Kapitulli 15
Çuarja Përpara e Punës së Zotit
Perëndia drejton punën e Tij, Ai i bën thirrje çdo anëtari të Kishës të marrë pjesë në çuarjen e saj përpara.
Nga Jeta e Xhorxh Albert Smithit
Kur Xhorxh Albert Smithi u thirr në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve në 1903-shin, anëtarësia e Kishës ishte paksa mbi 300.000 vetë. Në mbarim të shërbimit të tij si President i Kishës, ajo pati kaluar mbi 1 milion. Presidenti Smith u ngazëllua nga një rritje e tillë sepse ajo do të thoshte se mesazhi i shpëtimit po arrinte gjithnjë e më shumë njerëz. “Sa të lumtur duhet të jemi”, u tha ai dëgjuesve në një konferencë të përgjithshme në 1950-ën, “jo sepse kemi rritur numrat e organizatës së cilës i përkasim, por sepse më shumë nga fëmijët e Atit tonë, më shumë nga bijtë dhe bijat e tij, janë ndihmuar të kuptojnë të vërtetën dhe kanë ardhur në organizatën e tij, që ai e përgatiti për të na mësuar mbi mënyrën e jetës dhe që na udhëheq përgjatë shtegut të lumturisë së përjetshme.”1
Midis 1903-shit dhe vdekjes së Presidentit Smith në 1951-shin, Kisha përballoi shumë sfida drejt përparimit të saj në mbarë botën. Ngjarje të tilla si Lufta I Botërore, Lufta II Botërore dhe Depresioni i Madh (një krizë ekonomike e përhapur gjerësisht) kufizuan ashpërsisht numrin e misionarëve që mund të dërgoheshin jashtë. Me gjithë këto vështirësi, Xhorxh Albert Smithi mbetej me besim se Kisha do të vazhdonte të rritej dhe të realizonte fatin e saj që të “mbushi tërë tokën” (Danieli 2:35). Në 1917-ën, në kulmin e Luftës I Botërore, ai u tha shenjtorëve: “Unë nuk shkurajohem ngaqë kjo e vërtetë nuk e gjen më shpejt udhën e saj. Përkundrazi unë shoh në ngjarjet e sotme drejtpërdrejt dorën e një Ati krejt të urtë për të përgatitur rrugën për përhapjen e ungjillit që ai ka rivendosur në tokë në ditën tonë.”2
Ndërsa gjysma e parë e shekullit të 20-të pati sfida të mëdha, ajo solli gjithashtu teknologji të reja që Presidenti Smith besonte se do të çonin më përpara punën e Zotit. Ai ishte një mbështetës i fortë i industrisë së aviacionit dhe pa se ajo ishte një mënyrë për të përmbushur detyrat e tij me udhëtime si Autoritet i Përgjithshëm me më shumë efektshmëri. Ai gjithashtu mbështeti përdorimin prej Kishës të radios e televizionit për ta çuar fjalën e Zotit te një masë më të gjerë dëgjuesish. “Ne duhet t’i konsiderojmë këto [shpikje] si bekime nga Zoti”, tha ai. “Ato i rrisin shumë aftësitë tona. Ato mund të bëhen me të vërtetë bekime nëse ne i përdorim në drejtësi për përhapjen e së vërtetës dhe çuarjen përpara të punës së Zotit midis njerëzve. Sfida e madhe që përballon bota sot, mbështetet në përdorimin që ne u bëjmë këtyre shpikjeve të shumta. Ne mund t’i përdorim ato për të shkatërruar, siç kemi bërë ndonjëherë në të kaluarën, ose mund t’i përdorim ato për të ndriçuar dhe bekuar njerëzimin, siç do të donte Ati ynë Qiellor të bënim.”3
Në një bisedë në një konferencë të përgjithshme në 1946-ën, Presidenti Smith profetizoi rreth përdorimit të teknologjive të tilla: “Nuk do të jetë e largët koha kur nga kjo foltore dhe vende të tjera që do të gjenden, shërbëtorët e Zotit do të jenë në gjendje të japin mesazhe për grupe të izoluara që janë aq larg sa nuk mund të arrihen. Në atë dhe mënyra të tjera, ungjilli i Jezu Krishtit, Zotit tonë, e vetmja fuqi e Perëndisë për shpëtimin në përgatitje për mbretërinë çelestiale, do të dëgjohet në të gjitha anët e botës dhe shumë nga ju që jeni këtu, do të jetoni sa ta shihni atë ditë.”4 [Shih sugjerimet 1 dhe 4 në faqe 165.]
