Mësime të Presidentëve
Kapitulli 17: Fuqia Forcuese e Besimit


Kapitulli 17

Fuqia Forcuese e Besimit

Besimi është një dhuratë nga Zoti me të cilën të drejtët kanë fuqi të bëjnë gjëra të shquara.

Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit

Në 1919-ën Xhorxh Albert Smithi, atëherë anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u thirr si president i Misionit Europian. Në një mesazh për shenjtorët vendas pak pas mbërritjes së tij, Presidenti Smith vërejti kushtet e vështira në Europë, e cila ishte ende duke u rimëkëmbur nga shkatërrimet e Luftës I Botërore: “Unë e kuptoj se po jetojmë në një periudhë të rëndësishme në historinë e botës. Me kushte të reja, të tendosura me të cilat përballen kombet, dhe një atmosferë ankthi që mbizotëron thuajse kudo midis fëmijëve të njerëzve, unë ndiej si rrjedhim përgjegjësinë e madhe që t’i takoj ata dhe dëshiroj shumë sinqerisht udhëheqje hyjnore në përmbushjen e detyrave të mia.” Presidenti Smith pati besim se, megjithë kohët e vështira që ata përballonin, përpjekjet e anëtarëve dhe të misionarëve do të shpërbleheshin me sukses: “Të ndihmuar nga shokë të mirë e të aftë në selinë qendrore [të misionit] dhe burra e gra besnike në terren, unë pres me kënaqësi për të vjela të frytshme shpirtrash të ndershëm”1.

Një nga detyrat më urgjente të Presidentit Smith si president misioni ishte të rriste numrin e misionarëve në Europë. Kisha pati dërguar shumë pak misionarë në Europë gjatë luftës dhe tani, mungesat në ushqime dhe probleme të tjera ekonomike, i bënin zyrtarët e qeverive europiane mosdashës për të dhënë viza për të huaj. Detyra e vështirë e Presidentit Smith qe që të bindte këta zyrtarë që të lejonin misionarë në vendet e tyre. Në një letër drejtuar bijës së tij Emilisë, Presidenti Smith i tregonte për një udhëtim në Londër për këtë qëllim.

“Ambasadori ynë amerikan ka qenë shumë i mirë dhe ia dolli që të sigurojë një intervistë për ne me Sër Robert Hornin, Ministër i Punës i Britanisë së Madhe. Kur u paraqitëm në zyrën e tij, ne i dorëzuam letrën tonë nga ambasadori për sekretarin e Sër Robertit, që na pyeti nëse puna jonë mund të shtyhej për më vonë, pasi shefi i tij do të largohej pas pak minutash për në Skoci ku do të qëndronte tre javë. Unë e sigurova se ne do t’i vlerësonim jashtë mase pesë minuta nga koha e tij tani pasi ne nuk jetonim në Londër dhe puna jonë ishte urgjente. Sekretari shkoi te Sër Roberti dhe shpejt u kthye me informacionin se ai do ta shtynte udhëtimin e tij dhe do të takohej me ne në orën katër atë ditë. Unë isha lutur me shumë zjarr atë mëngjes që rruga jonë të mund të hapej, dhe kur ne u ftuam të vinim përsëri unë u ndjeva shumë mirënjohës për Atin tonë Qiellor.”

Në orën e caktuar, Presidenti Smith dhe shoqëruesit e tij u ftuan në zyrën private të Sër Robert Hornit. “Ne u përpoqëm t’i tregojmë atij për çfarë kishim nevojë dhe e siguruam se Britania e Madhe kishte nevojë për atë që po kërkonim. Për rreth një orë e gjysmë ai ishte dëgjuesi më i interesuar i një pjese të historisë së Kishës dhe të besimit tonë etj.

Kur unë mbarova, ai përsëri pyeti çfarë donim prej tij dhe kur ne i treguam se donim privilegjin për të shtuar forcat tona misionare deri në dyqind e pesëdhjetë vetë, po aq sa edhe përpara luftës, ai tha se do të ishte kënaqësi për të t’i jepte udhëzimet departamentit të tij që t’i lejonte ata misionarë të zbrisnin sapo të arrinin. Doemos ne qemë shumë të kënaqur dhe u larguam nga ai me sigurimin se ai pati hequr një barrë të vërtetë nga mendjet tona.

