Kapitulli 12
Dëshirë Entuziaste për të Shpërndarë Ungjillin
Vëllezërve e motrave tona nëpër botë u duhet mesazhi i ungjillit të rivendosur; dhe është privilegji ynë ta ndajmë atë me ta.
Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit
Një shok i ngushtë i Xhorxh Albert Smithit shkroi: “Presidenti Xhorxh Albert Smithi është një misionar i lindur. Prej rinisë së tij, ai ka pasur një dëshirë të flaktë për të ndarë mësimet e ungjillit me bashkëqeniet e tij, për t’ua bërë të ditur të vërtetat që iu zbuluan Profetit Jozef Smith ‘bijve dhe bijave të Perëndisë’, të cilët që të gjithë i konsideron vëllezërit e motrat e veta.
Në disa raste, kam pasur privilegjin të udhëtoja në tren me Presidentin Smith. Çdo herë kam vënë re se pasi treni kishte nisur udhëtimin, ai do merrte disa pamflete ungjillore nga çanta e vet, do t’i fuste në xhep dhe pastaj do të vërtitej mes pasagjerëve. Me mënyrën e tij miqësore e të gatshme, ai shpejt do të njihej me një bashkudhëtar dhe në pak kohë do ta dëgjoja duke rrëfyer historinë e themelimit të Kishës prej Profetit Jozef Smith, apo duke treguar largimin në masë të Shenjtorëve nga Nauvuja dhe sprovat e vështirësitë e tyre në kalimin e rrafshinave të Jutës, apo duke i shpjeguar disa prej parimeve të ungjillit mikut të tij të sapogjetur. Bisedë pas bisede do të pasonte nga një pasagjer te tjetri derisa udhëtimi të kishte mbaruar. Gjatë gjithë njohjes sime me Presidentin Smith, që ka zgjatur më shumë se dyzet vjet, kam mësuar se kudo që është, ai është së pari dhe kryesisht një misionar për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.”1
Për Presidentin Smith është shkruar gjithashtu: “Ai do të fliste për fenë me pastruesin e oxhaqeve që po punonte në shtëpinë e vet. Rrallë ka humbur një mundësi për t’i shpjeguar një miku apo të huaji ‘të vërtetat e përjetshme të ungjillit të rivendosur’. Nga pikëpamja e tij, kjo ishte mirësia themelore, pasi mesazhi i Krishtit ishte dhurata më e rëndësishme që ai kishte për të dhënë.”2 [Shih sugjerimin 1 në faqen 131.]
Meqenëse shpërndarja e ungjillit ishte një temë për të cilën Presidenti Smith foli shpesh në mësimet e tij, ky është i pari prej tre kapitujve rreth saj në këtë libër. Ky kapitull përqendrohet mbi arsyet për të cilat shpërndajmë ungjillin; kapitulli 13 paraqet mënyrat e ndryshme me anë të të cilave mund të marrim pjesë në këtë punë të rëndësishme; dhe kapitulli 14 përshkruan se si të jemi më të efektshmit që mundemi në përpjekjet tona.
Mësime të Xhorxh Albert Smithit
Bota ka nevojë për atë që kemi – ungjillin e Jezu Krishtit, të rivendosur në plotësinë e tij.
