Mësime të Presidentëve
Kapitulli 11: Zbulesë nga Perëndia për Fëmijët e Tij


Kapitulli 11

Zbulesë nga Perëndia për Fëmijët e Tij

Ati ynë Qiellor na udhëheq ne individualisht dhe si Kishë nëpërmjet Frymës së Shenjtë.

Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit

Për të dhënë mësim rreth rëndësisë së zbulesës në udhëheqjen e Kishës, Xhorxh Albert Smithi tregoi për një përvojë që pati në një fluturim me aeroplan prej Los Anxhelosit në Solt-Lejk-Siti të Jutës:

“Papritmas, pranë Milfordit të Jutës, ne hymë në një prej mjegullave më të këqija që kisha parë ndonjëherë. U përpoqa të shihja nga dritarja e aeroplanit, por nuk mund të shihja asgjë përmes mjegullës. Jashtë aeroplanit nuk mund të shihej as edhe një gjë, në asnjë drejtim.

E dija që po i afroheshim maleve me shpejtësinë e përafërt prej pesë kilometrash në minutë, mbi të cilët duhej të kalonim për të hyrë në Luginën e Solt-Lejkut. Isha i shqetësuar dhe pyeta veten: ‘Si mund ta gjej piloti drejtimin kur nuk mund të shohë asgjë?’ Ai e kishte busullën, por aeroplani mund të dilte jashtë kursit të vet. Ai kishte mjete që tregonin lartësinë tonë mbi nivelin e detit, por ai nuk kishte asnjë mënyrë që të dinte sa lart ishim nga toka. Mendova se ai mund të fluturonte mjaft lart që të kapërcente malet midis nesh dhe Luginës së Solt-Lejkut dhe të përpiqej të gjente fushën për ulje duke parë fenerët sinjalizues nëse do të ishim mjaft pranë, por më zuri frika kur mendova për rrezikun e humbjes së drejtimit dhe të mos dallimit të fenerëve të aeroportit.

Në ankth, u ngjita tek hapësira ku ishte piloti i parë dhe i dytë, për të parë sesi e dinin ku po shkonim. Nuk mund të dalloja nëse ishim tridhjetë metra, treqind metra apo tremijë metra mbi tokë dhe nuk e dija se si mund ta dallonin ata, përveçse me përafërsi. Vura re se piloti kishte një pajisje të vogël mbi vesh të ngjashëm me atë që përdorin operatorët në zyrat telefonike për të dëgjuar telefonatat. E pyeta pilotin e dytë sesi mund të dallonin nëse po fluturonim në drejtimin e duhur apo të dinin nëse kishim dalë nga kursi. Ai u përgjigj: ‘Kur nuk mund të shohim, drejtohemi nga rrezja e ngushtë e radiovalës’.

‘Çfarë është kjo?’ E pyeta. Ai shpjegoi se rrezja mund të krahasohet me një autostradë elektrike mes dy pikave, dhe në rastin tonë pikat ishin Milfordi dhe Solt-Lejk-Siti. Ai tha se pajisja në veshin e pilotit funksiononte në mënyrë të tillë që kur aeroplani ishte brenda rrezes, tingulli si gërhima e maces vazhdonte të dëgjohej, por nëse aeroplani shkonte djathtas ose majtas, tingulli ndryshonte dhe piloti paralajmërohej nga kërcitje si të tasteve të telegrafit. Nëse ai … manovronte për t’u kthyer te rrezja apo autostrada, drejt shtegut të sigurisë, kërcitja pushonte dhe riniste gërhitja. Nëse vazhdojmë në rreze, ne do të arrijmë në vendmbërritjen tonë të sigurt.