Presidenti Smith kuptoi se puna e Kishës është e suksesshme sepse është puna e Zotit dhe ai i mësoi shenjtorët se mundësia për të marrë pjesë në atë punë është një bekim që Zoti i ofron çdo anëtari të Kishës së Tij. Gjatë konferencës së parë të përgjithshme pasi ishte veçuar si President i Kishës, ai tha: “Unë e kuptoj përgjegjësinë e madhe që është mbi shpatullat e mia. Unë e di se pa ndihmën e Atit tonë Qiellor, organizata anëtarë të së cilës jemi, nuk mund të jetë e suksesshme. Asnjë burrë apo grup burrash nuk mund ta bëjë atë të suksesshme, por nëse anëtarët e kësaj Kishe do të vazhdojnë të mbajnë urdhërimet e Perëndisë, të jetojnë fenë e tyre, të japin një shembull për botën [dhe] ta duan të afërmin e tyre si vetveten, ne do të shkojmë përpara dhe lumturi më e madhe do të derdhet mbi ne.”5
Mësime të Xhorxh Albert Smithit
Për çdo anëtar ka mundësi të bollshme që të marrë pjesë në punën e Zotit.
Përgjegjësia për drejtimin e kësaj pune nuk i përket vetëm [Presidentit të Kishës], as këshilltarëve të tij, as kuorumit të Apostujve; por ajo i përket gjithashtu çdo burri dhe gruaje që është pagëzuar nga shërbëtorët e Perëndisë dhe është bërë anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme… Ne nuk mund t’ia kalojmë një tjetri përgjegjësinë nëse dëshirojmë; Ati ynë e ka vendosur atë mbi shpatullat tona dhe ne duhet ta mbajmë dhe të ndihmojmë që të përmbushet fitimtare.6
Unë besoj në ju, vëllezër dhe motra të mia. Unë kam siguri te besimi dhe ndershmëria juaj… Secili nga ju gjithashtu [është] përgjegjës përpara [Zotit] për mbështetjen e kësaj pune, siç janë ata që ju kryesojnë ju. Unë nuk mund të them: “Mos jam unë rojtari i vëllait tim?” Unë nuk mund të kaloj përgjegjësinë … , por duke qëndruar në radhët e fëmijëve të Atit tonë unë duhet të mbaj pjesën time, unë duhet të mbaj atë pjesë të ngarkesës që Zoti vendos mbi mua, dhe nëse shmangem, atëherë kuptoj se humbas bekimin që do të vinte tek unë nga bindja ndaj urdhërimeve të Atit tonë.7
Sa të dëshiruar duhet të jemi që të përshkojmë vendin duke bërë mirë. Është një shërbëtor i plogët ai që pret derisa të urdhërohet të gjitha gjërat. [Shih DeB 58:26–27.] Ati ynë Qiellor pret që ne të lartësojmë thirrjet tona, pavarësisht ku mund të jenë ato, pavarësisht sa e përulur mund të jetë gjendja jonë në jetë.8
Nuk është nevoja që një burrë të jetë anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, apo i Presidencës së Kishës, që të marrë bekimet më të mëdha në mbretërinë e Atit tonë Qiellor. Këto nuk janë veçse detyra që kërkohen në Kishë, dhe ka shumë burra besnikë dhe të përkushtuar të denjë për t’i plotësuar këto detyra, koha dhe talentet e të cilëve nevojiten kudo në Kishë… Kujtoni që mes anëtarëve dhe kudo në Kishë ka një mundësi të madhe për çdo burrë dhe për çdo grua që të bëjë diçka për bekimin e shokëve të tyre dhe për përparimin e punës së Zotit.9
Ka një prirje te disa që mbajnë priftërinë dhe disa që mbajnë pozita në Kishë, për të shpërfillur mbledhjet e sakramentit e detyra të tjera të rëndësishme dhe për t’i kufizuar punët e tyre në thirrje të veçanta. Ata mund të jenë nëpunës dhe mësues në Shkollën e së Dielës dhe kur kryejnë punën e tyre të Shkollës të së Dielës, e mendojnë atë të mjaftueshme; ose, ata mund të jenë punonjës [për Të Rinj ose Të Reja], ose të Fillores, ose të historisë familjare, ose të mirëqenies, ose kanë disa detyra të tjera të tilla dhe, nëse i plotësojnë detyrimet e tyre në atë drejtim, ata e vlerësojnë të kryer të gjithë detyrën e tyre.
