Mësime të Presidentëve
Kapitulli 20: Shpëtimi Tokësor për Veten dhe të Tjerët


Kapitulli 20

Shpëtimi Tokësor për Veten dhe të Tjerët

Nëse ndjekim këshillën e Zotit, ne jemi më të aftë për t’iu përgjigjur nevojave tona tokësore dhe për të ndihmuar të tjerët në nevojë përreth nesh.

Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit

Xhorxh Albert Smithi u bë President i Kishës ndërsa Lufta II Botërore po mbaronte. Lufta pati lënë shumë kombe të shkatërruara dhe mijëra njerëz ishin pa ushqim dhe gjëra të tjera të nevojshme. Në fjalimin e tij në një konferencë të përgjithshme, Presidenti Smith përshkroi gjendjen e tyre të vështirë dhe i nxiti shenjtorët të ndihmonin në lehtësimin e vuajtjes së tyre: “Ata janë të gjithë fëmijë [të Perëndisë]. Ata kanë nevojë për ne; ata nuk kanë nevojë vetëm për mbështetjen tonë morale dhe mësimdhënien tonë fetare, por ata kanë nevojë për ushqim dhe veshje, dhe shtresa e mbulesa, dhe ndihmë të të gjitha llojeve sepse, në shumë raste, atyre nuk u ka mbetur asgjë. Nëse mund të shihni disa nga letrat që vijnë në zyrën tonë nga disa prej njerëzve më të varfër atje, do t’ju ndrydhet zemra. Njerëz që i kanë larguar nga shtëpitë e tyre me mendimin që do të lejoheshin të vendoseshin diku tjetër, dhe të braktisur papritmas, dhe që, kur u kthyen në shtëpitë e tyre, i gjetën të plaçkitura nga gjithçka kishin – gjithçka – dhe të mbetur të pashpresë, duke mos pasur ku të shkojnë.”1

Ngaqë Kisha ndiqte praktikën e rezervimit të ushqimeve për shumë vite, ajo ishte e përgatitur të ndihmonte në këto rrethana. Përpjekje për të siguruar një ndihmë të tillë filluan afër fundit të vitit 1945, kur Presidenti Smith shkoi në Uashington, D.C., që të organizonte me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Harri S Truman, për të dërguar ushqime dhe veshje në Europë. Gjatë takimit të tyre Presidenti Truman tha: “Ne do të jemi të gëzuar t’ju ndihmojmë ju me çdo mënyrë që mundemi… Sa kohë do të duhet që kjo të bëhet gati?”

Presidenti Smith e befasoi atë duke u përgjigjur: “Gjithçka është gati… Ne [kemi pasur] ndërtuar silose dhe i kemi mbushur me grurë, dhe kemi shtuar tufat tona e kopetë tona, dhe tani ajo që na duhet janë makinat e anijet me qëllim që të dërgojmë sasi të konsiderueshme ushqimi, veshjesh dhe shtresa e mbulesa për njerëzit në Europë që janë në ankth. Ne kemi një organizatë në Kishë [Shoqatën e Ndihmës] që ka të gatshëm mbi dy mijë jorganë të përgatitur në shtëpi.”

Presidenti Smith u raportoi shenjtorëve se si rezultat i këtyre dërgesave “shumë njerëz morën veshje të ngrohta dhe shtresa e mbulesa, dhe ushqim pa vonesë. Sapo mundëm të merrnim makina dhe anije, ne patëm çka ishte e nevojshme për dërgesa në Europë.”2

Thuajse 15 vite përpara, Plaku Smith, atëherë anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i fliste Shoqatës së Ndihmës gjatë një kohe tjetër nevoje të dëshpëruar – Depresionit të Madh. Ai u mësoi se të ndihmuarit e atyre në nevojë shkon përtej dhënies së ndihmës tokësore; ai kërkon gjithashtu mirësi dhe dashuri hyjnore të vërtetë:

“Nuk ka pasur kurrë një kohë, në gjykimin tim, kur mirësia nevojitej më shumë sesa tani. Këto janë ditët kur shpirtrat e njerëzve po vihen në provë dhe kur zemrat e tyre po ndrydhen. Këto janë ditët kur shumë po përballojnë uri dhe dëshpërim madje midis shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. …

… Unë besoj se Ati ynë Qiellor po na jep mundësinë për zhvillim… Ne do të zbulojmë tani nëse është midis nesh dashuria që Shpëtimtari tha se duhet të jetë në zemrat tona.”3 [Shih sugjerimin 1 në faqe 220.]