U ktheva te ndenjësja ime, i qetësuar së tepërmi që dija se pavarësisht që ishim të rrethuar nga mjegulla e errësira dhe as nuk mund ta shihnim as ta ndienim se ku ishim, piloti po merrte vazhdimisht të dhëna që ishim mbi autostradë dhe ai e dinte se shpejt do të arrinim në vendmbërritjen tonë. Pak minuta më pas, ndjeva aeroplanin të ulej. Ne kishim kaluar përtej majave të maleve dhe po i afroheshim aeroportit. Kur pothuaj qemë ulur, mund të shihnim dritat e forta të fushës që tregonin se ku të uleshim dhe aeroplani me ngarkesën e tij të çmuar preku butësisht tokën ashtu si pulëbardha ulet mbi ujë, ngadalë ndaloi dhe ne dolëm nga aeroplani ynë në tokë, të lumtur që ishim përsëri në shtëpi. …

Kam menduar shpesh herë për mësimin që mora në aeroplan dhe e kam zbatuar në përvojën në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. …

Zoti për të na udhëhequr, jo vetëm që na ka dhënë këshillën e regjistruar tanimë në shkrimet e shenjta, por ai ka vënë një udhëheqës në këtë Kishë, një prej bijve të tij që është përzgjedhur dhe shuguruar e veçuar për të qenë Presidenti. Ai është piloti ynë dhe do të udhëhiqet nga një zë që do t’i japë mundësi që të na udhëheqë aty ku duhet të shkojmë. Nëse jemi të mençur, ne nuk do të lejojmë që gjykimi ynë të jetë kundër tij, por do të jemi të lumtur që ta nderojmë në thirrjen e tij për aq kohë sa Zoti e mbështet atë.”

Presidenti Smith, gjithashtu, e përdori përvojën e vet në aeroplan për të na mësuar që secili prej nesh mund të marrë zbulesë për të udhëhequr vetë jetën tonë nëse jemi të denjë:

“Nëse po jetojmë ashtu si duhet, ne kemi të drejtën për pëshpëritjet e zërit të qetë, të ulët që paralajmëron rreth rrezikut, duke thënë: ‘Ky është shtegu i sigurisë, ecni në të’. … Nëse kemi gabuar në sjelljen tonë, zëri do të na pëshpëritë: ‘Kthehuni, ju bëtë një gabim; keni shpërfillur këshillën e Atit tuaj Qiellor’. Kthehuni prej gabimeve të shtegut [që po ndiqni] ndërsa ka ende kohë, sepse nëse largoheni tepër larg shtegut të drejtë, ju nuk do ta dëgjoni zërin dhe mund të humbisni pa shpresë. …

Këshilla ime për ju, është që ta merrni Shpirtin e Perëndisë dhe ta mbani; dhe e vetmja mënyrë se si ne do ta mbajmë atë, është duke jetuar pranë tij, duke mbajtur urdhërimet e tij. … Ia vini veshin zërit të qetë, të ulët që, nëse jeni të denjë për të, do t’ju drejtojë gjithmonë në një shteg që të çon në lumturi të përjetshme.”1 [Shih sugjerimin 1 në faqen 118–119.]

Mësime të Xhorxh Albert Smithit

Perëndia ua shfaq Veten fëmijëve të Tij në kohën tonë, tamam siç ka bërë në epokat e shkuara.

Çfarë privilegji është që të jetosh në një epokë botërore kur ne e dimë se Perëndia jeton, kur e dimë se Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës dhe Shëlbuesi ynë; dhe kur e dimë që Zoti vazhdon t’ua shfaqë veten fëmijëve të tij të cilët janë vetëpërgatitur për të marrë bekimet e tij! Po shikoj fytyrat e një auditori të madh këtë mëngjes [në sesion të konferencës së përgjithshme], shumica e të cilëve gëzojnë frymëzimin e të Plotfuqishmit, dhe kur luten, i luten Atit të tyre në qiell, duke e ditur që lutjet e tyre do të marrin përgjigje me një bekim mbi kokën e tyre. … Ne e dimë se ka një Perëndi në qiell, se ai është Ati ynë, se ai interesohet për punët tona; dhe ai e ka bërë këtë qëkur bota filloi, kur fëmijët e tij të parë u vendosën mbi tokë.2

Që prej fillimit, dallimi midis kësaj Kishe të mrekullueshme dhe të gjithë kishave të tjera, ka qenë se ne besojmë në zbulesë hyjnore, ne besojmë që Ati ynë i flet njeriut sot siç ka bërë që prej kohës së Adamit. Ne besojmë dhe ne e dimë – atë që është më shumë se thjesht besim – që Ati ynë ka vënë dorën e tij në këtë botë për shpëtimin e fëmijëve të njerëzve.3

