Mësime të Presidentëve
Kapitulli 6: Mbështetja e Atyre të Cilët Zoti i Mbështet


Kapitulli 6

Mbështetja e Atyre të Cilët Zoti i Mbështet

Udhëheqësit tanë janë zgjedhur nga Zoti dhe Ai pret që ne t’i mbështesim ata me fjalë e vepra.

Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit

Xhorxh Albert Smithi u mbështet si President i Kishës në konferencën e përgjithshme në tetor të 1945-ës. Afër fundit të konferencës, Presidenti Smith shprehu mirënjohje për votën mbështetëse të shenjtorëve: “Unë ju falënderoj për besimin që më është dhënë, vëllezër dhe motra të mia, me shpresë që të mund të kem sukses dhe duke premtuar siç bënë disa nga ju, që do të më ndihmoni të kem sukses, sepse unë jam vetëm një njeri, një nga më të përulurit midis jush, por unë jam thirrur në këtë shërbim – dhe unë nuk do të isha këtu nëse nuk do ta dija se qeshë thirrur – me autoritetin e Atit tonë Qiellor”.

Ai pastaj shtoi këtë kërkesë: “Unë do të kem nevojë për ndihmën e çdo burri dhe çdo gruaje, dhe çdo fëmije, jo për bekimin tim, por për bekimin tuaj dhe për bekimin e fëmijëve të njerëzve kudo që mund të jenë. Kjo nuk është përgjegjësia ime, kjo është përgjegjësia jonë.1

Siç e tregojnë mësimet në këtë kapitull, Xhorxh Albert Smithi kuptoi barrët e rënda që mbaheshin nga Presidenca e Parë, madje përpara se ai të bëhej President i Kishës. Ai u mësoi shenjtorëve se përkushtimi dhe besnikëria e tyre mund të ndihmojnë lehtësimin e atyre barrëve dhe u bë shembull i këtij parimi gjatë shërbimit në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve.

Në 1946-ën, ndërsa drejtonte një sesion të konferencës së përgjithshme, Presidenti Smith paraqiti mbështetjen e zyrtarëve të Kishës duke shpjeguar se ajo është më shumë se thjesht një veprim rutinë: “Ne tani kemi një rend pune që është i zakonshëm në këto konferenca; i cili është prezantimi i Autoriteteve të Kishës për t’u mbështetur nga vota e njerëzve. Unë shpresoj se ju do të kuptoni, të gjithë ju, se ky është një privilegj i shenjtë… Ai nuk do të jetë thjesht një simbol, por do të jetë një tregues se, me ndihmën e Zotit, ju do të kryeni pjesën tuaj të punës.”2 [Shih sugjerimin 1 në faqen 64.]

Mësime të Xhorxh Albert Smithit

Ata që kryesojnë Kishën, janë përgatitur, zgjedhur dhe frymëzuar nga Zoti.

Kjo Kishë e madhe pati qenë kryesuar nga burra që qenë të përgatitur posaçërisht, mësuar posaçërisht, pajisur posaçërisht për atë nder të madh që i qe dhënë secilit kur ai zuri vendin e tij. Ati ynë Qiellor në urtësinë e tij i ka rrethuar këta udhëheqës të Izraelit me të tjerë që, si ata vetë, kanë besim dhe që nuk përkulen me nderim përpara individit për shkak të personalitetit apo individualitetit të tij si president i Kishës, por që e njohin atë si zëdhënës të Atit tonë Qiellor dhe e mbështesin atë, dhe e përkrahin atë, dhe luten për të, dhe e duan atë me qëllim që ata, gjithashtu, të mund të marrin bekimet e Atit tonë Qiellor.

Nuk ka organizatë tjetër si kjo në këtë botë. Nuk ka njerëz të tjerë [që të] udhëhiqen siç udhëhiqen këta njerëz. Është thënë realisht se ata që kryesojnë janë thjesht burra. Është nëpërmjet tyre që Ati ynë Qiellor do ta kryejë punën e tij. Është nëpërmjet tyre që ungjilli duhet të jepet mësim… Burri që na kryeson ne sot, nuk po na kryeson për shkak të aftësisë së tij të lindur. Ai nuk po kryeson, sepse ai është biri i ndonjë sovrani të madh, por ai është në pozitën që zë, sepse Ati ynë në qiell e di ndershmërinë e shpirtit të tij. Duke kuptuar vendosmërinë që ai do të kishte për ta çuar këtë mesazh te të gjithë kombet e dheut, ai e përgatiti atë për thirrjen e lartë që u vu mbi të. Ai kryeson si përfaqësues i Atit tonë Qiellor.3

