Hyrje
Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve kanë krijuar serinë Mësimet e Presidentëve të Kishës për t’ju ndihmuar të thelloni kuptueshmërinë tuaj për ungjillin e rivendosur dhe për t’ju afruar Zotit nëpërmjet mësimeve të profetëve të ditëve të mëvonshme. Ndërkohë që Kisha i shton vëllime kësaj serie, ju do të krijoni një koleksion librash me referime të ungjillit për shtëpinë tuaj. Vëllimet në këtë seri janë hartuar që të përdoren si për studim personal, ashtu edhe për udhëzim të dielave. Ato mund t’ju ndihmojnë gjithashtu për të përgatitur mësime ose biseda të tjera dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi doktrinën e Kishës.
Ky libër paraqet mësime të Presidentit Xhorxh Albert Smith, që shërbeu si President i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme që nga 21 maji 1945 deri më 4 prill 1951.
Studim Personal
Kur të studioni mësimet e Presidentit Xhorxh Albert Smith, kërkoni plot lutje frymëzimin e Shpirtit. Pyetjet në fund të çdo kapitulli do t’ju ndihmojnë të kuptoni mësimet e Presidentit Smith dhe t’i zbatoni ato në jetën tuaj. Ndërsa i studioni këto mësime, mund të dëshironi të mendoni se si mund t’ua mësoni ato pjesëtarëve të familjes dhe miqve. Kjo do ta forcojë kuptueshmërinë tuaj të asaj që lexoni.
Mësimdhënia nga Ky Libër
Ju mund ta përdorni këtë libër për të dhënë mësim në shtëpi ose në kishë. Orientimet e mëposhtme mund t’ju ndihmojnë.
Përgatituni të Jepni Mësim
Kërkoni udhëheqjen e Frymës së Shenjtë ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim. Studioni plot lutje kapitullin që të jeni i sigurt se i keni kuptuar mësimet e Presidentit Smith. Ju do të jepni mësim me sinqeritet dhe fuqi më të madhe kur fjalët e tij t’ju kenë ndikuar personalisht (shih DeB 11:21).
Nëse po jepni një mësim për Priftërinë Melkizedeke ose Shoqatën e Ndihmës, ju nuk duhet ta lini mënjanë këtë libër apo të përgatisni mësime nga materiale të tjera. Përzgjidhni me lutje nga kapitulli ato mësime që ju ndjeni se do të jenë më të dobishme për ata që u mësoni. Disa kapituj përmbajnë më shumë material se do të jeni në gjendje të diskutoni gjatë kohës së mësimit. Lejoni të vazhdojnë diskutime të mira në vend që të përpiqeni të trajtoni të gjitha mësimet.
Nxitini pjesëmarrësit ta studiojnë kapitullin përpara mësimit dhe ta sjellin librin me vete. Kur e bëjnë këtë, ata do të përgatiten më mirë për të marrë pjesë në diskutime dhe për të lartësuar njëri-tjetrin.
Paraqitja e Kapitullit
Ndërsa paraqitni kapitullin dhe gjatë gjithë mësimit, përpiquni të krijoni një atmosferë ku Shpirti të mund të prekë zemrat dhe mendjet e atyre që u jepni mësim. Për ta nisur mësimin, ndihmoni ata që u jepni mësim që të përqendrohen tek mësimet e kapitullit. Për ta bërë këtë, ju mund:
Të lexoni e të diskutoni seksionin me titull “Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit” në fillim të kapitullit.
Të diskutoni një figurë ose shkrim të shenjtë nga kapitulli.
Të këndoni një himn që lidhet [me kapitullin].
Të ndani shkurt një përvojë personale mbi temën.