Unë ndihem i sigurt se ne bëmë mik një prej burrave më me ndikim të Anglisë dhe nuk do të ngurroja të shkoja tek ai në çfarëdo kohë po të ishte e nevojshme.”2

Xhejms Gan Mek-Kei, një nga misionarët e Presidentit Smith që ishte i pranishëm në takimin me Sër Robert Hornin, më vonë tha: “Shih çfarë pune të mrekullueshme kreu ai. Kishte vetëm disa pleq atje [në mision]. Rruga dukej e bllokuar me pengesa dhe përsëri ai erdhi i mbushur me frymëzimin e Zotit, dhe ishte në gjendje të trokiste te portat e zyrtarëve, të fitonte besimin e tyre; dhe më në fund ne arritëm privilegjet që donim, që pleqtë të mund të fillonin punën e tyre dhe të plotësonin misionin e tyre në çuarjen më tej të kauzës së Perëndisë dhe përmbushjen e punës së tij, dhe në atë mënyrë ai siguroi për ne një dëshmi se Perëndia e drejton atë punë”.3 Plaku Mek-Kei ia dedikonte suksesin e Presidentit Smith “besimit dhe përkushtimit, dhe dashurisë hyjnore [të tij] ndaj të gjithë atyre me të cilët ai shoqërohej”. “Unë punova me të”, tha ai. “Unë u këshillova me të; unë u luta me të dhe unë e di se besimi dhe besnikëria e tij janë aq të thella sa vetë jeta.”4 [Shih sugjerimin 1 në faqen 187.]

Mësime të Xhorxh Albert Smithit

Fuqia e besimit është e dukshme në shkrimet e shenjta.

Ne jemi informuar se pa besim nuk mund ta kënaqim Perëndinë [shih Hebrenjve11:6]. Ai është shkaku lëvizës për çdo veprim dhe Shkrimi i Shenjtë është plot me fakte për fuqinë e besimit. Ishte besimi i Noes që e bëri atë të aftë të ndërtonte një arkë dhe si rrjedhojë e bindjes ndaj urdhërimeve të Perëndisë, ai dhe familja e tij shpëtuan, ndërsa ata që nuk patën besim, u varrosën në përmbytjen e madhe [shih Zanafilla 6:13–22; 7:1–24].

Ishte nëpërmjet besimit që Loti dhe anëtarët e familjes së tij u ruajtën kur zjarri nga qielli dogji qytetet e Sodomës dhe Gomorës dhe shkatërroi banorët që nuk patën besim [shih Zanafilla 19:12–25].5

Me anë të besimit Moisiu udhëhoqi fëmijët e Izraelit nga robëria, duke kaluar përmes Detit të Kuq si nëpër tokë të thatë, ndërsa moria ndjekëse e egjiptianëve që provuan të kalonin, u mbytën. Turma qe ushqyer me bukë nga qielli. Kur Moisiu goditi shkëmbin në Horeb, uji doli për të shuar etjen e tyre; dhe, duke kaluar përmes shkretëtirës, ata u udhëhoqën për te toka e premtuar. [Shih Zanafilla 14:21–31; 16:14–15; 17:5–6.]6

Kur Danieli vazhdoi t’i lutet hapur Perëndisë së Izraelit, në kundërshtim me një dekret që ishte përgatitur nga armiqtë e tij me qëllim që ta shkatërronin atë, ai u flak në gropën e luanëve dhe u la atje gjithë natën. Ai e dinte se Ati i tij Qiellor do ta ruante atë dhe besimi i tij ishte i palëkundur. Mëngjesin tjetër mbreti shkoi herët te gropa dhe e gjeti Danielin të gjallë. Besimi i tij i pati bërë bishat e egra të padëmshme dhe fitoi për të përkushtimin e mbretit. [Shih Danieli 6:4–28.]

Tre hebrenjtë, Shadraku, Meshaku dhe Abed-negoja, që kundërshtuan të adhurojnë një figurë të artë të krijuar nga Nebukadnetsari, u flakën në furrën e zjarrtë të nxehur shtatë herë më shumë sesa zakonisht. Ata besonin te Perëndia i gjallë dhe besimi i tyre qe shpërblyer me ruajtjen e jetës së tyre. [Shih Danieli 3:8–28.]