Unë po mendoja sot për njeriun e përulur, por të madh që pati udhëhequr këtë Kishë qysh prej organizimit të saj… Unë i kam njohur mirë [shumë nga] Presidentët [e Kishës] dhe besoj se ata qenë të gjithë burra të Perëndisë. Është e papërfytyrueshme që Ati ynë Qiellor do të zgjidhte ndonjë lloj tjetër për ta kryesuar këtë Kishë.4

Çfarë ndodhi kur [Jozef Smithi] vdiq? … [Shenjtorët] nuk mbajtën ndonjë mbledhje të fshehtë, të zgjidhnin një kryetar të ri dhe të vendosnin një udhëheqës të ri. Udhëheqësi qe zgjedhur tashmë nga Zoti. Ai ishte anëtari më i vjetër i Kuorumit të të Dymbëdhjetëve, Brigam Jangu… Kisha si një trup në të gjitha sesionet e mbështeti atë si president. Kur ai vdiq, këshilltarët e tij nuk thanë se ata qenë Presidenti, por Kuorumi i të Dymbëdhjetëve kryesoi për një kohë të gjatë dhe pastaj anëtari i tyre më i vjetër u mbështet si President i Kishës. Rregulli i përsosur triumfoi. …

Unë gjurmova disa nga këto gjëra me qëllim që të mos ketë gabim. Jozef Smithi nuk zgjodhi vetë të jetë President i Kishës. As ndonjëri nga ata që e pasonin… Caktimi vjen nga Ati ynë Qiellor nëpërmjet frymëzimit të Tij dhe njerëzit marrin gjithë fuqinë që vjen me një caktim.5

Sa mirënjohës duhet të jemi që dimë se kjo punë nuk është puna e një njeriu, por është puna e Zotit; se kjo Kishë, që mban emrin e Jezu Krishtit, drejtohet prej tij dhe se ai do nuk do të lejojë njeri apo grup njerëzish ta shkatërrojnë atë. Ai nuk do të lejojë njerëzit që kryesojnë mbi Kishën e tij, që t’i udhëheqin njerëzit në gabim, por ai do t’i mbështesë ata me fuqinë e tij të pafund. Ai do t’i rrisë ata në sytë e burrave dhe grave të mirë dhe të mrekullueshëm. Ai do ta bekojë shërbesën e tyre dhe ajo do të mbushet me sukses. Ata që kundërshtojnë dhe gjejnë faj, nuk do të gjejnë gëzim në kundërshtimin e tyre. Ata që kritikojnë dhe kërkojnë të shkatërrojnë ndikimin e udhëheqësve të Kishës, do të vuajnë rezultatin e veprimit të tyre të gabuar.6

Është e nevojshme që ne të kemi falënderim në zemrën tonë, që udhëhiqemi nga burra të shenjtë, të cilët janë frymëzuar nga Ati ynë në qiell që të na mësojnë ne ditë për ditë.7 [Shih sugjerimin 2 në faqen 64.]

Nëpërmjet shërbëtorëve të Tij, Zoti na mëson ne shtegun për te lumturia dhe siguria.

Nga koha e Atit Adam deri tani Zoti i ka paralajmëruar njerëzit nëpërmjet shërbëtorëve të tij. Ai i ka frymëzuar ata për një jetë më të mirë kur ata e kanë dëgjuar dhe nga epoka në epokë, kur fëmijët e tij e kanë kërkuar, ai ka dërguar burra të shenjtë në botë, për të dhënë udhëzim që synon lumturinë, i ka frymëzuar të japin mësim të vërtetat e lavdishme që fisnikërojnë dhe pasurojnë njerëzimin.8

Unë nuk di asgjë me rëndësi të madhe, që ndodhi në botë, që Zoti nëpërmjet profetëve të tij të mos i ketë këshilluar njerëzit më parë, në mënyrë që të mos liheshin në padije mbi çka do të zhvillohej, por të mund ta planifikonin jetën e tyre, nëse do ta bënin, në përfitim të tyre. …

