Kapitulli 10
Shkrimet e Shenjta, Biblioteka Më e Çmuar në Botë
Perëndia na ka dhënë shkrimet e shenjta që të na ndihmojë ne dhe familjet tona të përgatitemi për jetën e përjetshme.
Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit
Vonë në jetën e tij, Presidenti Xhorxh Albert Smith rikujtoi një përvojë nga rinia e tij, kur një fragment nga shkrimi i shenjtë pati një ndikim afatgjatë mbi të: “Kur isha afro katërmbëdhjetë vjeç, lexova kapitullin e dyzetë të Almës në Librin e Mormonit në klasën tonë të Shkollës të së Dielës. Më la një mbresë në mendje që ka qenë për ndihmë kur vdekja ka marrë të dashurit. … Ka një fragment në shkrimet e shenjta që na tregon se ku shkojnë shpirtrat tanë kur e lënë këtë trup [shih vargjet 11–14], dhe që atëherë kam dashur të shkoj tek ai vend i cili qëkur quhet parajsë.”1 [Shih sugjerimin 1 në faqen 108.]
Presidenti Smith shpresonte që të tjerë do kishin vetë përvojat e tyre kuptimplote me leximin e shkrimeve të shenjta. Në fjalimet e tij publike dhe bashkëveprimet e tija vetjake me të tjerët, ai e nxiti gjithkënd që të studionte shkrimet e shenjta si një mënyrë për të ndërtuar vetë dëshmitë e tyre për ungjillin. Një herë, teksa po udhëtonte me tren, ai nisi një bisedë me një burrë që qe rritur në një familje Shenjtore të Ditëve të Mëvonshme por nuk po merrte më pjesë në Kishë. “Teksa po kuvendonim”, tha më vonë ai, “i fola rreth ungjillit të Jezu Krishtit. … Dhe ndërsa diskutuam parimet e ungjillit, ai tha: ‘Këto gjëra më tërheqin’. Ne kuvenduam goxha gjatë, dhe kur mbaruam, ai njeri i mirë, besoj se qe njeri i mirë, më tha: ‘Do të jepja gjithçka që zotëroj për të pasur sigurinë e besimit që keni ju. …’
I thashë: ‘Vëllai im, nuk ju duhet të jepni gjithçka që zotëroni për të pasur atë siguri. E gjitha që duhet të bësh është që të kërkosh plot lutje në shkrimet e shenjta. Shko aty ku ato mund të të shpjegohen. Kërko të vërtetën, dhe bukuria e të vërtetës do të të tërheqë dhe … ti mund ta dish siç e di unë se Perëndia jeton, se Jezusi është Krishti dhe se Jozef Smithi është profet i Perëndisë së Gjallë.’”2
Mësime të Xhorxh Albert Smithit
Të vërtetat që përmbajnë shkrimet e shenjta janë shumë më të çmuara se filozofirat e njerëzve.
Bibla, Libri i Mormonit, Doktrina e Besëlidhje dhe Perla me Vlerë të Madhe, nuk përmbajnë vetëm urtësinë e njerëzve, por edhe të Perëndisë. Ndonëse nuk gjenden në shtëpitë e shumë njerëzve, ato përmbajnë fjalën e Zotit. Ka pak rëndësi, edhe pse ne kuptojmë Homerin dhe Shekspirin e Miltonin dhe unë mund të rendis të gjithë shkrimtarët e mëdhenj të botës, nëse kemi dështuar të lexojmë shkrimet e shenjta, ne kemi humbur pjesën më të mirë të kësaj literature botërore.