Mësime të Xhorxh Albert Smithit

Nëse jemi të mençur me mjetet tona, ne do të jemi të përgatitur për kohë të vështira.

Ishte këshilla e pionierëve të hershëm nën Presidentin [Brigam] Jang për të mbajtur një vit ushqime rezervë, që nëse ndokush do të humbiste të korrat e veta, ai të mund ta shtynte deri në stinën tjetër. …

Mund të kemi kohë të vështira, vëllezër dhe motra, por mund të jemi të përgatitur për to, nëse mendojmë për shtatë vitet e bollëkut dhe shtatë vitet e urisë në ditët e Faraonit dhe planifikojmë siç bënë ata [shih Zanafilla 41]. Situata të tilla mund të vijnë përsëri. Ne nuk e dimë, por ne dimë se në ditët e hershme të Kishës Presidenca dhe udhëheqja e Kishës i këshilluan njerëzit të rezervonin ushqime të mjaftueshme për të përballuar një gjendje jo të zakonshme. Rezultati ishte se qysh kur njerëzit u vendosën këtu dhe fermat filluan të prodhojnë, dhe kopetë e tufat të rriten, nuk ka pasur nevojë të vërtetë për ndokënd që të vuajë për ushqim.4

Po jetojmë në kohë të rrezikshme. Shkrimet e shenjta po përmbushen dhe siç më duket mua, kjo është koha e veçantë kur, po të qe e mundur, edhe më i zgjedhuri do të mashtrohej. Është e habitshme sa e lehtë është për ata që dëshirojnë të çojnë përpara interesat e tyre financiare në botë që të gjejnë një arsye për të shpërfillur mësimet e qarta të Zotit lidhur me jetën tonë. Dhe është e habitshme për mua se sa shumë njerëz fitojnë zakonin e të dëgjuarit të atyre që thonë gjëra që janë në kundërshtim me vullnetin e zbuluar të Atit tonë Qiellor. …

… Këta njerëz janë këshilluar të ruajnë energjitë e tyre dhe mjetet e tyre. Neve na është mësuar nga ata që Zoti i ka ngritur, që të na udhëzojnë se duhet të shpenzojmë më pak nga sa fitojmë, që duhet të mos ndjekim modat e botës dhe të shpenzojmë aq shpejt dhe madje më shpejt sesa mund t’i fitojmë paratë që na vijnë në duar, [por] që të kujdesemi për veten dhe familjet tona.

Unë kam frikë se shenjtorët e ditëve të mëvonshme, në shumë raste, janë verbuar nga vetë kotësia e tyre, nga dëshira e tyre për të qenë si bota; dhe neve na është treguar me një gjuhë të tillë të qartë nga Ati ynë Qiellor se ne nuk mund të jetojmë siç jeton bota dhe të gëzojmë Shpirtin e tij.5

Disa individë … po shpenzojnë tërësisht zotërimet e tyre dhe po i shpenzojnë paratë e tyre për gjëra të panevojshme dhe, nëse kohë të vështira vijnë, ata mund ta gjejnë veten të paaftë t’u përgjigjen detyrimeve të tyre.

Ne mund të marrim një mësim nga milingona. Ajo i mbledh furnizimet e saj kur ato gjenden dhe i depoziton ato për ditën kur nuk do të jetë e mundur t’i gjesh ato. Rezultati është që depoja e saj zakonisht është e mbushur mirë. Karkaleci, një insekt shumë më i madh, nuk vepron në atë mënyrë. Ai nuk rezervon gjë në depo për kohë të vështira, por varet nga providenca që t’i japë atij çka i nevojitet dhe rezultati është se shumë karkaleca ngordhin nga uria.