Bota është në ankth e në vështirësi nga njëri cep i saj tek tjetri. Burra e gra po këqyrin vërdallë, duke kërkuar se ku duhet të shkojnë që të bëjnë gjërat që do t’u sjellin paqe. … Ungjilli i Jezu Krishtit është rivendosur. E vërteta e zbuluar nga qielli është këtu dhe është ajo e vërtetë, ai ungjill, i cili, nëse vetëm do të dihej nga bota, do të ishte një ilaç për të gjitha sëmundjet e tyre. Është e vetmja gjë që do t’u sjellë paqe ndërsa vazhdojnë të jenë në tokë.3
Njerëzit e kësaj bote kanë nevojë që t’i ripërshkojnë hapat e tyre dhe të kthehen tek themeli që u hodh nga Zoti i qiellit e tokës, themeli i besimit, i pendimit dhe i pagëzimit me anë të zhytjes për faljen e mëkateve dhe marrjes së Frymës së Shenjtë nën duart e atyre që kanë autoritet të shenjtë. Kjo është ajo që i duhet botës. Jam me të vërtetë mirënjohës që shumë janë duke kërkuar në atë drejtim. Ata kanë shkuar verbërisht nëpër një shteg që ka çuar drejt dhimbjes e ankthit, por është vënë, brenda mundësive për t’u arritur, një ilaç për të gjitha sëmundjet – ungjilli i Jezu Krishtit. Është siguruar për të gjithë, një hartë që tregon shtegun që, megjithëse është i ngushtë e i vështirë për t’u ndjekur, na kthen tek Ati i të gjithëve ne; dhe nuk ka asnjë shteg tjetër që të çon atje.4
Sipas mënyrës së tyre, kishat e botës po përpiqen që të sjellin paqe në zemrën e njerëzve. Ato kanë shumë virtyte e shumë të vërteta dhe kryejnë shumë të mira, por ato nuk janë të autorizuara hyjnisht. As priftërinjtë e tyre nuk janë caktuar hyjnisht.5
Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme janë të vetmit që mbajnë autoritetin e Atit tonë Qiellor për të shërbyer në ordinancat e Ungjillit. Bota ka nevojë për ne.6
Në botë, ka një uri të vërtetë për fjalët e Zotit; dhe shumë shpirtra të ndershëm po kërkojnë me zell që të dinë atë që Ati ynë Qiellor dëshiron prej tyre. Kam takuar disa prej udhëheqësve të kishave të botës dhe kam zbuluar mes tyre persona fisnik e të përkushtuar për të bërë mirë, por rrallë kam gjetur, mes atyre që janë thirrur për shërbesë në organizata të ndryshme kishtare, burra që kanë një kuptim të qëllimeve të ekzistencës së tyre, apo që e kuptojnë arsyen për të cilën janë këtu në tokë. Njerëzit nuk mund të japin mësim atë që ata vetë nuk e dinë. Këta njerëz të mirë, duke mos e kuptuar ungjillin dhe nevojën për ordinancat e tij, i kufizojnë mësimet e tyre në masë të madhe tek mësimet morale dhe tek të lexuarit të psalmeve bashkësisë së tyre. Fragmente të veçuara të shkrimit të shenjtë përzgjidhen si tekste për fjalime mbi virtytin, ndershmërinë etj., të gjitha prej të cilave janë dobisjellëse dhe lartësuese, por pak predikime jepen duke shpjeguar kërkesat që i bëhen çdo shpirti përpara se të hyjë në mbretërinë e qiellit. Është ky, informacioni për të cilën bota ka më shumë nevojë. Pak shërbestarë kanë një mesazh për bashkësitë e tyre, që frymëzon tek ata besimin në hyjninë e Jezu Krishtit dhe nevojën për marrjen e ordinancave të ungjillit, të përshkruara prej tij.7 [Shih sugjerimin 2 në faqen 131.]
Ka shumë njerëz të cilët do ta përqafonin të vërtetën nëse do t’u jepej mundësia.
Fëmijët e Atit tonë kudo janë të dëshiruar që të dinë atë që duhet të bëjnë, por, për shkak të ndikimeve të liga që kanë mbushur tokën, ata janë mashtruar, burra të ndershëm të tokës të cilët janë verbuar ndaj së vërtetës. … Kundërshtari është duke punuar; dhe e vetmja fuqi që mund t’i kundërvihet ndikimit të tij është ungjilli i Jezu Krishtit.8
Njerëzit kanë qenë dyshues ndaj njëri-tjetrit. Ata nuk kanë besuar atë që kanë dëgjuar dhe nuk kanë qenë të gatshëm të bëjnë si Filipi, një prej dishepujve të Shpëtimtarit, që këshilloi Natanaelin i cili po bisedonte me të. Filipi tha: “Zoti ka ardhur”.
Dhe ai e përshkroi atë dhe Natanaeli pyeti: “Prej nga është?”
Dhe Filipi u përgjigj: “Pse, ai është nga Nazareti”. Dhe atëherë njeriu i mirë tha: “A mund të dalë diçka e mirë nga Nazareti?” Filipi tha: “Eja e shih”. (Shih Gjoni 1:43–46.)
Natanaelin e kishin mësuar të besonte që asgjë e mirë nuk mund të dilte nga Nazareti dhe prapëseprapë ai ishte burri, të cilit më vonë Shpëtimtari iu referua si një izraelit i vërtetë – një njeri i mirë, por i mashtruar për shkak të historive që kishte dëgjuar.