Vëllezërit e motrat e mia, e gjithë e vërteta që është … e nevojshme për shpëtimin tonë, përfshihet brenda kapakëve të librave që unë i kam renditur tashmë. Ne mund të mos kemi një bibliotekë me dy apo tremijë vëllime, por ne mund të kemi kundrejt një çmimi të vogël, një bibliotekë që ka kushtuar sa gjaku më i mirë që është derdhur ndonjëherë në këtë botë.3
Nuk jam i shqetësuar nëse i keni apo jo librat e bibliotekave të mëdha të botës në shtëpinë tuaj, po qe se i keni këto libra. Mendoni rreth miliona vëllimeve që gjenden në Bibliotekën e Trupës Legjislative në Uashington, në Bibliotekën Britanike dhe në bibliotekat e vendeve të tjera, miliona vëllime – dhe përsëri gjithçka që Perëndia ka zbuluar dhe botuar për fëmijët e njerëzve, që është e nevojshme për t’i përgatitur ata për një vend në mbretërinë çelestiale, përfshihet brenda kapakëve të këtyre librave të shenjtë. Sa prej nesh e dinë atë që përmbajnë ato? Shpesh shkoj nëpër shtëpi ku shikoj të gjitha revistat më të fundit. Në raftet e librave vë re librat, që reklamohen si më të shiturit. Sikur t’i flaknit të gjithë ata dhe të mbanit vetëm këto shkrime të shenjta, nuk do të humbnit atë, që Zoti ka bërë të shkruhet e të jetë e disponueshme për ne të gjithë që ta gëzojmë. Kështu që, vëllezër e motra, mes bekimeve të tjera, le të mos harrojmë që Zoti ka mundësuar për ne që të kemi, të gëzojmë e kuptojmë shkrimet e shenjta dhe ta kemi fjalën e tij, që është përcjellë gjatë gjithë epokave për shpëtimin e fëmijëve të tij.4
Teksa lexoj shkrimet e shenjta … mrekullohem me mirësinë e Zotit, që bekon ata të cilët i pranojnë mësimet e tij, pasi ne gjejmë më shumë ngushëllim në këto anale të shenjta sesa në të gjitha filozofirat nëpër periudhat e historisë, siç na janë dhënë nga urtësia e njerëzve.5
Ne flasim rreth filozofirave njerëzore dhe ndonjëherë i ngremë lart si tërheqëse, por kur bien në kundërshtim me mësimet e Atit tonë Qiellor, siç përmbahen në Shkrimin e Shenjtë, ato janë të pavlera. Ato kurrë nuk do ta çojnë ndonjërin në lumturinë e përjetshme, as do ta ndihmojnë që të gjejë një vend në mbretërinë e Atit tonë Qiellor.6
Ndonjëherë ndiej se nuk e vlerësojmë Biblën e Shenjtë dhe atë që përmban ajo, dhe këto shkrimet e tjera të shenjta, Librin e Mormonit, Doktrina e Besëlidhjen dhe Perlën me Vlerë të Madhe, që janë konsideruar … si letra nga Ati ynë Qiellor. Ato mund të pranohen si të tilla, të paktën ato janë këshilla e tij dhe porosia e tij për të gjithë fëmijët e njerëzve, dhënë atyre, që ata të mund të dinë se si të përfitojnë prej mundësive të tyre, që jeta e tyre të mos shkojë kot.7 [Shih sugjerimin 2 në faqen 108.]
Zoti na dha shkrimet e shenjta që të na ndihmojë të tejkalojmë sprovat tona dhe të na përgatisë për ekzaltim.
Kjo është ditë e provimit të vetes, ditë sprove. Kjo është një ditë kur njerëzit po mpaken nga frika. Kur turmat në botë po pyesin veten se si do të jetë fundi i botës. Pak njerëz të frymëzuar e dinë se si do të jetë fundi. Zoti na ka treguar atë që do të ndodhë në [shkrimet e shenjta], këtë bibliotekë të mrekullueshme që e mbaj në dorë. Ai na ka dhënë të dhënat që na duhen për të rregulluar jetën tonë e përgatitur veten që pavarësisht nga ajo që do të ndodhë, ne të jemi të sigurt në anën e Zotit.8
Më lejoni të lexoj atë që thotë Zoti në seksionin e parë të Doktrinës e Besëlidhjeve, duke iu referuar këtyre ditëve të mëvonshme: …
“Prandaj unë, Zoti, duke e ditur fatkeqësinë që do të vinte mbi banorët e tokës, thirra shërbëtorin tim, Joseph Smith të Riun dhe i fola atij nga qielli e i dhashë urdhërime. …
I hetoni këto urdhërime, sepse ato janë të vërteta e besnike dhe profecitë e premtimet që janë në to, të gjitha do të përmbushen.
Atë që unë, Zoti, kam thënë, e kam thënë dhe nuk justifikohem; dhe ndonëse qiejt dhe toka do të kalojnë, fjala ime nuk do të kalojë, por do të përmbushet e gjitha, qoftë nëpërmjet zërit tim apo nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të mi është njësoj.
Pasi vini re dhe shihni, Zoti është Perëndia dhe Shpirti jep dëshmi, dhe dëshmia është e vërtetë, dhe e vërteta qëndron gjithmonë e përgjithmonë. Amen.” [DeB 1:17, 37–39.]