Unë kam frikë se disa qenie njerëzore janë si karkaleci dhe nuk përfitojnë nga mundësitë që janë të tyret në një mënyrë të arsyeshme. Nëse ata do të merrnin një mësim nga milingona, ata do të ruanin ushqimin që iu duhet dhe gjithmonë do të kishin diçka në dorë.6 [Shih sugjerimin 2 në faqen 220.]

Zoti na ka drejtuar të punojmë që të fitojmë vetë jetesën tonë.

Vetë fakti që aq shumë para janë bërë të disponueshme për shumë njerëz, u jep të rinjve në disa raste ndjesinë se, ngaqë paratë vijnë relativisht lehtë, mundi i ndershëm nuk është i nevojshëm apo i dëshirueshëm. Dhe përsëri, unë jam i kënaqur që asnjë njeri nuk ka jetuar ndonjëherë mbi tokë i cili, pasi ka dështuar ta fitojë jetesën e vet me ndershmëri dhe mund, nuk është korruptuar.

Nëse fëmijët tanë rriten në plogështi, ne e dimë se kjo nuk i pëlqen Zotit.7

Sa shumë më mirë jemi ne kur jemi të zënë me një punë të arsyeshme.8

Ati ynë Qiellor … tha shumë, shumë kohë përpara se kishte dembelë në Sion … dhe ai tha: “Ai që është dembel nuk duhet të hajë bukën, as duhet të veshë rrobat e punëtorit”. [DeB 42:42.] Unë mendoj se ai nuk e ka fjalën për ata që nuk mund të gjejnë punë dhe që janë duke u përpjekur arsyeshëm të kujdesen për veten. Unë mendoj se ai e ka fjalën për zakonin që fitojnë disa njerëz, që presin që fqinji i tyre të kujdeset për ta… Unë e ndiej se nuk ka pasur justifikim për ndonjë burrë në këtë botë që të ndiejë se ai mund të mbështetet te dikush tjetër që t’i sigurojë atij një jetesë. Unë nuk ndieja kur isha fëmijë se dikush do të ishte i detyruar të më siguronte mua një mjet jetese. Zoti më dha mua inteligjencë. Ai udhëzoi që unë duhet të punoj dhe unë fillova të punoj kur isha dymbëdhjetë vjeç, dhe gjeta gëzim në të, dhe kam fituar jetesën time, dhe kam ndihmuar të tjerë gjatë më shumë se pesëdhjetë viteve.

Unë falënderoj Perëndinë për punën, për gëzimin që vjen nga të bërit e gjërave në botë. Unë nuk po i vë gishtin ndonjë lloji të veçantë punësimi përveç që ai të jetë i ndershëm. Por Zoti ka treguar që ne duhet të jemi punëtorë. Në kohët e lashta ai tha se ne duhet të fitojmë jetesën me djersën e ballit tonë [shih Zanafilla 3:19].9 [Shih sugjerimin 3 në faqen 220.]

As të pasurit as të varfërit nuk duhet t’i vendosin zemrat mbi pasuri.

“Mjerë ju njerëz të pasur, që nuk do t’ua jepni pasurinë tuaj të varfërve, sepse pasuritë tuaja do t’i gërryejnë shpirtrat tuaj; dhe ky do të jetë vajtimi juaj në ditën e ndëshkimit dhe të gjykimit, dhe të indinjatës: Korrja kaloi, vera mbaroi dhe shpirti im nuk shpëtohet!” (DeB 56:16.)