Por pasi ai mësoi, kur pati pranuar ftesën e dishepujve: “Eja e shih”, ai arriti që të shihte.
Ne kemi pasur gëzim të madh nën ndikimin e Shpirtit të Tij. Ne do të donim që të gjithë ta gëzonin atë bekim dhe kështu që kur kanë pyetur: “Çfarë lloj njerëzish janë këta këtu?” përgjigjja jonë ka qenë: “Eja e shih”.9
Ati im Qiellor … më ka thirrur që të shkoj në shumë vende të tokës; dhe, që kur u thirra në shërbesë, kam përshkuar më tepër se një milion e gjysmë kilometra. Kam udhëtuar në shumë vise e mjedise; dhe kudo ku kam shkuar, kam gjetur njerëz të mirë, bij e bija të Perëndisë së gjallë, të cilët po presin për ungjillin e Jezu Krishtit dhe ka mijëra, qindra mijëra, miliona prej tyre, që do ta pranonin të vërtetën sikur vetëm ta dinin atë që dimë ne.10
Ka shumë organizime të mëdha kishtare në botë, shumë burra e gra besnike që jetojnë sipas vullnetit të Atit tonë Qiellor, ashtu si e kuptojnë atë. …
Të gjithë njerëzit që jetojnë të denjë për dritën që Zoti u ka dhënë atyre dhe e kërkojnë me lutje të sinqertë, do t’u preket zemra, mendja e tyre do të ndikohet dhe do t’u paraqitet mundësia që të dinë se Perëndia ka folur përsëri.11 [Shih sugjerimin 3 në faqen 131.]
Ne jemi entuziastë rreth shpërndarjes së ungjillit, sepse i duam fqinjët tanë.
Ndoshta vëzhguesit të jashtëm mund t’i duket se ka një entuziazëm të pazakontë ndër Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme. Siç tha një burrë së fundmi: “Është e çuditshme për mua se sa me gëzim ju njerëz e çoni punën përpara. Nuk ka rëndësi nëse i flas një të riu apo një burri të pjekur, një kopshtari apo polici mes njerëzve tuaj, ata janë të gjithë të lumtur dhe të kënaqur e plot besim në vetvete se ata kanë ungjillin e Jezu Krishtit.” …
… A është çudi që adhurimi ynë ka entuziazëm, që kemi prirje për të qenë të dëshiruar për të ndarë këto të vërteta të lavdishme me fqinjët tanë? A është për t’u çuditur me atë që kur vjen koha që bijtë tanë thirren në fushën e misionit, apo që na kërkohet të lëmë mënjanë detyrat tona dhe të dalim jashtë si shërbëtorë të Perëndisë së gjallë, të veshur me pushtet nga lart, duke pasur autoritet që është dhënë në këto ditë të mëvonshme, me qëllim që të mund ta ndajmë me të gjithë njerëzit këtë të vërtetë të mrekullueshme që e ka bërë aq të pasur jetën tonë, … ne përgjigjemi me gatishmëri e gëzim?12
Ne mbajmë Ungjillin e Jezu Krishtit. Në zemrat tona digjet dëshira për të shpëtuar shpirtrat e fëmijëve të njerëzve. Nuk është që ne të mund të ngremë veten dhe të bëhemi popull i fuqishëm financiarisht; nuk është që të mund të bëjmë që të na lavdërohen emrat në tokë për arritjet tona; por është që bijtë e bijat e Perëndisë, kudo qofshin, të mund ta dëgjojnë këtë Ungjill, i cili është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e të gjithë atyre që u besojnë dhe u binden normave të tij. Dhe ata që besojnë, do të ndjekin modelin e dhënë nga Shpëtimtari kur Ai i tha dishepujve të Tij: “Ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar; por ai që nuk ka besuar, do të jetë i dënuar”. [Marku 16:16.]13