Nuk është vetëm për shkak se kemi besim në këta libra [Librin e Mormonit, Doktrina e Besëlidhjen dhe Perlën me Vlerë të Madhe] që konsiderohemi një popull i veçantë, por edhe ngaqë ne besojmë me siguri që Ati ynë në qiell ka folur në këtë kohë dhe epokë. Në të vërtetë, ne e dimë se ka komunikim me qiejt. Ne besojmë se Jehova ka po të njëjtat ndjenja kundrejt nesh, të njëjtin ndikim mbi ne, që ai e ka pasur për dhe mbi fëmijët e tij që jetuan në këtë botë, në kohërat që kanë kaluar.

Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit në të gjitha epokat e botës janë quajtur popull i pazakontë prej jobesimtarëve. Kur Zoti ka folur përmes shërbëtorëve të tij, ka pasur, në periudha të ndryshme të kohës, shumë njerëz në tokë që kanë thënë: “Unë nuk besoj në zbulesë”. Kjo epokë nuk përjashtohet nga rregulli. Mijëra, po, miliona prej fëmijëve të Atit tonë që jetojnë në tokë, vetëm sa përsërisin historinë e shkuar, kur ata mohojnë se Perëndia ua ka zbuluar përsëri vullnetin e tij fëmijëve të njerëzve dhe kur thonë se nuk kanë nevojë për zbulesë të mëtejshme.4

Ne nuk besojmë që qiejt nuk komunikojnë më me njeriun, por që i njëjti Atë që i deshi dhe i mbajti gjallë fëmijët e Izraelit, na do e na mban gjallë ne. Ne besojmë se jemi po aq shumë në nevojë për ndihmën e Atit tonë Qiellor në udhëheqjen e jetës sonë, sa ishin ata. Ne e dimë se në kohën dhe epokën në të cilën jetojmë, qiejt janë rihapur dhe Perëndia ka folur përsëri nga qiejt.5 [Shih sugjerimin 2 në faqen 119.]

Zoti e udhëheq popullin e Tij përmes zbulesës drejtuar Presidentit të Kishës.

Kisha e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u organizua nga një urdhërim i drejtpërdrejt prej Atit tonë Qiellor. Kjo Kishë u themelua mbi shkëmbin e zbulesës dhe nga zbulesa është udhëhequr.6

Në këto kohë është unike t’i përkasësh një kishe, ku ata që janë anëtarë besojnë që Zoti flet përmes udhëheqësve të tyre. Kur ne udhëzohemi nga Presidenti i kësaj Kishe, ne besojmë se ai na tregon atë që Zoti do që ne të bëjmë. Për ne është diçka më tepër se sa thjesht këshilla e një njeriu. Ne besojmë që, ajo na bën të rrëmojmë shpirtrat tanë dhe ne nxitemi të përtërijmë vendosmërinë tonë për të qenë ashtu si Perëndia do që ne të jemi.7

Ne kemi pasur në Kishë shpirtra të drejtuar në udhë të gabuar, të cilët, në paditurinë e tyre, kundërshtuan këshillën e [Presidentit të Kishës], pa e kuptuar faktin se po i kundërviheshin Zotit dhe ata kanë rënë në errësirë e hidhërim; dhe përveçse nëse pendohen, ata nuk do të gjejnë vend në mbretërinë çelestiale.