Ajo është çka Zoti thotë për njerëzit e pasur që kundërshtojnë të japin nga pasuria e tyre për ata që janë të varfër. Por ai i thotë diçka po aq të rëndësishme të varfërit, që nuk po bën më të mirën e tij. Ai thotë:

“Mjerë ju njerëz të varfër, zemrat e të cilëve nuk janë të thyera, shpirtrat e të cilëve nuk janë të penduar e barqet e të cilëve nuk janë të kënaqur dhe duart e të cilëve nuk përmbahen nga marrja e të mirave të njerëzve të tjerë, sytë e të cilëve janë plot lakmi dhe që nuk do të punoni me duart tuaja!” (DeB 56:17.) …

… Pastaj ai tha më tej: “Por bekuar janë të varfërit që janë të pastër në zemër.” Atje ka një ndryshim të tërë, “… , bekuar janë të varfërit që janë të pastër në zemër, zemrat e të cilëve janë të thyera dhe shpirtrat e të cilëve të penduar, sepse ata do ta shohin mbretërinë e Perëndisë duke ardhur me fuqi e lavdi të madhe, deri në çlirimin e tyre; sepse bollëku i tokës do të jetë i tyre”. (DeB 56:18.)

Ata janë ata që nuk kanë pasuri të tokës, por përsëri kanë jetë dhe ekzistencë, dhe inteligjencë që janë të dëshiruar të bëjnë gjënë që Zoti do të donte që ata të bënin. …

Tani, vëllezër dhe motra të mia, ne kemi edhe të pasur edhe të varfër në organizatat tona. Nëse ne jemi të varfër, ne mund të jemi të denjë ashtu siç Zoti tregon këtu. Ne mund të jemi të pastër në zemër e të bëjmë më të mirën tonë dhe ai nuk do t’i lejojë ata që bëjnë më të mirën e tyre që të vuajnë për nevoja të jetës midis njerëzve që janë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. …

Unë shpresoj se ne nuk do të bëhemi më të hidhur për shkak se disa burra dhe gra janë të pasur. Nëse ne jemi të pasur, unë shpresoj se ne nuk do të jemi egoistë dhe të pavetëdijshëm për nevojat e fëmijëve të tjerë të Atit tonë. Nëse ne jemi më mirë se ata, ne duhet të jemi vëllezër dhe motra të vërteta, jo të shtirur. Dëshirat tona duhet të zhvillojnë në këtë botë një organizatë të tillë që të tjerët, duke parë punët tona të mira do të jenë të detyruar të lavdërojnë emrin e Atit tonë Qiellor. …

Ne nuk duhet të biem në zakonet e këqija të njerëzve të tjerë. Ne nuk duhet të krijojmë idenë se ne do të marrim çka njeriu tjetër ka. Kthehuni te dhjetë urdhërimet dhe ju do të gjeni një paragraf të shkurtër: “Nuk do të dëshirosh”. [Eksodi 20:17.] …

Ne nuk duhet të përfshihemi nga ajo ide. Të tjerë mund ta bëjnë atë, por nëse ne kemi shpirtin e ungjillit të Jezu Krishtit në zemrat tona, ne nuk do të mashtrohemi në këtë drejtim.

Neve na është treguar se ne nuk mund t’i shërbejmë Perëndisë dhe një zotërie tjetër [shih Mateu 6:24]. Ne duhet të bëjmë zgjedhjen tonë dhe, nëse duam të jemi shërbëtorë të Perëndisë e fëmijë të Atit tonë Qiellor dhe të fitojmë bekimet e tij, duhet ta bëjmë këtë duke e nderuar atë dhe duke mbajtur urdhërimet e tij. Ndjenjat tona dhe dashuria jonë, nëse mund ta përdor këtë shprehje, duhet të shkojnë tek e gjithë bota përderisa ata e pranojnë atë.10 [Shih sugjerimin 4 në faqe 221.]

Nëpërmjet së dhjetës dhe ofertave të tjera, ne ndihmojmë në punën e Kishës dhe bekojmë ata në nevojë.