Mendoni për përgjegjësinë që kemi ne, nëse e jetojmë në pakujdesi dhe neglizhencë jetën tonë, duke mos kërkuar që ta ndajmë të vërtetën me ata që Zoti i do po aq sa na do ne dhe që janë të çmuar në sytë e tij. Mendoj se duhet të ndodhë një zgjim mes disa prej anëtarëve të kësaj Kishe. Mendoj se duhet të bëhet një përpjekje më e madhe për ta ndarë me fëmijët e Atit tonë të gjithë të vërtetën që ka kjo Kishë.14
Kur një njeri është sëmurë, nëse është fqinji ynë, ne i shërbejmë me gëzim, nëse ndodh një vdekje në familjen e tij, ne përpiqemi ta ngushëllojmë. Por vit pas viti, ne e lëmë të ecë në shtigje që do t’ia shkatërrojnë mundësinë për jetë të përjetshme, ne e shpërfillim atë sikur të ishte një gjë e parëndësishme.15
A e kuptojmë ne që çdo burrë është sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë dhe është bir i Perëndisë dhe çdo grua bija e tij? Nuk ka rëndësi ku mund të jenë, ata janë fëmijët e tij dhe ai i do ata e dëshiron shpëtimin e tyre. Me siguri, si anëtarë të kësaj Kishe, ne nuk mund të rrimë kot. Ne nuk mund ta marrim dhuratën e dashur të Atit tonë Qiellor që na është dhënë, dijeninë e jetës së përjetshme; dhe ta mbajmë në mënyrë egoiste, duke menduar se në këtë mënyrë do të bekohemi. Nuk është ajo që marrim që pasuron jetën tonë, është ajo që japim.16
Le të interesohemi mjaftueshëm për shpëtimin e njerëzve sa të ushtrojmë një zell hyjnor për kthimin e tyre në besim: që të mund të gëzojmë mirënjohjen e dashurinë e tyre të përjetshme dhe vlerësimin e Atit tonë Qiellor për shkak të interesimit tonë joegoist për fëmijët e Tij.17
Misioni ynë ndaj fëmijëve të Atit tonë … është një mision paqeje dhe mirëdashje kundrejt të gjithë njerëzve. Është një dëshirë e vrullshme dhe entuziaste për të ndarë me të gjithë fëmijët e Atit tonë, gjërat e mira që ai na ka dhënë kaq bujarisht; dhe është me shpresën që ata të mund të kuptojnë se ne gjunjëzohemi çdo ditë dhe lutemi që zemrat e tyre të mund të preken, që shpirti i Perëndisë të mund të vijë në shpirtrat e tyre, që të mund të kuptojnë të vërtetën siç ju jepet atyre.18
Ah sikur kjo Kishë e mrekullueshme, me fuqinë që i është dhënë prej Perëndisë, të mund të jetë në gjendje që, më me shpejtësi, ta përhapë të vërtetën e të shpëtojë kombet nga shkatërrimi. Ne po rritemi me shpejtësi si organizatë, por unë gëzohem jo aq shumë prej rritjes në numër se sa prej besimit se, ndikimi që ne rrezatojmë po ndihet për mirë dhe që fëmijët e Atit tonë, nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim, po e dëgjojnë mesazhin e jetës dhe shpëtimit, pa të cilin ata nuk mund të banojnë në praninë e Shëlbuesit të njerëzimit.19 [Shih sugjerimin 4 në faqen 131.]
Zoti do të na mbajë përgjegjës për përpjekjet tona në ndarjen e dhuratës së ungjillit.