Le të mbajmë mend që Presidenti i kësaj Kishe është caktuar zyrtarisht si piloti i Kishës këtu në vdekshmëri, për të përfaqësuar Zotin e qiellit dhe tokës.8

Kur njerëzit, siç kanë bërë ndonjëherë për të arritur suksesin e tyre në një drejtim apo tjetër, kanë ardhur te një apo disa persona dhe u kanë thënë: “Kam parë këtë ëndërr dhe kjo është ajo që Zoti do që të bëjmë”, ju mund ta dini që ata nuk janë në anën e Zotit. Ëndrrat e vegimet dhe zbulesat e Perëndisë për fëmijët e njerëzve, kanë ardhur përherë përmes shërbëtorit të tij të caktuar siç duhet. Ju mund të keni ëndrra dhe shfaqje për vetë ngushëllimin tuaj apo për vetë kënaqësinë tuaj, por ju nuk do t’i keni ato për Kishën. … Ne nuk duhet të mashtrohemi.9

Në këtë ditë, shpirti im është mbushur me mirënjohje që di se teksa vazhdojmë me anëtarësinë tonë në Kishë, ne e kemi vërtet një pilot që e di rrugën dhe nëse ndjekim udhëzimin e tij … ne nuk do të hasim fatkeqësitë shpirtërore që po ndesh bota por do ta përshkojmë vendin duke bërë mirë, duke bekuar njerëzimin dhe duke gëzuar në shoqërinë e atyre që i duam.10 [Shih sugjerimin 3 në faqen 119.]

Ne kemi, secili, të drejtën për frymëzim vetjak nga Fryma e Shenjtë nëse u bindemi urdhërimeve.

Unë kam besim te ju, vëllezërit e motrat e mia. … Ju keni të drejtën për të njëjtën njohuri si ai që kryeson mbi Kishën. Ju keni të drejtën për të njëjtin frymëzim që u vjen atyre, të cilët Perëndia ka bërë që të shugurohen si udhëheqës të Tij. Ju keni të drejtën për frymëzimin e Shpirtit dhe njohurinë që Ai është Ati juaj dhe kur them “ju”, flas për të gjithë ata që u janë bindur urdhërimeve të Atit tonë dhe kanë marrë nga ndikimi i ëmbël i Shpirtit të Zotit në Kishën e Krishtit. … Secili prej nesh ka të drejtën për frymëzimin e Zotit në përputhje me mënyrën sipas së cilës jetojmë një jetë të perëndishme.11

Kudo shkofshi, ju nuk do të gjeni asnjë grup tjetër të mbledhur [kështu], ku secili prej të cilëve ka besim në Perëndi; dhe nëse do t’ju pyesnim të gjithëve se sa prej jush kanë një dëshmi, jo besim ngaqë dikush tjetër e ka thënë atë, por se sa prej jush kanë një siguri që kjo është vepra e Perëndisë, që Jezusi është Krishti, që jemi qenie të përjetshme që do të jetojmë përgjithmonë, që Jozef Smithi ishte profet i Perëndisë së Gjallë, ju do të përgjigjeshit që e keni këtë dëshmi që ju ngre lart e forcon dhe ju jep kënaqësi teksa ecni përpara në botë. …

… Unë mësova që kur isha djalë se kjo është puna e Zotit. Mësova se kishte profetë që jetonin në tokë. Mësova se frymëzimi i të Plotfuqishmit do të ndikonte tek ata që jetonin të denjë për ta gëzuar atë, kështu që ne nuk varemi nga një apo dy apo gjashtë individë. Ka mijëra anëtarë të kësaj Kishe që e dinë – nuk është aspak punë imagjinate – ata e dinë se Perëndia jeton dhe se Jezusi është Krishti dhe se ne jemi fëmijët e Perëndisë.12

Ju nuk vareni vetëm prej historisë, as prej mësimeve të një njeriu, për të ditur që kjo është puna e Zotit, sepse ju e keni pasur atë djegie në shpirtrat tuaj përmes dhuratës së Frymës së Shenjtë. Nuk ka asnjë dyshim në mendjen tuaj në lidhje me prejardhjen tuaj, as në lidhje me vendin ku do të shkoni kur të mbarojë kjo jetë, nëse jeni besnik ndaj mirëbesimit të vendosur në ju.13

Dëshmia nuk mund të na jepet nga dikush tjetër. Bindja vjen prej Atit tonë Qiellor.14

Qëndroj këtu sot, thellësisht mirënjohës për njohurinë që më ka ardhur. Jam mirënjohës që nuk varem nga ndonjë njeri për dëshminë që kam. Natyrisht, jam mirënjohës për nxitjen që kam marrë prej të tjerëve që kanë dritë dhe të vërtetë dhe që japin nxitje përmes jetës së tyre të drejtë, por nuk varem nga asnjëri prej tyre për njohurinë që Perëndia jeton, që Jezu Krishti është Shëlbuesi i njerëzimit dhe që Jozef Smithi është profeti i Zotit. Këto gjëra i di nga vetja.