Me anë të besimit, Profeti Elia thirri zjarrin nga qielli për të konsumuar ofertën e tij dhe mbreti dhe njerëzit u bindën se Perëndia i Izraelit ishte Perëndia dhe se Baali nuk qe [shih 1 Mbretërve 18:36–40].

Ishte me anë të besimit që vëllai i Jaredit dhe ndjekësit e tij, ruajtën gjuhën e baballarëve të tyre gjatë ngatërrimit të gjuhëve në Kullën e Babelit dhe u sollën në këtë Hemisferë Perëndimore [shih Ethëri 1:33–43]… Ishte një besim i ngjashëm që i mundësoi Lehit të sillte familjen e tij përmes detit dhe të shkelnin në këtë vend, të zgjedhur mbi të gjitha vendet.

Ishte besimi që u mundësoi dishepujve të Jezusit të duronin përndjekjen që i zuri ata dhe, megjithë kundërshtimin e hebrenjve, të vendosnin ungjillin të cilin Shpëtimtari ua pati dhënë atyre.7

Ishte nëpërmjet besimit që të gjitha mrekullitë u kryen nga Shëlbuesi i botës dhe nga ata që u shoqëruan me Të. Që nga fillimi i kohës deri tani ka qenë vetëm njeriu besnik ai që ka pasur fuqi me Perëndinë.8 [Shih sugjerimin 2 në faqen 187.]

Fuqia e besimit është e dukshme në jetën e shenjtorëve të drejtë në këtë epokë ungjillore.

Në këtë epokë të mëvonshme ungjillore ishte për shkak të besimit të tij patundur në Perëndi që profeti djalosh [Jozef Smithi] shkoi në korije dhe u gjunjëzua, dhe u lut, dhe mori demonstrimin e parë madhështor qiellor që erdhi tek ai, me anë të të cilit cilësitë e Kreut-Perëndi iu bënë përsëri të njohura njerëzimit. Ishte nëpërmjet besimit që ai qe në gjendje të shkonte te kodra Kumorah dhe të merrte nga duart e engjëllit ato shënime të shenjta që ai më vonë i përktheu me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë. Ishte nëpërmjet besimit që ai udhëhoqi popullin e tij nga Kirtlandi për në vendin e Misurit dhe përsëri në Ilinois dhe, edhe pse të plaçkitur dhe të dëbuar nga shtëpitë e tyre shumë herë, besimi që ishte rrënjosur në zemrat e tyre qëndroi në ta dhe ata e dinin se Perëndia mendonte për ta. Ishte me anë të besimit që qyteti i madh i Nauvusë u themelua, nën udhëheqjen e Profetit Jozef Smith, dhe me anë të besimit të vërtetat që përmbahen tek Doktrina e Besëlidhjet u morën prej tij.

Ishte nëpërmjet besimit që Brigam Jangu e udhëhoqi popullin në këtë vend në perëndim [Lugina e Solt-Lejkut]; dhe, kur ai arriti në majën e malit dhe vështroi mbi luginë, Perëndia i dha atij një dëshmi që ky ishte vendi ku Izraeli duhej të vendosej… Ishte nëpërmjet besimit që njerëzit vendosën gurin e qoshes së këtij Tempulli madhështor [Tempulli i Solt-Lejkut], në dobësinë dhe varfërinë e tyre, duke besuar se Perëndia do të përgatiste rrugën dhe do t’u siguronte mjetet me të cilat ndërtesa mund të përfundohej. Ishte nëpërmjet besimit që mëshira e Atit tonë Qiellor u shtri tek njerëzit, kur, në dëshpërimin e tyre, ata panë të korrat e tyre që po konsumoheshin nga karkalecat, duke mos pasur asnjë mjet që t’i ndalonin, dhe, me mëshirën e Perëndisë, lutjet e tyre morën përgjigje, dhe ata morën një dëshmi të saj me ardhjen e pulëbardhave për të ruajtur të korrat e tyre dhe për t’i shpëtuar ata nga vdekja prej urisë. …