Udhëheqja e një Diskutimi mbi Mësimet e Presidentit Smith
Ndërsa jepni mësim nga ky libër, ftoni të tjerët të ndajnë mendimet e tyre, të bëjnë pyetje dhe të mësojnë njëri-tjetrin. Ata do të mësojnë më mirë kur marrin pjesë aktivisht. Kjo është gjithashtu një mënyrë e mirë për t’i ndihmuar ata të marrin zbulesë personale. Për të nxitur diskutim, përdorni pyetjet në fund të kapitullit. Këto pyetje kanë referenca për vende të ndryshme në kapitull për të treguar se cilës pjesë të mësimeve u referohen. Ju gjithashtu mund të hartoni vetë pyetjet tuaja posaçërisht për ata që u jepni mësim. Për shembull, ju mund t’i pyesni pjesëmarrësit se si mund t’i zbatojnë mësimet e Presidentit Smith në përgjegjësitë e tyre si prindër, ose si mësues shtëpie, ose si mësuese vizitore.
Alternativat vijuese mund t’ju japin ide të tjera:
Kërkojuni pjesëmarrësve të ndajnë çfarë kanë mësuar nga studimi i tyre personal i kapitullit. Mund të jetë e dobishme të kontaktoni disa pjesëmarrës gjatë javës dhe t’u kërkoni të vijnë të përgatitur për të ndarë se çfarë kanë mësuar.
Caktoni pjesëmarrës të lexojnë pyetje të përzgjedhura nga fundi i kapitullit (qoftë individualisht ose në grupe të vogla). Kërkojuni atyre të kërkojnë mësime në kapitull që lidhen me pyetjet. Pastaj ftojini ata të ndajnë mendimet dhe perceptimet e tyre me pjesën tjetër të grupit.
Lexoni së bashku një përzgjedhje të deklarimeve të Presidentit Smith nga kapitulli. Kërkojuni pjesëmarrësve të ndajnë shembuj nga shkrimet e shenjta ose nga përvoja e tyre që ilustrojnë atë që dha mësim Presidenti Smith.
Kërkojuni pjesëmarrësve të zgjedhin një pjesë për të cilën janë të interesuar dhe ta lexojnë në heshtje. Ftojini ata të mblidhen në grupe prej dy ose tre vetësh, që zgjedhin të njëjtën pjesë, dhe të diskutojnë se çfarë kanë mësuar.
Përfundimi i Diskutimit
Përmblidhni shkurtimisht mësimin ose kërkojuni një apo dy pjesëmarrësve ta bëjnë këtë. Nxitini ata që u jepni mësim të ndajnë me të tjerët atë që kanë mësuar nga mësimet e Presidentit Smith. Jepni dëshmi për mësimet që keni diskutuar. Gjithashtu mund të dëshironi të ftoni të tjerë të ndajnë dëshmitë e tyre.
Informacion mbi Burimet e Cituara në Këtë Libër
Mësimet e Presidentit Smith në këtë libër janë citime të drejtpërdrejta nga një larmi burimesh. Këto ekstrakte kanë të ruajtura përdorimin e shenjave të pikësimit, drejtshkrimin, përdorimin e germës së madhe dhe ndarjen në paragrafë të burimeve origjinale, përveç nëse kanë qenë të nevojshme ndryshime redaktuese ose tipografike për të përmirësuar lexueshmërinë. Për këtë arsye, mund të vini re mospërputhje të vogla në tekst. Për shembull, fjala ungjill është me germë të vogël në disa citime dhe me të madhe në të tjera.
Gjithashtu, Presidenti Smith përdori shpesh terma të tilla si burra, burrë, ose njerëzimi për t’iu referuar të gjithë njerëzve, si meshkuj edhe femra. Ai shpesh përdori përemrat ai, i tij, dhe atë për t’iu referuar të dy gjinive. Kjo qe e zakonshme në gjuhën e kohës së tij. Me gjithë ndryshimet mes këtyre shprehjeve gjuhësore dhe përdorimit më aktual, mësimet e Presidentit Smith zbatohen si për gratë edhe për burrat.