… Gëzohem të dëshmoj që e di se ungjilli është i vërtetë dhe me gjithë shpirt e falënderoj Atin tim Qiellor që ma ka zbuluar atë.15

Nga gjithë bekimet që më kanë ardhur në jetë, më e çmuara është njohuria se Perëndia jeton dhe se kjo është puna e tij, sepse kjo përfshin të gjitha bekimet e tjera të cilat unë mund të shpresoj që t’i gëzoj në këtë jetë apo në jetën që do të vijë. 16 [Shih sugjerimin 4 në faqen 119.]

Fryma e Shenjtë është një udhëheqës i sigurt gjatë shtegut të jetës së vdekshme.

Shoqërimi i Shpirtit [të Perëndisë] … është një udhëheqës i sigurt nëpër shtegun e jetës së vdekshme dhe një përgatitje e sigurt për një vend në mbretërinë e tij çelestiale.17

Ne lexojmë tek Jobi se te njeriu ka një frymë dhe është fryma e të Plotfuqishmit që i jep zgjuarsinë [shih Jobi 32:8]. Nëse mbajmë urdhërimet e Perëndisë, ne kemi të drejtën për atë frymëzim dhe nëse jetojmë siç duhet të jetojnë bijtë e Perëndisë, ne do ta marrim atë frymëzim; dhe askush nuk mund ta ndalë atë; dhe rrjedhoja do të jetë vetë zhvillimi ynë fizik, mendor e moral në vdekshmëri dhe zhvillim në vazhdimësi gjatë përjetësisë.18

Shoqëria e shpirtit të Zotit është kundërhelmi ndaj lodhjes, … ndaj frikës dhe të gjitha atyre gjërave që ndonjëherë na pushtojnë në jetë.19

Kur dishepujt e Shpëtimtarit qenë me të, ata e admironin pa e ditur se sa i madh ishte në të vërtetë, ata nuk qenë në gjendje të përballonin problemet e të duronin persekutimet që pothuaj e bënë jetën të padurueshme, veçse derisa fuqia e Frymës së Shenjtë erdhi tek ata, derisa ata morën pagëzimin e zjarrit. Kur frymëzimi i të Plotfuqishmit u dha kuptim, ata e dinin se po jetonin një jetë si qenie të përjetshme, dhe nëse jepnin prova se ishin besnik, ata e dinin se kur trupat e tyre të preheshin në vdekje, ata do të ngriheshin nga varri në lavdi e pavdekësi.

Kjo ishte pasoja e frymëzimit të Shpirtit të Zotit që u erdhi atyre, frymëzimi i të Plotfuqishmit që u dha kuptim. …

Lutem që ai Shpirt që na mban në shtegun e së vërtetës e drejtësisë qëndroftë me ne; dhe lutem që ajo dëshirë që vjen prej frymëzimit të Atit tonë Qiellor na drejtoftë te ai shteg i jetës.20

Kur jeta jonë të jetë afër fundit, kuptofshim që ia kemi vënë veshin pëshpëritjes së atij zëri të qetë, të ulët që na drejton gjithmonë në shtegun e drejtësisë, dhe dallofshim që për ne ka pasur domethënien e hapjes së derës së mbretërisë Çelestiale për veten dhe për ata që i duam, për të shkuar përpara gjatë përjetësisë, … përjetësisht të lumtur.21 [Shih sugjerimin 5 në faqen 119.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet v–vii.

  1. Teksa lexoni “Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit” (faqet 111–113), merrni parasysh se si krahasimi i Presidentit Smith gjen zbatim në udhëtimin tonë gjatë vdekshmërisë. Çfarë mund të përfaqësojnë mjegulla, rrezja e radiovalës dhe tingulli kërcitës? Si ju ka paralajmëruar Zoti për rrezikun dhe si ju ka ndihmuar të qëndroni në shtegun drejt jetës së përjetshme?

