Shtëpitë tona mund të jenë vende plot paqe e të shenjta edhe në mes të katastrofave.
Mendoj se me shqetësimin që është kudo, me parashikimin që Zoti bëri në Seksionin e parë të Doktrinës e Besëlidhjeve, që “paqja do të merret nga toka” [DeB 1:35] ne duhet ta ndiejmë se ajo kohë ka ardhur. Sigurisht që ne duhet të vlerësojmë veten dhe shtëpitë tona duhet të jenë vendi i qëndrueshëm i lutjes, mirënjohjes dhe falënderimeve. Bashkëshortët duhet të jenë të sjellshëm me bashkëshortet e tyre dhe bashkëshortet të vëmendshme ndaj bashkëshortëve të tyre. Prindërit duhet ta mbajnë dashurinë e fëmijëve të tyre nëpërmjet të jetuarit të drejtë të tyre. Shtëpitë tona atëherë, jo vetëm që do të jenë vendi i qëndrueshëm i lutjes dhe falënderimeve, por do të jenë vendi ku Ati ynë mund të japë bekimet e Tij më të zgjedhura për shkak të denjësisë sonë.16
Unë lutem që shtëpitë tona të mund të shenjtërohen nga drejtësia e jetës sonë, që kundërshtari të mos mund të ketë fuqi që të shkojë atje e të shkatërrojë fëmijët e shtëpive tona apo ata që banojnë nën çatitë tona. Nëse ne do të nderojmë Perëndinë dhe do të mbajmë urdhërimet e tij, shtëpitë tona do të jenë të shenjta, kundërshtari nuk do të ketë ndikim dhe ne do të jetojmë në lumturi e paqe deri në skenën e fundit në vdekshmëri dhe do të shkojmë të marrim shpërblimin tonë në pavdekësi.17
Përputheni jetën tuaj me mësimet e ungjillit të Jezu Krishtit dhe kur katastrofat t’ju kërcënojnë ju do të ndjeni mbështetjen e krahut të tij të plotfuqishëm. Bëjini shtëpitë tuaja vendin e qëndrueshëm të shpirtit të Zotit; le të jenë ato vende të shenjta, ku kundërshtari nuk mund të vijë; dëgjojeni zërin e qetë e të vogël që ju nxit drejt veprave të drejtësisë. Është lutja ime për një e për të gjithë që ju nuk do të shmangeni nga shtegu që çon tek dija dhe fuqia e Perëndisë, trashëgimia e besnikut, madje jeta e përjetshme.18
Unë lutem që në zemrat tona dhe në shtëpitë tona të mund të qëndrojë shpirti i dashurisë, i durimit, i dashamirësisë, i dashurisë hyjnore, i ndihmës që pasuron jetën tonë dhe që e bën botën më të shkëlqyer e më të mirë për shkak të tij.19 [Shih sugjerimin 5 në faqen 263.]
Ne mund të jemi një ndikim pozitiv në botë.
Unë dëshiroj t’ju përgjërohem, … të jeni si spiranca në komunitetin ku jetoni që të tjerët të mund të tërhiqen tek ju e të ndihen të sigurt. Le të shndritë drita juaj në atë mënyrë që të tjerët, duke parë veprat tuaja të mira të kenë dëshirë në zemrat e tyre që të jenë si ju.20
Është detyra jonë të japim shembullin; është detyra jonë të mbajmë lart flamurin e së vërtetës. Është detyra jonë të nxitim fëmijët e tjerë të Atit tonë që të dëgjojnë këshillën e këshillimin e tij dhe t’i rregullojnë gjërat në atë mënyrë që, kudo që të jemi, ne ta gjejmë shpirtin e Perëndisë të digjet në shpirtrat tanë dhe ndikimi ynë do të jetë për mirë.21
Zoti nuk ka kërkuar diçka që është e pamundur. Përkundrazi, ai na ka dhënë urdhërime dhe këshillë, dhe orientim që janë të mundura që të gjithë ne t’i ndjekim në këtë kohë dhe epokë ku jetojmë. …
… Vëllezër e motra, ne duhet të jemi besnikë. Toka ku ne jetojmë duhet të shenjtërohet nga jetët tona në drejtësi. … Gjithçka na duhet është të pendohemi për mëkatet tona, të kthehemi nga gabimi i rrugëve tona, të pastrojmë jetët tona nga papastërtia dhe pastaj të shkojmë duke bërë mirë. Nuk kërkohet që ne të veçohemi për atë qëllim. Çdo burrë, grua dhe fëmijë në Kishën e Jezu Krishtit mund të jetojë duke bërë mirë dhe të marrë bekimet që rezultojnë nga kjo. [Shih sugjerimin 6 në faqen 263–264.]