Kjo parathënie ia vlen ta merrni parasysh me seriozitet. Është paralajmërimi i Atit për të gjithë ne. Është këshilla e dashur e një prindi të dhembshur, i cili e di atë që kërkojmë ne, siç e tha në kapitullin që sapo lexova se duke e ditur atë që do të vinte mbi banorët e tokës, ai dha këto urdhërime.9
Ndonjëherë ne harrojmë që Zoti ka folur dhe nuk arrijmë të vihemi në dijeni mbi dekretet e Tij. …
Qindra fragmente në shkrimet e shenjta mund të përmenden si provë që Ati ynë Qiellor në mëshirë e mirësi u ka folur të gjithë fëmijëve të njerëzve gjatë gjithë epokave, jo vetëm duke u treguar atë që do të ndodhë, por duke iu përgjëruar atyre të largohen nga gabimi i rrugëve të tyre, në mënyrë që shkatërrimi të mos i pushtojë. …
Ati ynë Qiellor, përmes përfaqësuesve të Tij besnikë, na ka treguar mbi gjërat e rëndësishme që do të ndodhin dhe ne mund të lexojmë rreth tyre në shkrimet e Tij të shenjta. Nëse ne, me të vërtetë, dëshirojmë që të shpëtohemi e ekzaltohemi në mbretërinë e Tij çelestiale, Ai na ka treguar sesi të veprojmë.10
[Shkrimet e shenjta janë] biblioteka më e mrekullueshme që gjendet në të gjithë botën. Çfarë përfshin ajo? Ajo përfshin atë që Ati im e juaj ka menduar se ka mjaftueshëm rëndësi për ta ruajtur e për t’jua dhënë fëmijëve të njerëzve dhe për ta bërë të disponueshme në shumë gjuhë të Botës. Këto shkrime të shenjta janë të tëra të rëndësishme dhe duhet të kuptohen nga Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme. Unë nuk do t’ju kërkoj që të ngrini duart për të gjetur sa prej jush mbledhur këtu, i kanë lexuar ndonjëherë këto libra, por dëshiroj të tërheq vëmendjen tuaj te fakti që këto janë të vërteta të çmuara dhe ato përmbajnë fjalën e zbuluar të Zotit, të shtypur e botuar për botën me qëllim përgatitjen e fëmijëve të tij për një vend në mbretërinë çelestiale. Kjo është arsyeja që them se ato janë kaq të çmuara. … Sa mirënjohës duhet të jemi që jetojmë në një periudhë e epokë, kur mund të lexojmë këshillën e porosinë e tij dhe të kemi shpjegimin e gjërave që në të kundërt do të ishin të pakuptueshme e të paqarta për ne.11 [Shih sugjerimin 3 në faqen 108.]
Ne frymëzojmë besim në familjet tona përmes leximit të shkrimeve të shenjta me ta.
Do të doja që të pyesni veten, se sa prej jush, herë pas here, u kanë lexuar ndonjë gjë familjeve të tyre nga këta libra, [e] i keni mbledhur ata që t’u mësoni gjërat që duhet të dinë. Kam frikë se shumë prej nesh do të duhet të thonë se kemi qenë tepër të zënë.12
Ne tanimë kemi dëgjuar për shumë prej bekimeve që Zoti na ka dhënë në analet e shenjta që janë ruajtur deri në kohën tonë dhe që përmbajnë këshillën e porosinë e një Ati gjithë mençuri. Duket e çuditshme që kaq shumë prej njerëzve tanë, me gjithë mundësitë që u ofrohen, u mungon familjarizimi me përmbajtjen e këtyre analeve të shenjta.13
A do të na quaj Ati ynë të pafajshëm kur të kthehemi në shtëpi te Ai, nëse nuk kemi arritur që t’u mësojmë fëmijëve tanë rëndësinë e këtyre analeve të shenjta? Mendoj se jo. … A mendoni se pasi Zoti i ka … bërë të arritshme për ne mësimet e shkëlqyera që përfshihen në këto anale të shenjta, se ai do të na quaj që i kemi çmuar nëse nuk arrijmë t’ua mësojmë familjeve tona dhe t’ua shpjegojmë atyre me të cilët takohemi?