  2. faqet 113–114, Presidenti Smith shpall se zbulesa është po aq e nevojshme sot sa ishte në kohërat biblike. Si do t’i përgjigjeshit dikujt që thotë se zbulesat në shkrimet e shenjta janë të mjaftueshme për kohën tonë? Çfarë përvojash ju kanë mësuar se Ati Qiellor “interesohet për punët tona”?

  3. Shihni sërish seksionin që fillon në faqen 114. Si keni arritur të dini se këshilla e profetit vjen nga Zoti dhe është “më tepër se sa thjesht këshilla e njeriut”? (faqe 115). Si mund t’ju ndihmojë zbulesa vetjake që ta pranoni e zbatoni zbulesën që jepet përmes profetit?

  4. Teksa studioni seksionin që fillon në faqen 115, mendoni se si fituat një dëshmi të ungjillit. Si ju ndihmuan dëshmitë e të tjerëve? Çfarë bëtë që të arrinit ta dinit të vërtetën për vete?

  5. seksionin e fundit të mësimeve (faqet 117–118), kërkoni fjalë dhe shprehje që përshkruajnë mënyra se si Fryma e Shenjtë mund të na ndihmojë. Merrni parasysh atë që mund të bëni për të qenë më shpesh të denjë për shoqërinë e Frymës së Shenjtë në jetën tuaj.

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Gjoni 15:26; 1 Nefi 10:17–19; 2 Nefi 32:5; Moroni 10:3–5; Doktrina e Besëlidhje 1:38; 42:61; 76:5–10; Nenet e Besimit 1:9

Ndihmë për mësimdhënien: “Mos u shqetësoni nëse nxënësit janë të heshtur për pak sekonda pasi keni bërë një pyetje. Mos i jepni përgjigje vetë pyetjes tuaj; jepini kohë nxënësve që të mendojnë për përgjigjet. Sidoqoftë, heshtja e zgjatur mund të tregojë se ata nuk e kuptojnë pyetjen dhe se ju duhet ta riformuloni atë” (Teaching, No Greater Call, f. 69).

Shënime

  1. Në Conference Report, tetor 1937, f. 50–53.

  2. Në Conference Report, prill 1946, f. 4.

  3. Në Conference Report, prill 1917, f. 37.

  4. “Some Points of ‘Peculiarity’”, Improvement Era, mars 1949, f. 137.

  5. Proceedings at the Dedication of the Joseph Smith Memorial Monument, f. 55.

  6. “Message to Sunday School Teachers”, Instructor, nëntor 1946, f. 501.

  7. Në Conference Report, tetor 1930, f. 66.

  8. Në Conference Report, tetor 1937, f. 52–53.

  9. Në Conference Report, tetor 1945, f. 118–119.

  10. Në Conference Report, tetor 1937, f. 53.

  11. Në Conference Report, tetor 1911, f. 44.

  12. Në Conference Report, prill 1946, f. 124–125.

  13. Në Conference Report, prill 1905, f. 62.

  14. “Opportunities for Leadership”, Improvement Era, shtator 1949, f. 557.

  15. Në Conference Report, tetor 1921, f. 42.

  16. Në Conference Report, prill 1927, f. 82.

  17. “To the Latter-day Saints Everywhere”, Improvement Era, dhjetor 1947, f. 797.

  18. Në Conference Report, prill 1944, f. 31.

  19. Në Conference Report, tetor 1945, f. 115–116.

  20. Në Conference Report, prill 1939, f. 124–125.

  21. Në Conference Report, prill 1941, f. 28.

Xhorxh Albert Smith dhe gruaja e tij, Lusi. Presidenti Smith përdori një përvojë që pati në një aeroplan, për të dhënë mësim rreth rëndësisë së zbulesës.

Secili prej nesh ka të drejtën për frymëzimin e Zotit në përputhje me mënyrën sipas së cilës jetojmë një jetë të perëndishme.