… Ishte nëpërmjet besimit që burrat që kanë udhëhequr këtë punë janë frymëzuar, herë pas here, për të dhënë udhëzimet që na janë nevojitur neve. Është nëpërmjet besimit që ne jemi lartësuar moralisht … nga ata që shërbejnë në emër të Zotit, dhe Ngushëlluesi përshpejton kuptimin e tyre, duke u sjellë në kujtesë gjëra të kaluara dhe duke u treguar atyre gjëra që do të vijnë; duke treguar kështu shpirtin e zbulesës.9

Ishte nëpërmjet besimit që pleqtë e Izraelit kanë ecur përpara, duke lënë shtëpinë dhe të dashurit dhe duke duruar kritikën e botës, për të sjellë dëshmi që Perëndia jeton dhe se Jezusi është Krishti, dhe se Jozef Smithi ishte një profet i Zotit. Nëpërmjet besimit të sëmurët tuaj janë shëruar, të vdekurit tuaj janë ngritur në jetë. Po të ishin të disponueshme shënime që përshkruajnë mrekullitë që u kryen midis këtij populli … , do të ishte një dëshmi e fuqisë së Perëndisë, nëpërmjet besimit, e pakaluar në çfarëdo periudhe kohore.

Është ky parim, vëllezër dhe motra të mia, që na tregon me gisht në drejtim nga qielli, që na jep neve shpresë në betejën e jetës. Kur ne ngatërrohemi dhe e gjejmë veten të përballur me pengesa, që në dukje nuk mund t’i mposhtim, duke pasur besim te Shëlbuesi i botës, ne mund të shkojmë tek Ai dhe të dimë që lutjet tona do të marrin përgjigje për të mirën tonë.10 [Shih sugjerimin 3 në faqen 187.]

Pyetja është shtruar shpesh: A është e mundur që djemtë dhe vajzat, të rinjtë dhe të rejat që janë edukuar në këtë brez të Kishës, do të ishin të gatshëm të vuanin vështirësitë, mungesat dhe provat që baballarët dhe nënat e tyre i duruan për hir të ungjillit? A do t’i linin ata shtëpitë e rehatshme për të populluar një vend të ri në interes të besimit të tyre?

Unë ju them se, nëse në zemrën e tyre është rrënjosur një njohje e natyrës hyjnore të kësaj pune siç e njohim ne, nëse besimi u është dhënë atyre për arsye të mbajtjes prej nesh të urdhërimeve të Zotit, nëse atyre u është mësuar ta dinë se Jezusi është Krishti dhe se Jozef Smithi ishte një profet i Zotit, atëherë unë ju them juve, Po! Ata do të bëjnë atë që etërit dhe nënat e tyre kanë bërë, do të luajnë rolin e tyre midis radhëve të Izraelit të ditëve të mëvonshme.

Nëse kjo do të shkaktonte mungesa, nëse kjo do të shkaktonte sëmundje dhe dëshpërim, apo madje dëbim nga shtëpia, ka me qindra dhe me mijëra nga bijtë dhe bijat tona që, duke ditur se ky është ungjilli i Krishtit, do ta vulosnin dëshminë e tyre, po qe nevoja, me jetën e tyre.11 [Shih sugjerimin 2 në faqet faqen 187.]

Zoti do ta hapë rrugën për ne që të bëjmë atë që Ai kërkon nëse ne ushtrojmë besim.

Mbaj mend një ditë kur pata përshtypjen t’i thoshja një misionari që po ikte në një qytet të caktuar, ku nuk na lejonin të mbanim mbledhje në rrugë:

“Tani kujtohu, jepi Zotit një mundësi. Ti po kërkon një favor. Jepi Zotit një mundësi. Kërkoi atij që ta hapë rrugën.”

I riu shkoi tek ai qytet, shkoi te zyra e kryetarit të bashkisë dhe pyeti nëse mund ta takonte. Ai do ta pyeste nëse ata mund ta ndryshonin rregullin.

Kur shkoi atje, ai mori vesh se kryetari i bashkisë ndodhej jashtë qytetit. I riu doli nga zyra, vështroi poshtë sallën dhe pa te një derë në fund të sallës: “Zyra e Shefit të Policisë”. Ai ngurroi një çast dhe diçka i tha atij: “Jepi Zotit një mundësi”. Ai hyri në zyrën e shefit të policisë dhe i tregoi se përse pati ardhur. Kur mbaroi burri tha:

“Mirë, cilën qoshe rruge do të pëlqenit?”