Megjithëse ne i duam dhe i bekojmë të gjithë këta për shërbimin e madh që japin, ne jemi të detyruar të kujtohemi se kërkohet nga të gjithë ne të jetojmë sipas çdo fjale që del nga goja e Atit tonë në qiell [shih DeB 84:44]. Duke folur në përgjithësi, detyrat e posaçme nuk na lirojnë nga detyrimet tona të tjera; dhe mbledhjet e posaçme zakonisht nuk zëvendësojnë apo zenë vendin e mbledhjeve të përgjithshme të Kishës. Dhe krejt përtej detyrimeve dhe detyrave tona të posaçme, nga ne pritet të sillemi ditë për ditë si shenjtorë të ditëve të mëvonshme në kuptimin më të gjerë të fjalës, në mënyrë që, nëse shohim dikë në shqetësim apo mungesë, apo nevojë për porosi dhe këshillë në çfarëdo rasti, duhet menjëherë të veprojmë si shërbëtorë të Zotit në gjërat që bëjmë si përgjigje.
Dhe pastaj janë ata që marrin në emër anëtarësinë në Kishë, por që duket sikur ndiejnë veten të përjashtuar nga dhënia e çfarëdo lloj shërbimi. Por herët a vonë ata shohin siklet në zemrën e tyre dhe dyshim në mendimet e tyre, siç ndodh me të gjithë ne kur nuk bëjmë atë që e dimë se është detyra jonë e plotë. Një burrë që jeton në përputhje me ungjillin e Jezu Krishtit, nuk është kurrë në dyshim mbi suksesin e tij; por burri që shpërfill detyrën e tij, që nuk i mban besëlidhjet e tij, e humbet Shpirtin e Zotit dhe pastaj fillon të pyesë veten se çfarë do të bëhet me Sionin. …
Sa herë që ju po e bëni detyrën tuaj të plotë, ju do të dini, ashtu siç dini që jetoni, se ajo është puna e Atit dhe që ai do ta përmbushë atë si fitimtare.10
A nuk mund ta shihni se si një vepër e mrekullueshme dhe një çudi po shkon përpara? A nuk mund ta shihni se si ne si individë kemi ndihmuar me qindarkën tonë, por moria është bashkuar dhe fjala e Zotit është përhapur midis fëmijëve të njerëzve; jo vetëm në një mënyrë militante, por me mirësi dhe dashuri, me dëshirë për të bekuar të gjithë njerëzimin?11 [Shih sugjerimin 2 në faqen 165.]
Kundërshtimi nuk do ta ndalë përparimin e Kishës, sepse ajo është puna e Perëndisë, jo e njeriut.