Zoti na ka dhënë privilegjin që të kontribuojmë me një të dhjetën e të ardhurave tona, për Kishën e Tij, për zhvillimin e punës së Tij në botë. Ata që paguajnë të dhjetën e tyre marrin bekimin e tyre… Ne nuk mund të presim të fitojmë bekimet pa përpjekje të zellshme. Neve do të na kërkohet të bëjmë ato që për disa duken si sakrifica. Unë supozoj se disa njerëz mendojnë kur paguajnë të dhjetën e tyre se po bëjnë sakrificë, por nuk është kështu, ata po bëjnë një investim të vërtetë që do të kthehet në një pjesë fitimi të përjetshme. Ati ynë Qiellor na jep neve gjithçka që kemi. Ai vendos gjithçka në duart tona, duke na autorizuar të ruajmë për përdorim vetjak nëntë të dhjetat e saj dhe pastaj Ai kërkon që ne të vendosim një të dhjetën e Tij atje ku Ai tregon, ku Ai e di se ajo do të bëjë më të mirën në zhvillimin e Kishës së Tij.

Kur ne dëgjuam raportet këtë mëngjes për këtë Kishë të madhe [gjatë një seance të konferencës së përgjithshme], raporti financiar më bëri shumë përshtypje – kur mësova se një organizatë e madhe si kjo, me morinë e njerëzve të saj, duke funksionuar në aq shumë mënyra, në mes të trazirave dhe fatkeqësive të botës është në një gjendje të tillë që një nga Presidenca e Kishës mund të ngrihet këtu dhe vërtetësisht të na thotë se kjo Kishë nuk ka borxh. Me kombet dhe shumë nga popujt në borxh, përsëri Kisha është administruar në mënyrë të tillë që nuk ka borxh. Le të mendojmë rreth kësaj. Le të mbështesim Kishën. Le të ndjekim udhëheqjen aktive të Kishës. Le të jetojmë në mënyrë të tillë që Zoti të mund të na bekojë ne siç Ai bekon Kishën.11

Nëse keni paguar një të dhjetë të ndershme, unë mund të them pa ngurrim se nëntë të dhjetat e tjera kanë qenë bekim më i madh për ata që kanë paguar sesa ka qenë njëqind për qindëshi për ata që nuk kanë paguar. Është puna e Zotit… Njerëzit nuk mund ta bënin këtë. Me gjithë bujarinë tuaj dhe me gjithë dhënien tuaj, të gjithë punën tuaj misionare, me kujdesin tuaj për të varfërit, … me gjithë sa keni dhënë si njeri i zakonshëm, unë dëshmoj se ajo që ju keni lënë ju sjell juve më shumë lumturi, më shumë paqe, më shumë rehati dhe më shumë siguri për jetë të përjetshme, sesa gëzon ndonjë njeri tjetër sot në botë.12

Unë jam i sigurt se Zoti i do ato shpirtra të përulur, besnikë që janë të gatshëm të përpiqen të ndikojnë të tjerët që janë në nevojë qoftë me ushqime apo veshje apo shtresa e mbulesa apo mirësi sepse kjo është pjesë e ungjillit të Jezu Krishtit.13 [Shih sugjerimin 5 në faqen 221.]

Nëse jemi bujarë me mjetet tona, nuk ka pse mbetet ndokush pa gjë.

Nuk ka pse ndonjë burrë, grua apo fëmijë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme të mbetet pa gjë, sepse Kisha është organizuar që të ndihmojë ata që nuk kanë gjërat e nevojshme të jetës. Ka mjaft për të gjithë dhe tepron… Perëndia u ka mundësuar njerëzve të fitojnë pasuri dhe, nëse ata e kanë fituar siç duhet, ajo është e tyrja dhe ai do t’i bekojë ata në përdorimin e saj, nëse e përdorin siç duhet.14

Ne po përqendrohemi aq shumë te bota saqë, në shumë raste, harrojmë njerëzit që po vuajnë që ne mund t’u ndihmojmë.15