Rasti i Noeut është një shembull. Ai u urdhërua nga Zoti të ndërtonte një arkë në të cilën të drejtët të mund të ruheshin nga përmbytja që do të vinte. Noeu ndërtoi arkën dhe predikoi pendesë te brezat e tij për një periudhë prej një qind e njëzet vitesh, duke i paralajmëruar plotësisht ata. Njerëzit, gjithsesi, ishin aq të ligj saqë ata nuk ia vunë veshin paralajmërimit. Duke pasur lirinë e tyre të zgjedhjes, ata zgjodhën ligësinë më shumë se drejtësinë. Shirat ranë e përmbytjet erdhën dhe vetëm Noeu dhe familja e tij prej tetë shpirtrash shpëtuan. Të gjithë ishin paralajmëruar plotësisht, por për shkak të mosbindjes dhe kundërshtimit të tyre që të pendoheshin, ata u mbytën. [Shih Moisiu 8:13–30.]9

Zoti do që ne të jemi të lumtur. Kjo është arsyeja pse ai na dha ungjillin e Jezu Krishtit. Kjo është arsyeja që ai na dha priftërinë neve. Ai do që ne të kemi gëzim. Kjo është arsyeja pse ai e organizoi këtë kishë dhe vendosi në të detyra të ndryshme dhe të gjitha këto gjëra janë në rregull… Nëse ju do të ndiqni udhëheqjen e Zotit, dhe ata të cilët Zoti i mbështet, ju nuk do të bini në errësirë, të humbisni dritën, të shkelni ligjet e Perëndisë dhe të humbisni privilegjet tuaja që ai mezi pret që të gjithë ne t’i gëzojmë.10

Ka vetëm një shteg për siguri për mua në këtë ditë dhe ajo është të ndjek ata që Zoti i ka caktuar të udhëheqin. Unë mund të kem idetë dhe opinionet e mia, unë mund të krijoj gjykimin tim lidhur me gjërat, por unë e di se kur gjykimi im bie ndesh me mësimet e atyre që Zoti na i ka dhënë të tregojnë rrugën, unë duhet ta ndryshoj kursin tim. Nëse unë dëshiroj shpëtimin, unë do të ndjek udhëheqësit që Ati ynë Qiellor na ka dhënë, sa kohë që ai t’i mbështesë ata.11 [Shih sugjerimin 3 në faqen 65.]

Ata që janë të përulur dhe besnikë, i mbështesin dhe i mbrojnë shërbëtorët e Zotit.

Unë kam njohur me mijëra anëtarë të thjeshtë të kësaj Kishe të mrekullueshme, burra dhe gra nga shumë kombe që, në përulësi dhe besnikëri, kanë pranuar ungjillin që të identifikohen me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme… [Ata] janë lutur për udhëheqësit e tyre dhe i kanë mbështetur ata … , dhe gjatë përvojës sime në Kishë unë nuk kam njohur deri tani asnjë person që të ketë respektuar urdhërimet e Zotit, i cili të ketë ngritur zërin e tij apo saj kundër atyre që janë thirrur të kryesojnë këtë Kishë. Kjo është vërtet e mrekullueshme. …

Një nga dëshmitë më të mëdha për mua mbi shenjtërinë e kësaj pune është se moria e njerëzve … duke pasur rastin në konferencë kunji … të shprehen vetë me anë të votës qoftë për të mbështetur apo për të kundërshtuar të mbështesin ata që kryesojnë mbi ta (secili duke ushtruar lirinë e zgjedhjes) vazhdojnë t’i mbështesin udhëheqësit e tyre. Sigurisht Shpirti i Zotit nxit njerëzit besnikë e të përulur që të mbështesin shërbëtorët e tij të zgjedhur.12

Kur Moisiu udhëhoqi Izraelin nga Egjipti nëpër shkretëtirë për në tokën e premtuar, Amaleku e sulmoi Izraelin në Refidim. Moisiu e udhëzoi Jozueun të zgjidhte burra luftëtarë për të mbrojtur Izraelin. Moisiu, Aaroni dhe Huri shkuan në majë të një kodre që mbikëqyrte fushën e betejës. Kur Moisiu e mbante shkopin e Perëndisë mbi kokën e tij, Izraeli fitonte, por kur ai i lëshonte duart e veta poshtë për shkak të dobësisë, Amaleku fitonte. Një ndenjëse guri u sigurua dhe Aaroni dhe Huri ia mbanin krahët lart me qëllim që bekimet e Perëndisë të mund të vërshonin në Izrael, që luftëtarët e tyre të mund të fitonin dhe beteja u fitua. Fuqia e Perëndisë ishte mbi Moisiun dhe mbeti me të derisa ai e përfundoi punën e tij. [ShihEksodi 17:8–13.] Kur ai pati mbështetjen e njerëzve, ata gjithashtu u bekuan dhe kështu ka qenë me çdo shërbëtor të Zotit që ka kryesuar mbi Izrael. …