Kisha filloi me vetëm gjashtë anëtarë. Ajo është rritur nga dita në ditë megjithë kundërshtimin nga kundërshtari. Por pa armën e fuqishme të drejtësisë, por pa mbrojtjen e Atit tonë Qiellor, kjo Kishë do të ishte shkërmoqur me kohë si lëvozhgë. Sidoqoftë, Zoti ka thënë se ai do të na ruajë dhe na ka premtuar mbrojtje nëse do ta respektojmë atë dhe do të mbajmë urdhërimet e tij.12
Rritja e kësaj Kishe nuk ka ardhur sepse ishte në modë. Ajo erdhi megjithë kundërshtimin e njerëzve të urtë të botës; ajo erdhi megjithë kundërshtimin e mësuesve fetarë dhe ka vazhduar të mbledhë këtu dhe atje shpirtra të zgjedhur, që kanë jetuar në një mënyrë të tillë që ata të mundnin ta kuptonin të vërtetën.13
Unë kam lexuar një ditar të gjyshit tim, Xhorxh A. Smith… Unë kam lexuar përvojat e tij vetjake, disa shumë të dhimbshme dhe të tjera të mrekullueshme. Në rininë e tij ai u dërgua të predikojë Ungjillin e Zotit tonë. Përvoja e tij ishte ajo e burrave të tjerë që qenë thirrur në shërbesë. Ata me mendje të ligë bënin akuza të rreme kundër tij dhe shokëve të tij, por ai vazhdoi besnik dhe Zoti i mbrojti ata, dhe i lartësoi në sytë e njerëzve, dhe u dha dëshmi të karakterit hyjnor të kësaj pune që ishte aq pozitive, saqë asnjë detyrë nuk ishte tepër e vështirë që ata ta merrnin përsipër për përhapjen e së vërtetës.
Gjyshi ishte me grupin që u dërgua në Angli për të predikuar Ungjillin në 1839-n. Atje kundërshtari kërkoi t’i shkurajonte ata me çdo mënyrë. Ditaret e tyre shkruar në atë kohë, zbulojnë faktin që për ta ishin bërë përgojime nga njerëz të ligj dhe ishin sulmuar nga shpirtra të ligj, por Zoti i ruajti dhe ata kryen një punë të madhe. Tetë nga Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve ishin atje në atë kohë. Midis atyre që ishin thirrur të shkonin në Angli, ishin burra pa mjete financiare që të paguanin udhëtimin, por ata u nisën nga shtëpitë e tyre në këmbë. Për shkak të sëmundjes së zgjatur, njëri nga këta burra ishte tepër i dobët që të ecte tre kilometra për të marrë një karrocë poste, por u ndihmua gjatë asaj largësie nga një mik. Ata patën besim në Perëndi; ata e dinin se kjo ishte Kisha e tij dhe kështu ata shkuan në udhën e tyre, dhe miq jo nga Kisha u frymëzuan për t’u dhënë atyre para dhe për të paguar kalimin e tyre nëpër oqean, ku ata dhanë mesazhin e tyre dhe shumë njerëz besnikë pranuan të vërtetën si rezultat i shërbesës së tyre.14
Kjo është punë e Perëndisë. Ajo nuk është punë e ndonjë njeriu. Asnjë njeri apo grup njerëzish nuk do të mund ta çonte atë përpara dhe ta bënte atë të suksesshme përballë kundërshtimit të botës. Shumë herë ata [që kundërshtojnë punën] kanë ndier se fundi i Kishës pati ardhur dhe çdo herë nëpërmjet madhështisë së fuqisë së tij, Zoti e ka ngritur atë dhe ajo ka shkuar përpara nga qyteti në qytet, nga fshati në fshat, nga kombi në komb.15
Unë e di se ka shumë probleme dhe do të ketë probleme edhe më të mëdha me kalimin e kohës, por i njëjti Atë në qiell që udhëhoqi Fëmijët e Izraelit, që shpëtoi Danielin dhe tre fëmijët hebrenj nga shkatërrimi, i njëjti Atë Qiellor që ruajti stërgjyshërit tanë që erdhën në [luginën e Solt-Lejkut] dhe i vendosi ata këtu, dhe i bekoi ata, dhe bëri të mundur që në varfërinë e njerëzve të kenë këtë tempull madhështor [të Solt-Lejkut] dhe tempuj të tjerë madhështorë, … po ai Atë, Ati juaj dhe imi, është i gatshëm që të derdhë bekimet e tij sot mbi ne.16