Vëllezër e motra, dëshiroj që ta theksoj përsëri mësimin e Zotit: “hetoni Shkrimet”; lexojini plot lutje e me besim, jepini ato mësim në shtëpitë tuaja; mblidhini rreth vetes familjet tuaja dhe frymëzoni në to besim në Perëndinë e gjallë, duke u lexuar ato gjëra që janë zbuluar. Ato janë më të vyerat e të gjitha bibliotekave në tërë botën.14
Mbajeni këtë bibliotekë aty ku mund ta gjeni e ku fëmijët tuaj mund ta gjejnë dhe pastaj shfaqni mjaftueshëm interesim për shpëtimin e përjetshëm të atyre djemve e vajzave që janë në shtëpinë tuaj, sa do të gjeni mënyra e mjete për t’u ngjallur interes për atë që përmbajnë këto libra, që ata të mund të dinë se sa të çmueshëm janë në sytë e Atit të tyre Qiellor.15
Sa gjë e bukur qe për mua, kur isha fëmijë, [kur] babai dhe nëna uleshin pranë vatrës dhe lexonin Biblën teksa ne fëmijët uleshim në dysheme. …
Tani dua të them, vëllezërit e motrat e mia, që këshilla e Jezu Krishtit është ende e vlefshme për ne, kur tha: “Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua” [Gjoni 5:39]. Mos e lini pas dore Biblën e vjetër familjare; mos e lini mënjanë në raft dhe e harroni atë. Mësoni atë që thotë ajo, nëse ende nuk e dini; dhe nëse e keni lexuar më parë, lexojani përsëri shpesh fëmijëve tuaj dhe fëmijëve të fëmijëve tuaj. Lexojuni atyre jo vetëm Biblën, por [edhe] libra të tjerë shkrimesh të shenjta që Zoti na ka dhënë për ekzaltimin tonë, për ngushëllimin tonë dhe për bekimin tonë.16
Ju këshilloj, o Izrael, të hetoni shkrimet e shenjta; t’i lexoni ato në shtëpitë tuaja; t’u mësoni familjeve tuaja atë që ka thënë Zoti dhe le të harxhojmë më pak nga koha jonë me leximin e literaturës së tanishme të parëndësishme dhe shpesh të dëmshme, dhe të vemi te burimi i të vërtetës dhe lexojmë fjalën e Zotit.17 [Shih sugjerimin 4 më poshtë.]
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet v–vii.
-
Teksa lexoni paragrafin e parë në faqen 101, mendoni për një rast kur një varg i shkrimit të shenjtë ju ka frymëzuar në mënyrë të ngjashme. Si arritët të dinit se shkrimet e shenjta janë të vërteta? Çfarë përvojash keni pasur me to, kohët e fundit, që e kanë forcuar atë dëshmi?
-
Lexoni seksionin që fillon në faqen 103 dhe gjykoni se çfarë vendi, për nga rëndësia, zënë shkrimet e shenjta në bibliotekën tuaj vetjake (mes gjërave të tjera që lexoni, shikoni dhe dëgjoni). Çfarë mund të bëni që t’i jepni shkrimeve të shenjta një vend më me rëndësi në shtëpinë tuaj dhe jetën tuaj?
-
Shihni sërish seksionin që fillon në faqen 104. Si ju kanë ndihmuar shkrimet e shenjta të përballni fatkeqësitë e ditëve të fundit? Mendoni se si mund t’i përdorni shkrimet e shenjta për të ndihmuar dikë që njihni, që po përballet me një sprovë të vështirë.
-
Meditoni mbi këshillën e Presidentit Smith për familjet në faqet 106–108. Çfarë bekimesh u vijnë familjeve që i studiojnë shkrimet e shenjta së bashku? Cilat janë disa mënyra të efektshme për të frymëzuar interes për shkrimet e shenjta te fëmijët tanë (ose nipërit e mbesat tona). Merrni parasysh plot lutje atë që mund të bëni për të qenë më të zellshëm në studimin e shkrimeve të shenjta me familjet tuaj.
Shkrime të Shenjta Përkatëse: Ligji i Përtërirë 6:6–7; Jozueu 1:8; Romakëve 15:4; 2 Timoteut 3:15–17; 2 Nefi 4:15; Helamani 3:29–30; Doktrina e Besëlidhje 33:16.
Ndihmë për mësimdhënien: “Ju mund t’i ndihmoni ata që mësoni, që të ndihen më të sigurt rreth aftësisë së tyre për të marrë pjesë në diskutim nëse i përgjigjeni pozitivisht çdo komenti të sinqertë. Për shembull, ju mund të thoni: ‘Ju falënderoj për përgjigjen tuaj. Kjo ishte shumë e matur’ … apo ‘Ky është një shembull i mirë’ apo ‘E vlerësoj gjithçka që ke thënë sot’” (Teaching, No Greater Call, f. 64).