… Pikërisht gjersa [Presidenti] kryeson mbi këtë Kishë, s’ka rëndësi sa vite do të jetë kjo, Ati ynë Qiellor do t’i japë atij forcë, pushtet, urtësi, gjykim dhe frymëzim që t’i flasë Izraelit kur ata kanë nevojë që t’u flitet. Ne, duke ndjekur udhëheqjen e tij, duhet të jemi si Aaroni dhe Huri të kohëve të lashta; ne duhet të ngremë lart duart e tij, që nëpërmjet tij Zoti do të lejojë bekimet e qiellit të bien mbi ne dhe këtë popull.13

Unë e di se këta burra [Autoritetet e Përgjithshme] janë shërbëtorë të Zotit dhe unë e di se ata po kërkojnë të bekojnë njerëzimin. Unë shpresoj se asnjë nga ju … nuk do të mbetet pa i mbështetur ata, jo vetëm me besimin dhe lutjet tuaja por nëse ata paraqiten të shtrembëruar dhe qëndrimi i tyre shtrembërohet, që ju do të jeni të gatshëm dhe të merakosur që t’i mbroni ata, nëse do të jetë nevoja, sepse po vjen një kohë kur ata do të kenë nevojë për mbrojtjen tuaj. Kundërshtari nuk i ka harruar ata dhe një nga treguesit për mua të karakterit hyjnor të thirrjes së këtyre burrave është se njerëzit e ligj flasin me ligësi për ta dhe burrat e gratë e mira flasin mirë për ta.14 [Shih sugjerimin 4 në faqen 65.]

Kur ne kritikojmë udhëheqësit tanë ose shpërfillim këshillën e tyre, ne lejojmë kundërshtarin të na udhëheqë në udhë të shtrembër.

Ka nga ata midis nesh … të cilët janë verbuar nga filozofitë dhe marrëzia e njerëzve. Ka nga ata që kundërshtojnë këshillën dhe udhëzimin e njeriut që Perëndia e ka vendosur në krye të kësaj Kishe. …

Njerëz që nuk kanë shumë informacion, befas vijnë me një ide të shkëlqye dhe sugjerojnë se “kjo është rruga” ose “ajo është mënyra” dhe, megjithëse ajo bie ndesh me këshillën e Zotit, disave u është mbushur mendja që ta provojnë atë. Zoti ka dhënë këshillë të sigurt dhe ka caktuar Presidentin e Kishës së tij që ta interpretojë atë këshillë. Nëse ne shpërfillim atë që ai këshillon, si President i Kishës, ne mund të zbulojmë se kemi bërë një gabim serioz.15

Presidenca e Kishës … janë përfaqësuesit e Atit tonë Qiellor, jo vetëm te ky popull, por ata e përfaqësojnë tek të gjithë popujt e tokës. Ne do të bënim mirë nëse do të lartësonim e nderonim këta burra që ai na ka vendosur në krye. Ata janë burra me brishtësi njerëzore, ata do të bëjnë gabime, por nëse ne do të jemi po aq mirëdashës me gabimet që ata bëjnë siç jemi me dështimet dhe gabimet tona, ne do t’i shohim shohim virtytet e tyre siç shohim tonat.