Mendoni për burrat që kanë qenë pa punë dhe gratë gjithashtu… Mendoni për numrin e fëmijëve të Atit tonë që ai i do po aq sa na do edhe ne që do të jenë në ankth. Mendoni se si do të ishte vuajtja nëse ne që jemi më fatlumë nuk jemi bujarë me gjërat që Perëndia ka vënë në duart tona – jo vetëm gjërat, por nëse ne nuk u shprehim fëmijëve të tij fjalën e nxitjes e të ndihmës dhe nuk i vizitojmë në shtëpi ku ka aq shumë në nevojë, dhe t’u japim çka është e mundshme që të japë secili prej nesh. Vëllezër dhe motra, të gjitha këto mundësi na janë dhënë që të pasurojmë veten dhe të zhvillojmë karakterin tonë, dhe që ne të mund të shtrojmë për vete thesarë në qiell ku as tenja as ndryshku nuk prishin, dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe nuk vjedhin [shih Mateu 6:20]. Këto mundësi na ofrohen nëpërmjet një Ati të gjithëditur që duke e ditur fundin qysh në fillim, ka thënë: “Kjo është rruga, ecni në të”.

Le të … shohim përreth nesh në mëhallën tonë – mos e lini këtë për Peshkopin dhe Shoqatën e Ndihmës, por secili prej nesh le të jetë shërbyes mirësie plot dashuri për ata që do të kenë aq shumë nevojë për ne. Dhe çfarëdo që bëjmë, le të mos i bëjmë ata që kërkojnë ndihmë, të ndihen si varfanjakë. Le ta japim atë që japim, sikur t’u përkiste atyre. Perëndia na e ka huajtur atë neve. Ndonjëherë ne që kemi grumbulluar mjete [veprojmë] sikur mendojmë se na përkasin neve. Çdo gjë që kemi, ushqimi ynë, veshja jonë, streha jonë, shtëpitë tona dhe mundësitë tona të gjitha na janë dhënë si kujdestarë në Kishë dhe në mbretërinë e Atit tonë Qiellor dhe nëse ne do të … japim nga gjëja jonë, qoftë ajo veç qindarka e së vesë, ne do të fitojmë prej atij që jeton lart, bekimet që na duhen në ditën tonë këtu mbi tokë, dhe kur koha na vjen që të largohemi këtej, ne do të gjejmë duke na pritur bekimin e një Ati të dashur i cili i ka vlerësuar përpjekjet që kemi bërë.16

Nëse dëshirojmë të identifikohemi me mbretërinë e Zotit tonë, mbretërinë çelestiale, kjo është mundësia jonë për t’u përgatitur, – me dashuri të vërtetë, me zell, me kursim, me ngulmim, me dëshirë për të bërë gjithçka që është brenda fuqisë sonë për të bekuar të tjerët, për të dhënë – jo të ndihemi gjithmonë se duhet të marrim, por të dëshirojmë të japim, sepse unë ju them: “Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh”. [Veprat e Apostujve 20:35.] Ungjilli i Jezu Krishtit është një ungjill i të dhënit, jo vetëm nga gjëja jonë por nga vetja jonë dhe unë falënderoj Atin tim Qiellor që unë i përkas një organizate të tillë që është udhëzuar në këtë mënyrë.17 [Shih sugjerimin 6 në faqen 221.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet v–vii.

  1. Xhorxh Albert Smithi u tha shenjtorëve gjatë Depresionit të Madh: “Unë besoj se Ati ynë Qiellor po na jep mundësinë për zhvillim” (faqe 212). Çfarë do të thotë kjo për ju? Në çfarë mënyrash “zhvillohemi” ne kur u shërbejmë atyre në nevojë?

  2. Ndërsa lexoni seksionin e parë të mësimeve (faqet 212–214), mendoni për gjërat që mund të bëni për të filluar apo përmirësuar rezervat tuaja të ushqimit dhe të burimeve. Cilat janë disa shembuj të gjendjeve të jashtëzakonshme apo kushteve për të cilat duhet të përgatiteni? Çfarë mund të bëjnë kuorumet e priftërisë dhe Shoqatat e Ndihmës për të ndihmuar anëtarët të përgatiten për këto gjendje të jashtëzakonshme.