Nuk ka vend për shkurajim. Ungjilli i Jezu Krishtit vazhdon të përhapet. Ne kemi premtimin nga Ati ynë Qiellor se ai do të vazhdojë të përhapet. Asnjë periudhë ungjillore nuk ka patur sigurimin që ne kemi. Në periudhat ungjillore të së kaluarës Ungjilli ka qenë marrë nga toka. Kur ai u rivendos në ditët tona, u bë me premtimin që nuk do të merret më kurrë nga toka apo t’i jepet një populli tjetër. Kështu unë ju lutem juve që keni vendosur dorën tuaj në parmendë, mos u ktheni prapa. Shërbejini Perëndisë dhe mbani urdhërimet e tij.17
Nuk kemi nevojë të ndihemi në ankth për përparimin e Sionit, sepse anija e mirë e vjetër do ta vazhdojë lundrimin krenare dhe ata që janë besnikë dhe të vërtetë do të arrijnë të sigurt me të në gjirin e Perëndisë të kurorëzuar me lavdi, pavdekësi dhe jetë të përjetshme. Unë nuk kam aspak frikë për këta burra dhe gra të moshuara që kanë mbajtur besimin. Unë nuk kam frikë për djemtë dhe vajzat që po ecin në bindje ndaj urdhërimeve të Zotit… Por shenjtorët e ditëve të mëvonshme që duke ditur vullnetin e Atit tonë nuk e kanë bërë këtë, ata që dëgjojnë mësimet e Zotit herë pas here dhe u kthejnë shpinën atyre, unë kam frikë se ata nuk do ta arrijnë qëllimin veç nëse kthehen dhe pendohen me gjithë zemrën e tyre.18
Puna e Tij është në përparim, ne duhet të jemi aktivë nëse duam ta mbajmë hapin me të. Në çdo vit që kalon, që nga organizimi i Kishës, ajo është bërë më e fortë sesa në vitin e mëparshëm. Sot shpresa për sukses të vazhdueshëm është më e madhe sesa kurrë më parë. Më shumë njerëz po mësojnë të vërtetën rreth nesh dhe qëndrimit tonë ndaj tyre. Paragjykimi për shkak të padijes po mposhtet, ndërsa drita po përhapet midis masave. …
Duhet të jetë e qartë për të gjithë, dhe do të jetë një ditë, që kundërshtimi ndaj kësaj pune do ta kishte mposhtur atë shumë përpara nëse ajo nuk do të ishte hyjnore. Le ta dijë gjithë bota se ajo nuk mund të hidhet tej, sepse “[ajo] është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson”. [Shih Romakëve 1:16.]19 [Shih sugjerimin 3 në faqen 166.]
Perëndia rregullon rrethanat në botë në mënyrë që puna e Tij të mund të përhapet kudo në tokë.
[Perëndia] ka përcaktuar se mesazhi që qe shpallur nga shërbëtorët e tij në kohët e kaluara, i ripërtërirë dhe i predikuar nga shërbëtorët e tij në ditët e mëvonshme, do të dëgjohet, dhe me energjinë e fuqisë së tij ai do të rregullojë rrethanat e kësaj bote dhe do t’i përulë fëmijët e njeriut derisa të pendohen dhe të jenë gati të dëgjojnë. Të vërtetat që ne japim mësim, që do të thotë, të vërtetat që Perëndia na kërkoi neve të japim mësim në botë, po përhapen.20
Zoti i zbuloi njërit prej profetëve të tij se, me daljen e Librit të Mormonit, ai do të fillonte punën e tij midis kombeve për rivendosjen e popullit të tij. [Shih 2 Nefi 30:3–8; 3 Nefi 21:1–14; 29:1–2.] Kur ne kuptojmë se me çfarë shpejtësie ungjilli i Jezu Krishtit mund të përhapet tani krahasuar me vitin 1830, ne mund të shohim se Zoti ka shtrirë dorën e tij dhe mundësia për ta njohur iu është dhënë njerëzve. Nuk do të jetë e largët koha, kur në çdo pjesë të kësaj bote ungjilli të mund të dëgjohet nëpërmjet shërbëtorëve të Zotit që e shpallin atë në fuqi. Ati ynë Qiellor do të përshtasë rrethanat në botë në mënyrë që ungjilli të mund të predikohet.21