Unë qëndroj këtu që t’ju lutem juve, vëllezër dhe motra të mia, që të mos lejoni fjalë kritike apo të ashpra që të dalin nga buzët tuaja rreth atyre të cilët Zoti i ka thirrur të na udhëheqin ne. Mos u gjendni në shoqërinë e atyre që do t’i nënvleftësonin ata ose do të dobësonin ndikimin e tyre midis fëmijëve të njerëzve. Nëse ju e bëni këtë, unë mund t’ju them se ju do ta gjeni veten nën fuqinë e kundërshtarit. Ju do të ndikoheni prej tij që të shkoni sa më larg që të jetë e mundur nga shtegu i së vërtetës dhe nëse nuk do të pendoheni, ju mund ta kuptoni tepër vonë se ju keni humbur “margaritar[in] me vlerë të madhe”. Për shkak të egoizmit tuaj dhe të verbërisë suaj ju do të jeni udhëhequr tutje dhe të dashurit tuaj … do të jenë në pikëllim në botën shpirtërore për shkak të dobësisë suaj dhe marrëzisë suaj.16 [Shih sugjerimin 5 në faqen 65.]

Kundërshtari nuk është në gjumë. Ai po mashtron shumë vetë dhe po i çon në mëkat… Ka disa që po japin mësim doktrina të rreme; dhe disa që po kërkojnë të bindin burra dhe gra që të shkelin urdhërimet e Atit tonë Qiellor … Nëse anëtarët e kësaj Kishe që gjejnë gabim tek udhëheqësit e Kishës dhe kritikojnë ata që po japin vetë jetën e tyre për të na bekuar dhe në dobi tonë, vetëm do të ndaleshin aq sa të pyesin plot lutje: “Cilët nga këta mësues është e sigurt që të ndiqen?” ata nuk do të kenë asnjë vështirësi për ta gjetur rrugën e tyre të drejtë dhe do të mbështesin ata të cilët Zoti i mbështet.17

Kur ne mbështesim udhëheqësit tanë, ne zotohemi të ndjekim këshillën e tyre dhe të lartësojmë vetë thirrjet tona.

Duhet të jetë një burim force për Presidentin e kësaj Kishe që të vështrojë në fytyrat e mijëra burrave e grave të ndershme dhe t’i shohë ata të ngrenë dorën e tyre në besëlidhje me Atin tonë në qiell, dhe ta mbështesin atë në detyrën në të cilën ai është thirrur si president i kësaj Kishe të madhe. Detyrimi që ne marrim përsipër kur ngremë dorën tonë në rrethana të tilla, është një nga më të shenjtët. Ai nuk do të thotë se ne do të shkojmë qetësisht në udhën tonë dhe do të jemi dakord që profeti i Zotit ta drejtojë këtë punë, por do të thotë, – nëse e kuptoj detyrimin që mora përsipër kur ngrita dorën time – se ne do ta mbështesim atë; ne do të lutemi për të; ne do të mbrojmë emrin e tij të mirë dhe ne do të përpiqemi të plotësojmë udhëzimet e tij ndërsa Zoti do ta drejtojë atë që t’i përcjellë ato tek ne, ndërsa ai qëndron në atë pozitë.18

Kur unë mendoj për barrët që janë mbajtur nga Presidenti i kësaj Kishe e këshilltarët e tij, dhe kuptoj përgjegjësitë që janë vendosur mbi shpatullat e tyre, me gjithë zemrën time dëshiroj t’i ndihmoj ata, që të mos mund të jem pengesë, por që në pozitën në të cilën jam thirrur, me ju, vëllezër të mi dhe motra të mia, ne të mundemi secili të zëmë vendin tonë dhe të mbajmë pjesën tonë të ngarkesës, dhe të lartësojmë thirrjen tonë në nderim dhe lavdi të Perëndisë.19 [Shih sugjerimin 4 në faqen 65.]

Dhëntë Perëndia që ne që kemi qenë të bekuar kaq shumë, të mund të mbajmë lart duart e shërbëtorit të Zotit që kryeson mbi ne; që ne të mund ta ndihmojmë atë jo vetëm me anë të besimit dhe lutjeve tona, por me anë të mirëdashjes me dashuri kur është rasti; që ne të mund të marshojmë nën flamurin që ai do të mbajë lart, ndërsa Perëndia vazhdon ta mbështesë atë si President të Kishës, si profet të Zotit në këto ditë të mëvonshme.20

Le t’i mbështesim këta burra të cilët Perëndia i ka ngritur që të na kryesojnë. Le t’i bekojmë ata, jo vetëm nëpërmjet buzëve tona, por duke ndihmuar në çdo mënyrë të mundshme për ta mbajtur këtë barrë që qëndron aq e rëndë mbi shpatullat e tyre… Lutuni për ta dhe bekojini e ndihmojini ata.21

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shih faqet v–vii.