  3. Shihni sërish seksionin që fillon në faqen 214 dhe lexoni Doktrina e Besëlidhje 68:31. Përse mendoni se Zoti na kërkon të punojmë për jetesën tonë. Cilat janë disa mënyra të efektshme për t’u mësuar fëmijëve rëndësinë e punës?

  4. Lexoni paralajmërimet e Presidentit Smith për të pasurit dhe të varfërit në faqet 215–217. Cilat janë pasojat e vendosjes së zemrës sonë tek pasuria? Çfarë mund të bëjmë për ta shmangur këtë?

  5. Lexoni seksionin që fillon në faqen 217, në të cilin Presidenti Smith diskuton bekimet e të paguarit të së dhjetës dhe të ofertave të tjera. Cilat janë disa mënyra të efektshme për t’u mësuar të rinjve apo anëtarëve të rinj rreth këtyre bekimeve?

  6. Ndërsa studioni seksionin e fundit të mësimeve (faqet 219–220), mendoni për diçka të veçantë që mund të bëni për të ndihmuar peshkopin dhe udhëheqës të tjerë të lagjes, që t’u përgjigjen nevojave të njerëzve në lagjen apo komunitetin tuaj. Çfarë do të thotë për ju të japim “jo vetëm nga gjëja jonë por nga vetja jonë”?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Efesianëve 4:28; Jakobi [Bibël] 1:27; 2 Nefi 5:17; Jakobi [LiM] 2:17–19; Mosia 4:22–25; Doktrina e Besëlidhje 104:13–18

Ndihmë për mësimdhënien: “Edhe kur u jepni mësim shumë njerëzve njëkohësisht, ju mund t’i prekni individët. Për shembull, ju u drejtoheni individëve kur përshëndetni secilin person ngrohtësisht në fillim të orës së mësimit… Ju gjithashtu u drejtoheni kur e bëni pjesëmarrjen ftuese dhe të sigurt” (Teaching, No Greater Call [Mësimdhënia, S’Ka Thirrje më të Madhe], f. 35).

Shënime

  1. Në Conference Report, prill 1948, f. 181.

  2. Në Conference Report, tetor 1947, f. 6.

  3. “To the Relief Society”, Relief Society Magazine, dhjetor 1932, f. 706.

  4. Në Conference Report, prill 1947, f. 162, 165.

  5. Në Conference Report, prill 1929, f. 30.

  6. Improvement Era, gusht 1946, f. 521.

  7. “Some Warning Signs”, Improvement Era, korrik 1948, f. 425.

  8. Në Conference Report, tetor 1949, f. 171.

  9. Në Conference Report, tetor 1934, f. 49–50.

  10. Në Conference Report, tetor 1949, f. 170–172.

  11. Në Conference Report, prill 1941, f. 25, 28.

  12. Në Conference Report, prill 1948, f. 16–17.

  13. Në Conference Report, prill 1947, f. 162.

  14. Në Conference Report, tetor 1949, f. 169, 171.

  15. Në Conference Report, prill 1948, f. 181.

  16. “Saints Blessed”, Deseret News, 12 nëntor 1932, Church section, f. 8.

  17. Në Conference Report, tetor 1934, f. 52.

Xhorxh Albert Smithi duke vizituar magazinën e peshkopëve me udhëheqës të tjerë të Kishës. Kisha ishte e përgatitur për të ndihmuar ata në nevojë nga pasojat e Luftës II Botërore ngaqë kishte ruajtur ushqime.

“Mund të kemi kohë të vështira, vëllezër dhe motra, por mund të jemi të përgatitur për to.”

“Zoti na ka dhënë privilegjin që të kontribuojmë me një të dhjetën e të ardhurave tona, për Kishën e Tij, për zhvillimin e punës së Tij në botë.”