Ai tha: “Unë nuk e njoh këtë qytet siç e njihni ju. Unë nuk do të kërkoja një qoshe që do të ishte e padëshirueshme, ose ku ne do të bllokonim trafikun. A do t’ju prishte punë të vinit me mua që të zgjedhim një qoshe?”

Vetëm mendoni, një misionar që i kërkon shefit të policisë të zgjedhë një qoshe ku të predikojë ungjillin!

Oficeri i policisë tha:

“Sigurisht, unë do të vij me ju”.

Brenda pesëmbëdhjetë minutash ata patën një nga qoshet më të mira në qytet, me leje për të predikuar ungjillin e Jezu Krishtit aty ku ai nuk qe predikuar në rrugë qysh përpara lufte [Luftës I Botërore]. …

Zoti ka një udhë për të përmbushur gjërat që ne jemi të paaftë t’i bëjmë, dhe kurrë nuk na kërkon që të bëjmë ndonjë gjë për të cilën ai nuk e bën udhën të mundshme. Kjo është ajo që ai na tregoi neve nëpërmjet Nefit. Ai nuk do të kërkojë ndonjë gjë pa përgatitur udhën.

“Dhe ndodhi që unë, Nefi, i thashë atit tim: Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që Zoti ka urdhëruar, pasi e di se Zoti nuk u jep urdhërime fëmijëve të njerëzve pa përgatitur një udhë për ta, që ata të mund të plotësojnë gjënë, që ai i urdhëron.” [1 Nefi 3:7.]

Nëse ju keni diçka që Zoti e kërkon apo e pret që ta bëni ju, dhe ju nuk e dini saktësisht si të veproni, bëni më të mirën tuaj. Lëvizni në drejtimin nga duhet të shkoni; besoni në Zot, i jepni atij një mundësi dhe ai kurrë nuk do t’ju lërë në baltë.12

Çfarë gjë e mrekullueshme është të dish se ne mundemi, nëse duam, të mbajmë dorën e Atit tonë Qiellor dhe të udhëhiqemi prej tij. Asnjë popull tjetër në botë nuk e ka sigurinë që ka ky grup njerëzish.13 [Shih sugjerimin 4 në faqen 188.]

Perëndia dhuron besim si dhuratë për të drejtët.

Besimi ynë është i kushtëzuar nga jeta jonë e drejtë. Ne nuk mund të jetojmë në mënyrë të papërshtatshme dhe të kemi besim siç duhet, por nëse mbajmë urdhërimet e Zotit, ne mund të kemi besim dhe ai do të zhvillohet dhe të rritet ndërsa drejtësia jonë rritet.14

Nëse ka ndonjë nga ne që i mungon besimi në këtë punë kjo është sepse ne nuk i kemi mbajtur urdhërimet e Perëndisë. Nëse ka ndonjë që nuk e di se kjo është puna e Atit tonë, kjo ndodh sepse ata nuk e kanë bërë detyrën e tyre. Unë e di ashtu siç e di që jetoj, se kjo është puna e Zotit dhe se ajo dijeni vjen si rezultat i mbajtjes së urdhërimeve të Tij.15

Ne e dimë se besimi është një dhuratë e Perëndisë; ai është fryti i të jetuarit në drejtësi. Ai nuk na vjen me anë të komandës sonë, por është rezultat i të bërit të vullnetit të Atit tonë Qiellor. Nëse neve na mungon besimi, le të shqyrtojmë veten për të parë nëse i kemi mbajtur urdhërimet e Tij dhe të pendohemi pa vonesë nëse ne nuk i kemi mbajtur… E rrittë Zoti besimin tonë dhe jetofshim ne për të qenë të denjë për të.16

Unë shpresoj se ata që e kanë marrë këtë dhuratë të mrekullueshme të besimit po jetojnë për ta mbajtur atë.17 [Shih sugjerimin 5 në faqen 188.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet v–vii.