Ne kemi marrë një dhuratë të mrekullueshme, por me atë dhuratë vjen një përgjegjësi e madhe. Ne jemi bekuar prej Zotit me një njohuri me tepër se sa ajo e njerëzve të tjerë; dhe me atë njohuri vjen kërkesa që ta ndajmë me fëmijët e Tij kudo qofshin.20
Tani, nuk mendoj se i shërbejmë Perëndisë me gjithë fuqinë tonë nëse i braktisim fëmijët e tij, apo nëse harxhojmë kaq shumë nga koha jonë në mënyrë egoiste për përfitimin tonë, duke mbledhur gjëra të kësaj jetë dhe lëmë fëmijët e tij në errësirë kur mund t’i sjellim ata në dritë. Kuptimi im është që misioni më i rëndësishëm që kam në këtë jetë është: së pari, të mbaj urdhërimet e Perëndisë siç më janë mësuar; dhe tjetri, t’ua mësoj ato fëmijëve të Atit tim që nuk i kuptojnë ato.21
Nuk ka Ungjill tjetër të shpëtimit, dhe ne, vëllezërit e mi, që mbajmë priftërinë e shenjtë, kemi përgjegjësinë që t’ia çojmë atë mesazh, jo vetëm kombeve të tokës, por që ta bëjmë shembull në jetën tonë dhe t’ua mësojmë atyre që janë fqinjët tanë, jo të besimit tonë. Ju paralajmëroj në këtë kohë, që Zoti na mban përgjegjës për thirrjen e fëmijëve të Tij në pendim dhe për shpalljen e së vërtetës së Tij. Nëse nuk arrijmë që të shfrytëzojmë mundësitë tona për t’ua mësuar këtë Ungjill të Zotit tonë bijve e bijave të Perëndisë, që nuk i përkasin besimit tonë e që jetojnë mes nesh, Ai do të na mbajë përgjegjës në anën tjetër të velit për atë që nuk kemi arritur të bëjmë.22
Pas një farë kohe ne do të gjykohemi sipas regjistrit të jetës sonë; dhe nëse kemi qenë besnikë, jam i sigurt se Ati i të gjithë neve në botë, do të na falënderojë e bekojë që bëmë që kaq shumë prej bijve e bijave të tij të kuptonin qëllimin e jetës dhe se si ta gëzonin atë nën ndikimin e shpirtit të tij.23
Kur kemi shpirtin e ungjillit, dëshira jonë është që ne të mund të jemi në gjendje t’u japim mësim aq shumë prej fëmijëve të Atit tonë sa është e mundur të arrijmë, të vërtetat e lavdishme që janë të nevojshme për ekzaltimin e tyre; që kur të vijë koha që do të qëndrojmë në praninë e Shëlbuesit të njerëzimit, të mund të jemi në gjendje t’i themi: “Me kaq fuqi që më dhe, me kaq zgjuarsi dhe njohuri që më ke dhënë, jam përpjekur me butësi e me dashuri të pashtirur dhe me vendosmëri e me mirësi që të sjell aq shumë prej fëmijëve të tu te një njohuri e ungjillit, sa ka qenë e mundur për mua që të bëj”.24 [Shih sugjerimin 5 në faqen 132.]
Nëse e ndajmë ungjillin me fëmijët e Perëndisë, shpërblimi ynë do të jetë gëzim i madh me ta në mbretërinë çelestiale.
Ne e harxhojmë shumicën e kohës sonë, shumë prej nesh, duke kërkuar gjërat e kësaj jete që do detyrohemi t’i lëmë kur të largohemi prej këtu, prapëseprapë, kudo rreth nesh, gjenden shpirtrat e pavdekshëm, të cilët, nëse do të ishim të gatshëm, do të mund t’i mësonim dhe frymëzonim që ta shqyrtonin të vërtetën dhe të rrënjosnim në zemrat e tyre një njohuri që Perëndia jeton. Çfarë thesari në të gjithë botën do të mund të ishte kaq i çmuar për ne, pasi ne do të kishim mirënjohjen e tyre këtu dhe vlerësimin e tyre të përhershëm e të përjetshëm në botën që do të vijë. Është misioni më i rëndësishëm.25
Mendoni domethënien që do të kishte, nëse në vend që të kishim qenë egoist duke u përpjekur që të shpëtonim vetëm vetë familjen tonë të vogël, ne mund të kemi vlerë për dhjetëra dhe për qindra burra e gra te të cilët kemi ndikuar që të pranojnë Ungjillin e Zotit tonë. Atëherë ne do të ndihemi me të vërtetë të bekuar dhe do të gëzojmë dashurinë e vlerësimin e tyre përgjithmonë.26
Çfarë gëzimi që do të jetë në anën tjetër të velit, që t’i gjejmë këta burra e gra të mirë që po jetojnë sipas kësaj drite siç kanë bërë, duke u përpjekur që të bëjnë detyrën e tyre ndaj Perëndisë; dhe për shkak të takimit me ne, për shkak të etjes dhe gatishmërisë sonë për të ndarë me ta, ata do të marrin informacion tjetër rreth ungjillit të Zotit tonë dhe pranojnë ordinancat e Shtëpisë së Tij të Shenjtë dhe të përgatiten për anëtarësinë në Mbretërinë Çelestiale. Sa të lumtur që do t’ju bëjë, nëse kur të vijë koha, kur të qëndroni në praninë e Gjykatësit të madh për të dhënë llogari për pak vitet e jetës që janë kaluar në vdekshmëri, nëse këta fëmijë të Atit tonë që Ai i do po aq sa na do ne, duke qëndruar pranë nesh, të thonë: “At’ Qiellor, qe ky burrë, qe kjo grua që së pari më sollën njoftimin e të vërtetës Tënde të lavdishme, që nxiti në mua një dëshirë për të të kërkuar Ty më me zjarr se sa kisha bërë më parë. Qe ky burrë apo kjo grua që bënë këtë gjë të bekuar për mua.” Dhe kjo nuk është e gjitha.