… Le t’i vëmë duart tona në punën që ai ia ka besuar kujdesit tonë, le të bekojmë fëmijët e Atit tonë kudo që mund të jenë, dhe jetët tona do të pasurohen dhe kjo botë do të bëhet më e lumtur. Ky është misioni që është vendosur mbi supet tona. Ati ynë Qiellor do të na mbajë përgjegjës për mënyrën se si do ta përmbushim atë. Perëndia dhëntë që në përulësinë e shpirtit tonë ne do të shkojmë me dëshirë në zemër për t’u bërë mirë gjithë njerëzve kudo që mund të jenë dhe t’u sjellim atyre gëzimin që mund të vijë vetëm nëpërmjet zbatimit të ligjeve të tij dhe mbajtjes së urdhërimeve të tij. Ajo paqe qëndroftë në zemrat tona dhe në shtëpitë tona, rrezatofshim ne dritë dielli dhe gëzim kudo që mund të shkojmë, i vërtetofshim botës se ne e dimë me siguri që Perëndia jeton, me anë të jetës që bëjmë dhe prandaj marrshim bekimet e tij, lutem unë përulësisht.22
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet v–vii.
Lexoni tregimin mbi Bel S. Spaford që mori këshillë nga Presidenti Smith (faqet 256–257). Në çfarë mënyrash mund të “bëni të ndihet ndikimi juaj”?
Në seksionin e parë të mësimeve (faqe 257), Presidenti Smith tregon për vështirësitë që janë parashikuar se do t’i paraprijnë Ardhjes së Dytë (shih edhe 2 Timoteut 3:1–7; DeB 45:26–35). Si mendoni ju, përse është e rëndësishme ta dimë se këto vështirësi u parashikuan në shkrimet e shenjta?
Shihni sërish seksionin që fillon në faqen 258. Cilat janë disa nga problemet në botë që mund të zgjidheshin nëpërmjet bindjes ndaj ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit? Si i ka sjellë paqe ungjilli jetës tuaj personale, familjes suaj, marrëdhënieve tuaja me të tjerët?
Në faqet 259–260 Presidenti Smith jep shembuj nga shkrimet e shenjta të Zotit që mbron njerëzit e Tij. Në çfarë mënyrash ju ka mbrojtur Ai juve dhe familjen tuaj? Si na ndihmon bindja që ta mposhtim frikën?
Cilat janë disa prej rreziqeve që kërcënojnë sigurinë shpirtërore të shtëpive tona sot? Çfarë mund të bëjmë për t’i bërë shtëpitë tona “vende të shenjta, ku kundërshtari nuk mund të vijë”? (Për disa ide, shihni sërish seksionin që fillon në faqen 260.)
Lexoni paragrafin e dytë dhe të pestë në faqen 262. Në ç’mënyrë shenjtorët besnikë të ditëve të mëvonshme janë si “spiranca” në komunitetet e tyre? Përse “[pastrimi i jetëve] tona nga papastërtia” na bën më të aftë “të shkojmë duke bërë mirë”? Merrni parasysh plot lutje se çfarë duhet të bëni që të pastroni vetë jetën tuaj nga papastërtia.
Shkrime të Shenjta Përkatëse: Isaia 54:13–17; Mateu 5:13–16; Gjoni 16:33; 2 Nefi 14:5–6; Doktrina e Besëlidhje 87:6–8; 97:24–25; Joseph Smith—Mateu 1:22–23, 29–30
Ndihmë për mësimdhënien: Merrni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës të lexojnë titujt në “Mësime të Xhorxh Albert Smithit” dhe të përzgjedhin një seksion që është kuptimplotë për ata ose familjen e tyre. Ftojini ata të studiojnë mësimet e Presidentit Smith në atë seksion, duke përfshirë çfarëdo pyetje korresponduese në fund të kapitullit. Pastaj kërkojuni anëtarëve të klasës të ndajnë çfarë kanë mësuar.