  1. Shihni për fakte mbi besimin e Xhorxh Albert Smithit në ngjarjen në faqet 179–180. Një nga misionarët e Presidentit Smith tha se realizimet e tij “sigur[uan] për ne një dëshmi se Perëndia e drejton atë punë” (faqe 180). Si jeni ndikuar ju nga besimi i të tjerëve, të tillë si një anëtar familjeje apo mik i ngushtë?

  2. Shihni sërish shembujt e besimit në faqet 181–185. Çfarë shembuj të tjerë besimi janë veçanërisht të rëndësishëm për ju? Si mund t’i përdorni këta shembuj për të ndihmuar dikë që po ushtron besim, por nuk ka marrë ende bekimet që ai apo ajo dëshiron?

  3. Si ju ka dhënë besimi juaj “shpresë në luftën e jetës”? Si mund të na ndihmojë besimi të mposhtim frikën apo të tjera “pengesa, që në dukje ne nuk mund t’i mposhtim”? (faqe 184).

  4. Lexoni ngjarjen që fillon në faqen 185, dhe krahasojeni atë me ngjarjen në“Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit”. Çfarë pëvojash keni pasur që janë të ngjashme me këto? Çfarë mendoni se do të thotë “jepi Zotit një mundësi”?

  5. Presidenti Smith na mësoi se “besimi është një dhuratë e Perëndisë” që “nuk na vjen me anë të komandës sonë” (faqe 187). Si ndikon ky parim te mënyra se si përpiqeni të rrisni besimin tuaj dhe të frymëzoni besim te të tjerët? Cilat janë disa gjëra të veçanta që mund të bëjmë për të “mbajtur” dhuratën e besimit? (shih Alma 32:35–43).

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Hebrenjve 11:1–11, 17–34; Jakobi 2:17–24; Alma 32:26–43; Ethëri 12:6–22; Moroni 7:27–39; Doktrina e Besëlidhje 136:42

Ndihmë për mësimdhënien: “Për të ndihmuar nxënësit që të përgatiten për t’iu përgjigjur pyetjeve, ju mund të doni t’u tregoni përpara se të lexohet apo të tregohet diçka, se ju do t’i pyesni ata për përgjigjet e tyre… Për shembull, ju mund të thoni: ‘Dëgjoni ndërsa po lexoj këtë pjesë që të mund të tregoni se çfarë ju intereson më shumë rreth saj’, ose ‘Kur lexohet ky shkrim, shihni nëse mund të kuptoni se çfarë po na tregon Zoti rreth besimit’” (Teaching, No Greater Call [Mësimdhënia S’Ka Thirrje më të Madhe], f. 69).

Shënime

  1. “Greeting”, Millennial Star, 10 korrik 1919, f. 440–441.

  2. Në Glenn R. Stubbs, “A Biography of George Albert Smith, 1870 to 1951” (PhD diss., Brigham Young University, 1974), f. 142–143.

  3. James Gunn McKay, në Conference Report, tetor 1921, f. 156.

  4. James Gunn McKay, në “A Biography of George Albert Smith”, f. 160.

  5. Në Conference Report, prill 1923, f. 75–76.

  6. Në Conference Report, tetor 1913, f. 102.

  7. Në Conference Report, prill 1923, f. 75–76.

  8. Në Conference Report, tetor 1913, f. 102.

  9. Në Conference Report, tetor 1913, f. 102–103.

  10. Në Conference Report, tetor 1913, f. 102–103.

  11. “As to This Generation”, Improvement Era, shkurt 1949, f. 73.

  12. “Give the Lord a Chance”, Improvement Era, korrik 1946, f. 427.

  13. Në Conference Report, prill 1947, f. 164.

  14. Në Conference Report, tetor 1950, f. 6.

  15. Në Conference Report, tetor 1915, f. 27–28.

  16. Në Conference Report, tetor 1913, f. 103.

  17. Në Conference Report, prill 1923, f. 77.

“Shkrimi i shenjtë është plot me fakte për fuqinë e besimit… Me anë të besimit, Profeti Elia thirri zjarrin nga qielli për të konsumuar ofertën e tij.”

“Me anë të besimit Moisiu udhëhoqi fëmijët e Izraelit nga robëria, duke kaluar përmes Detit të Kuq si nëpër tokë të thatë.”

“Ishte nëpërmjet besimit që Brigam Jangu e udhëhoqi popullin në [Luginën e Solt-Lejkut].”