Kur të vijë ajo kohë, kur të shkoni nëpër epokat e përjetësisë, ajo është kohë e gjatë, ju do të keni dashurinë dhe mirënjohjen e çdo burri, gruaje e fëmije për të cilët keni qenë mjeti që u solli lumturinë e përjetshme. A nuk ja vlen përpjekja? Ne mund të harxhojmë jetën tonë këtu dhe të fitojmë pak qindra apo mijëra dollarë, ne mund të kemi tufa, kope, shtëpi e toka, por ne nuk mund t’i marrim këto me vete në anën tjetër. Ato nuk janë të nevojshme për jetën e përjetshme, ato janë të nevojshme për ne vetëm këtu, por nëse kemi fituar mirënjohjen e dashurinë e fëmijëve të tjerë të Perëndisë, ajo do të gëlojë me ne përgjithmonë. Mendoni domethënien që do të ketë ajo! Kur të vijë koha që kjo botë do të pastrohet e dëliret nga zjarri dhe të bëhet mbretëria çelestiale, e gjithë papastërtia dhe çdo gjë që nuk është e dëshirueshme të jetë fshirë nga faqja e dheut, sa kënaqësi do të jetë të zbulojmë se kemi shoqërinë e atyre që u kemi shërbyer në vdekshmëri, bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, dhe të drejtohemi nga Jezu Krishti, Zoti ynë, përgjithmonë – a nuk ia vlen përpjekja? A nuk është një mundësi e gëzueshme?27 [Shih sugjerimin 6 në faqen 132.]
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet v–vii.
-
Shihni sërish “Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit” (faqet 121–123). Si mendoni, përse Presidenti Smith ishte aq entuziast rreth punës misionare? Çfarë do të thotë për ju të jesh “së pari dhe kryesisht një misionar për Kishën”?
-
Çfarë i ofron botës ungjilli i rivendosur përveç “[mësimeve] morale” që jepen në shumicën e besimeve? (Për disa shembuj, shihni faqet 123–124.)
-
Lexoni seksionin që fillon në faqen 124 (shih edhe DeB 123:12). Çfarë shembujsh të njerëzve keni parë që kanë mposhtur idetë e gabuara rreth Kishës përmes pranimit të ftesës: “eja e shih”? Cilat janë disa mënyra të efektshme për të dhënë një ftesë të tillë?
-
Lexoni paragrafin e tretë të plotë në faqen 127. Si mendoni, përse ndonjëherë jemi ngurrues në ndarjen e ungjillit me fqinjët tanë? Ndërsa studioni faqet 125–128, mendoni rreth asaj që mund të bëjmë për ta mposhtur atë ngurrim.
-
Ndërsa lexoni seksionin që fillon në faqen 128, meditoni nëse po bëni atë që Zoti pret që ju të bëni që të ndani ungjillin. Merrni parasysh plot lutje se si mund ta mbani këtë urdhërim më plotësisht.
-
Shihni sërish seksionin e fundit të mësimeve (faqet 129–131) dhe mendoni rreth personit që ju njohu në fillim ju apo familjen tuaj me ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Çfarë mund të bëni që t’i tregoni ose t’i shprehni mirënjohjen tuaj këtij personi?
Shkrime të Shenjta Përkatëse: Amosi 8:11–12; Mosia 28:1–3; Alma 26:28–30; Doktrina e Besëlidhje 4:4; 18:10–16
Ndihmë për mësimdhënien: “Është më mirë që të përzgjedhësh vetëm pak ide të mira dhe të arrish diskutim të mirë – dhe të mësuar të mirë – sesa të jesh plot nxitim, në përpjekjen për të dhënë mësim çdo fjalë në manual. … Një atmosferë pa nxitim është tërësisht thelbësore nëse doni të keni Shpirtin e Zotit të pranishëm në klasën tuaj” (Xhefri R. Holland, “Teaching and Learning in the Church”, Ensign, qershor 2007, f. 91).