  1. Lexoni paragrafin e fundit të “Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit” (faqe 55–57). Cila është “pjesa juaj e punës”? Ndërsa studioni këtë kapitull, merrni parasysh mënyra se si mund të tregoni me fjalët dhe veprimet tuaja se ju i mbështesni udhëheqësit e Kishës.

  2. Shihni sërish seksionin e parë të mësimeve (faqet faqe 57–58), veçanërisht paragrafët e dytë dhe të katërt. Si ndryshon mënyra e Zotit për të zgjedhur udhëheqës nga mënyra e botës? Çfarë përvojash keni pasur që kanë forcuar besimin tuaj se udhëheqësit tanë janë zgjedhur nga Zoti?

  3. Studioni seksionin që fillon në faqen 58 dhe lexoni Doktrina e Besëlidhje 21:4–7. Çfarë këshille konkrete ka dhënë Zoti nëpërmjet Presidentit aktual të Kishës? Nëpërmjet presidentit tuaj të kunjit apo të distriktit? Nëpërmjet peshkopit apo presidentit të degës? Çfarë bekimesh keni marrë ju kur e keni ndjekur këtë këshillë?

  4. Shihni sërish seksionin që fillon në faqen 59 dhe lexoni dy paragrafet e para të plota në faqen 63. Çfarë do të thotë për ju të mbështesësh udhëheqës të Kishës? Si i forcon familjet dhe shtëpitë tona mbështetja e udhëheqësve të Kishës?

  5. Lexoni paragrafin e fundit në faqen 62. Pse është e rrezikshme të kritikosh udhëheqësit e Kishës? Cila do të ishte një mënyrë e drejtë për t’u përgjigjur nëse dikush do t’ju tregonte një gabim te një nga udhëheqësit tuaj lokalë?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Amosi 3:7; Efesianëve 4:11–14; Hebrenjve 5:4; Doktrina e Besëlidhje 84:109–10; 107:22; 112:20

Ndihmë për mësimdhënien: Një mënyrë për të nxitur mësim të zellshëm është të dëgjosh me kujdes kur dikush bën një pyetje ose një koment. “Dëgjimi është një shprehje dashurie. Ai shpesh kërkon sakrificë. Kur ne vërtet i dëgjojmë të tjerët, ne shpesh heqim dorë nga ajo që duam të themi që ata të mund ta shprehin veten” (Teaching, No Greater Call [Mësimdhënia, S’Ka Thirrje më të Madhe], f. 66).

Shënime

  1. Në Conference Report, tetor 1945, f. 174–175.

  2. Në Conference Report, tetor 1946, f. 153–154.

  3. Në Conference Report, prill 1927, f. 86–87.

  4. Në Conference Report, prill 1931, f. 31.

  5. “The Church with Divine Authority”, Deseret News, 28 shtator 1946, Church section, f. 6, 9.

  6. Në Conference Report, prill 1934, f. 29.

  7. Në Conference Report, tetor 1917, f. 45.

  8. Në Conference Report, tetor 1917, f. 40.

  9. Në Conference Report, prill 1945, f. 136.

  10. Në Conference Report, prill 1949, f. 192.

  11. Në Conference Report, prill 1937, f. 33.

  12. Në Conference Report, prill 1931, f. 32.

  13. Në Conference Report, prill 1942, f. 14.

  14. Në Conference Report, tetor 1933, f. 29.

  15. Në Conference Report, tetor 1936, f. 75.

  16. Në Conference Report, prill 1937, f. 34.

  17. Në Conference Report, prill 1937, f. 33.

  18. Në Conference Report, qershor 1919, f. 40.

  19. Në Conference Report, tetor 1929, f. 24.

  20. Në Conference Report, prill 1930, f. 68–69.

  21. Në Conference Report, tetor 1930, f. 69.

“Unë jam vetëm një njeri, një nga më të përulurit midis jush, por unë jam thirrur në këtë shërbim … me autoritetin e Atit tonë Qiellor.”

“Ne … duhet të jemi si Aaroni dhe Huri të kohëve të lashta; ne duhet të ngremë lart duart [e profetit].”

Ne i mbështesim udhëheqësit tanë kur ne “mbajmë pjesën tonë të ngarkesës dhe … lartësojmë thirrjen tonë në nderim dhe lavdi të Perëndisë”.