Shpëtimtari ka thënë se ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në të gjithë botën si dëshmi në të gjitha kombet dhe pastaj fundi do të vijë! [Shih Joseph Smith—Matthew 1:31.] Zoti nuk do të kërkojë një gjë të pamundur. Ai po i heq pengesat dhe ungjilli “do të predikohet”.22
Sioni do të shëlbehet dhe bota, që tani e keqkupton punën e “Mormonizmit”, do të jetojë që ta dijë se është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e atyre që do të mbajnë urdhërimet e Atit tonë. Dëshmia ime është se puna rritet shpejt dhe se fëmijët e njeriut po marrin “Mormonizmin” në shpirtrat e tyre; që ajo është puna e Atit tonë. Ne mund të jemi të vegjël dhe të dobët në vetvete, por nëse do të jemi të virtytshëm dhe të dëlirë në jetën tonë, nëse do të bëjmë atë që e dimë se është e drejtë, burra dhe gra do të frymëzohen për të vazhduar punën e Zotit, derisa puna e Atit tonë të jetë kryer në mënyrën që Ai dëshiron. Ata që na keqkuptojnë tani do të na njohin më mirë. Atyre që besojnë se ne kemi shtysa egoiste, do t’u hapen sytë dhe vëllezërit e motrat tona të botës, që e duan të vërtetën dhe duan ta dinë atë që Zoti kërkon prej tyre, do të pikëllohen në zemër dhe do ta pranojnë ungjillin. Sioni do të çohet dhe do të shkëlqejë, dhe do të bëhet gjëja më e lavdishme në të gjithë botën, kështu ka dekretuar Zoti Perëndi i Izraelit.23 [Shih sugjerimin 4 më poshtë.]
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet v–vii.
-
Presidenti Smith profetizoi se “ungjilli i Jezu Krishtit Zotit tonë … do të dëgjohet në të gjitha anët e botës” (faqe 158). Cilat teknologji po ndihmojnë që ta bëjnë të mundur këtë? Në çfarë mënyra të tjera po ndihmojnë teknologjitë e reja apo përparimet shkencore në punën e Zotit?
-
Kur lexoni seksionin e parë të mësimeve (faqet 159–160), mendoni rreth thirrjes apo detyrës suaj të tanishme në Kishë. Si ju mundëson përmbushja e thirrjes suaj që të merrni pjesë në “çuarjen përpara të punës së Zotit”? Si ndihmojnë përpjekjet tuaja si mësues shtëpie apo mësuese vizitore në këtë punë? Me çfarë mënyra mundemi ne të gjithë të marrim pjesë përtej thirrjeve dhe detyrave tona formale?
-
Në faqet 161–163, Presidenti Smith sjell dëshminë e tij që Zoti drejton punën e Kishës së Tij. Çfarë përvojash keni pasur që ju kanë treguar se kjo është e vërtetë? Sa e demonstrojnë mësimdhënia dhe të jetuarit e ungjillit në shtëpinë tonë besimin tonë në punën e Zotit?
-
Në faqet 157–158 dhe 164–165, kërkoni gjëra që Presidenti Smith ka thënë se Zoti do t’i bëjë për të përgatitur rrugën që ungjilli i Tij të predikohet. Çfarë faktesh shihni ju që këto gjëra kanë ndodhur ose janë duke ndodhur sot në botë?
Shkrime të Shenjta Përkatëse: Danieli 2:44–45; Joeli 2:27–28; Mosia 27:13; Doktrina e Besëlidhje 64:33–34; 65:1–6; 107:99–100; Moisiu 1:39
Ndihmë për mësimdhënien: “Mund të ketë … raste kur nuk e dini përgjigjen e një pyetjeje. Nëse kjo ndodh, thjesht thoni se ju nuk e dini. Ju mund të dëshironi të thoni se do të përpiqeni ta gjeni përgjigjen. Ose ju mund të doni të ftoni nxënësit ta gjejnë përgjigjen, duke u dhënë atyre kohë në një mësim tjetër për të treguar mbi atë që kanë mësuar” (Teaching, No Greater Call [Mësimdhënia, S’Ka Thirrje më të Madhe], f. 64).